Prof. Kostaq Cipo – Biografi

Prof. Kostaq Cipo
Prof. Kostaq Cipo

Kostaq Simon Cipo lindi në Elbasan më 25 Dhjetor të vitit 1892. Është i biri i Simonit dhe i Agnijes. I ati ishte zanatçi, por e mbylli jetën si nëpunës në Bashkinë e qytetit. Agnija, e ëma, ishte e bija e Jan Xhuvanit, priftit të fshatit Shtërmen dhe e motra e patriotit të shquar dhe gjuhëtarit të madh Aleksandër Xhuvani.

Në moshën 6 vjeçare, më 1898, u regjistrua në shkollën 7-vjeçare të qytetit, që ishte në gjuhën greke. Më 1906, pasi kreu mësimet në këtë shkollë, u regjistrua në një gjysmë-gjimnaz turqisht i cili ishte hapur në Elbasan. Më 1910 vazhdoi dy vitet e fundit të gjimnazit në Manastir (Bitola e sotme). Në këtë kohë u njoh me patriotë të shumtë si Gjergj Qirjazin, Muço Qullin (Minella Gërmenjin i cili drejtonte gazetën “Drita”) dhe Shahin Kolonjën. Vitin e fundit të gjimnazit Cipo-ja nuk arriti ta përfundonte për shkak të Luftës Ballkanike dhe u kthye në Elbasan (1912).

Kolegji i “Shën Adrianos” në Shën Mitër Korone
Kolegji i “Shën Adrianos”

Gjatë periudhës së pushtimit serb shërbeu si bibliotekar pranë familjes së Aqif Pashë Elbasanit duke sistemuar dhe kataloguar librat e bibliotekës së tij të pasur. Në vjeshtë të vitit 1913 (në moshën 20 vjeçare) iu dha një bursë për në Shën Mitër Korona, në kolegjin e Shën Adrianit, pikërisht në atë shkollë ku kishte dhënë mësim për tre vjet rresht (1906-1909) daja i tij, Aleksandër Xhuvani. Shkollën e filloi në Shtator 1913 dhe e ndoqi pa shkëputje për 4 vjet.

Në vjeshtë të vitit 1917 regjistrohet në Universitetin “La Sapienza” në Romë, në Fakultetin e Letrave dhe të Filozofisë, në grupin e Filologjisë Klasike. Për pak kohë Cipoja ishte redaktor i jashtëm i gazetës “Kuvendi” që botohej në italisht nga S. Gjika dhe shkruante kryesisht rubrikën për letërsinë me pseudonimin “Skampensis” (Elbasanasi). Ndër artikujt e shkruar në këtë periudhë spikat komenti i gjatë për vjershën e Fishtës “I dëbuemi”. Po kështu ai shkruan një seri artikujsh për krijimtarinë e Naim Frashërit dhe të De Radës, ndërsa në fushën e gjuhësisë spikat artikulli studimor “Studime Etimologjike të Gjuhës Shqipe të Krahasuar me atë Greke, Latine, Gjermane e Persiane”. Të gjithë këta artikuj janë shkruar në italisht. Në krye të artikullit për etimologjinë spikat një shprehje e Foy “I lumtur ai shkrimtar që i ngre një monument vendit të tij”.

Më 1919 me rastin e vizitës në Itali të Presidentit amerikan Wilson, një grup i vogël shqiptarësh, midis tyre edhe Cipo, i dërgon atij një mesazh proteste për shkak të ndërhyrjes së Italisë në punët e brendshme të Shqipërisë. Në këtë periudhë u njoh me personalitete të politikës dhe letrave shqipe si Padër Gjergj Fishta, Mehdi Frashëri, Dhimitër Berati, Imzot Bumçin etj. Këtu forcoi edhe më shumë miqësinë me Luigj Gurakuqin. Miqësi të veçantë pati me një bashkëstudentin e tij, Mustafa Krujën, me të cilin do të prishej në vitet e pushtimit fashist.

Në Dhjetor të vitit 1921 Cipo u kthye në Tiranë dhe po atë ditë u emërua mësues në Shkollën Normale të Elbasanit. Kur ishte në vitin e dytë të punës e pezullojnë 6 muaj nga puna me pretekstin se po prishte zakonet e mira të vendit duke qenë se dilte në rrugë alla europiançe dhe pa qylafin turk në kokë. Për shkak të aktivitetit demokratik, në mënyrë të veçantë, për shkak të propagandës progresiste që zhvillonte te studentët konviktorë të Normales, kundër tij filloi një fushatë shpifjesh të cilat sollën si rrjedhim transferimin e tij me motivacionin “për kokëfortësi dhe pikëpamje antiqeveritare”, për një periudhë dyvjeçare (1923-1925), si profesor i gjuhës shqipe në gjimnazin e Shkodrës.

