Përse Fjalorin e ’54-ës? – nga Ledi Shamku-Shkreli

ShkrimBotimi anastatik i Fjalorit të Gjuhës Shqipe të vitit 1954 përkon me pesëdhjetëvjetorin e daljes në dritë të tij, dhe kjo nuk është rastësi. Në të vërtetë pesëdhjetë vjet janë shumë pak për të ndërmarrë një botim anastatik të një vepre, pasi në një lak kohe si ky bëhen zakonisht ribotime të saj; por vlerat e këtij Fjalori, pre e letargjisë disadhjetëvjetëshe, e bëjnë të domosdoshëm rizgjimin e plotë të tij.

Shtysë e botimit u bë mungesa e këtij fjalori jo vetëm te përdoruesit e shqipes, por edhe te lavruesit dhe studiuesit e saj – në Kosovë madje patën bërë qysh në vitin 1965 një botim të tillë. Me kohë ksomblat e këtij fjalori të vyer morën gjasat e një objekti antikuariati, të cilin dikush e “huante” ndokund e nuk e kthente më, dikush e “trashëgonte” nga ndonjë ikanak i ditur, dikush ngjiste me kujdes kopjen e vjetëruar e të shkimur nga përdorimi.

Sikurse dihet, për hartimin e këtij fjalori punuan mendjet e gjuhëtarëve më në zë të shqipes: E. Çabej, A. Krajni, O. Myderrizi, M. Domi, nën drejtimin e K. Cipos dhe me bashkëndihmesën e pakursyer të A. Xhuvanit. Ky qe i pari fjalor shpjegues shqip, që u çeli shtegun gjithë fjalorëve të tjerë. Si u punua për këtë fjalor? Mjafton të rrëmosh në historikun e leksikografisë shqiptare dhe menjëherë bëhet e qartë vështirësia që ndeshën hartuesit e Fjalorit në përzgjedhjen dhe sërenditjen e fjalësit. Në atë kohë nuk ishte krijuar ende Kartoteka e leksikut, e cila u ngrit rreth një vit pas daljes në dritë të Fjalorit. Për pasojë i vetmi truall lëndor e shkencor mbështetës, paçka se i lëvizshërn dhe jo fort i qëmtueshërn, ishte ai i fjalorëve dialektorë të P. Tases e N. Gazullit, si dhe disa lista fjalësh shqipe të vjetra e të reja, mbledhur nga studiues e amatorë gjuhe prej mbarë vendit.

Lidhur me vështirësitë e kësaj pune shkruante Xhuvani: ” … kjo punë, mbledhja e fjalëvet të gjuhës së folur jashtë vepravet të auktorëvet dhe regjistrimi i tyre në fjalor, nuk ndodh në gjuhët e tjera. Puna e leksikut të gjuhës sonë është një gjë specifike e gjëndjes së gjuhës sonë dhe ndryshon nga ajo e gjuhëvet të tjera, të punuara e të zhvilluara nëpër shekuj pa reshtur. Në veprat e auktorëvet të këture gjuhëvet kemi një vazhdëri pune të gjuhës në perioda të paprera njerën pas tjetrës, e nëpër këto vepra, që trajtojnë gjithfarë çështjesh e subjekte të çdo gjinie të dijës, gjendet gjithë materiali gjuhësor i një populli. Në gjuhën tonë nuk e gjejmë gjithë materialin leksikologjik nëpër veprat e auktorëvet për mungesë të një vazhdërie në të shkruarit e gjuhës …. Për këto arsye, “Fjalorit të Gjuhës Shqipe” i është dashur të shtjerë mbrenda shumë fjalë të gjuhës së folur që gjenden jashtë vepravet të shkrimtarëvet e që mbushin nevojë të ndryshme në fushë të dijës e të kulturës “.

Ledi Shamku - Shkreli
Ledi Shamku – Shkreli

Kjo parathënie do të ishte e tepërt nëse jeta e këtij Fjalori do të kishte qenë normale; por kritikat e pamerituara që e shoqëruan, dhe më pas lënia e tij në “harresë”, shtrojnë nevojën për të nxjerrë në pah pse-të e këtij “vjetërimi” të parakohshëm. Anët e dobëta që iu mëveshën këtij fjalori janë në të vërtetë forca e tij:

