Kolegji i Shën Adrianos ka qënë gjithmonë një qendër e rëndësishme arsimore e kulturore e arbëreshëve. Kolegji filloi të funksionojë që në vitin 1734 dhe në fillim u quajt “Kolegji Arbëresh Corsini”.
Për të qënë sa më të paanshëm në historikun e këtij kolegji, duhet të themi se për hapjen e tij fillimisht kërkesa ka qënë për të krijuar një kolegj me drejtim fetar të ritit ortodoks, i cili do të përgatiste seminaristë për liturgjinë bizantine. Këta, me mbarimin e shkollës, do të shpërndaheshin në viset e lindjes për të kryer shërbesat në kishat ortodokse, kryesisht të Komunave Arbëreshe dhe në fshatrat ortodokse të Ballkanit.
Kërkesa për këtë lloj kolegji ju paraqit në Romë Papës Klementi XI, Papë Shqiptar nga familja Albani, të cilit i pëlqeu fort ky mendim. Por ndërkaq Papa vdiq, dhe pasardhësit e tij e harruan këtë çështje. U desh të vijë përsëri në fronin e Selisë së Shenjtë Papa Klementi i XII i familjes Corsini të Firences, edhe ky me gjak shqiptari nga e ëma, për ti dhënë udhë e për të ngritur këtë Kolegj që për nder të tij u quajt “Kolegji Corsini” i cili u ngrit në fshatin arbëresh Shën Benedetto Ulano.
Për të bërë pak histori, duhet të themi se i pari drejtues i këtij Kolegji u caktua Peshkopi Felice Samuel Rodotà, i cili ishte dhe banor i po këtij fshati, e që e drejtoi atë prej vitit 1733 deri në 1740.
Kolegji vazhdoi të funksionojë me drejtim fetar deri aty nga viti 1885, kur kaloi me drejtim shkencor. Ndodhi që në vitin 1794, për arsye se ndërtesa e kolegjit ishte shumë e vogël dhe kërkesat për pranim e studim ishin gjithmonë në rritje, u nxorr një dekret nga Mbreti i Napolit, Ferdinandi IV, në 1 Mars të atij viti, i cili aprovoi kalimin e kolegjit për në fshatin e Shën Mitrit. Selia e Kuvendit, pikërisht aty ku u vendos Kolegji, kishte shumë prona të vetat dhe dispononte një ndërtesë të madhe të mjaftueshme për dyqind konviktorë.
Ky Kolegj i Shën Adrianit, i ndërtuar aty ku vazhdon të ndodhet edhe në ditët e sotme, ishte i vendosur në shpatin e kodrës së Montesantos, në 530 metra mbi nivelin e detit, me një panoramë shumë të bukur. Në drejtim të veriut, pamja shtrihej deri në ujrat e kaltërta të gjiut të Otrantos në detin Jon. Kolegji është i vendosur rreth një kilometer larg nga fshati i Shën Mitrit. Atij i bëjnë kurorë shumë koloni shqiptare.
Me 1810, mbreti i Napolit Joakin Marat, emëruar në këtë detyrë nga Napolon Bonaparti, mbi bazën e një dekreti mbretëror e gradonte këtë kolegj në rangun e Lice-së së të tri Kalabrive. Nga ana tjetër, edhe pas largimit të francezëve, Garibaldi për të shpërblyer ndihmën që i kishin dhënë kolonitë shqiptare të Kalabrisë, në 20 Tetor të vitit 1860, ky vetë shpalli dekretin e famshëm të Casertas, aty ku kishte formuar qeverinë e vet, në të cilin bënin pjesë edhe tre shqiptarë Françesko Krispi, Paskal Sgura e Luigj Gjura. Aty thuhej:
“Unë Garibaldi, Diktator i Italisë së Jugut, duke marrë në konsideratë shërbimet e mëdha që i kanë dhënë shqiptarët trima e bujarë çështjes kombëtare,
DEKRETOJ
Mbasi të plotësohen nevojat e luftës e mbasi të shpallet Italia e pavarur me Mbret Viktor Emanuelin, Thesari i Napolit detyrohet ti dorëzojë menjëherë Kolegjit italo-grek të Shën Adrianit shumën prej dymbëdhjetë mijë skudash për të shërbyer për zmadhimin e Kolegjit. Unë e ve zbatimin e këtij dekreti nën garancinë e Kombit dhe të të madhit Sovran.”
Giuseppe Garibaldi
Më 1892, nën kujdesin e J. De Radës, u themelua zyrtarisht nga ana e Ministrisë së Arsimit Katedra e Literaturës Shqipe. Mësues i parë i saj u emërua vetë De Rada, i cili mbajti leksionin mbi vjetërsine e gjuhës shqipe.
Ndërsa në vitin 1905 u shtua dhe një degë për shkollen Normale, me djem të ardhur vetëm nga Shqipëria. Kolegji u pajis me dy kabinete didaktike fizike e histori natyre e më në fund u njoft zyrtarisht nga Qeveria si shkollë Shteti.
Që nga viti 1892 e deri me 1919, duke filluar me vetë Luigj Gurakuqin, nga ky kolegj jane diplomuar më se njëqind djem shqiptarë.
Në këtë Kolegj, si mësues të gjuhës dhe letërsisë shqipe kanë dhënë mësim:
|
1 |
Jeronim De Rada nga Makje | Prej 1849-1852 e prej 1889-1902 |
|
2 |
Prof. Gasper Jakova Mërturi nga Shkodra | Prej1903-1904 |
|
3 |
Prof. Battista Groppa nga Frashineto | Prej 1904-1906 |
|
4 |
Prof. Aleksandër Xhuvani nga Elbasani | Prej 1906-1909 |
|
5 |
Dr. Nikoll Martin Camaj nga Shkodra | Prej 1911-1912 |
|
6 |
Mehdi Frashëri | Prej 1915-1918 |
Me themelimin e katedrës së gjuhës shqipe nga J. De Rada me 1849, Kolegji ndërroi emërin në “Kolegji i Shën Adrianos”. Pothuajse të gjithë shkrimtarët e dijetarët arbëresh të Kalabrisë e Bazilikatës gjatë shekujve XVIII e XIX kanë ndjekur këtë institut arsimor.
Ja si e përshkruan Aleksandër Xhuvani këtë shkollë në kujtimet e tij:
“Kolegji, është një shkollë e mesme, e plotë, tetë-klasëshe dhe me një seksion pedagogjik për mësues të shkollës fillore. Ka nje internat prej afro treqind shtretërish, me nxënës nga të cilët gjysma janë arbëresh po nga ky fshat si dhe nga fshatrat e tjera arbëreshe aty afër.”
Robert Cipo