FishtaNë Shkodër e forcoi edhe më tepër lidhjen me Padër Fishtën dhe së bashku me të u caktuan në komisionin për përzgjedhjen e Himnit Kombëtar. Në vjeshtë të vitit 1925 transferohet në Korçë si profesor dhe Drejtor i palës shqiptare në Liceun Kombëtar të Korçës (Liceun Francez) në të cilin ndenji plot 14 vjet, deri më 1939. Ai nuk mund të pajtohej me gjendjen në të cilën ndodhej vendi dhe si patriot demokrat nuk druhej që ta shprehte këtë edhe në klasë, madje duke hyrë në konflikt edhe me Ministrinë e Arsimit të asaj kohe. Jashtë shkollës veprimi i tij ishte antiqeveritar dhe kjo dihej nga të gjithë. Kjo mënyrë sjelljeje pati si rezultat burgosjen për 12 ditë në burgun e Tiranës duke gjetur si shkak vrasjen e Ceno Begut.

Në këtë kohë i kushtoi vëmendje të madhe jo vetëm mësimdhënies së shqipes, si e vetmja lëndë që i lidhte drejtpërdrejt studentët me vendin e tyre (mësimet zhvilloheshin të gjitha në frëngjisht), por edhe letërsisë dhe folklorit shqiptar. Mendimet për këtë, krijimtarinë gojore të popullit të vet, i jep në formë të përmbledhur në artikullin “Biblioteka e punëtorit intelektual”. Kjo krijimtari e vyer e popullit e tërhiqte, por edhe e shqetësonte pa masë. Ai mendonte se ajo, që të mos humbte, duhej mbledhur, sistemuar dhe studiuar me rigorozitet shkencor. Këtë ide filloi ta vinte në jetë me detyrat e veçanta që u jepte nxënësve për të mbledhur krijimtarinë gojore të trevave nga vinin, e më pas iu fut punës për sistemimi e skedimin e saj. Kjo punë e tij gati 14 vjeçare shkoi e humbi kot, pasi biblioteka e tij e pasur u plaçkit dhe u dogj në kohën e luftës Italo – Greke, gjatë qëndrimit të ushtarëve grekë në Pogradec. Biblioteka e tij ishte vendosur në shtëpinë e prindërve të gruas Margarita Papajani, e bija e Dr. Filip Papajanit, shkrimtar, rilindës i njohur me pseudonimin “Lipi”, me të cilën ishte martuar më 1929.

Kur hyri Italia fashiste në Shqipëri ai ishte Drejtor i Liceut Francez dhe mbajti një qëndrim të prerë kundër anëtarësimit të pedagogëve të Liceut në Partinë Fashiste, gjë që u pasua me mosvajtjen në ceremoninë e organizuar me rastin e vizitës së Jakomonit në Korçë. Kjo bëri që të niste vëzhgimi i tij dhe që në qarqet intelektuale të qytetit të njihej si “Il grande rifiuto”. Në gusht të 1939 e arrestojnë dhe nga burgu i Korçës e transferojnë në atë të Tiranës dhe prej këtej e internojnë në Itali, në Colfiorito. Në këtë fshat të humbur dhe me klimë jashtëzakonisht të ashpër ndenji dy vjet së bashku me të shoqen dhe tre fëmijët. Pas dy vjetësh, kohë që përkon edhe me përfundimin e luftës Italo-Greke, i ofrojnë Katedrën e Gjuhës Shqipe në Universitetin “La Sapienza” në Romë por ai e refuzon dhe kthehet në Pogradec, tek i vjehrri, ku e gjen shtëpinë, e sidomos bibliotekën e tij mjaft të pasur e me ekzemplarë unikë nga letërsia, historia dhe, veçanërisht, gjuhësia e përgjithshme e albanologjia, të plaçkitur e të rrënuar nga njerëz që dinin se çfarë duhet të merrnin e çfarë duhet të digjnin nga ky thesar. Në këtë kohë Cipoja harton një deklaratë e cila iu kërkua të gjitha familjeve që kishin pësuar dëme nga qëndrimi i ushtarëve grekë në qytet.

E përmendim këtë fakt pasi nëpërmjet këtij dokumenti do të mund të krijonim një ide të përgjithshme për vlerat e madhësinë e bibliotekës dhe, për rrjedhim, edhe të pronarit të saj, si personalitet në fushë të dijes dhe kulturës shqiptare. “…Për bibliotekën t’ime, jashtëzakonisht të pasun, të pajisun me 1200 vëllime, nga të cilat 800 u vodhën a u dogjën nga grekët si zjarr për t’u ngrohur, mendja më thotë se librat nuk do jenë djegur, por do të jenë ngritur e dërguar në Greqi…” Për një kohë prej shtatë muajsh qëndroi i papunë dhe më pas e ftojnë në Tiranë ku e emërojnë profesor në dispozicion të Ministrisë së Arsimit, por pa të drejtën e ushtrimit të profesionit. Më vonë e emërojnë inspektor arsimi.

Me ardhjen e gjermanëve, M. Kruja si kryeministër, i ofron Dikasterin e Arsimit. Cipoja e falënderoi, por nuk e pranoi ofertën për ministër. Ishte viti 1942. Në Shtator të këtij viti u ftua për të marrë pjesë në Konferencën e Pezës si patriot dhe antifashist, por për arsye shëndetësore nuk mori pjesë. Në këtë kohë ai ishte 50 vjeç. Mbas një viti pune largohet nga Ministria e Arsimit dhe punësohet si përkthyes në shtëpinë botuese italiane “De-Agostini-Novara”. Këtu qëndroi deri në shtator të vitit 1943. Për pak kohë u punësua si korrektor në shtëpinë botuese “Ismail Mal Osmani”. Pas një periudhe heshtjeje boton tek “Revista Letrare” e Vedat Kokonës një artikull me titull “Libri, kujtime, mendime” ku trajtonte problemin e rëndësisë që ka libri dhe rolit që luan ai në jetën e kombit për bashkimin dhe përparimin e tij, për formimin e ndërgjegjes kombëtare.

Instituti i Shkencave
Instituti i Shkencave

Pas çlirimit kreu vetëm për një muaj detyrën e Drejtorit të Bibliotekës Kombëtare. Nga Janari i vitit 1945 deri në Prill të 1946 ishte Ministër i Arsimit, dhe, si i tillë, ndikoi dhe ishte nismëtar i hapjes së Institutit Pedagogjik Dyvjeçar. Në Maj të po këtij viti u emërua Drejtor i Institutit të Studimeve, i cili, si Institut i Shkencave, iu aneksua Kryeministrisë më 1948. Që nga ajo kohë e deri sa vdiq punoi si anëtar i këtij Instituti, si specialist i gjuhës shqipe. Në këtë periudhë iu kushtua me të gjitha forcat veprimtarisë mësimore dhe asaj studimore-shkencore. Arriti edhe të botonte veprat e tij më të rëndësishme: Gramatikën e Gjuhës Shqipe, Sintaksën dhe Fjalorin e Gjuhës Shqipe. Për “Sintaksën” Cipoja u vlerësua edhe me Çmimin e Republikës.

Aleksander Xhuvani
Aleksander Xhuvani

Së bashku me Xhuvanin dhe Çabejn mori pjesë në hartimin e Udhëzuesit të Parë Drejtshkrimor të gjuhës letrare (1948-1950) dhe në përpunimin e disa terminologjive kryesore shkollore. Punoi një gramatikë të gjuhës shqipe për shkollën shtatëvjeçare, dhe një varg studimesh gjuhësore mbi fjalitë e përbëra (ndër të parët që nisën trajtimin e thelluar të tyre), mbi gjuhën e Pjetër Budit etj. Përgatiti një botim shkencor të “Historisë së Skënderbeut” të Naim Frashërit, mbi bazë kriteresh filologjike të pajisur edhe me komente gjuhësore edhe letrare. Me gramatikën shqipe në dy vëllime, e para gramatikë joshkollore e karakterit shkencor në gjuhën shqipe, hapi shtigje të reja në studimin e gjuhës shqipe, veçanërisht në fonetikë e sintaksë. Kjo gramatikë u përdor edhe si tekst mësimor për shumë vjet dhe shërbeu edhe si mbështetje për tekstet e tjera të mëvonshme më të gjera e më sistematike.

Për vendin e veçantë që zë Kostaq Cipo në shkencën, kulturën dhe historinë tonë janë shprehur edhe personalitete të këtyre fushave: “Qe ndër pedagogët kryesorë që kontribuan në ngritjen e arsimit tonë të lartë.” Prof. Mahir Domi. “…njohësi më i sigurt e shijuesi më delikat nga njëra anë e tri gjuhëve të lashta greke, latine e italiane si dhe i tre letërsive të tyre.” Prof. Selman Riza. “ Kësaj rruge të sapo shkelur, do të ecte dhe Kostaq Cipo, duke hedhur ura të reja në mes gjuhës e letërsisë shqiptare dhe duke zgjeruar sferën e studimit të përbashkët” Prof. Nasho Jorgaqi.

Vdiq në 6 Janar të vitit 1952. Deri më sot nuk ka asnjë institucion shkencor apo arsimor, qoftë edhe në qoshen më të humbur të Shqipërisë, që të mbajë emrin e këtij personaliteti të shquar të shkencës dhe kulturës shqipe.

Disa nga Veprat kryesore:

  • Morfologjia Historike e Shqipes (1947)
  • Fonetika (1947)
  • Rreth disa kompozitave (1948)
  • Kompozitat determinative (1948)
  • Gramatika për klasat e V,VI e të VII të shkollës shtatëvjeçare (1948)
  • Vërejtje fonetike, morfologjike e sintaktike mbi “Doktrinën e Krishtenë” të Budit (1618) – e pabotuar
  • Fillimet e Stilistikës e Letërsisë A. Xhuvani, K. Cipo (1930)
  • Gramatika (Fonetikë e Morfologji) 1949
  • Sintaksa (1952) – botuar pas vdekjes
  • Shënime e Shpjegime të veprës “Historia e Skënderbeut” (1953) – botuar pas vdekjes
  • Fjalori i Gjuhës Shqipe (1954)

Pin It on Pinterest

Share This