Çmimi

ShkrimKy është tregimi i shokut tim të punës në Istitutin e Higjenës, laborantit Kaman Çabej, i cili i kishte shumë qejf historitë. Një mëngjez, para se të fillonim punën, ishin të përditëshme këto takime mëngjezore, ai filloi të më tregojë historinë që vijon.

Kjo histori që po ta tregoj ka ndodhur rreth viteve ’30 në Amerikë, menjëherë pasi kishte kaluar kriza ekonomike e atyre viteve. Jetonin aty 2 shqiptarë, që të dy vëllezër, që të dy të vendosur në po atë lagje të Nju Jorkut ku kishin gjetur një punë të thjeshtë.

Njëri punonte kamerier në një restorant të thjeshtë ku hanin bukën disa nga punëtorë të një punishte aty pranë në pushimin e drekës. Tjetri merrej me shtrimin e rrugëve. Por me kalimin e muajve erdhën dhe u shtuan, duke arritur shifrën e tetë punëtorëve shqiptarë. Zunë me qera një dhomë që kishte shërbyer më parë si punishte rrobaqepsie dhe vendosën aty tetë krevate teke. E pajisur në këtë mënyrë, dhoma të jepte përshtypjen e një spitali fushor për të plagosurit lehtë pas një beteje. Sejcili ishte sistemuar në një punë të thjeshtë dhe asnjë nga punët nuk i ngjante njëra-tjetrës.

Për drekë nuk hanin të gjithë së bashku, sepse drekën e merrnin sejcili me vete siç ja u kishin porositur nënat që në Shqipëri, dy copa bukë e me çfarë tu qëllonte rasti. Zakonisht atë çka mund të gjenin me çmim sa më të lirë në treg. Ndonjëherë u qëllonte që bukën ta shoqëronin edhe me pak turshi apo djathë nga ai me shumë kripë. Njëri që punonte si ndihmës te një furxhi i furnizonte shokët me bukë të mbetur nga dita e djeshme. Një tjetër që punonte në një bulmetore aty afër u siguronte thërrime djathi e ndonjë dorë ullinj. Ndërsa për darkë, atëherë kur mblidheshin të gjithë në dhomë, e kishin darkën e siguruar. Blenin nga një kuti teneqeje pesë libërshe (5 Lbs) me groshë (fasule) që shiteshin të gatuara me copa mishi brenda. Kishin blerë sejcili nga një lugë alumini dhe sigurisht nuk kishin pse të blinin pjata. Me 20 cent blinin kutinë e fasuleve të zjera dhe të ulur rreth e qark kutisë me nga një lugë në dorë dhe në dorën tjetër copën e bukës që shpesh herë ja u siguronte shoku i tyre bukëpjekës apo dhe që ndonjëherë e blinin me çmim të lirë po të ai shoku i tyre furxhi, ja shtronin darkës duke bërë muhabet dhe duke treguar sejcili se si e kishin kaluar ditën në punë.

Por një darkë njëri prej tyre solli një lajm të çuditshëm. Ai ndërkohë kishte mësuar pak anglisht dhe ju njoftoi se kishte lexuar në një gazetë që firma e cigareve “Smith & Co” kishte nxjerrë një njoftim se kush pinte 200 paqeta cigaresh të prodhimit të saj brenda një muaji dhe kutitë bosh të tyre të dorezoheshin tek Qendra e Shpërndarjes së tyre, shoqëria në fjalë kishte rezervuar për fituesin një çmim special. Që ditën e nesërme paqetat që do fillonin të shiteshin, do të kishin të stamposur në kutitë e cigareve datën e prodhimit ditor.

vintage_cigarette_packetsAi i propozoi shokëve që duke filluar nga dita e nesërme të gjithë të pinin vetëm cigare të firmës “Smith & Co” e pastaj kur ta fitonin çmimin, do të gjenin mundesinë që shpërblimin ta ndanin së bashku.

Duhet ta themi midis nesh se këto cigare ishin nga ato me cilësi më të dobët në Amerikë. Megjithatë ata premtuan që do ta ndihmonin shokun e tyre.

Kështu që ditën e nesërme filloi sulmi i shqiptareve mbi duhanin. Sejcili kishte marrë angazhim që të pinte rreth 25 paqeta në muaj, kështu që të shumëzuara për 8 bënin pikërisht 200 paqeta. Megjithatë ata premtuan se do të pinin deri në 30 paqeta në muaj. Duhani ishte kaq i rëndë sa ishte bërë e pamundur të hyje në dhomën e tyre kur ishin që të tetë aty brenda.

