ROBERT KOSTAQ CIPO (1930 – 2009)
Linda ne Korçë një ditë të Martë më 16 Shtator të vitit 1930, në ora 10 të mëngjesit.
Prindërit e mi kanë qenë, Kostaq Cipo, i biri i Simon Cipos e Agnia (Xhuvani) Cipo, dhe Margarita (Papajani) Cipo, shtëpijake, e bija e Doktor Filip Papajanit dhe i Angjeliqì (Kostantinesku) Papajani, shtëpijake. Kur linda im atë ishte profesor i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqipe si dhe i letërsive të tjera, përveç asaj Franceze, në Liceun Kombëtar Shqiptaro-Frëng në Korçë ndërsa Doktor Filip Papajani ishte mjeku i vetëm i Rrethit të Pogradecit deri në Clirimin e Shqipërisë, patriot i periudhës së Pavarësisë, shkrimtar dhe poet i përmendur edhe në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.
Duhet të saktësoj se im atë ishte Elbasanas, lindur atje që në 1892, por mbasi mbaroi Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Romës më 1921, kthehet në Shqiperi dhe emërohet profesor në Shkollën Normale të Elbasanit dhe prej andej trasferohet ne Gjimnazin e Shkodrës e më vonë në Liceun Kombëtar Shqiptaro-Frëng në Korçë.
Për emrin tim u bë iniciator vetë im atë, i cili kur unë linda ishte pikërisht duke shpjeguar në Lice periudhën e dyndjeve Normane në Europë dhe në Shqipëri. I pëlqeu emri Robert nga Robert Guiskardi, i cili në krye të normanëve të tij erdhi deri në Durrës ku zhvilloi disa beteja. Në atë periudhë, me sa më kujtohet, duket të isha Roberti i parë në Korçë dhe ndoshta i pari në Shqipëri.
Menjëherë edhe familje të tjera vrapuan t’ja venë këtë emër fëmijëve të tyre. Sapo erdhi telegrami në Elbasan që njoftonte lindjen e djalit të parë dhe emrin e tij, xhaxhai i Margaritës, Lef Papajani të cilit edhe atij sapo i kishte lindur një djalë, shpejtoi t’ja verë emrin Robert. Ky ishte Robert Papajani pedagogu i ardhshëm i Institutit të Lartë Bujqësor në Kamëz. Gjithmonë Lagjia “Kala” e Elbasanit ka qenë e dalluar për kulturë e arsim. Keshtu veproi dhe vajza e tezes se Kostaqit, Sofia Xhufka e cila shpejtoi t’ja vinte emrin Robert djalit të saj të parë që sapo i kishte lindur. Edhe ky Robert Xhufka, shok femijërie i pandarë, u bë arsimtar por që pati fatkeqësinë të vdesë i ri në moshë, larg familjes, nga nje grip shumë i rëndë, dhe pa asnjeri afër që të kujdesej për të.
Ashtu si në çdo familje edhe te familja e Cipos tregoheshin si ngjarje me rëndësi të gjitha veprimet që kryente femija i parë i shtëpisë, të cilat rrefeheshin, zbukuroheshin e përsëriteshin sa herë që dikush vinte për vizitë. Tregonte Margarita se ky Roberti i vogël që ditën e parë të lindjes nuk ishte në gjendje të thithte gjiun e nënës. Atëhere njëra nga gratë i pregatiti një copë garzë dhe brenda i futën një llokum dhe ja afruan te buzët. Ai menjëherë filloi ta thithë, por kur e larguan garzën vunë re për çudi se llokumi ishte thithur komplet. Ndoshta kjo ka qenë shenja e parë që do tregonte se gjithë jetën do të mbetesha i apasionuar dhe i lidhur pas ëmbëlsirave.
Menjëherë për të ndihmuar lehonën erdhën të dy krushkat, e ëma e Kostaqit, Agnija dhe e ëma e Margaritës, Angjeliqija. Mbahet mend, përveç të tjerave që nuk është e nevojshme të zgjatemi, se fjala e parë që arrita të shqiptoj ishte “Piperka” (speci) fjalë tipike korçare që si duket mua më kishte bërë shumë përshtypje.
Por shëndeti nuk më shkoi mbarë. Që i vogël fillova të vuaj nga bajamet. Nuk kishte sëmundje apo epidemi që të çfaqej në Korçe që të mos më prekte mua. Këtë e kishte mësuar permendesh Doktor Polena, që sa herë shfaqej gripi i parë në Korçë vraponte te shtëpia e tim ati i sigurtë se do më gjente të sëmurë. Pa mbushur akoma 5 vjeç, sipas rekomandimit të mjekut, u nisëm familjarisht për në Selanik të Greqisë për të më operuar bajamet, mbasi këtu në Shqipëri nuk ishin të sigurtë nëse dikush mund të ishte në gjendje t’i operonte.
Pas operacionit pata një përmirësim të dukshëm por oreksi nuk m’u kthye, kjo ndoshta dhe për faj të vetë ambientit familjar të cilët me përkedhelnin duke më ushqyer gjithnjë sipas dëshirave të mia, vetëm me ëmbëlsira. Madje im atë më kishte abonuar te “Kafe Kursali” ku kisha të drejtë të hyja e të haja çfarë të desha, dhe im atë ja paguante pronarit në fund të çdo muaji. Njëkohesisht sa herë që zgjohesha në mëngjes do të gjeja poshtë jastëkut një çokollatë “Nestle”. Dua të saktësoj se kujtimi i im i parë i vegjëlisë është ai i 18 Marsit 1933. Mbaj mend se atë mëngjes, një grua (nuk më kujtohet se cila mund të ketë qenë) erdhi dhe më zgjoi, dhe më tha “hajde të të tregoj motrën që të ka lindur”. Më mori në krahë dhe më çoi në dhomën tjeter ku ndodhej e shtrirë në shtrat mamaja ime Margarita dhe ngjitur me të ishte motra Brunilda e porsalindur. Pastaj kujtimet fillojnë e zbehen.
Vitin e parë fillore e ndoqa pikërisht aty ku ishte hapur e para shkolle shqipe me 1908 në Korçë dhe në Shqipëri, ndërsa për mësuese kisha Virgjini Pepon, vajza e njërës prej familjeve më intelektuale të Korçës. Një vëlla e kishte pronar të një shtypshkronjë, “Shtypshkroja Pepo”, ku shtypeshin libra dhe fletore dhe ku mësuesja na çonte shpesh për të parë se si punohej.
Vëllai tjeter i saj ishte profesor Petraq Pepo-ja, profesor historie në Liceun e Korçës, i cili më vonë do të internohej edhe ky po në Colfiorito di Foligno, pikërisht aty ku ndodhej e internuar edhe familja Cipo. Petraq Pepoja do të bënte pjesë gjithashtu si anëtar në Delegacionin Qeveritar që mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris më 1946.
Gjatë tre vjetëve të shkollës fillore që ndoqa në Korçë ndërrova tre shkolla, duke zgjedhur çdo vit atë që ishte më afër shtëpisë. Meqë vazhdoja të mos kisha oreks, sa herë që do të haja drekë do të vinte për të më shoqëruar një shok, Vangjeli, i biri i rrobaqepësit Rrapi i cili sa herë që ishte kohë e mirë dilte e i arnonte rrobet që i sillnin klientët te dera e të ashtuquajturit “dyqan”, që ndodhej ballë për ballë me shtëpinë ku banonim. Ky Rrapi gjithmonë e falenderonte Margaritën për gjellën që djali i tij hante së bashku me mua. Mbas Çlirimit morëm vesh se Vangjeli që ishte nja dy-tre vjet më i madh se mua kishte dalë partizan dhe kishte mbetur i vrarë për çlirimin e Kosovës.
Im atë sa herë që dilte shëtitje pasditeve apo të djelave në mëngjes më merrte gjithnjë me vete dhe shkonim së bashku te kodra e Shëndëllisë dhe aty uleshim për të pushuar tek një kafene private ku ai porosiste për vete një kafe ndërsa per mua një gliko kumbulle apo portokalli. Më kishte blerë edhe mua një bastun të vogël bambuje, kopje e asaj që mbante vetë. Më vonë kur erdhi të banojë të shtëpia jonë Kont Appony (i vëllai i Mbretëreshës Geraldina) zura miqësi me të dhe luanim bashkë me top te oborri i shtëpisë.
Kur u pushtua Shqipëria nga fashistët italianë mbaj mend se pas disa ditëve më arrestuan babain. Në një prej atyre ditëve mësuesja ndërpret mesimin dhe na njofton se i kishte ardhur urdhëri nga drejtoria që të gjithë me vrap të shkonin në shtëpi, të vishnin rrobat më të mira që kishin dhe të dilnim afër Bankës për të pritur trupat italiane që do vijnë sot. Unë u nisa gjithë qejf për të zbatuar porosinë e mësueses dhe me vrap shkova në shtëpi dhe meqë aty nuk gjeta njeri, u nisa me rrobat e shkollës për të shkuar aty ku na kishte porositur mësuesja. Përballë Kinema Mazhestikut kishin ndalur duke biseduar dy gra të cilat kur më panë mua i thanë njëra-tjetrës “këtij ja kanë arrestuar të jatin dhe shkon të presi italianët”. Në moshën tetë vjeç e gjysëm m’u duk sikur dikush më goditi në kokë. E kuptova menjëherë se po flitej për mua. Qëndrova një minutë në heshtje duke i parë me vëmendje ato gratë, dhe pastaj dalngadalë u ktheva në shtëpi. Të nesërmen mësuesja i pyeti nxënësit nëse kishin shkuar për të pritur italianët. Atëhere u ngrita dhe i thashë “Unë nuk shkova, mua më kanë arrestuar babanë”. Ishte kundërshtimi i parë që do më ndiqte tërë jetën.
Kjo ndjenjë do të më forcohej akoma më shumë kur mbas disa muajve do të shkoja përditë për t’i çuar bukën në burg babait. Burgu ishte jashtë qytetit dhe duhej kaluar edhe lumi që në atë periudhë Korrik-Gusht ishte pothuajse i tharë. Një herë xhandarët, kur mungonte drejtori, më futën brenda në oborrin e burgut dhe aty pashë gjithë ata të burgosur, burra të pjekur por edhe të rinj, shumica malësorë me qeleshe të veriut. Të gjithë qëndronin më këmbë me orë të tëra në oborrin e brendshëm të burgut, të vendosur në krah të njëri-tjetrit, ku kryenin punë artizanati me rruaza shumë ngjyrëshe që i kalonin dorë pas dore njëri-tjetrit. Kjo skenë më la një përshtypje të pashlyeshme për tërë jetën. Filloi të më mblidhej në shpirt një ndjenjë proteste e brendshme që shpërthente në çdo rast.
Gjatë periudhës së internimit, kur rrinin e bisedonin pas darke, im atë, Kostaq Cipoja tregonte për peripecitë që kishte kaluar ai vetë në jetë që kur kishte qenë i ri, që kur ishte ngritur në protesta dhe braktisur shkollën për të detyruar futjen e gjuhës shqipe në shkollën turke të Elbasanit, rrezikun që kishte kaluar në Manastir për shkak të një vjershe patriotike si dhe të gjitha protestat kundër fashistëve që kur ishte në fakultet në Romë, shoqërinë me Avni Rustemin, burgosjet e Zogut, kundërshtimet me fashistët që na kishin zaptuar, burgosur dhe internuar, duke më pregatitur pa dashjen e tij, në një qënie që gjithmonë do të kërkoja të drejtën, të vërtetën, duke qenë gjithnjë në opozitë me çfarëdolloj rregjimi.
Shenjën e parë e dhashë që në shkollën fillore në Itali. Isha në klasen e katërt kur, ndërsa mësuesja fashiste filloi të lavdëronte përparimet e shkëlqyshme të trupave italiane në luftën italo-greke, u ngrita nga vendi dhe i thashë se trupat italiane po përparojnë me ”shpatulla” jo me gjoks (d.m.th. në tërheqje). Ajo që në atë çast shkon e ankohet në karabienieri. E thërrasin tim atë dhe i heqin vërejtje për fjalët e thëna nga unë dhe mësuesja për atë ditë më dëbon nga shkolla duke më thënë “shko se të kërkojnë në shtëpi”. Në shtëpi gjeta prindërit që po më prisnin. Babai më thotë se duhet të kesh kujdes kur ti lëshosh fjalët por nga ana tjetër buzëqeshte, ndoshta në vetvete ndjehej krenar për mua.
Mbas kthimit nga internimi, babai më dërgon në Elbasan tek i vëllai dhe aty regjistrohem në klasën e parë të shkollës Normale. Kur vjen për të më takuar, gjen rastin e më merr për dore dhe më çon te Thanas Fullani, djali i hallës së nënës time, i cili sapo kishte mbaruar një shkollë profesionale në Athinë, dhe kishte hapur një punishte zdrukthtarie në bodrumet e shtëpisë së tij dhe i thotë “Merre këtë çun dhe mësoji një zanat, të mos mbetet si unë që nuk di të ngul një gozhdë në mur”. Gjatë një viti që qëndrova në Elbasan, çdo pasdite mbasi dilja nga shkolla, shkoja e punoja si çirak marangozi. Kjo praktikë me vlejti shumë në jetë.
Aty në Normalen e Elbasanit vjen të japi mësim, mbas perfundimit të internimit në Itali, edhe Prof. Petraq Pepoja. Nga ky vit mësimi në Normalen e Elbasanit më kujtohet vetëm profesori i italishtes i cili bënte gabime ortografike dhe unë fare i vogël ja korrigjoja që nga vendi duke e vënë në vështirësi derisa arritëm në një marrëveshje që unë nuk do ta korrigjoja mësuesin në sy të nxënësve por dhe profesori gjatë gjithë vitit nuk do më ngrinte në mësim. Më kujtohet gjithashtu shoku i bankës, Bestar Dokja i cili vazhdonte traditat e fëmijëve elbasanas me ngritjen e balonave në periudhën e pranverës duke qenë më i zoti nga të gjithë. Balona e tij qëndronte në ajër pa u rrëzuar gjatë gjithë natës dhe në mëngjes e gjenin po aty duke u valëvitur mbi oborrin e kishës. Të gjithë shokët dhe shoqet e kësaj klase i kam harruar, vetëm mbaj mend se aty ishte nxënëse dhe e motra e Dhimitër Shuteriqit, por me Bestarin megjithëse shihemi një herë në disa vjet, ruajmë gjithmonë miqësine e fëminisë.
Kur erdhëm në Tiranë, meqë im atë ndodhej më shërbim në Itali te Shoqëria “De Agostini” Novara, për të më rregjistruar në gjimnazin “Naim Frashëri”, u kujdes daja i babës, Aleksandër Xhuvani, i cili më shoqëroi në sekretarinë e shkollës, ku nuk pranuan të më rregjistronin në klasën e dytë pasi thanë se shkolla Normale e Elbasanit konsiderohej e një niveli më të ulët se Gjimnazi i Tiranës kështu që çka kisha bërë në Elbasan nuk më quhej, dhe këtu në Tiranë duhet të rregjistrohesha përsëri në klasën e parë. Dhe kështu u bë. Xhuvani pagoi 5 frangat e rregjistrimit dhe unë u detyrova të përsëris klasën e parë, ku për çudi vura re se ishin të njëjtat tekste dhe të njëjtat mësime që ishin zhvilluar në Normalen e Elbasanit. Në atë periudhë shkollat e mesme, si Normalja e Elbasanit ashtu dhe gjimnazi i Tiranës ishin me nga tetë klasë, pasi klasa e parë fillonte menjëhere pas mbarimit të fillores.
Nga profesorët e asaj periudhe mbaj mend mësuesin e gjimnastikës Adem Karapicin i cili përveç mësimit në palestrën e shkollës, na çonte te fusha e sportit “Shallvare” ku luanim futboll, hendboll dhe basketboll. Mbaj mend gjithashtu dhe Prof. Tatzatin që na jepte matematikë, Prof. Blakçorin që na jepte italisht, gjithashtu dhe Prof. Sitki Ciçon që e vranë njerëzit e Xhafer Devës më 4 Shkurt. Ato ishin ditë te turbullta. Ne nxënësit e gjimnazit herë pas here braktisnim mësimin dhe suleshim në demostrata nëpër rrugë megjithëse Drejtori i shkollës Andon Deda me atë ndjenjën e prindit plot përgjegjësi për jetën e nxënësve që i ishin lënë në ngarkim të tij, mundohej të na mbante në shkollë me parimin se shkolla duhet të ishte apolitike.
Pas kthimit nga internimi, gjatë gjithë jetës sime u mora me leximin e literaturës së huaj dhe asaj botërore, gjithmonë në gjuhën italiane. Në gjuhën shqip kam lexuar vetëm lëndët e mësimit dhe nuk lexova asnjë shkrimtar tjetër shqiptar. Shumë vite më vonë pas viteve ‘60 me sugjerimin e shokëve lexova Dhimitër Shuteriqin, Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin dhe Vath Koreshin.
Mbas çlirimit, duke patur gjithmonë në shpirt ndjenjën e rrebelimit, megjithëse im atë ishte Ministër i Arsimit dhe vazhdimisht Deputet në Kuvendin Popullor, gjithmonë tregova antipati për qeveritë e çfarëdolloj ngjyre të ishin si dhe për mënyrën e qeverisjes sidomos për format e nënshtrimit ndaj të huajve. Kjo ndoshta edhe për arsye se vazhdimisht ndiqja programet e Radio Londrës në gjuhën italiane, duke u pajisur me një kulturë politike që vazhdimisht m’i mbante sytë hapur për të kuptuar vijën e shtrembër ku kërkonte të futej Shqipëria.
Nuk më pëlqente nënshtrimi ndaj Jugosllavise e cila u sul si grabitqare mbi çdo mall që kishte mbetur nga periudha e luftës e që tregtarët e mbanin të grumbulluar nëpër magazinat e tyre, si dhe duke mos qenë dakord me propagandën e asaj kohe se të gjitha vendet socialiste duhet ta ndihmonin njëri-tjetrin, pasi çdo ditë shiheshin vetëm kamiona që çuditërisht vinin bosh dhe niseshin të ngarkuar për në Jugosllavi.
Duke u nisur nga këto ide, gjeja gjithmonë shkak që të protestoja në çdo mbledhje pothuaj të përditëshme të organizatës së rinisë që organizoheshin në klasë pas orëve të mësimit duke u vënë në shënjestër nga organizata e shkollës. Për të thyer këtë rebelim, pas vitit të dytë gjimnaz, së bashku me nja dy shokë të tjerë na heqin nga klasa jonë dhe na kalojnë në klasën paralele. Por edhe këtu vazhdon e njëjta gjendje. Krijova bashkë me shokët e mi, atë që sot pas pesëdhjet vjetëve konsiderohet si diçka normale, një “Qeveri” duke qenë vetë kryeministër, si dhe një shtatmadhori me disa lloj rangje “oficerësh madhorë”. Përveç pak vetëve të lidhur me organizaten e rinisë, gjithë të tjerët ishin kthyer në favor të grupit tonë “rebel” duke patur njëkohesisht simpatinë dhe përkrahjen morale edhe të trupit mësimor.