1. Është mëtuar se ky fjalor pasqyron pa nevojë zëra a leksema dialektore gege, që nuk i përmban “norma” dhe që, duke patur përkatëset e tyre toske, të cilat “kuptoheshin pa vështirësi”, nuk qe mirë të përfshiheshin në fjalës’. Ky mëtim nuk qëndron për dy arsye. Së pari, asnjë vepër nuk gjykohet jashtë kohës kur ka dalë në dritë, dhe Fjalori i Gjuhës Shqipe përfundoi në vitin 1954, pra shumë vjet përpara sanksionimit të ndërrimit të bazës dialektore të shqipes. Për pasojë, ishte më se e natyrshme që ai t’u përmbahej si normës gjuhësore në fuqi, ashtu edhe fillesave të luhatjes së saj, gjë që aty lexohet mirë e me besnikëri. Së dyti – dhe këtu gabohet si në formë ashtu edhe në mendësi – edhe në qofshin ato leksema të normës gege, që nga dita kur e kapërcyen pragun e rëndë të standardit, pra u normuan si fjalë të normës mbarëshqipe dhe mandej ndër vite prodhuan a sendërtuan kulturë, shkencë e letërsi, askush nuk ka më të drejtë t’u heqë të drejtën e hershme të qytetarisë, duke i degraduar mirëfilli, dhe t’i zbresë në rangun e zërave thjesht dialektorë-. Ky grup fjalësh sot duhet quajtur fjalë jonormë, fjalë që faktikisht i përkasin si regjistrit ligjërimor, ashtu edhe atij shkrimor, ndaj nuk kanë pse të mos pasqyrohen në fjalor si zëra më vete.

Pos kësaj, në kohën kur u hartua fjalori shtjellimi i deratëhershëm i gjuhës nuk ishte shprehur ende lidhur me qëndrueshmërinë apo epërsinë e akëcilës trajtë fjale mbi të tjerat, ndaj një gjykim aprioristik, pa u nisur nga vullneti dhe rrjedha natyrore e përdorimit gjuhësor, do ta shtynte gjuhësinë shqiptare drejt një subjektivizmi e lokalizmi të pasaktë. Duke qëmtuar tash së mbrami kriteret epistemiologjike mbi të cilat u punua për Fjalorin e 54-ës, lexohet qartë kujdesi i hartuesve të tij për të mos rënë pre e gabimit të lartpërmendur. Edhe sipas Xhuvanit ” … në këte gjëndje aktuale të gjuhës nuk na paraqiten ato kushte objektive që duhen për të caktuar një normë të dëshëruar, as në toskërishten, as në gegërishten. Edhe pse disa fjalë e kanë fituar të drejtën përfaqësuese, nuk do të thotë se nuk duhet të shtihen në fjalor sinonimet e tyre katund, katundar, katundësi; gudulis, giciloj; djalëri, djemuri, djelmëni; i unshëm, i uritur, i urët; vleftë, vlerë, etj. që i gjejmë ndër vepra ose që fliten ende në popull. Ky fluktuacion i madh morfologjik ka rrjedhur nga zhvillimi i pamjaftueshëm i gjuhës sonë, e cila, me gjithë përparimin e madh që ka bërë këto tridhjet vjetët e fundit, nuk ka arritur së gjithash në shkallë të formimit të një gjuhe letrare të ngulur. Do shtuar këtu se kjo gjëndje fluktuacion i duket faqeza në të gjitha gjuhët ballkanike. Po të marrim fjalorin e ri të rumunishtes, do të shohim se nuk ka faqe ku të mos gjenden variante fjalësh. Hartuesit e këtij fjalori nuk kanë mundur të heqin dorë nga variantet, se zhvillimi historik i gjuhës nuk e ka sjellë përjashtimin e tyre nga fjalori meqënëse ato fliten e shkruhen edhe sot. Kështu ndodh edhe me fjalorin e serbokroatishtes, të bullgarishtes e të greqishtes së re”.

Ky fjalor paraqitet me një vlerë të pamatë në lëmë të studimit sinkronik të shqipes. Duke vendosur t’i binden pasqyrimit besnik të stadit gjuhësor dhe jo përzgjedhjes së tyre subjektive, hartuesit e Fjalorit, përpos tjerash, lanë si trashëgimi edhe një prerje të hollësishme sinkronike të shqipes së deratëhershme, madje mund të thuhet se ky pasqyrim ka mbërritur sot krejt i qartë, thuajse në trajtën e një arkivi fotografik të kësaj pasurie të çmuar.

Më anë tjetër, kjo prerje sinkronike bëhet e domosdoshme edhe për kë kërkon të ngrejë platforma krahasimore në dobi të të kuptuarit të prirjeve dhe kaheve zhvillimore të shqipes periudhë pas periudhe apo të politikave tona gjuhësore. Në këtë kuptim, Fjalori i 54-ës e përmbush më së miri lidhjen e tij organike me fjalorët pararendës të Gazullit e Tases, qoftë edhe me fjalorët dygjuhësh të Shoqërisë “Bashkimi”, të Cordignanos, Leottit etj. Pra sot ai merr vetiu një vlerë tjetër po aq të madhe: vlerën burimore në studimin diakronik të lëndës shqipe të dokumentuar.

Me bindjen se një fjalor nuk u shërben vetëm studimeve empirike të gjuhëtarëve, por në radhë të parë lavruesve dhe jo më pak përdoruesve të gjuhës, nuk mund të lihet pa nxjerrë në pah edhe një tjetër shërbim të madh që u ofron ky fjalor shqipfolësve, pikërisht për meritë të kësaj larmie të madhe fjalësh e sinonimesh mbarëshqipe.

2. Përmendej fakti se ky fjalor përmban shumë zëra nga “Leksiku i vjetruar”. Sot kjo tingëllon e dyshimtë. Kujt do t’i shërbente asokohe kjo grishje për harresë e thjeshtim të pavolitshëm? Mos ndoshta rrënjëve të brishta të shqipes së dokumentuar tej mase vonë dhe, për më shumë, rrallë?! Apo grackave të ndërprerjes periodike që kushtet historike i ngritën kur e kur lavrimit gjuhësor e letrar të shqipes, e cila me mundim mbërriti të njësojë alfabetin e saj vetëm në vitin 1908, pra dje?! Tashmë thuajse kurrkujt e kurrgjëje nuk do t’i shërbente një mungesë e tillë në fjalës. Këto leksema të kahershme bëhen edhe më të vyera në këtë fjalor kur hartuesit futen në vargun e tyre semantik, pasi, pikërisht se janë të vjetra, ato kanë dalë ndër mote me nuanca të shumta leksikore, të cilat u kanë dhënë mandej polisemi. Madje, duke qenë i llojit shpjegues, ky fjalor i pasqyron e i shtjellon mirë këto ecuri kuptimore që kanë ndihmuar vetiu në pasurimin e shqipes. Cila gjuhë gëzon nga bjerrja e lëndës së saj historike? Përpos faktit që, edhe në e bjerrtë, vendos ajo dhe përdoruesit e saj çfarë të bjerrë e kur, dhe jo një e rënë e lapsit të gjuhëtarëve. Disa syresh nuk arsyetonin kështu dhe i mëshonin faktit se këto fjalë nuk u përdorkëshin më në kohën kur u hartua Fjalori. Por edhe ky mendim është pak të thuash i gabuar, pasi asokohe gjuhësia shqiptare nuk kishte ndërmarrë ende studime masive e kataloguese për hetimin e lëmit të shqipes, ndaj dhe kjo vërejtje mbetet prapë një subjektivizëm i pasakte.

Më një anë tjetër, problemi nuk shtrohet vetëm për kohën kur u hartua Fjalori. Ky mbrothësim leksikor me fjalë të fondit historik nga të dyja dialektet, pikërisht ato për të cilat kritika shkencore pati sugjeruar të liheshin jashtë, sot ka gjasa të marrë një fuqi të dyfishtë.

Së pari, ky brez i ri shqipfolësish, i edukuar gjuhësisht nën trusninë e standardit dhe të drojes se nuk duhet të vozisë jashtë tij, ç’mjete ka në dorë për të kuptuar e shijuar, fjala vjen, kryeveprat e letërsisë botërore të cilat u shqipëruan qysh në kohë të hershme? Si t’ia bëjë që, kur shf1eton kryeveprat e përkthimeve të dikurshme të Homerit, Eskilit, Aristofanit, Plautit, apo përkthime monumentale si ai i Komedisë Hyjnore, të mos e humbasë ëndjen e leximit ngaqë lloc në fjalë, të cilat Neogjuha nuk e pa të udhës t’i shtjerë më në punë? E, në dashtë ta kërkojë diku kuptimin e venitur të këtyre fjalëve, ku do të mund fi gjente, sikur mendjet që hartuan Fjalorin e 54-ës t’i kishin gjykuar këto fjalë si “të vjetëruara”, pra të panevojshme për t’u strehuar në fjalës? Fatmirësisht fjalët janë atye nuk numërohen rastet kur lexues, por edhe profesionistë, ky fjalor i ka lehtësuar nga ndjesia e keqe e të moskuptuarit.

Së dyti, nëse bashkohesh me shqetësimin më se të drejtë të gjuhëtarëve dhe të gjuhëlavruesve ballë këtij pështjellimi që ka trazuar sot shqipen, nuk do të thotë domosdoshmërisht të ndash me ta të njëjtën ksenofobi që bashkon disa herë grurin me egjrën. U dashkan kryqëzuar për këtë vetëm përdoruesit e gjuhës?! Përftesë e cilit edukim gjuhësor janë ata? Kjo pyetje duhet analizuar me shumë përgjegjësi. A nuk janë ata vetë viktima të thjeshtëzimit të panevojshëm që iu bë shqipes në emër të freskisë e të përtëritjes së saj? Ja se ku ndodhemi, në këtë rast, para një ngatërrimi, qoftë edhe të paqëllimshëm, të pasojës me shkakun.

Mos vallë fjalori i shqipes i vitit 1980 u quajt ashtu si kot Fjalori i ‘Gjuhës së Sotme Shqipe? Shqipja që na shërben sot për të shkruar e menduar, për të komunikuar ndjesi a informacion, a nuk e vuan këtë mpirje të madhe të kujtesës së saj gjuhësore? Shenjat e kësaj vuajtjeje a nuk janë përrenjtë e forestierizmave që çelin hulli përditë në lëmë të saj? Shqipja ka nevojë për shenjues, pasi në mendësinë e shqipfolësve kanë hyrë shenja të reja ose janë këndellur shenja të vjetra, dhe kjo në të gjitha fushat: ekonomi, drejtësi, politikë, art, jetë familjare, madje edhe “rrugë”, pra gjithkund.

Para se të merren verbtazi shenjues ardhacakë [forestierizma], është e domosdoshme t’i nënshtrohemi një procesi të vullnetshëm rizgjimi leksikor e sintaksor të lëndës shqipe, pa paragjykimin se kjo është e vjetruar, kjo tjetra i përket vetëm regjistrit të ulët bisedor apo kjo është dialektore. Përderisa Gjuha ruan në sirtarët e saj gjithçka, Ligjërimi s’duhet të dyllosë disa syresh e të hapë veç të njëjtit se të njëjtit… Nëse ia dalim të lidhim fijet e Përdorimit të Përditshëm të Gjuhës me Traditën Gjuhësore dhe e gjitha kjo të kryhet krahas Ndërgjegjësimit të Shqipfolësve se gjuha që ata zgjedhin përfaqëson vetë ata, vetë Qenien e Tyre Socialkulturore, mund të thuhet se shqipja ka filluar të dalë nga ky ngërç i ri. Ky dhe të tjera janë motivet për të cilat Fjalori me minierën e tij leksikore ka shumë për të ofruar, ndaj duhet të vijojë të shërbejë si një nga burimet e vyera lëndore në procesin e gjatë por të domosdoshëm të emancipimit gjuhësor të shoqërisë shqiptare.

3. Tjetër çështje që ia vlen të diskutohet lidhur me fjalësin e këtij fjalori është ajo e turqizmave. U pat shkruar asokohe se ” … tepërta e fjalëve të huaja, sidomos e turqizmave, bën që pothuaj të humbasin, të mos duken në fjalor, fjalët shqipe. “3. Pikësëpari, ky pohim është i skajshëm; në të vërtetë, prania e turqizmave në Fjalorin e 54-ës nuk ka këto përmasa të tepruara. Së dyti, gjendemi prapë përballë dy pyetjeve: 1) A mund të bëhej pa to? 2) Jemi të sigurtë që shqipes së çdo kohe – dje, sot dhe nesër, i intereson kjo mungesë në fjalës?

Si përgjigje të këtyre pyetjeve të vihet re se ç’shkruante P. Geci¬për praninë e huazimeve turke në këtë fjalor: “… Shumë prej atyre që pritnin me padurim fjalorin e parë shqip pësuan një deluzion të madh, kur panë se në të figuronin shumë fjalë e shprehje turke. Por sikur të uleshin dhe të lexonin librat që janë botuar në këto kohët e fundit, do të bindeshin se komisioni i fjalorit ka pasur deri diku të drejtë që i ka futur në fjalor. Rilindasit tanë bënë një punë shumë pozitive duke krijuar neologjizma për pasurimin e gjuhës, në një kohë kur gjuha shqipe ishte në rrezik të zhdukej, pse fjalë turke kishin hyrë me shumicë në gjuhën e popullit. Shembullin e rilindasue e vazhduan edhe pasardhësit e tyre […], por u teprua me purizmin e gjuhës; kështu u kërkuan rrugë të ndryshme, që nganjëherë nuk qenë të përshtatshme për pastërtinë e gjuhës, pse u krijuan neologjizma prej fjalëve të panjohura dhe jo mbas natyrës së gjuhës së popullit.