Me sakrifica dhe me shpresën e çmimit e pinë sasinë e cigareve të premtuara dhe inisiatori i kësaj fushate, mbasi i paketoi mirë e mirë duke shënuar dhe emërin e tij sikur ai i kishte pirë të gjitha këto cigare, shkoi për ti dorëzuar në Qendrën e Shpërndarjes, i shoqëruar nga një shok i dhomës.

Të gjithë po rrinin në ankth, duke llogaritur se çfarë mund ti dërgonte Firma e Prodhimit të Cigareve. Sejcili në vetvete kishte bërë një parashikim se çfarë dhe sa mund ti takonte.

Ditën e tretë pas dorëzimit të kutive bosh të cigareve, kur ishin të gjithë me kanatjere e me lugë në dorë duke ngrënë fasulet e tyre të përditëshme, troket dera dhe hyn një zotni i veshur mirë dhe me shprehjen “Good evening” (mirëmbrëma), u prezantua si përfaqësuesi i shoqërise “Smith & Co” duke kërkuar të fliste me Zotin Astrit Kapedani.

Pasi i shtrengoi dorën Astritit, filloi ti thotë se Shoqëria “Smith & Co” dëshironte ta njoftonte se pati rastin të njihej me materialin që ai kishte dorëzuar dhe çmonte kurajon e tij që kishte pirë ato 200 paqetat e cigareve. Ai vazhdoi të thotë se Shoqëria “Smith & Co” e falenderon dhe e përgëzon për pjesëmarrjen e tij në këtë konkurs dhe duke nxjerrë nga çanta i dorëzoi të interesuarit kuitancën e pakos që Shoqëria ka nderin ta ofrojë si çmim.

Ju njoftoi gjithashtu se dhurata e shtrenjtë ndodhet përjashta te porta kryesore e pallatit 80 katësh, së bashku me mënyrën e përdorimit.

Mbasi i përshëndeti të gjithë me një “Goodbye and Goodnight”, u largua duke buzëqeshur.  Atëhere sejcili hodhi nga një xhaketë krahëve dhe dolën që të gjithë te hyrja kryesore e grataçielit.

Dhe aty çfarë panë do të thoni ju ? Nuk po ju le të vrisni mendjen. Atje në hyrje të pallatit ishte një arkivol shumë i bukur. Duke menduar për ndonjë shaka të firmës së cigareve, e hapën arkivolin dhe çfarë gjejnë aty brenda? Një njoftim të shkrojtur me shkrim të bukur e ku thuhej shprehimisht:

Zoti Astrit Kapedani,

Vleresojmë pjesëmarrjen Tuaj në inisiativën tonë, por duhet të pranojmë ndershmërisht se nëse Juve vete i kini pirë me të vërtetë ato të 200 paqetat e cigareve, e vetmja gjë që Ju duhet tashti është ky arkivol nga më të mirët dhe më të shtrenjtët që gjetëm në treg.

Jetë të amshuar në Parajsë.

Nga “Smith & Co”

Këtë ngjarje të vërtetë, siç ja u thashë, ma ka kallzuar Kaman Cabej, të cilit edhe këtij vetë ja kishte kallzuar i jati i tij që bashkë me të vëllain (që të dy vëllezërit e gjuhëtarit Eqerem Çabej) bënin pjesë në grupin e emigrantëve shqiptarë të vendosur në Nju Jork të Amerikës në fillim të viteve ’30. Sigurisht që arkivolin gjetën rastin dhe e shitën dhe me paret e tij të gjithë bashkë hëngrën një darkë të bollshme në një restorant të kategorisë së dytë a të tretë.

Duhet plotësuar duke thënë se të dy vëllezërit, pas një farë kohe u kthyen në Shqipëri dhe me fitimet e kursyera ndërtuan bashkërisht një shtëpi goxha të madhe dy katëshe, tek disheza përballë Spitalit të Tiranës.

Djemtë e tyre, të dy kushërinjtë Kaman Çabej dhe Nelson Çabej kanë punuar së bashku me mua në Institutin e Higjenës dhe i kam patur që të dy shokë.

Kamani ishte shumë komik dhe një mëngjez kur e shoqja shkoi ta zgjojë nga gjumi, ai rrinte me sytë mbyllur dhe nuk lëvizte. Ajo duke menduar për numrat e Kamanit e shkund dhe i thotë, “Çohu Kaman mjaft u talle, çohu se tu bë vonë për në punë.” Por Kamani me gjithë mend kishte vdekur në gjumë.

Edhe Nelson Çabej, pas vitit 1992, duke pasur dokumentat nga babai i tij si nënshtetas amerikan, shkoi në Amerikë dhe akoma vazhdon të punojë si pedagog në një Universitet dhe herë pas herë duket këtej nga Shqipëria.

Robert Cipo

Pin It on Pinterest

Share This