
Hector Hugh Munro “Saki” (1870-1916)
Lindi në Burma nga prindër skocezë. Mbasi kreu studimet në kolegjin e Bedfordit, kreu udhëtime në Normandi, Gjermani e Zvicër. Punoi në policinë e Burmas, por u kthye në Londër për shkak të shëndetit të tij jo të mbarë. Punoi në gazetat “Westminster Gazette” dhe “Morning Post” dhe ishte korespondent i tyre në Ballkan, Rusi dhe Paris. Ka shkruar tregime tmerri, por fama e tij e vërtetë i erdhi nga tregimet humoristike dhe për satirën e hidhur mbi zakonet angleze.
*******
James Cushat-Prinkly ishte një i ri që gjithmonë kishte patur mendimin se do të martohej kur t’i vinte koha, por kishte mbërritur në moshën tridhjetepesë vjeç e s’kishte bërë asgjë për të justifikuar këtë mendim. Admironte dhe i pëlqenin mjaft gratë e shoqërueshme dhe serioze, pa guxuar t’i çfaqte asnjërës ftesë për martesë, ashtu siç mund ti qëllonte ndonjërit të admironte Alpet pa ndjerë nevojën e ngjitjes në një nga majat e tij. Kjo mungesa e iniciativës mbi këtë çështje ngjallte shenja padurimi në ndjenjat e seksit femër të rrethit të tij familjar: si te nëna, motrat, te halla që banonte po në shtëpinë e tij, si dhe midis dy apo tre mikeshave të tij të moshave më të rritura të cilat e shikonin këtë pavendosmëri për t’u martuar me shenja disaprovimi që tashmë ja shprehnin haptazi. Nuk ekziston qënie e gjallë që me ndjenja të pastra do të mund t’i rezistonte për një kohë të gjatë insistimeve që i vinin nga të gjitha anët megjithëse dhe vetë James Cushat-Prinkly nuk ishte kaq i vendosur dhe indiferent kundrejt influencës familjare për të mos e vënë re manifestimin e farefisit të tij që dhe ai të dashurohej me ndonjë nga vajzat shtëpijake dhe kur i vdiq xha-Hulio që i la një trashëgim të kenaqshëm, ju duk më se normale që të vendoste e të kërkonte dhe ai një shoqe të jetës. Proçesi i zbulimit të saj u krye më shumë nga insistimi i kërkesës për ta gjetur si dhe nga pesha e opinionit shoqëror se sa nga inisiativa e atij vetë; një ndërmarje e organizuar nga farefisi i tij femëror si dhe nga dy a tre shoqe tashmë në moshë të rritur, të përmendura edhe më sipër, të cilat arritën t’ja venë syrin Joan Sebastable, si e reja më e edukuar midis të njohurave të familjes për ta fejuar dhe Jamesi pak e nga pak u mësua me idenë se ai bashkë me Joanan do të kalonin periudhën e zakonshme të urimeve, të peshqesheve, të hoteleve norvegjeze dhe mesdhetare për të përfunduar në qëndrimin e gëzuar pranë zjarrit të oxhakut familjar. Ishte e detyrueshme ta pyeste edhe zonjën e ardhëshme se çfarë mendimi kishte për këtë çështje. Vetë familja kishte organizuar dhe drejtuar këtë lidhje dhe flitnin me kujdes dhe zgjuarsi, por duhet të themi se gjithë kjo ishte krejtësisht si rezultat i përpjekjeve individuale.
Cushat-Prinkly ishte duke kaluar përmes parkut për të shkuar në drejtim të banesës së Sabastable-ve në një gjendje shpirtërore të qetë. Meqë ishte duke bërë këtë hap, ndjehej i lumtur që ta përfundonte edhe këtë çeshtje dhe të ndjehej krejtësisht i lirë nga preokupimet. Kjo porosi duhej kryer, megjithëse kishte të bënte me një vajzë kaq të ëmbël si Joana, ishte një detyrë mjaft e bezdisshme, por e kishte të qartë se nuk kishte mundësi ta kalonte muajin e mjaltit në ishullin Minorka dhe as të kishte mundësi të ndiqte një jetë të lumtur bashkëshortore pa kryer edhe këtë detyrë. Ishte duke menduar nëse Minorka ishte megjithëmend një vend i përshtatshëm për të kaluar disa ditë; në imagjinatën e tij i dukej si një ishull paraprakisht i zhytur në një gjendje zie të përhershme, me pula të bardha dhe të zeza që mbushnin rrugët nga të gjitha anët. Sigurisht që do të ishte diçka e veçantë kur të ndodheshin aty. Persona që kishin qenë në Rusi i kishin thënë se nuk ju kujtohej të kishin parë qoftë dhe një patok moskovit. Kështu që kishte mundësi që të mos shihte pula marokene nëpër ishull.
Mendimet e tij mesdhetare u ndërprenë nga tingulli i një sahati që shënonte gjysmën e orës. Katër e gjysëm. Në fytyrën e tij u shfaq një shprehje pakënaqësie. Do të mbërrinte në shtëpi të Joanës pikërisht në orën e çajit. Joana do të ndodhej e ulur para tryezës së ulët plot me filxhana çaji të argjenda, vazon me qumësht dhe filxhanëve delikatë prej porcelani midis të cilave dallohej zëri i saj që kumbonte plot lezet duke ju drejtuar pyetje se si e deshën çajin, të fortë apo të zbutur?, sa ti shtie?, një filxhan apo gjysëm?, po sa sheqer?, po qumësht apo jo?, me pak apo me shumë ajkë?, dhe kështu me rradhë. “Një biskotë? Harrova, nuk po më kujtohet ju e pini me qumësht?, vërtet? T’i hedh dhe pak ujë të valuar nëse nuk ju duket shumë i fortë.”
Cushat-Prinkly i kishte lexuar kaq e kaq herë këto në shumë e shumë novela si dhe në qindra raste personale që e kishin bindur mbi këtë të vërtetë. Mijëra gra pikërisht në këtë orë solemne të mbasdites ndodheshin tashmë të ulura pas tavolinës mbushur me servise porcelani dhe tasa çaji, ndërsa zërat e tyre mbushnin ambjentin me një shumicë pyetjesh. Cushat-Prinnkly urrente krejtësisht këtë ritin e çajit të pasdites. Sipas teorisë së tij mbi jetën, gruaja duhet të rrijë shtrirë mbi një divan apo shez-long, duke folur me shprehje të zgjedhura, apo duke u shprehur me sy të perënduar, apo me një qëndrim të heshtur si një objekt që është vendosur aty vetëm për t’u admiruar, apo e vendosur prapa një perde të hollë mëndafshi, do të çfaqej si një vajzë e re e sapo fejuar me një tabaka plot me filxhana dhe ëmbëlsira që do të pranoheshin nga miqtë në qetësi, pa u trembur, pa pyetje mbi sasinë e kajmakut, të sheqerit apo të ujit të valuar apo më të vakët. Kur njëri qëllonte ta kishte shpirtin krejtësisht skllav në këmbët e pronares apo zonjës së shtëpisë, si mund të arrinte të fliste kaq lirshëm për çajin e vakët? Cushat-Prinkly asnjëherë s’ja kishte shpehur nënës së tij pikëpamjet e tij për këtë çështje. Ajo e kishte kaluar duke shprehur gjithnjë pyetje melodioze në orën e çajit si dhe duke manovruar me delikatesë filxhana dhe ibrikë çaji dhe nëse ai do t’i ishte shprehur nënës së tij për vajza të reja të fejuara si dhe divanet ku ato qëndronin të shtrira, nëna e tij do ta kishte dërguar menjëherë si dënim për të pushuar për një javë në bregdet.
Atëhere duke kapërcyer një labirint kutish që të çonin për shkurt në taracën elegante të familjes Mayfair, e pushtoi ideja e tmerrshme të përplasej me Jaonën që ishte dhënë krejtësisht me servisin e çajit. Pati një çlirim të çastit; u kujtua se në një nga katet e shtëpisë ishte bërë një shtesë dhe hapur një ambient banimi ku jetonte Rhoda Ellam, një farë soji kushërire që fitonte bukën e gojës duke prodhuar kapele me mbeturina materialesh. Kapelet, duhet ta pranojmë, dukej sikur vinin direkt nga Parisi, por pagesat për to nuk shëmbëllenin si nga Parisi. Megjithatë Rhoda e kalonte jetën gjithë hare megjithë veshtirësitë e jetës. Cushat-Pristly vendosi të kalonte pra nga banesa e Rhodas dhe ta zgjaste rreth gjysëm ore nga detyra që i kishte vënë vetes; Vizita e tij do ta bënte të mbërrinte te banesa e Sebastables pikërisht kur përdoruesi i fundit i porcelanës delikate t’i kishte dhënë fund çajit.
Rhoda e priti në një ambient që duket se shërbente në të njëjtën kohë, si dhomë pune, dhomë pritje dhe kuzhinë, mbajtur shumë pastër në ambient shumë tërheqës.
Filloi duke i thënë:
– Më gjete duke ngrënë zemrën. Shtrije dorën dhe merr vetë sa haviar të duash. Për mua fillo nga buka e thekur me gjalpë ndërsa unë po përgatis të tjerat. Gjeje vetë filxhanin e çaji, ibrikun e ke prapa shpine. Tashti fillo e me trego si shkojnë punët.
As nuk e përmendi më çështjen e zemrës dhe u përqëndrua në bisedime plot gjallëri. Duke folur, ajo vazhdoi duke përgatitur me zotësi të veçantë ushqime të tjera duke lyer bukën e thekur me gjalpë duke i shtuar lëng limoni e shumë lëngje të tjera pikante, kur gratë e tjera do ta kishin mbushur bisedën duke kërkuar të falur e duke u shfajsuar se nuk ishte në gjendje të plotësonte këtë apo atë kërkesë. Cushat-Prinkly u kënaq duke shijuaj çajin e shkëlqyshëm dhe pa u marrë aspak me kundërshtime apo aprovime në lidhje me përpunimin e çajit ashtu siç do të ishte përpjekur të përgjigjej Minisri i Bujqësisë gjatë një epidemie kafshësh.
– Dhe tani më trego arsyen e vizitës tënde – tha menjëherë Rhoda – Jo vetëm që më ka zgjuar kuriozotetin tim por tashti edhe instinktet e mia tregtare. Besoj se ke ardhur për të blerë kapele. E kam marrë vesh se të ka kaluar një trashëgimi dhe mendoj se do të ishte një ide e shkëlqyeshme t’i blesh nga një kapele motrave të tua. Ndoshta akoma nuk të kanë shprehur mendimet e tyre në lidhje me këtë çështje, por jam e sigurtë se dhe atyre ju ka shkrepur po kjo ide. Sigurisht meqë jemi në kulmin e punëve, kam një kërkesë të madhe pune, por në punën tonë duhet ta pranojmë se ndodhemi gjithnjë në kërkim të punëve, ashtu siç i ndodhte dhe Moisiut të vogël.
– Nuk erdha për të blerë kapele tha Xhejmsi – Në të vërtetë nuk erdha për asgjë në veçanti. Kalova këtej dhe m’u kujtua për të ardhur për t’u takuar. Por meqë jemi duke folur me juve, me ka shkuar një mendim i një farë rëndësie. Nëse do ta harrojmë për pak çaste kryesoren për të cilën u hap biseda, do të ta tregoj përse bëhet fjalë.
Dyzet minuta më vonë, Xhejms Cushat-Prinkly u kthye në gjirin e familjes së tij me një lajm të rëndësishëm.
– Vendosa – njoftoi – do martohem.
Shpertheu një zhurmë e madhe urimesh dhe duartrokitjesh.
– Këtë e dimë, ishte një lajm që e prisnim. Këtë e parashikonim prej disa javësh.
– Këtë nuk kishit si ta dini – tha Cushat-Prinkly – dhe nëse dikush do të ma kishte thënë këtë në orën e zemrës se do të shkoja t’i kërkoja dorën Rhoda Ellam-it që të martohej me mua dhe se ajo do ta pranonte kërkesën time, do të kishit qeshur me mua.
Shpejtësia romantike e kësaj çështje kompensoi në rradhë të parë durimin e zgjatur dhe diplomacinë e shkathët të Xhejmsit. U bë diçka e bezdisëshme të ndryshonin drejtimim e urimeve dhe entuziamin nga Joana Sabestable tek Rhoda Ellam; por në fund të fundit, kishin të bënim vetëm me të fejuaren e Xhejmsit, dhe gustot e tij duheshin patur parasysh.
Një pasdite shtatori të po atij viti, mbasi kishte kaluar dhe muajin e mjaltit në Minorka, Cushat-Prinkly hyri në sallonin e shtëpisë së re në Granchester Square. Rhoda qëndronte ulur në një tavolinë të ulët e rrethuar nga servise filxhanash çaji delikate dhe ibrikësh argjendi që shkëlqenin nga pastërtia.
Zëri i saj kumboi plot dashamirësi ndërsa po i zgjaste një filxhan.
– Mos të duket se është si pak i vakët? vërtet? Atëhere si thua? T’i shtoj pak ujë të nxehtë? Dakord?
Përktheu Robert Cipo