[…] Kur u pa se kjo udhë çoi në largimin e gjuhës së revistave dhe veprave letrare nga ajo e popullit, atëherë disa shkrimtarë të këtij qjeneracioni bënë kthesën në gjuhë, filluan të shkruajnë gjuhën e masave dhe kaluan prej njërit ekstrem në tjetrin. Në vend që të merrnin një rrugë të mesme, përdorën pa masë turqizmat pse kështu flitte gjoja populli. Në këtë mënyrë prej gjuhës së folur turqizmat u futën në gjuhën e shkruar. Derisa këto fjalë janë të lidhura me shprehje e fraza, fjalori nuk mund t’i linte jashtë, përndryshe nuk do të pasqyronte gjuhën e soçme”.

Vlen të përmendet fakti se jo gjithnjë fjala shqipe që ofrohej si zëvendëse e le mës turke mbulonte saktë lëmin semantik të saj, si në rastin e çiftit kasap/mishtar, dhe me siguri kjo arsye bashkë me atë të përhapjes vendore kanë përcaktuar kasap si fjalë kryesore në Fjalor. I njëjti arsyetim duket se vijon edhe për turqizma te tjera në fjalës. Tekefundit, fjala turke, edhe në pastë marrë ndokund vendin e mëmëzonjës, është pjesë e historisë së shqipes dhe të shqiptarëve, pasi këto dy gjuhë e kultura bashkëjetuan për rreth pesë shekuj. De Mauro thotë se “historia e gjuhëve është historia e ndërkalljeve të tyre”, dhe fjalori nuk bëhet me “ne vendosim të jetë” apo “kjo nuk ka për të qenë”, por me “vërejmë se është”, “del se përdoret”, ndryshe kemi pasqyruar parapëlqimin tonë, jo lidhjen Fond Gjuhësor + Ligjërim.

b) Edhe në këtë çështje përballemi me problemin e së sotmes.

Nëse gjithë këto turqizma zelli purist do t’i kishte lënë jashtë Fjalorit, si do t’i kuptonin sot shqiptarët tregimet persiane “Haxhi Agaj”, lëmimet poetike të rrymës së bejtexhinjve? Si do ta kuptonin alegorinë e pashoqe të Nolit te “Marshi i Barabajt” e të tjera si këto? Pastaj, a nuk duket edhe një fobi e pashqyrtuar mirë kjo ndaj turqizmave, ngase qoftë në leksik, qoftë në gramatikë, gjallimi i turqizmave është një proces i mbyllur kaherë dhe numri i tyre ka kohë që ka nisur të tkurret e koha do të bëjë të sajën?

4. Tjetër shërbim i çmuar që ofron ky fjalor është pajisja e lemave të florës, faunës, anatomisë e mjekësisë me emërtesat e tyre shkencore në latin ishte. Dhënia e emërtesës nuk është vetëm një saktësi shkencore. Ajo, veç të tjerash, ndihmon shumë edhe punën e përkthyesve të cilët, duke patur termin latinisht, mund ta përqasin mjaft mirë fjalën e huaj me përkatësen në shqipe. Një saktësim i tillë mungon krejtësisht në fjalorët që e pasuan; arsyet e kësaj mungese kuptohen dhe deri diku edhe përligjen në Fjalorin e vitit 1980 (ideologjia kërkonte një fjalor “vetëm për masat”), por nuk kishte pse të mos i shtoheshin variantit të tij të ripunuar që doli në vitin 2002.

Duke pasur ende për të thënë mbi vlerat e mëdha rizgjuese të këtij fjalori, mbi përvojën gjuhësore që mund të marrë çdo leksikograf nëse mbërrin të qëmtojë metodikën e punës së hartuesve të tij, mbi mirënjohjen ndaj mundit të këtyre gurëve të themelit në ngrehinën e gjuhësisë shqiptare, le të reshtim, gjithsesi, duke lënë Fjalorin të flasë vetë e të shpalosë sa e sa visare të shqipes që kërkojnë të dalin nga gjumi i harresës.

Ledi Shamku-Shkreli
Tiranë, Tetor 2004

Pin It on Pinterest

Share This
%d bloggers like this: