“Pas Gare” – Xhejms Xhojs

James Joyce
James Joyce

Xhejms Xhojs (James Joyce) (1882-1941)

Një prej autorëve më të mëdhenj të Shekullit XX, lindi në Rathgar, një rrethinë e Dublinit më 2 Shkurt 1882. Që në vitet e studimeve manifeston një karakter antikonformist dhe kryengritës. Më 1904 shkruan veprën autobiografike “Portreti i një artisti” të cilën e shndërron në roman “Heroi Stefan”. Ndërkohë filloi që të shkruante poezi, të cilat i botoi në vëllimin “Muzikë Dhome”. “Ulisi” është vepra e dytë madhore e opusit xhoisian. Romani pretendon të jetë një epikë kryeposhtë. Më 1939 publikohet i plotë “Zgjimi i Fineganëve”, një zhvillim monumental i temave strukturore të “Uliksit” frymëzuar nga filozofia e historisë së G. B. Vico. Pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore Xhojs shkon në Zyrih ku edhe vdes gjatë një ndërhyrjeje kirugjikale, më 1941.

*******

ShkrimMakinat po rrëshqisnin me qetësi drejt Dublinit sikurse lundrat nëpër kanalin Naas Road. Në majë të kodrës, në Inchicore, kuriozët po grumbulloheshin për të parë makinat, dhe nëpërmjet këtij kalimi shihej dembellëku e mizerja. Kontinenti i vjetër ekspozonte industrinë dhe pasurinë e vet. Herë pas here njëri ose tjetri nga grupet e spektatorëve lëshonin brohoritjet e tyre. Simpatitë sigurisht ishin të gjitha për makinat e kaltërta të miqve të tyre francezë.
Për më tepër, francezët, ishin në fakt fituesit. Ekipi i tyre kishte zënë vendin e dytë e të tretë, ndërsa shoferi i makinës gjermane që kishte fituar në garë vendin e parë, ishte marrë vesh se kishte qënë belg. Prandaj që çdo makinë e kaltërt që kalonte, sapo mbërrinte në majë të kodrës, merrte dyfishin e brohoritjeve, dhe çdo shpërthim britmash pritej me buzëqeshje dhe përshëndetje nga ana e automobilistëve.
Në një nga këto makina elegante udhëtonte një grup prej katër të rinjsh, humori i të cilëve kalonte nivelin e përgjithshëm të fitores franceze, me një fjalë këta katër të rinjtë ishin gjithë folë e qesh. Këta ishin Charles Segouin, pronari i makinës; André Rivière, një i ri elektricist me origjine kanadeze; një hungarez trupmadh i quajtur Villona, si dhe një djalë i ri i pashëm i quajtur Doyle. Ségouini ishte në qejf sepse paraprakisht ishte ngarkuar me detyrën për të hapur një sallon shitje automobilësh në Paris. Gjithashtu edhe Riviére ishte në humor të mirë pasi ishte ngarkuar për të kryer detyrën e administratorit të po kësaj ndërmarrje ; këta dy të rij që ishin dhe kushërinj të parë, ishin gjithashtu me humor të mirë për shkak të fitores së makinave franceze. Villona gjithashtu ndjehej në humor mbasi kishte qënë në një drekë të kënaqshme dhe sepse në përgjithësi ishte vetvetiu optimist. Anëtari i katërt i grupit, gjithashtu ishte mjaft i eksituar, për ta ndjerë veten të lumtur.
Ishte afërsisht njëzetegjashtë vjeç, me një palë mustaqe të holla gështenjë të hapur, me sy gri e me një shikim të pafajshëm. Babai i tij, i cili kishte filluar jetën si nacionalist i tërbuar, kishte ndërruar pastaj pikëpamjet e tij. Ishte pasuruar në Kingstoën si kasap e duke hapur pastaj thertore si në Dublin e në rrethinat e tij, duke shumëfishuar pasurinë. Kishte patur gjithashtu fatin që të sigurojë disa kontrata për mensat e policisë, duke arritur më në fund që të bëhet kaq i pasur sa që gazetat e Dublinit e cilësonin si mbret të tregtisë. E kishte dërguar të birin në një kolegj të madh të Anglisë dhe më vonë e kishte kaluar në Universitetin e Dublinit për të studiuar ligjshmërinë. Xhimi në të vërtetë nuk studionte ashtu si duhej, dhe për disa kohë ndoqi studimet shumë me ngadalë. Kishte të holla dhe ishte popullor. Për kuriozitet ndante kohën e tij të lirë midis klubeve muzikore dhe atyre automobilistike. Pastaj i ati e kishte dërguar për një semestër në Kembrixh, për të parë botën me sy. I ati, njeri i rreptë, por në fshehtësi krenar për ekseset e tij, ia kishte paguar të gjitha borxhet dhe e kishte thirrur përsëri në Dublin. Aty në Kembrixh kishte njohur Ségouinin. Në të vërtetë ishin vetëm të njohur, megjithatë Xhimi kishte kënaqësi të veçantë kur ndodhej në shoqëri me dikë që kishte parë kaq shumë botën dhe mburrej se ishte pronar i disa nga hoteleve më të mira të Francës. Ky person, (dhe i ati ishte dakord me të) ishte i denjë për t’u trajtuar, edhe sikur të mos kishte qënë ai shoku magjepsës që në të vërtetë paraqitej. Villona ishte gjithashtu i këndshëm – një pianist brilant – por fatkeqësisht shumë i varfër.
Makina vraponte me gëzim me ngarkesën e vet plot gaz rinor. Të dy kushërinjtë kishin zënë vend në ndenjësen përpara; Xhimi dhe hungarezi ishin vendosur prapa. Duhet të themi se Villona ishte në një humor të shkëlqyeshëm; këndonte me zë të ulët një melodi që s’po e mbaronte kurrë. Të dy francezët kthenin kokën e lëshonin të qeshura e fraza sipër shpatullave të tyre, dhe shpesh Xhimi duhej të përkulej përpara për të mundur të kapte kuptimin se përse bëhej fjalë. Kjo nuk i dukej shumë e kënaqshme, sepse gjithmonë detyrohej ta merrte me mend atë që po i thoshin dhe po ashtu edhe t’i jepte përgjigjen e nevojshme kundra erës që i rrihte përballë. Gjithashtu melodia nëpër dhëmbë e Villonas së bashku me zhurmën e motorit ishte të afta të ngatërronin këdo.
Lëvizja e shpejtë nëpër hapësirë të ekzalton shpirtin; të njëjtën gjë bëjnë dhe fama e pasuria. Që të tre këto ishin arsye të forta për të ekzaltuar shpirtin e Xhimit. Atë ditë kishte pasur mundësi të njihej me shumë nga miqtë e këtyre dy shokëve kontinentalë. Duke filluar nga ai që ishte në timon, Ségouini, e kishte prezantuar me një nga pjesëmarrësit francezë të garave dhe në përgjigje të elozheve të tij konfuze, fytyra e zeshkët e automobilistit i kishte paraqitur duke buzëqeshur një rresht të tërë dhëmbësh të bardhë. Ishte kënaqësi e veçantë mbas këtij nderi të kthehej në botën profane të spektatorëve, mbushur me shtyrje bërrylash dhe shikimesh kuptimplote. Për sa i takon parave, kishte në realitet një shumë të madhe në dispozicion të tij. Ségouini ndoshta nuk do ta konsideronte ndonjë shumë të madhe, por Xhimi, i cili megjithë gabimet e tij rinore ishte në fund të fundit trashëgimtar i instinkteve të ngurta të të atit, e dinte mirë se me sa vështirësi ishin grumbulluar. Këto mendime e kishin detyruar ti kufizonte borxhet e tij brenda disa caqeve të një mendjelehtësie të arsyeshme dhe tashti e kuptonte se po të kishte qënë kaq i ndërgjegjshëm për mundin e bërë për të grumbulluar ato të holla duhej vetëm të kufizonte disa teprime te vogla intelektuale. Po tani kishte ardhur çasti për të vënë në veprim një pjesë shumë të rëndësishme të ekzistencës së tij materiale! Ishte për të një gjë serioze.
Natyrisht që investimi ishte i mirë, dhe Segouini e kishte rregulluar që të jepej përshtypja sikur vetëm në emër të miqësisë, sasitë e pakta të parave irlandeze do të hynin në kapitalin e firmës. Xhimi respektonte dinakërinë e babait të tij në tregti dhe biles edhe në këtë rast kishte qënë babai i tij që i kishte sugjeruar të bënte këtë investim. Për më tepër, Segouini mbante pamjen e nje bollëku të dukshëm. Xhimi këtë po mendonte ndërsa ishte duke udhëtuar në këtë veturë luksoze. Sa ëmbël që shkiste! Me sa aftësi e kishte kryer garën nëpër rrugët e fshatit! Udhëtimi vinte në dukje pulsin e vërtetë të jetës dhe makineria njerëzore lodhej për tju përshtatur sforcimeve të kësaj kafshe të shpejtë e të kaltër.