Nga viti i parë gjimnaz më kujtohet një ngjarje e dhimbshme. Në klasën tonë ndodhej edhe Aminta Papahristo i biri i Prof. Sotir Papahristos, koleg i Kostaq Cipos që në Liceun Francez të Korçës, me të cilin kishim një miqësi të zakonshme për moshën. Gjatë pushimeve të vitit të I-rë, shkolla jonë u dërgua vullnetare për ndërtimin e Hekurudhës Durrës-Elbasan dhe na vendosën tek Km. 5 në dalje të Durrësit, afërsisht aty ku sot ndodhet Plazhi Iliria. Aty u sëmura nga Malaria dhe u shtrova në Spitalin e Hekurudhës. Aty e merr vesh im atë dhe vjen e më tërheq, duke shkaktuar kundërshtimin e “shokëve të Rinisë”, mbasi sipas tyre kisha braktisur frontin e luftës. Po aty u sëmur dhe Aminta Papakristo i cili pasi vuajti për disa muaj vdiq, duke shkaktuar dhimbje të thellë si për ne që e kishim shok klase ashtu dhe për të gjithë të njohurit e familjes së Prof. Papahristos. Mora pjesë në varrim duke mbajtur bashkë me shokët arkivolin.
Grupi jonë i nxënësve përveç se çfaqte haptazi mendime kundra pushtetit, kishte në gjirin e vet më të mirët e klasës në mësime, shumica përveç gjuhës shqipe dinin dhe nga një gjuhë të huaj sidomos italisht apo frëngjisht, duke hyrë në polemika të zjarrta letrare dhe filozofike qoftë midis shokëve apo shpesh herë edhe me profesorët tanë duke debatuar për shkrimtarë e poetë të botës perëndimore e duke krijuar cmirë dhe zili tek injorantët e klasës, “shokët e rinisë komuniste”.
Në atë kohë në gjimnaz jepnin mësim ajka e arsimtarëve intelektualë shqiptare si Skënder Luarasi, Fejzi Dika, Nonda Bulka, Prof. Karajani, Prof. Babamusta, Ollga Luarasi (e motra e Migjenit), Zoja Ndoja dhe i shoqi i saj Injac Ndoja, Gavril Meksi, Fadil Rrepishti që kishte përkthyer nga italishtja në shqip tekstin e fizikës. Por simpati të veçantë kishim për Prof. Ahmet Gashin nga Kosova i ardhur në Shqipëri që para vitit 1912 dhe i vendosur ne Elbasan, ku filloi të jepte mësim në shkollën e qytetit duke drejtuar edhe bandën muzikore “Afërdita”. Ai tashmë në një moshë shumë të thyer kishte mbetur i vrarë shpirtërisht meqënëse “pushteti socialist” vetëm me kërkesën e “shokëve” jugosllavë i kishte pushkatuar të birin që përpiqej për pavarësinë e Kosovës. Megjithëse në moshë pensioni, ai u bë për ne nxënësit e tij një shok i vërtetë. Shpesh na ftonte në shtëpi për të na treguar e shfletuar bibliotekën dhe të luanim ndonjë lojë shahu së bashku.
Nga fundi i vitit të tretë, organizata e rinisë për të thyer këtë ndjenjë të protestës që nuk po fashitej, si dhe në bashkëpunimin me drejtorin e gjimnazit, pseudo-shkencëtarin Stefan Prifti i cili vetë e sajoi, organizoi dhe zbatoi nje plan të ndyrë. Duke gjetur një shkak pa asnjë lloj rëndësie, dhe me qëllim që t’i prisnin kokën kësaj organizate rebele, më përjashtojnë nga shkolla për tre muajt e fundit të vitit të tretë shkollor. Mjaft i tronditur shkoj të takoj tim atë dhe e gjej në Bankën e Shtetit duke paguar qiranë e shtëpisë dhe i thashë se më kanë përjashtuar për tre muaj nga shkolla. Im atë, Kostaq Cipoja i cili gjatë gjithë jetës së tij shkollore kishte kaluar kaq e kaq peripeci të tilla, në vend që të fillonte të më bërtiste, të më shante apo dhe çfarëdo lloj veprimi tjetër, qetësisht më tha “Këto tre muaj shtroju mësimeve dhe në fund të vitit shko e jepi provimet, dhe tashti hajde të shkojmë të hamë drekën në shtëpi se na vajti vonë”.
Por nuk do të mbaronte me kaq. Kur e panë se nuk e mposhtën këtë situatë që po forcohej çdo ditë e më shumë, me fillimin e vitit të katërt që ishte dhe viti i maturës, duke parë se këta te etiketuarit “reaksionarë” ishin nxënës shumë të mirë në mësime, me kulturë, me gjuhë të huaja dhe sigurisht do të ishin pretendentët kryesorë për të marrë një bursë për studime jashtë shtetit, organizojnë një përjashtim masiv duke futur në këtë listë edhe nxënës me gjoja prindër të persekutuar politikë.
Unë vetë kur më pyesin për këtë periudhë, ndodhur gjysem shekulli më parë, me aq sa mbaj mend, mund të them se “në muajin e parë të vitit të maturës, në Shtator 1948, në mbledhjen e përgjithshme të nxënësve të shkollës, ishin marrë masat për një rrahje masive të nxënësve rrebelë. Në presidium ishin rreshtuar titullarë nga Komiteti i Partisë, nga Ministria e Arsimit, nga Komiteti i Rinisë, ndërsa nga Kryeministria asistonte vetë Zv. Kryeministri “shoku” Spiro Pano.
Me ceremoni bëjnë njoftimin zyrtar për përjashtim përgjithmone nga gjithë shkollat e Shqipërise të nxënësve Robert Cipo, Rustem Çelo, Alfred Benussi, Gani Karapici, Reshat Karapici, Kostaq Xoxa, Bamir Çano, Thoma Xhitomi e Thoma Marto. Organizata e Rinisë, sipas metodave fashiste të huajtura nga Duçja por dhe nga Titoja në Jugosllavi, (ndoshta kështu veprohej dhe në Rusinë e Stalinit mbasi gjithë diktaturat kanë një emërues të përbashket), kishte planifikuar, organizuar dhe ndarë detyrat për organizimin e një rrahje kolektive të tyre nga vetë shokët e shkollës. Gjithashtu për këtë ceremoni “magjepse” kishte dhënë aprovimin e tij edhe Drejtori “i nderuar” Stefan Prifti, i cili meqë mynxyra do të organizohej e zbatohej në shkollën ku ai ishte drejtor dhe ku prindërit i kishin dorëzuar fëmijët e tyre për ti shkolluar, ai vetë sa për sy e faqe qëndroi i mbyllur në Drejtori duke fërkuar duart e duke harruar se mbante përgjegjësi ligjore për këtë maskarallëk që po ndodhte në një institucion shtetëror ku ai kishte përgjegjesi kryesore karshi prindërve për rrahjen që u bëhej fëmijëve të tyre.
Po a mund të krahasohet ky njeri shpirtvogël me ish-drejtorin e po kësaj shkolle Prof. Andon Deda i cili kur në vitin 1944 dy kosovarë të dërguar nga Gestapoja gjermane erdhën në shkollë për të arrestuar dy studentë, simpatizantë të lëvizjes partizane, i përzuri jashtë dhe i bëri ballë me trupin e tij kërcënimeve të Gestapos duke u thënë se derisa kanë ardhur në shkollë jam unë prindi i tyre dhe nuk do të lejoj t’i prekni asnjë fije floku. Ndërsa ky drejtoruc i partisë në vend që të kundërshtonte një veprim çnjerëzor dhe të jepte publikisht dorëheqjen, lejoi që një Zv. Kryeministër të kryente në ambientin e shkollës një veprim të poshtër antishkollor. Pra ky person (që nuk mund ta quajmë njeri), e hëngri turpin me bukë dhe atyre që morën pjesë dhe u dalluan në këtë rrahje, me sugjerimin edhe të të deleguarve të mësipërm, u kujdes dhe ja u plotësoi vetë dokumentat me rekomandimin personal që të fitonin bursa për të vazhduar studimet jashtë shtetit.
Thonë se ky person që nuk i kishte mbetur asnjë fije nderi u muar më vonë edhe me aktivitet shkencor duke botuar dhe disa studime. Por a kishin vlerë këto përpara nderit të poshtëruar duke lejuar të kryhej ky veprim çnjerëzor e barbar në institucionin e shenjtë të shkollës ku ai në rolin e barìut ishte ngarkuar në ruajtje të nxënësve?
Të flasim pak edhe per pseudo-shokët e klasës, të atyre që rastësia i kishte sjellë të uleshin edhe ata në bankat e asaj shkolle që gjithmonë kishte mbajtur emrin e nderuar të Naim Frashërit. Ndër këto fytyra të ndyra të një sistemi të “emancipuar” pseudo-komunist mund të permendim kryeinjorantin e shkollës, Theodhos Bezhani i mbiquajturi “Xoxi” e pastaj me rradhë, Perikli Sheti (që pas vitit 1991 hyri në Ambasadën Italiane dhe prej andej bashkë me familjen kaloi në Amerikë duke u paraqitur si antikomunist) Sirri Jaho, Dashamir Tomini, Dashamir Hadëri, Simon Capeli, Hajredin Shtino, Dhimosten Budina, Besnik Budo, Viktor Ruli e disa servilo-dallkaukë të tjerë që me shpresë se do të mund të fitonin ndonjë bursë (e që në të vërtetë disa e fituan), ngritën dorën vullnetarisht kundra shokëve të tyre, e këtë vetëm se ja u kërkoi Organizata. Ironia e fatit e solli që pikërisht ata që ngritën dorën, kishin secili nga një person të familjes në burg. Por a mund të ulet njeriu kaq poshtë? Nuk mund të lemë pa përmendur edhe fytyrën më të ndyrë, kryespiunin e të gjithë kohërave, të “nderuarin” Mikel Garuli.
Për këtë ngjarje “të madhërishme” në shtypin zyrtar të kohës u botuan dy artikuj, një me 4 Tetor në gazetën “Zëri i Popullit” me titull “Një masë e drejtë” dhe një në gazetën “Rinia” po në Tetor 1949 me titull “Një masë me vend”. Por a mund të quhet masë e drejtë dhe me vend rrahja e nxënësve të mitur brenda në ambientet e shkollës, nga njerëz të veshur me pushtet? Ku e ka varrin sot ky Spiro Panoja për t’ja ndyrë?
Edhe në këtë rast im atë nuk më hoqi asnjë vërejtje, vetëm më tha se mos e humb kohën kot, mos u dëshpëro, mëso dhe studio se jeta është e gjatë. Më tha gjithashtu se “deri sa të mbushësh 18 vjet, je nën kujdesin tim, se kështu e përmban ligji dhe jam unë përgjegjës për veprimet e tua, vetëm mbas moshës 18 vjeç do të jesh ti përgjegjes për veprimet e tua”.
Por i vinte çudi se si mund të përjashtoheshin nga shkolla nxënësit për bindjet e tyre politike. Ai sa herë që bisedohej në shtëpi, ishte i bindur se nxënësi mund të dëbohej nga shkolla për mos pregatitje në mesime, për mungesa të përsëritura të vazhdushme, për nota negative në të gjitha mësimet etj., por thoshte sikur kjo të ndodhte në shtetet perëndimore ku vazhdimisht studentët dalin në rrugë e potestojnë kundra politikës së qeverisë, apo në mbështetje të prindërve të tyre grevistë, çdo të bëhej po të përjashtoheshin të gjithë këta nga shkolla? Duhet që të mbylleshin shkollat.
Ai gjatë periudhës pas-internimit, atëhere kur punonte si inspektor në Ministrinë e Arsimit, kishte diskutime të përditshme dhe shumë të ashpra me Ernest Koliqin, Ministrin e atëhershëm të Arsimit ku secili mbronte me pasion dhe me bindje pikëpamjet e tij politike dhe asnjërit nuk i shkoi ndërmend, as Ernest Koliqit ta arrestonte Kostaq Cipon vetëm se shprehej për pikëpamjet e tij antifashiste dhe as Cipoja po ta kishte patur Ernest Koliqin vartës kur u bë Ministër i Arsimit as nuk do ti shkonte ndërmend ta denonconte se kishte mendime fashiste. Por meqë Cipoja nuk po arrinte të kuptonte realitetin rus që po instaurohej në Shqipëri, dhe i biri u përjashtua, u ndoq këshilla e tij që jeta është shumë e gjatë, se shkolla të jep zanat për të nxjerrë bukën e gojës ndërsa kultura merret me libra e studime të vazhdueshme. Shpesh për të mbështetur këtë pikëpamje sillte si shembull Ezopin në Greqinë e lashtë.
Dhe kështu u bë. Pothuaj përdite takohesha me Bamir Çanon, edhe ky i përjashtuar, dhe që të dy studionim së bashku të shtëpia e Bamirit apo te e imja lëndët e maturës. Ndërkohë, meqë më vinte dorësh për vizatim, duke ndjekur shpjegimet e sugjerimet e tim eti, e ndihmova atë në pregatitjen e skicave vizatimore që do të botoheshin në një tekst Fonetike mbi lëvizjet që pësojnë organet zanore gjatë shqiptimit të gërmave.
Kjo gjendje pritshmërie vazhdoi përreth pothuaj një vit, e meqë im atë kur vuri re se me gjithë inistimet e tij vendimi për përjashtimin nuk po anullohej, filloi të interesohej për të më gjetur ndonjë punë të çfarëdoshme kudo që të ishte, mjafton që të shtoheshin në një farë mënyre të ardhurat në familje. Por në Dhjetor të vitit 1950 më thërresin për të kryer shërbimin ushtarak. Aty im atë u mërzit jashtë mase pasi personi që ai vetë e kishte ngarkuar dhe ja kishte qarë hallin për të më gjetur punë, tradhëtisht po ky person (emrin nuk e tregoi kurrë) shkoi e lajmëroi në degën ushtarake që të më rekrutonin.
Fillimisht më dërgojne në Krastë të Elbasanit, në një repart xhenier duke e bërë më këmbë rrugën Tiranë-Elbasan. Por me insistimin e vete tim eti më transferojnë në Tiranë për ti qenë afër tij që po rëndohej nga sëmundja çdo ditë e më shumë, e provizorisht sa të gjendej reparti ku do të caktohesha për të kryer shërbimin ushtarak, vendosem për disa ditë si bujtës në repartin Ushtarak Nr. 3806 që ishte Reparti i Shoferave të Komandës së Përgjithshme (Ministrisë së Mbrojtjes).
Aty më qëlloi fati se kishin kaq kohë që po kërkonin një daktilografist (profesion i rrallë në atë kohë) për ti dhënë mundësinë atij që e kryente këtë detyrë të lirohej nga shërbimi ushtarak. Atëhere provizorisht, meqë dija të punoja në makinën e shkrimit, më mbajtën aty derisa të gjenin një ushtar tjetër që të kryente këtë punë. Për një farë periudhe njëvjeçare më kaluan në Sekretarinë e Degës Ekonomike te Shtabmadhorisë. Aty u caktova si daktilografist dhe të ndihmoja në veprimet e sekretarisë. Një ditë aty më ra rasti të hap postën e përditëshme dhe në një shkresë që i drejtohej Ministrisë së Mbrojtjes lexova se Reparti i Xhenjove të Tiranës e njoftonte Ministrinë se ishte gjithnjë në pritje të rekrutit Robert Cipo që kishte qenë caktuar për të kryer shërbimin ushtarak në repartin e tyre. Pa u thelluar, e marr shkresën dhe e hedh në koshin e letrave. Pas dy muajve vjen përsëri një shkresë tjetër po me këtë përmbajtje, e cila përfundoi si e para. Kështu që nuk pati më kërkesa të tjera dhe unë vazhdova të kryeja shërbimin ushtarak në Sekretarinë e Degës Ekonomike të Shtabmadhorisë duke kaluar për një farë periudhe edhe Shef Sekretarie. Dhe kjo pritje vazhdoi pothuaj për dy vjet derisa erdhi koha të lirohem nga shërbimi ushtarak.
Gjatë periudhës së shërbimit ushtarak, pata rastin të njihesha më nga afër me gjeneralët Teme Sejko me të cilin përshëndetesha edhe mbasi u lirova nga ushtria, me Petrit Dumen, Rahman Perlakun etj. Nga shokët e ushtrisë shumicën e mbaj mend si fytyra por emrat ja kam harruar, perveç njërit prej tyre më të cilin dhe u miqësova. Ky është Mirush Cami, shoferi i Petrit Dumes, që në atë kohë kishte mbaruar vetëm shkollën fillore. Me inistimin tim e detyrova shoqërisht të vazhdonte shkollën, në fillim të përfundonte shtatëvjeçaren dhe pastaj edhe shkollën e mesme. Miqësia me të vazhdon akoma në ditët e sotme mbas 50 vjetëve nga jeta ushtarake. Nga ajo periudhë më kujtohen shoferët Hasan Balla, Galip Mene, Riza Kasapi (Ferhati), që pas shërbimit ushtarak punoi shofer autobuzi në linjën Kombinat-Kinostudio por që vdiq sapo doli në pension.
Ndërkaq gjendja shëndetësore e tim eti sa vinte e keqësohej megjithëse shkonte rregullisht në punë si dhe jepte pa pushim mësim në Institutin Pedagogjik. Nga fundi i vitit 1951 ai shtrohet në Spital. Unë së bashku me tim vëlla Ferdinandin shkonim pothuaj përditë për ta vizituar. Në bisedë ishte krejtësisht i vetëdijshëm. Aq sa një ditë na thotë “unë po vdes, të keni kujdes mamanë dhe i qëndroni gjithnjë afër njëri-tjetrit. Më mbeti merak që nuk arrita ti shkruaja kujtimet e mia”.
Vdiq më 6 Janar 1952. Si ndodhi vdekja dhe ceremonia mortore si dhe aspekte të tjera të lidhura me të mund të lexohen në Monografinë e Prof. Kostaq Cipos, shkruar prej meje e botuar më 2004. Më kujtohet se për ngushëllim erdhën Sejfullah Maleshova, Tuk Jakova dhe Major Galip Sojli, shok i ngushtë i dajës tim, kampion kombëtar në Maratonë dhe në 10.000 metra, i cili disa ditë më vonë do të mundohej të kalonte kufirin me Jugosllavinë, por u kap nga UDB-ja. Pas kthimit në Shqipëri, pas shumë e shumë vitesh, dënohet me 10 vjet burg. Mbasi doli nga burgu pata rastin të takoj të birin, të cilit i rekomandova që babai duhet të fillojë të shkruajë kujtimet. Ja kemi sugjeruar dhe ne në familje, m’u përgjigj, por ai pretendon se tashmë i ka humbur kujtesa.
Mbasi u lirova nga ushtria, meqë ndërkaq ishte anulluar vendimi i përjashtimit tonë nga shkollat e Shqipërise, bëra kërkesë dhe ndoqa vitin e katërt të gjimnazit të natës. Aty më qëlloi të kem shok banke një nxënës të quajtur Xhavit Struga të cilin nuk e njihja. Meqë qëlloi të kishim një orë pushim dolëm së bashku për një xhiro në rrugët e Tiranës dhe më bëri përshtypje respekti dhe më tepër frika me të cilën njerëzit e pershëndesnin atë por pa ndaluar për ta takuar. Sapo kishim filluar këtë xhiro qëlloj të pershendesja ish-shokun e gjimnazit Gani Karapici. Ai kur me pa në shoqërinë e këtij personi mbeti shumë i habitur dhe e pashë që bëri një gjest sikur deshte të më thoshte “po ti nga u njohe me këtë person?”. Më vonë duke pyetur mora vesh se ishte Prokurori Ushtarak në Gjyqet e Popullit. Prej asaj dite gjeta rastin dhe ndërrova bankën në klasë, megjithatë kjo njohje vazhdoi për një kohë të gjatë edhe pas shkolle me salutime e shkëmbim mendimesh, veçanërisht për muzikën klasike, për të cilën thoshte se ishte shumë i apasionuar. E kishin shumë në konsideratë dhe shpesh shkonte me delegacione jashtë shtetit. Por mbas kthimit nga një vizitë qeveritare në Kinë, çuditërisht vdiq.
Në shkollën e natës mbaj mend një shoqe klase te quajtur Hilmie Kosovrasti që më vonë për një farë periudhe u lidh ngushtë me shokun tim, Simon Dedën, futbollistin e “Partizanit”. Hilmien e takova përsëri kur shkova të punoj në Spital, aty ku ajo punonte si mjeke. Më vonë do të bëhej deputete e Partisë Demokratike. Ndërkohë ishte shkëputur nga shoku im Simoni. Pikërisht në këtë kohë, ishte viti 1993, Simoni sëmuret “nga infeksioni në zorrën e trashë” dhe vdes.
Para këtyre ngjarjeve punova për një farë periudhe të shkurtër si nëpunës në Degën e Ndërtimeve Ushtarake në Rrugën e Durrësit dhe në vijim më kaluan në ndërmarrjen e ndërtimeve ushtarake, me qendër te Rrapi Trishit. Këtu takova Bamir Çanon që ishte duke kryer aty shërbimin ushtrak si gjeometër.
Prej andej, duke përfituar se gjatë kësaj periudhe ishte hequr dënimi i përjashtimit nga shkolla, bëra një kërkesë në Ministrinë e Arsimit për një të drejtë studimi në Institutin e Lartë të Inxhinierisë, po me gjithë përpjekjet e mija, më dhanë të drejtën vetëm për Inxhinier Gjeolog. Pasi bëra disa muaj leksione, meqënëse nuk më vendosën për Inxhineri Elektrike, u largova duke menduar se do të gjeja një punë të çfarëdoshme.
Dhe kjo situate pritje dhe kërkimesh nga një vend në tjetrin vazhdoi për disa vjet. Vetem në vitin 1957, me interesimin e dajes tim Dr. Virgjil Papajanit pranë Nën Drejtorit të Spitalit Civil Dr. Aleko Bozos, u vendosa si daktilografist në Zyrën e Statistikes të Spitalit Nr.1 të Tiranës, ku ishte drejtor Sherif Klosi. Por dhe këtu nuk më lanë rehat. Ish shoku i klasës, i cili kishte marrë pjesë në rrahjen tonë që do të përjashtoheshim, i quajturi Simon Çapeli i biri i Cin Çapelit, ish-Drejtorit të Bankës së Shqipërisë gjatë periudhës së okupacionit, që ndërkohë kishte mbaruar studimet si mjek ne BRSS, dhe si vigjilent që ishte, sapo më pa në zyrat e Spitalit, lajmëroi në çast Shefen e Kuadrit duke i thënë se kisha qenë përjashtuar nga gjithë shkollat e Shqipërisë dhe duke i kërkuar menjëherë largimin tim nga puna.
Brenda 10 minutave nga denoncimi më thërresin në kuadër duke ju nënshtruar një seri pyetjesh ku pyetja e parë ishte “pse u përjashtove nga shkolla?”. Shpëtova pa u pushuar vetëm falë ndërhyrjes së drejtorit të Spitalit Dr. Sherif Klosit.
Me kalimin e një viti caktohem Shef i Statistikës për të tre spitalet dhe Sekretar i Komisionit Mjekësor për ata që bënin kërkesë për tu kuruar jashtë shetit. Aty pata rastin te njihem mirë me ish studentët e tim eti Prof. Fejzi Hoxhen, Prof. Dr. Xhavit Gjata, Prof. Dr. Pellumb Bitri si dhe me Prof. Dr. Ferdinand Paparisto, Prof. Dr. Petro Canin, Dr. Kristo Kristidhin, Dr. Besim Zymen, Dr. Qazim Bakallin, Dr. Tika Theodhosin, Dr. Nuni Theodhosin etj. Duke ndenjur në shoqërinë e tyre përfitova shumë si nga ana profesionale mjekësore ashtu dhe nga ana humane.
Zura gjithashtu miqësi me mjekët Piro Vesho e Aleko Veshi me Dr. Drini Ohrin, Dr. Josif Adhamin dhe ndihmësin e tij Dr. Milto Kostaqi, shok klase në gjimnaz me vëllain tim. Kisha gjithashtu miqësi me Dr. Nesti Boçkën që megjithëse mori vesh se kisha qenë përjashtuar nga të gjitha Shkollat e Shqipërisë mbajti një qëndrim miqësor për tu lavdëruar. Gjatë punës në Spital pata rastin të njihem shumë mirë me Dr. Pandeli Çinen, Dr. Hysni (Cyne) Rusin, Dr. Ibrahim Dervishin, Dr. Pavllo Pavlin i cili sa herë që do kalonte nga zyra ime do t’i binte xhamit të dritares dhe do të bërtiste italisht “Roberto il Diavolo”.
Pata rastin dhe u miqësova në Istitutin e Higjenës edhe me të birin e tij, Stefan Pavlin, edhe ky mjek, miqësi që vazhdon akoma në ditët e sotme. Aty lidha miqësi të ngushtë edhe me Dr. Çesk Rokun mjekun e Shërbimit të Anatomi-Patollogjisë i cili kishte mbaruar studimet në Pragë dhe ishte martuar me një çeke e kishin dhe një vajzë. Për shkak të kësaj martese, u gjet rasti dhe e transferuan (internuan) në Krujë ku dhe vdiq më 1991 apo 1992. Duan të thone se atë “e detyruan të vdesi” mbasi gjatë periudhës së kryerjes së shërbimit në sektorin e Anatomi-Patollogjisë kishte kryer autopsinë edhe të personave të eliminuar nga Sigurimi i Shtetit.
Meqë isha përgjegjës i Statistikës për të tre spitalet, lidha miqësi edhe me mjekët kirurgë si me Dr. Rushen Golemin dhe me shumë e shumë të tjerë të cilët sot pas 40 vjetëve, edhe për shkak të sklerozës, më kujtohen si pamje por jua kam harruar emrat. Aty njoha dhe lidha miqësi (këtë nuk mund ta harroj) me të parin Kandidat të Shkencave Mjekësore që deri atëhere kishte Shqiperia, me Dr. Fadil Spahiun. Kaloja gjithmonë nga zyra e tij në Pavionin e Ortopedisë dhe bisedonim gjatë me të për shkrimtarë dhe për librat e tyre. Ishte nga Kukësi. Kishte mbaruar studimet në Bashkimin Sovietik dhe kishte marrë për grua një sovjetike. Kur ecte nëpër spital, ai do të ecte përpara ndërsa e shoqja sipas kërkesës së tij ecte disa metra prapa, sipas zakoneve të veriut, meqë burri dhe gruaja nuk mund të ecin së bashku. Kishte aftësi shumë të larta profesionale. Kur më 1993 u shtrova dhe u operova nga prostata, ai qëlloi të kthehej për disa javë nga Bashkimi Sovietik ku kishte shkuar pas ngjarjeve të vitit 1991 dhe ku punonte në një nga klinikat më në zë të Moskës. Kur pyeti për mua dhe mori vesh nga shokët se unë ndodhesha i shtruar në spital dhe plaga nuk po më mbyllej megjithëse kishin kaluar 4 muaj pas operacionit, më dërgoi fjalë që “i thoni Robertit të gjejë mundësinë e të vijë tek unë në Moskë se kam për ta rinuar”.
Më kujtohet se në klinikën e tij, këtu në Spitalin Nr. 2, punonte dhe një mjek tjetër i quajtur Ali Spahia. Në paraqitje ishte jashtëzakonisht i shëmtuar. Edhe me këtë kisha mjaft muhabet por rrinte gjithmonë si i veçuar dhe si i trembur. Kuptova se kishte mendime përparimtare por e ngatërruan keq dhe e dënuan me burg, të cilin dënim e kreu po në Spitalin Nr. 2 në Pavionin e Burgut. Mbas vitit 1990 u ndodh në Shkodër dhe u përzje në lëvizjet antikomuniste duke kryer disa veprime ekstreme të pa shpjeguara (sidomos në vrasjen e Arben Brocit). U zgjodh deputet dhe Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe i doli fjala se ishte marrë me shitjen jashtë shtetit të foshnjave të befotrofeve dhe pas pak kohë në mënyrë misterioze ndërroi jetë.
Në Spital zura gjithashtu shoqëri me mjekun Fedhon Meksi, me Farmacistin e Spitalit Dr. Erebara i cili u dënua ne burg (nuk e mora kurrë vesh se për ç’arsye) dhe me farmacistin tjeter Ylber Fortuzin që kishte marrë për grua një bullgare me të cilët lidhëm miqësi shoqërore. Zura miqësi edhe me mjekët Lumto Peçi (e bija e Shefqet Peçit), Perlanda Pirdeni (dy vëllezërit e saj i kisha shumë shokë) dhe Violeta Moskon.
Nuk mund te harroj Dr. Ylli Shtyllën, të birin e Dr. Medar Shtylles, mik i babës tim. Miqësia me të vazhdon edhe në ditët e sotme. Aty lidha miqësi me mjekun e sapo diplomuar Stefan Vokopola (i biri i mjekut Mit Vokopola nga Durrësi, që rastësisht, duke dashur ta uroj me rastin e Vitit të Ri 2005, e shoqja më njofton në telefon se Stefani kishte tashmë dy muaj që kishte vdekur) si dhe me shokët e grupit te tij Jorgji Jani, Afrim Çeço, Ben Çeta (Benjamin Çeta), Nestor Polimeri etj. që kryenin praktikën pas-universitare në klinikat e Spitalit.
Gjithashtu zura miqësi edhe në Spitalin e Pediatrisë me Prof. Selaudin Bekteshin, me nipin e tij Dr. Inis Buletini (i nipi i Isa Buletinit) me Dr. Krisavgji Rekan dhe me një grup mjekësh pediatër. Pa haruar dhe një grup shumë të madh infermierësh dhe infermieresh nga të tre spitalet. Në atë periudhë u miqësova shumë me mjekun neuropsikiatër Nestor Polimeri, elbasanas. Me insistimin e tij shkova dhe në Elbasan dhe bashkë me të vizitova Repartin Psikiatrik, ku aty ndodhej “i shtruar” edhe i vëllai i Teme Sejkos. U ftova dhe në shtëpinë e tij ku takova nënën e tij, mbi 60 vjeçe që e gjeta duke lexuar nje roman anglisht. Më shpjegoi se kishte ndjekur kursin për vajza në “Robert College” të Stambollit (atë që ja kishin propozuar dhe nënës time por mentaliteti i kohës nuk e lejoi që të shkonte). Pas vitit 1991 Nestori shkoi dhe ai jashtë shtetit në Greqi, ku vdiq (kështu thonë) nga një kancer në tru.
Më duket se e teprova me gjithë këta emra. Aty në Spital, siç e përmenda u njoha edhe me mjekun Jorgji Jani i cili kishte shkuar për specializim në Cekosllovaki dhe ishte kthyer si specialist i prodhimit të Gama Globulinës. Për shak të miqësise së krijuar i kërkova atij të kaloja në vartësi të tij si Laborant Mikrobiolog. Dhe kështu u bë. Më 1962 kalova në varësi të tij në një repart që sapo ishte hapur në Spitalin Nr. 2 aty ku sot ndodhet Farmacia e këtij Spitali. Aty fillova të punoj në prodhimin e Gama Globulinës në dhoma frigoriferike me temperatura nën –5°C. Aty pata shokë pune Hajredin Zajmin (i cili ndërroi jetë në Dhjetor 2005). Duke punuar aty, pa shkëputje nga puna ndoqa kursin njëvjeçar për Laborant Mikrobiolog të cilin e përfundova me notën 8 (diploma me firmën e Dr. Drini Ohrit, Zv. Ministër i Shëndetësisë ndodhet në dokumentat e mia).
Duhet të shënoj se këtu në këtë repart erdhi të punojë edhe laborantja Lejla Stermasi e bija e Aqif Beut me të cilën u miqësuam dhe më vone u dashuruam dhe u martuam. Nga kjo martesë lindën dy djem Kostaqi më 1969 dhe Klodiani më 1975.
Me inaugurimin e Institutit të Higjenës dhe Epidemiollogjisë, laboratori ku unë punoja kaloi pranë këtij Instituti përtej Kinostudios. Meqë kisha mbaruar kursin për mikrobiolog u caktova në prodhimin e vaksinave, nën drejtimin e shumë të ndërgjegjshmit Dr. Eduard Shehut i cili ishte specilizuar në Kinë. Aty vazhdova edhe për nja dy vjet. Dua të shënoj se që kur punoja te Gama Globulina erdhi për të punuar pranë repartit tonë edhe një kimist me emrin Vasil Thanasi me te cilin u miqësuam shumë edhe familjarisht. Kur ky mori vesh se zotëroja gjuhë të huaja Italisht e Frëngjisht, më shpjegoi se vëllai i tij Lefter Thanasi ishte Nën Drejtor i Zyrës së Shërbimit të Trupit Dipllomatik dhe i kishte propozuar të vëllait që nëse do të kishin ndonjë vend vakant të më kalonte në varësi të këtij Shërbimi. Njëkohësisht edhe Perlat Caushi, ish shok shkolle i vëllait dhe diplomat e punonjës në Ministrinë e Jashtme interesohet nga ana a tij për ndonjë vend pune po pranë ndonjë ambasade. Ndërkohë, meqënëse sekretarja dhe përkthyesja e Institutit të Higjenës kishte dalë në pension, më caktojnë mua në këtë detyrë. Aty disponoja Bibliotekën e Institutit si dhe kryeja përkthimet nga artikujt e revistave apo librave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë që i vinin këtij Instituti.
Pas dy vjetëve në këtë detyrë të re, vjen një ditë Lefter Thanasi dhe më njofton se e kishin marrë parasysh aftesinë time dhe se më kishin caktuar të filloja punë në Ambasadën e Kubës me gjuhën italisht. Në këtë Ambasadë përdorej gjuha spanjolle, por vetë kubanët kishin filluar një kurs intensiv të gjuhës italiane dhe kishin dëshirë që edhe përkthimet e shtypit të kryheshin po në italisht. I kërkova dy ditë kohë për t’u menduar dhe shkoj e takoj Perlatin, shokun diplomat në Ministrinë e Jashtme, i martuar me Elin, vajzën e Sali Mborjes me të cilën kishim banuar në një ndërtesë dhe i marr mendimin se si duhet të veproja, sepse kisha dëgjuar se ata që punonin nëpër Ambasada duhet medoemos të ishin spiuna të sigurimit. Ai qeshi dhe më tha se jo të gjithë ata që punojnë aty duhet të jenë agjentë të sigurimit. Në çdo Ambasadë ka vetëm një person që kryen këtë detyrë. Kështu ti shko, kryej punën me ndershmëri, merr atë rrogë që kë nevojë dhe mos çaj kokën.
Kështu që në Korrik 1976 kalova në vartësi të Ambasadës së Kubës, me seli në fillim të rrugës së Durrësit aty ku sot ndodhet Ambasada e Vatikanit. Kisha një zyrë të pajisur shumë mirë, me mobilje, me makinë shkrimi (në atë periudhë akoma nuk kishte dalë kompjuteri), kisha gjithashtu dhe bibliotekën e Ambasadës, me një sasi shumë të madhe librash (përkthime në spanjisht nga letërsia botërore). Këto libra, shtëpitë botuese kubane ishin të detyruara nga shteti që çdo ambasadë kubane jashtë shtetit duhet t’i dërgonin nga tre ekzemplare. Zakonisht, një kopje e merrte i Ngarkuari me Punë (Ambasada nuk pati kurrë Ambasador) ndërsa dy të tjerat mbaheshin në bibliotekë. Mbasi mësova spanjishten, fillova të marr edhe unë nga një kopie të tyre. Për pesë vjet me rradhë karshi tavolinës time gjendej i varur në mur portreti i luftëtarit internacionalist Ernesto Che Gurvara. Aty lexova për jetën e tij, mora vesh se ishte argjentinas dhe se ishte bashkuar në grupet revolucionare në Kubë. Në vijim, pas fitores së Kastros kishte qenë Ministër i Industrisë dhe kishte vizituar dhe Shqipërinë duke takuar Mehmet Shehun, me të cilin biseda u bë në spanjisht. Nga ana tjeter duke qenë se nuk kishte qenë dakord me politikën e Hrushovit në lidhje me revolucionin proletar, shkëputet dhe më një grup revolucionarësh shkon për të filluar lëvizjen në Bolivi. Aty bie në përleshje me trupat e vendit dhe plagoset. Personi që ishte caktuar për ta ruajtur merr udhëzime dhe e vret, duke ja prerë të dy duart e duke i paraqitur ato si provë për krimin e kryer.
Në Ambasadën e Kubës, meqë kaluan dy vjet dhe duhej ndërruar drejtuesi i Ambasadës. Më vunë si detyrë që duhet të filloja të mësoja spanjishten. I hyra kësaj pune në fillim me vështirësi por meqë kishte ngjashmëri me italishten dhe me rregullat e saj gramatikore mbas nje farë periudhe shumë të shkurtër ja mora dorën. Fillova të shoqëroj si përkthyes nga spanjishtja drejtuesit e Ambasadës, të Ngarkuarin me Punë dhe Sekretarin e Parë në të gjitha takimet zyrtare. Aq ja mora dorën spanjishtes saqë fillova të përkthej në formë simultane nga shqipja në spanisht dhe anasjelltas si në bisedimet zyrtare edhe në bisedimet mbi marrëveshjet tregtare që shpesh zgjatnin deri pas mesit të natës. Gjithashtu merrja pjesë dhe në dreka e darka zyrtare, gjithmonë si përkthyes dhe shpesh më qëllonte të çohesha nga tavolina pa futur gjë në gojë pasi isha gjithmonë duke folur. Por mbas ikjes së të ftuarve shkoja ne guzhinën e Ambasadës dhe ja shtroja për shtatë palë qejfe.
Detyra ime ishte të përktheja çdo ditë artikujt kryesorë të gazetës “Zëri i Popullit”. Këtë detyrë e kryeja si në Ambasadën e Kubës dhe në atë Italiane. Githashtu shoqëroja si përkthyes punonjësit e këtyre ambasadeve në takimet që ata kishin në Ministrinë e Jashtme, në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme, në Zyrën e Shërbimit të Trupit Diplomatik, në Zyrën për Marrëdhëniet Kulturore me Botën e Jashtme, në Bankë, etj. Kishte raste kur shoqëroja punonjësit e Ambasadave në turnetë turistike nëpër Shqipëri.
Me Kubanët kam qenë në Pogradec, Korçë, Fier, Lushnje, Sarandë, Shkodër e nga këto vizita ruaj fotografitë të dala në Pogradec. Më kujtohet se gjatë vizitës në Korçë na propozuan për të vizituar shtëpinë muzé të Piktorit Vangjush Mio. Akoma dhe sot e kam parasysh atë shtëpi-Muzé mbasi më la përshtypje të paharruara.
Ndërsa me italianet me sa më kujtohet kam qenë në Sarandë, Butrint, Apolloni, Pogradec, Vlorë, etj. Nga vizita në Sarandë ruaj një fotografi nga Amfiteatri i Butrintit.
Tashti po me kujtohet se aty nga viti 1983 apo 1984, ambasadori Gentile u interesua për të kryer disa kalime shetitje “ik e hajde” në rrugën Tiranë-Fier. Këto udhëtime, të kryera vetëm me shoferin shqiptar, pa u shoqëruar nga asnjë tjetër kryheshin vetëm çdo të shtunë. Por mbas udhëtimit të fundit këto u ndërprenë. Por të martën vijuese, u bë njoftimi se ishte shpartalluar hyrja në Shqipëri me qëllim vrasjeje të Enver Hoxhës nga diversanti Xhevdet Mustafa. Aty u tha se çdo gjë ishte planifikuar që të kryhej me ardhjen e grupit të diversantëve ditën e shtunë. Për këtë kishte dijeni sigurimi shqiptar si edhe Ambasadori Gentile që dilte çdo të shtunë për ti parë ata kur të vinin. Dikush më shtiu ndërmend se kishte mundësi që Ambasadori Gentile dilte çdo të shtunë për të pritur ardhjen e Xhevdet Mustafes për ta marrë me vete në makinën e tij si rastësisht apo si i kërcënuar për ta sjellë pa pengesa deri në Tiranë. Kur e pyeta shoferin, ai më tha se gjithmonë e kishte çuar ambasadorin deri te kthesa e rrugës nga Lushnja për në Fier dhe aty ktheheshim përsëri për në Tiranë. Të shtunën e fundit, tha shoferi pamë një nga ata diversantët qe ishte kapur dhe e kishte vënë përpara policia. Kur pa se ishte kapur diversanti shumë i pritur, më udhëroi menjëhere që të kthehesha në Tiranë.
Në Ambasadën Italiane kam qene i pranishëm në hyrjen e familjes Popa (për të cilën ngjarje kam shkruar veçan) më 1985 si dhe në dyndjen e refugjatëve që kërkonin të shkonin në Itali.
Më kujtohet gjithashtu se në vitin 1984 qeveria Italiane ktheu në Shqipëri kokën e Deas së Butrintit. Ambasada për dy ditë e mbajti kokën e Deas në selinë e saj në Rrugën e Elbasanit (sot Ambasada Amerikane) dhe aty kam dalë në fotografi me kokën e Deas, para se kjo t’i dorëzohej zyrtarisht Muzeut Kombëtar (edhe nga ky aktivitet kam nje fotografi dalë në Muzeun Kombëtar).
Në Ambasadën Italiane kam ndërruar katër ambasadorë duke filluar me Tozzolin, Gentilen (që qëndroi 7 vjet), De Andreis dhe ne fund Cardilin.
Dola në pension me 1 Maj të vitit 1991.
Në vitin 1992 një grup personash prej 5 vetash të armatosur bllokuan pallatin ku banoj gjoja për të vjedhur apartamentin që e kam në katin e pestë, dhe kur e panë se i kisha zbuluar nuk përtuan të më qëllojnë me revolver nga një distance 4-5 metrash duke me plagosur në këmbë e në trup, por plagët nuk qenë aq të rënda dhe pas disa muajsh e mora veten. Por pa kaluar akoma nje vit si rezultat i kësaj ngjarje pësova një “ishemi cerebrale” që më detyroi të qëndroja në shtrat për një farë periudhe, kështu që të gjitha aktivitetet e mia pas pensionit nuk patën sukses.
Gjatë periudhës që ishte Ambasador Francesco Gentile, erdhi të kryejë funksionet e Sekretarit të Parë Silvestro Scimonelli, me të cilin krijuam një shoqëri të ngushtë, brenda caqeve të lejueshme. Mbasi kisha dalë në pension, ai qëlloi që u kthye përsëri në Shqipëri me një delegacion dërguar nga Roma për një kontroll në Ambasaden Italiane në Tirane dhe kërkoi të më bëjë një vizitë në shtëpi. Kjo ishte një vizitë miqësore dhe diskutimet në shtëpinë time zgjatën pothuaj për rreth 3 orësh, duke i shprehur mendimet e mija mbi sjelljet prej kapadaiu të Ambasadorit Cardili (të cilin ai e kishte shumë mik). Në shumë pika nuk ramë dakord. Mesa duket mendimet e mija duhet t’ja ketë thënë Cardilit (mbasi ky është mendimi im), dhe prandaj pas largimit të komisionit, ndodhi plagosja ime te dera e shtëpisë, (por qëllimi kishte qenë që të më vrisnin). Ky është mendimi i im që as mund ta vërtetoj por as që mund ta kundërshtoj.
Ambasadori Cardili kishte kërkuar nga qeveria shqiptare e Leka Meksit që ti caktoheshin bodigardë për ta mbrojtur. Dhe ndodhi pikërisht që ata që më plagosën mua, shtinë me një revolver TT që përdornin forcat e sigurimit, por që nuk u gjet kurrë mbasi ata që më plagosën “deklaruan se revolverin ja kishin shitur një fshatari që nuk e njihnin” dhe me ato pare kishin blerë nje revolver tjetër të zakonshëm (shumë e çuditshme).
Personat qe kryen atentatin kundra meje u arrestuan vetëm dy javë pas atentatit dhe vetem njëri prej tyre u mbajt në burg. Kështu konkluzioni është se ata që më shtinë ishin pajisur me armën nga bodigardi i Cardilit dhe që pas atentatit ja kishin kthyer përsëri të zotit.
Harrova të them se megjithëse kisha dalë në pension, bisedimet telefonike me personelin (diplomatët) italianë të Ambasadës ishin të përditshme. Por nga mëngjesi i ditës kur ishte planifikuar të kryhej atentati kundër meje, personelit italian me urdhër të Cardilit ju ndalua në formë të prerë të kryenin çfardolloj kontakti me mua, dhe kjo vazhdoj për rreth dy vjet kur i gjithë personeli i Ambasadës përfundoi periudhën e shërbimit dhe u zëvendësua me persona të tjerë që ishin të panjohur prej meje. Edhe personi që më plagosi u mbajt edhe dy vjet në paraburgim dhe me vendim të gjykatëses u la i lirë. Ppor disa ditë mbasi ishte liruar, nga lajmet në televizor dëgjuam se kishte kryer një krim tjeter afër Shkodrës.
Por këtu del pyetja pse duhej qe Cardili të kërkonte zhdukjen time?
Dua të saktësoj se me ndërrimin e sistemit politik në Shqipëri, edhe kontaktet e njerëzve me Ambasadën Italiane ndryshuan. Pothuaj përditë vinin njerëz që kërkonin të takonin Ambasadorin për probleme të ndryshme dhe unë duhet të ndodhesha aty për të kryer përkthimet. Mëshkon mendja se në një nga këto ditët u paraqit nje person te Cardili dhe i qau hallin se dikur rreth vitit 1942, gjyshi i tij kishte depozituar te Dega e “Banco di Napoli” në Tiranë një sasi shumë të madhe monedhash flori. Meqënëse pas çlirimit më 1944 erdhi në fuqi qeveria komuniste dhe filloi ti sekuestroje pasuritë e tregtarëve, gjyshi vuajti persekutimet por këtë sasi të hollash nuk e deklaroi ku e kishte fshehur. Por tashti dëshironte të pajisej me vizë për të shkuar në Napoli, te Banka e atij qyteti për të shikuar mundësinë e tërheqjes së parave të depozituara. Ambasadori Cardili i kërkoi që ai të paraqiste dokumentat që vërtetonin thëniet e tij dhe ta studionte çështjen dhe pastaj të vendosnin. Pas disa ditëve po ky person u paraqit për së dyti bashkë me dokumentin bankar.
Ambasadori kërkoi që dokumentin t’ja linte aty pasi do ta studionte e do t’i jepte përgjigje. Pas një jave kur u paraqit po prapë ky person, Cardili i tha se dokumenti është pa vlerë se ishte lëshuar një ditë të Djelë (në periudhën e luftës më kujtohet se punohej çdo ditë, edhe të djelave), kështu që sipas Cardilit ky dokument duhet të konsiderohet fallco. Kështu që ai ishte i detyruar ta rekuizonte dokumenti dhe i lutej atij që për këtë problem të mos e bezdiste më. Këto fjalë u thanë në një formë shumë të acaruar. E mora me mend se ndërkohe Cardili kishte rënë në kontakt me “Banco di Napoli” dhe e kishte sqaruar çështjen dhe me sa dukej ja kishte përlarë qytetarit këto të holla që me shkembinin aktual duhet të ishin disa miliona dollarë. Ky person (që fatkeqësisht nuk ja mora vesh kurrë emrin) më ndalonte në rrugë dhe më kërkonte që të ndërhyja për një vizë deri në Napoli.
Dua të shtoj edhe diçka tjetër që ndodhi pikërisht gjatë periudhës së shkurtër që kam punuar me Cardilin. Një ditë hapet dera e zyrës dhe hyn vetë Cardili, shumë i acaruar dhe i trembur (kështu m’u duk) dhe më thotë se kanë për të marrë në telefon nga Turqia, i dhashë numurin tënd të telefonit dhe do t’ju thuash se për ndihmat humanitare të caktuara për t’ju dërguar Shqipërisë është bërë kontratë që do të kryhej nga firma turke XXX (emrin nuk ja mbaj mend), ti kaq ke për t’ju thënë. Mbas këtyre fjalëve ai nuk u largua nga dhoma, priti sa më morën në telefon nga Turqia, dhe mbasi unë në anglisht ju thashë çfarë ishte për tu thënë dhe telefoni u mbyll, vetëm atëhere Cardili doli jashtë nga zyra. Meqë qeveria shqiptare u akuzua për allishverishe të mëdha në lidhje me këto ndihma që u shiten jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë e Maqedoni, shpesh me shkon mendja se mund të kem qenë viktimë edhe unë i kësaj ngjarje që nuk arriti kurrë të saktësohet, dhe për të cilat, u akuzua Kraksi në Itali dhe Nano në Shqipëri i cili dhe u dënua me disa vjet burg.
Këto çështje, plus kapadaillëqeve të tjera të Cardilit ja shpalosa mikut të tij, ish-Sekretarit të Parë të Ambasadës Silvestro Scimonelit, kur më erdhi për vizitë në shtëpi, duke e akuzuar se Ambasadori Cardili ishte një hajdut dhe se kishte përvetësuar ai vetë apo në bashkëpunim me drejtuesit e Bankës së Napolit paratë e atij hallexhiut. Jam i bindur se ai ja ka referuar të gjitha mikut të tij gjatë atyre dy-tre ditëve që qëndroi për kontroll në Ambasadë. Kështu që del e natyrshme interesi i Cardilit për të më eliminuar dhe për të përvetësuar napolonat flori të hallexhiut shqiptar si dhe një përqindje të të ardhurave nga ndihmat që u shitën nëpër dyqane. Kam dyshimin se Cardili do ti ketë thënë turqeve në telefon se “unë Cardili nuk jam marrë me këtë çështje, por po u jap numurin e telefonit të punonjësit që e ndjek këtë çështje (emrin tim) dhe ai do t’ju sqarojë për këtë problem”.
Por më e bukura ishte se menjëhere pas plagosjes, ndërsa mua me kishin çuar të plagosur në spital, e lajmëruar për atentatin, kthehet gruaja në shtëpi por një polic te porta e apartamentit nuk e la të hynte brenda. Brenda u krye një kontroll i imët që vazhdoi për disa orë nga prokurorët dhe policia ku u kontrollua çdo gjë që mund të ishte e dyshimtë, sirtare dollapësh, rafte e çdo gjë tjetër ku mund të mendohej se unë mund të kisha fshehur kushedi se çfarë. Dhe gruaja mbasi ndejti ato 4-5 orët nëpër dyert e komshijve, vetëm atëhere para se te largoheshin ata 3-4 hetuesit bashkë me oficerët e policisë, e lejuan të futet në shtëpi. Çfarë duhet të mendoj për këtë? Çfarë kërkonin, dhe çfarë ishin të ngarkuar të “zbulonin”? (Jam i mendimit se kërkonin sasitë e mëdha të dollarëve qe unë do ti kisha përfituar nga kambistat në këmbimin e rrogave të punonjësve italianë!!!!!)
Ata, para se të largoheshin, morën me vete (e vodhën) edhe nje unazë floriri me gurë që gruaja e kishte kujtim kur u martua nga nëna ime.
Mbas atentatit që u krye mbi mua, dola shpesh nëpër Tiranë, për të mundur ta takoja përsëri hallexhiun e napolonave flori, por nuk e pashë më. Me siguri që do ta kishin eliminuar. Në atë periudhë ndryshimesh ndodhnin shumë vrasje.
Mbasi dola në pension u mundova të lidhesha edhe me sipërmarrësit italianë që kërkonin të fillonin tregtinë me Shqipërinë por nuk më shkoi mbarë. Më ishte fiksuar qyteti i Shkodres, qytet me kulturë të lashtë e tradita letrare dhe popullsi me pregatitje të lartë kulturore, dhe kërkova që nëpërmjet një shokut të djalit të marr mendimin edhe të qeverisë Demokratike që kishte marrë fuqinë në Shqipëri. Është për tu habitur se përgjigja ishte se këtë bisedë duhet ta harrosh se kjo qeveri nuk është e interesuar për asnjë lloj përparimi të qytetit të Shkodrës. E njëjta ide vazhdon akoma në ditët e sotme.
Megjithatë përfitova nga ndërmjetësia e sipërmarrësve italianë, pata rastin të shkoja disa herë në Itali, megjithëse Cardili bënte ç’ishte e mundur për të mos më dhënë vizën, dhe këtë ma thanë vetë tregtarët italianë duke më thënë gjithashtu se nuk e kuptojmë se pse Ambasadori ndërhyn për të mos të të dhënë vizë pas dhjetë vjet shërbimi në Amabasadë. Ndoshta kishte frikë se unë do të shkoja ta raportoja në Ministrinë e Jashtme të Italisë. Bëra ç’ish e mundur që mbi bazën e këtyre miqësive të sistemoja dy djemtë e mi në Itali.
Gjatë jetës time pata rastin të njihem me shkrimtarët Dhimitër Shuteriqi, Nasho Jorgaqi, Xhevahir Spahiu, Moikom Zeqo, Vath Koreshin, etj.
Nuk jam shkëputur nga shokët e vjetër të gjimnazit, megjithëse për disa prej tyre kam një përshtypje të mjegulluar e më duket sikur ndonjë prej tyre na e ka punuar duke u lidhur dhe zbatuar porositë e Sigurimit kundra nesh. Takohem dhe bisedojmë vazhdimisht me Gani Karapicin, Bamir Çanon, Alfred Benusin, Agim Belegun, Petrit Bidoshin, Kostaq Xoxen dhe Rustem Çelon, i cili vdiq më 29 Nëntor 2003; ndërsa me të tjerë si Pavllo Koja, Stefan Poga, Hysamedin Kurti, Niko Shenkolli, Perikli Mima, Selim Hoxha si dhe me disa nga ish-vajzat e klasës kontakti është vetëm telefonik. Me ata që jeta më ka detyruar të punonja bashkë si në Spital, në Institutin e Higjenës apo nëpër ambasada, nuk kam asnjë lloj lidhje dhe rrallë herë i kujtoj.
Për nje farë periudhe të gjatë duke filluar nga viti 1952 deri në vitin 2000 kam patur miqësi edhe familiare me shokët e tim vëllai si me Viktor Noçkën, Egon Gjadrin, Bujar Bashën, Virgjil Buden, Eqerem Karain, Pajtim Bejtjen, Aristidh (Til) Vuçanin, Ylber Fortuzin me të cilët në raste të veçanta takohemi, ndërsa me njërin prej tyre, Til (Aristidh) Vuçanin sa herë që shkoj në Itali, do shkoj ta takoj aty ku banon familiarisht, në Cattolica, në provincën e Riminit.
Me aktivitet sportiv fillova të merrem vetëm gjatë shërbimit ushtarak. Fillova të luaja futboll me shokët ushtarë te fusha përpara stadiumit “Qemal Stafa”. U bera tifoz i çmendur i “Partizanit”, duke e ndjekur ndonjeherë skuadrën edhe në ndeshjet jashtë Tiranës. U bëra shok me disa nga lojtarët e saj e veçanërisht me Simon Deden, të cilin e ftova dhe për darkën e martesës. Kam qenë dhe vazhdoj të jem tifoz me Brazilin, ndërsa në kampionatin italian kam qenë dhe jam tifoz me Juventusin.