Jolanda Klosi (Xhuvani) u lind në Elbasan më 12 Gusht 1922, si fëmija e tretë e Aleksandër Xhuvanit.
Në këtë foto shihet e gjithë jeta e saj, rinia e hershme në qytetin e Elbasanit, ku vajza e tretë e familjes së Aleksandër Xhuvanit, do të binte në sy për bukurinë e saj.
Në familjen e gjuhëtarit dhe pedagogut të shquar, njërit prej themeluesve të sistemit arsimor të Shqipërisë dhe drejtor i Shkollës Normale të Elbasanit, Jolanda u rrit me dashurinë për vendin e saj dhe gjuhën shqipe. Qysh në vitet 1940-1941, me zgjimin dhe rritjen e Lëvizjes Antifashiste, fëmijët e Xhuvanit: Ptolemeu, Pleurati, Jolanda, Genci deri dhe Semirami e vogël, u bashkuan me të, kush drejtpërdrejt në luftime e kush me veprimtari në shkolla e gjetiu në qytetin e Elbasanit ose krahinat përreth.
Shërbëtorët e Gestapos e arrestuan dy herë Jolandën, në Janar dhe në Korrik 1944, kur mundi të arratisej dhe të hidhej në terren në krahinën e Zarranikës. U bë anëtare e Partisë Komuniste prej shkurtit të vitit 1943. Me krijimin e Brigadës së 17 Sulmuese në Gjinar të Elbasanit, bëhet partizane e saj dhe zv.Komisare e Batalionit të Dytë. Mori pjesë në disa luftime, si në betejën e madhe të Mushqetasë, në Nëntor 1944. Pas Çlirimit, pati disa funksione, si në komitetet e rretheve të Librazhdit, të Tiranës.
Pas martesës me Bilbil Klosin, ajo u vendos në Tiranë, ku pati një familje me pesë fëmijë e shumë nipër e mbesa.
Deri kur doli në pension, më 1972, Jolanda Klosi ka dhënë mësim e ka qenë drejtuese në disa institucione si: Politeknikumi “7 Nëntori”, gjimnazi “Qemal Stafa”, Instituti Pedagogjik, Instituti Bujqësor Kamzë, Instituti i Lartë i Arteve. Breza të tërë mësuesish, agronomësh, aktorësh e artistësh e të tjerë e kujtojnë përherë si një njeri të drejtë e të respektuar. Humbjet e mëdha që pati në jetë, nuk e thyen dhe ajo mbeti një grua e mençur dhe fisnike, nëna që rriti dhe edukoi pesë fëmijë, por edhe mbesa e nipër në familjen e Klosëve.
Në portretin e saj reflektohet besimi dhe mënyra sesi ia ka dalë të shohë përpara.
Ardian Klosi u lind në Tiranë më 9 Korrik 1957, i biri i Bilbil Klosit dhe Jolanda Xhuvanit. U diplomua në fakultetin e Gjuhë-Letërsisë në vitin 1981 me një tezë mbi përkthimin e Dickens dhe Thackeray.
Prej 1981 deri më 1986 punoi si redaktor dhe përkthyes pranë shtëpisë botuese “Naim Frasheri”, duke përkthyer autorë si Th. Mann, S. Zweig, H. Böll, M. Twain etj.
Prej 1986 deri më 1990 studioi Gjermanistikë dhe Letërsi të Krahasuar pranë Universitetit të Innsbruck në Austri. Doktoroi me temën “Miti dhe zhvillimi i tij në Letërsinë Moderne të vendeve të Europës Jug-Lindore”.
Nga viti 1993-1998 ka qëndruar në Gjermani. Në vitin 1998 u rikthye në Shqipëri ku u emërua si Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar.
Qysh nga 2004 drejtoi shoqatën kulturore gjermano-shqiptare “Robert Schwartz”.
Ardian Klosi u nda nga jeta më 26 Prill 2012.