Ndoqën rrugën për në “Dame Street”. Rruga ishte e mbytur nga trafiku i jashtëzakonshëm dhe mbushur me zhurmën e burive të makinave dhe gonget e motoristëve të tramvajeve. Afër Bancos, Ségouin ndaloi makinën dhe Xhimi me shokun e tij vazhduan në këmbë. Një grumbull njerëzish u mblodh për t’i bërë homazhe kësaj makine të famshme. Grupi i shokëve kishte vendosur që këtë mbrëmje të hanin darkë në hotelin e Ségouinit dhe për këtë rast, Xhimi dhe miku i tij, të cilin e kishte dhe bujtës në shtëpinë e tij, shkuan të vishen. Makina shkoi me ngadalë në drejtim të “Grafton Street”, ndërsa të dy të rinjtë hapën rrugën midis grumbullit të kuriozëve. Ecën drejt veriut me një farë ndjenje habie të shkaktuar nga ecja në këmbë, ndërsa qyteti varte mbi tà dritat e zbehta midis mjegullës së lehtë të verës.
Në shtëpinë e Xhimit kjo darkë konsiderohej si një okazion i madh. Një farë krenarie përzihej me tronditjen e prindërve të tij; një fare ankthi gjithashtu për t’u treguar mikpritës, meqë banorët e qyteteve të mëdha të huaja kanë, të paktën, virtytin për të shkaktuar këto lloj ndjenjash. Xhimi dukej shumë mirë i veshur me etiketë ndërsa qëndronte në këmbë në krye të sallës duke përfunduar lidhjen e kravatës, ndërsa dhe babai i tij ndjehej gjithashtu si një tregtar i kënaqur mbasi kishte mundur t’i siguronte të birit cilësi gjellësh të pakrahasueshme. I ati ndoshta për ketë, tregohej jashtëzakonisht miqësor kundrejt Villonas, dhe qëndrimi i tij reflektonte një respekt të vërtetë për virtytet e huaja; por kjo sjellje e të zotit të shtëpisë sigurisht që nuk u çmua nga hungarezi, i cili kishte filluar të ndjejë dëshirën e fortë për të ngrënë.
Darka qe shumë e mirë dhe e shijshme. Xhimi u shpreh se Ségouini kishte një shije shumë të rafinuar. Me grupin u bashkua dhe një i ri anglez i quajtur Routh të cilin Xhimi e kishte takuar me Ségouinin ne Kembrixh. Të rinjtë e hëngrën darkën në një sallë elegante të ndriçuar me llamba. Folën lirshëm dhe me pak rezerva. Xhimi, imagjinata e të cilit kishte shpërthyer në maksimum, thuri në mendjen e tij jetën e gjallë të francezëve duke e krahasuar me qëndrimin e ngurtë dhe maturinë e anglezëve. Mendoi se kjo ishte një imagjinatë reale dhe shumë e drejtë. Admironte shkathtësinë me të cilën i zoti i shtëpisë drejtonte bisedimet. Të pesë djemtë kishin shije të ndryshme dhe dukej sikur gjuha e tyre ishte ngurtësuar. Villona, me shumë respekt, filloi t’i tregojë anglezit të habitur për bukurinë e madrigalit britanik, duke i ardhur keq për humbjen e disa instrumenteve antike. Riviere, jo krejt në mënyrë të pafajshme po mundohej t’i shpjegonte Xhimit suksesin e mekanikes franceze. Zëri kumbues i hungarezit kishte rrezik që të mposhtte të gjithë duke vënë në loje lavditë e pahijshme të piktorëve romantikë. Në këtë kohë Xhimi e drejtoi grupin për nga politika. Këtu që të gjithë e ndjenin veten në një terren më se të njohur. Xhimi nën influencën e bujarisë mikpritëse, ndjeu t’i rilindë instinkti i vjetër atëror: kjo më në fund i dha gjallëri edhe apatikut Routh. Dhoma mori zjarr menjëherë dhe detyra e Seguinit si francez bëhej gjithnjë e më e vështirë: u pa se po rrezikohej të arrihej deri te ofendimet personale. Por i zoti i shtëpisë që ishte gjithnjë në gatishmëri ngriti gotën dhe i ftoi të gjithë ta ngrinin një dolli për Njerëzimin, dhe kur gotat e boshatisen, u çua në këmbë dhe shkoi e hapi në mënyrë kuptimplotë dritaret në të dy kanatat.
Atë natë qyteti kishte veshur maskën e kryeqytetit. Të pestë të rinjtë ecnin nëpër rrugën “Stephen Green” nëpërmes një reje të lehtë tymi aromatik. Flisnin me zë të lartë dhe plot gaz, dhe pardesytë e tyre dukeshin si te puthitura pas trupit. Njerëzit u hapnin rrugë. Në kthesën e “Grafton Street” një burrë i shëndoshë dhe i shkurtër ndihmonte për të hipur dy zonja të bukura në një makinë që e ngiste një tjetër burrë i shëndoshë. Makina u nis dhe trashaluqi u ndodh në mesin e grupit.
– André.
– Farley!
Menjëherë krisi muhabeti. Farley ishte amerikano-verior. Asnjeri nuk arrinte të kuptonte ndonjë fjalë nga çfarë po thoshte. Villona e Reviere ishte më të zhurmshmit, por edhe të gjithë të tjerët ishin të eksituar. Hipën në një makinë, duke u ngjeshur njëri me tjetrin e duke qeshur me të madhe. Kaluan afër grumbullit të njerëzve nën tingujt e kambanave të gëzueshme. Morën trenin në “Ëestland Roë” dhe në pak sekonda, kështu ju duk Xhimit, zbritën në stacionin e Kongstoënit. Fatorino, një burrë plak, ju drejtua Xhimit: “Mbrëmje shumë e bukur, zotëri !”.
Ishte një natë e qetë vere; porti shtrihej në këmbët e tyre si një pasqyrë e errësuar. U afruan në drejtim të tij të kapur përkrahu duke kënduar në kor “Cadet Rousel” e duke përplasur takat pas çdo: “Oh ! oh ! Hohe, vraiment!”
Morën një barkë me qera dhe u drejtuan deri te Jahti i amerikano-veriorit. Do të shtrohej darkë, muzikë dhe bixhoz. Villona shpërtheu: “Shkëlqyeshëm!”
Në anije kishte një piano. Villona ekzekutoi një vals për Farleyn dhe Rivieren, Farley në rolin e kavalierit dhe Riviere në atë të damës. Pastaj një valle ku gjithsecili kryente lëvizje origjinale të improvizuara. Çfarë qejfi! Xhimi ndjehej i entuziazmuar, kjo të paktën ishte bota e vërtetë. Ndërkaq Farley të cilit ju mor fryma bërtiti: “Mjaft!”. Një marinar u shërbeu një darkë të lehtë, dhe të rinjtë u ulën për të ngrënë për të marrë veten. Megjithatë pinë mirë: ishte një darkë të rinjsh. Pinë për Irlandën, Anglinë, Francën, Hungarinë, Shtetet e Bashkuara. Xhimi mbajti një fjalim të improvizuar që shpesh ndërpritej nga të thirrurat e Villonas “Dëgjoni, dëgjoni”. . Pati një duartrokitje të fortë kur u ul. Me sa duket duhet të kishte qënë një fjalim i mirë. Farley shkoi dhe i ra krahëve duke qeshur me të madhe. Çfarë miqsh të gëzuar! Çfarë shoqëri e kënaqshme.
“Letrat e bixhozit! Letrat!” Shpejt u bë gati tavolina. Villona u kthye qetësisht tek pianoja e tij dhe luajti vullnetarisht për tà. Ata luajtën lojë pas loje, duke u lëshuar me guxim në aventurë. Pinë për shëndetin e Mbretëreshave të letrave si atyre të Zemrës apo të Karove. Xhimi ndjente mungesën e publikut. Paraja e madhe vihej në letra. Xhimi nuk e dinte saktësisht se kush ishte duke fituar, por e kuptonte se ishte duke humbur. Por tani e kuptoi se ishte faji i tij, sepse shpesh i ngatërronte letrat ndërsa të tjerët i llogarisnin me kujdes. Ishin djem të shkëlqyeshëm, por kishte ardhur koha që ta mbyllnin, po bëhej vonë. Dikush propozoi një dolli për Jahtin “Le Bella de Neëport”, ndërsa një tjetër propozoji një dorë të fundit finale.
Pianoja nuk po ndihej më; Villona duhet të kishte hipur në kuvertë. Ishte një lojë e çmendur. Qëndruan një çast për të ngritur një dolli për fatin. Xhimi e kuptoi se loja ishte në favor të Routhit e Ségouinit. Çfarë eksitimi! Edhe vetë Xhimi ndjehej i eksituar; megjithëse e dinte se po humbte. Sa? Të gjithë u çuan në këmbë për të luajtur dorën e fundit, duke folur gjithë gjeste. Fitoi Routhi. Kabina e Jahtit u tund nga britmat e të rinjve. Filluan të mbledhin fitimet. Humbësit më të mëdhenj ishin Farley dhe Xhimi.
Ky i fundit e dinte se të nesërmen kishte për t’u penduar, por për momentin ndjehej i kënaqur nga kjo zbavitje e lumtur në krahasim me ndjenjën e habisë që do ta pushtonte mbi këtë çmendurinë e tij të sotme. Vuri bërrylat mbi tavolinë dhe mbështeti kokën midis duarve, duke numëruar të rrahurat e pulsit të tëmthave. Porta e kabinës u hap dhe u pa hungarezi që qëndronte në këmbë në hapësirën e dritës së hirtë: “Zotërinj, po zbardh!”

Përktheu Robert Cipo

Tagged in:

Pin It on Pinterest

Share This
%d bloggers like this: