Memzi çapitej. Mbështetej mbi një bastun të trashë. Njërën nga këmbët e tërhiqte zvarrë dhe pas çdo hapi e bashkonte me tjetrën. Njerëzit e zakonshëm si dhe fëmijet e shkollave ja kishin vënë emrin “çalamani”. Ecte shumë me ngadalë.
Nuk kishte njeri në Korçë. Banonte në një dhomë me qera në një shtëpi afër kodrës së Shëndellisë. Ishte i heshtur. Drekën dhe darkën e hante në një restorant të thjeshtë ku ishte i abonuar siç ishte zakoni në ato kohë dhe një herë në muaj i paguante të gjitha shpenzimet e muajit.
Kur e pyesnin tregonte se kishte punuar si punëtor në Amerikë ku ishte dhe aksidentuar në fabrikë dhe herë pas here i shpëtonte ndonje fjalë anglisht me theks amerikan. Tashti rronte me pensionin që ja paguante fabrika ku kishte punuar. Shpesh e shihje të ulur në stolat përpara Bibliotekës apo anash monumentit të Themistokliut. Nxirrte nga xhepi dhe lexonte ndonjë libër të vogël. Gazetën e lexonte i veçuar, ulur aty në kafe “Majestik”.
Në atë kohë Kafe “Majestiku” ishte si të themi qendra ku kalonin disa orë të ditës gjithë personalitetet e Korçës. Aty i ulur në një tavolinë të veçuar, dëgjonte me vëmendje bisedimet që zhvilloheshin rreth e qark tij, por pa marrë asnjeherë pjesë, duke dhënë përshtypjen se asgjë nuk e interesonte. Me kalimin e kohës, ky njeri u bë kaq i zakonshëm sa nuk tërhiqte më vëmendjen e asnjeriut.
Korçë në atë kohë ishte mbushur me studentët e Liceut nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, me Profesorë francezë e shqiptarë. Ndodhej aty dhe i vëllai i Mbretëreshës, që kishte ardhur për të ndjekur studimet në Liceun e Korçës.
Vend për muhabete kishte sa të duash. Kështu që me kalimin e kohës ky çalamani kishte hyrë në anonimatin e qytetit dhe pothuaj asnjë nuk e vinte më re. Shkonte e vinte, por tashmë asnjeriut nuk i bënte më përshtypje.
Ishin ditët e para të Prillit 1939. Situata në qytet ishte e tensionuar. Demostratat ishin të përditëshme. Studentët dhe punëtorët korçarë kërkonin armë për të mbrojtur Atdheun. Edhe invalidi ynë dilte dhe zinte vend i mënjanuar nëpër trotuare dhe bënte sehir.
Ishte darka e datës 6 Prill. Të gjithë ishin futur që herët nëpër shtëpi. Flitej se mund të vinin avionat italianë për të bombarduar qytetin. Afër mezit të natës, dëgjohen disa hapa të shpejta dhe një trokitur te dera e Restorantit.
I zoti i restorantit ku ishte abonuar invalidi ishte akoma zgjuar. Mundohej të çonte në bodrum ato mallra që mund të demtoheshin nga bombardimet.
Ndërkohe u dëgjuan të trokitura në derë. Ai me frikë pyeti:
– Kush është?
– Hape se jam unë.
E njojti. Ishte zëri i invalidit. Hapi derën dhe invalidi hyri brenda. Tashti ecte drejt dhe krejtësisht normal me të dy këmbët.
– Sa para të kam mbetur borxh, se jam për rrugë dhe nesër nuk më gjen më këtu. Shpejt e shpejt bënë llogarinë. I kishin mbetur pa paguar vetëm 6 ditë. Pagoi, falenderoi, shtrëngoi dorën dhe me trupin drejt, me shpejtësi, u nis dhe pa kthyer kokën u zhyt në errësirën e natës. Asnjë nuk u kujtua më për të.
Të nesërmen trupat italiane hynë në Korçë dhe sejcili u muar me hallet e veta e asnjë nuk arriti të marrë vesh se kujt shteti i kishte shërbyer “invalidi” dhe çfarë roli luajti ky “invalid” në historikun e këtij qyteti dhe që u zhduk pë lënë gjurmë dhe u zhyt në anonimatin e historinë e pashkrojtur të qytetit të Korçës.
Robert Cipo