Është promovuar në QKLL poema “Histori e Skënderbeut” e rilindësit Naim Frashëri nga Prof. Kostaq Cipo, botimi i rivështruar i përgatitur nga Prof. Emil Lafe dhe Dr. Thoma Qendro (Albas, 2023).
Poema “Historia e Skënderbeut” është vepra e parë letrare në gjuhën shqipe që i kushtohet Heroit tonë Kombëtar.
Mes miqsh dhe dashamirësh të librit, gjatë prezantimit të “Histori e Skënderbeut” profesor Lafe u ndal gjerësisht në punën që Cipo kishte bërë me herët me veprën, duke e konsideruar botimin e vitit 1953, si botimin më të plotë të “Historisë së Skënderbeut” të Naim Frashërit. Pas përpjekjeve më të hershme në Shqipëri dhe Rumani. Dhe ky botim i parë ishte në 5 mijë kopje, një shifër e madhe patur parasysh kohën në të cilën u botua (1953), “Ky është edhe një shpjegim për etjen që kishte lexuesi për letërsinë shqipe e cila mungonte shumë në këtë kohë” shpjegon prof. Lafe.
Pa nisur leximin e veprës natyrshëm lind pyetja: Ku u bazua Naim Frashëri për krijimin e figurës së heroit kombëtar. “Ata që janë marrë me studimin sidomos profesorë Dhimitër Shuteriqi thotë që u mbështet te Barleti dhe sipas shembullit të tij krijoi një Skënderbe të përkryer me tërë cilësitë e një heroi të humanizmit europian. Kemi të bëjmë me një personazh pozitiv mjaft të plotë të paraqitur në tërë madhështinë e vet heroike” sqaron profesor Lafe.
Kurrë s’trembet Shqipëria,
nuk vdiq por është gjallë.
Gjithashtu një krijim letrar është edhe figura e shpirtit të Gjon Kastriotit që ngrihet nga varri dhe shkon tek i biri:
U ngrit fati i Shqipërisë, si i vdekuri nga varri mori udhën e Azisë”.
Pas këtij vargu profesor Lafe mori një moment për të ritheksuar rëndësinë e njohjes dhe dallimin e veprave historike nga ato letrare. Dhe fuqinë e një mediumi të madh si televizioni për të keq informuar publikun duke sjelle shembullin e një emisioni në televizion ku thuhej se fati i Shqipërisë dikur ka qenë i lidhur me Azinë, edhe Naim Frashëri e thotë këtë në veprën e tij!
Duke u rikthyer sërish te vepra tregon se së bashku me profesor Thoma Qëndron, morën botimin origjinal dhe e krahasuan një për një me çfarë kishte në transliterimin e Cipos.
“Dhe sigurisht qe diskutuam të gjitha problematikat që dilnin nga ballafaqimi i tyre. Duke u nisur nga ideja që ky është një libër që do ti drejtohet sidomos nxënësve të shkollës ne u përpoqëm si të thuash ‘hymë në lëkurën’ e profesor Kostaq Cipos dhe vepruam ashtu siç kishte vepruar ai me ato kritere qe ka shpjeguar ai për të saktësuar për të rregulluar atje kua ia ka menduar që p.sh mund te ketë qenë një gabim shtypi dhe e ka rregulluar. Kështu që i rregulluam dhe ato duke vendosur shënimet tona në të gjitha rastet”.
Profesor Lafe sqaron se e ky është një botim shumë i plotësuar edhe sepse Prof. Cipo në çdo faqe ka vendosur shënime përkatëse, i ka numëruar vargjet dhe për çdo varg ka dhënë shpjegime të karakterit gjuhësor d.m.th dukuri fonetike, ka shpjeguar format gramatikore dukuritë fonetike të dialektit të Naimit të toskërishtes dhe të gegërishtes kur ka gjetur rastin, dukuri sintaksore, dukuri morfologjike. “Është marrë pastaj edhe me çështje të figurave letrare me një analizë shumë të imtë të figurave që ka përdorur Naim Frashëri etj” përfundoi ai.
Për redaktoren e librit Natasha Pepivani ky libër është tejet i veçantë pasi është një përtëritja e veprës madhore të rilindasit të madh si dhe përtëritja e punës së studiuesit, eruditit dhe gjuhëtarit të madh Kostaq Cipo. “Kur fillova ta lexoja ndjeva një shije tjetër të librit, një ripërtëritje të asaj çka kisha lexuar, por edhe një gjë e re që të mbushte. Veç kësaj të gjitha ato shënime të mrekullueshme që e shoqërojnë çdo faqe te librit, komente shpjegime për anën gjuhësore”.
Materialin e plotë në video të promovimit e gjeni më poshtë.