Nga Bisedat Me Shokët E Ushtrisë

ShkrimShoferi i Teme Sejkos

Në kohën e pasdites, ashtu si shoferët civilë tashmë në moshë të pjekur, ushtarë shumë të rinj që kryenim shërbimin ushtarak e që ishim dërguar në Repartin Ushtarak N°3806 që ndodhej në krah të godinës së Ministrisë së Mbrojtjes (sot Universitetit Politeknik), mblidheshim për të kaluar pasditen në sallën e bibliotekës së Repartit.

Biblioteka ishte plot me libra te dhuruara nga Gjeneral Haxhi Lleshi, që kur ishte ende shef i një Drejtorie të kësaj Ministrie. Aty sejcili tregonte ngjarje nga jeta e tij, nga qyteti i lindjes, apo nga shoqëria e mëparshme civile.

Një ditë, shoferi civil që shërbente në këtë detyrë prej më së tre vjetësh te Kolonel (më vonë Gjeneral) Teme Sejko, filloi të na tregojë historinë që vijon.

Teme Sejkon, që kur e kemi njohur ne ushtarët, ishte gjithmonë Drejtor i Drejtorisë së Dytë (Deuxiemme Buraeu) që ishte Drejtoria e Shërbimit të fshehtë të Ushtrisë.

Shokun Teme (atëhere të gjithë ishin “shokë”), e njihnim që të gjithë ne të Repartit. Me sa duket shoferi gjatë udhëtimeve nëpër Shqipëri i përralliste muhabete mbi karakteret tanë kështu qe ai sillej sikur të na njihte prej kohësh. Na dinte mendimet dhe sjelljet.

Edhe unë që isha vetëm daktilografist-sekretar i repartit i njihja drejtuesit sepse sejcili shofer tregonte për shefat e vet dhe shpesh edhe për familjet e tyre. Kështu që sa herë kuadrot e larta të Ministrisë grumbulloheshin dhe bënin nga një ndeshje Voleibolli dhe kur mungonte ndonjë “lojtar” futesha unë në lojë dhe shokët e mi habiteshin me mua sepse u drejtohesha drejtuesve të lartë gjithë inat sikur ishin shokët e mi duke i thënë: “mbaj vendin”, “pse m’u ngjite kap afër?”, “shtyu me tutje” e të tjera si këto.

Shpesh shokët e mi (disa vetëm me dy-tre klasë fillore) më flisnin pas ndeshjes: “pse i fole kështu?” ose “pse i the ashtu?” Unë i përgjigjesha “derisa jemi në lojë, nuk kemi grada.” Aty në skuadrën tonë luante edhe Petrit Dumja, Teme Sejko-ja e Panajot Plaku (gjithmonë i nxehur dhe i acaruar).

Këto kontakte dhe biseda vazhduan sa herë takoheshim me njëri-tjetrin, kështu që shoferi i Temes më tregoi se Shefin e tij e kishin hequr nga detyra dhe pritej të caktohej në një detyrë të rë. Edhe atë vetë e kishin larguar nga të qënit shofer i tij dhe priste me ditë ta caktonin me ndonjë shef tjetër. Ai vazhdoi të na tregojë se një nga këto ditë, duke kaluar për karshi Kafe “Vollgës”, takoi Temen dhe ai e ftoi për një kafe.

Ishte mëngjes. U futëm brenda në Kafe Vollga duke biseduar për kohën e bukur të kaluar së bashku. Salla e kafes ishte bosh. Por mbasi filluam bisedën, në kafe hyri një ”Kalec” dhe zuri vend në një tavolinë larg nesh duke porositur diçka. Mbas pak hyri një tjetër dhe u vendos në një tavolinë larg prej të parit. Megjithëse i njihja që ishin nga po e njëjta drejtori. Mbas disa minutash u fut në kafe edhe një i tretë. Edhe ky u vendos në një tavolinë larg nga dy të parët. Temja, mbasi i pa, buzëqeshi dhe më pyeti: “I njeh? U bënë kaq ditë që nuk po më ndahen.”
– Je shef, ju përgjigja, kështu që të kanë kujdes dhe si duket janë ngakuar të të ruajnë. Pas këtyre fjalëve vazhduam bisedën tonë sikur ata të mos ekzistonin. Mbas disa ditëve Temen e arrestuan, mua as që më pyetën fare. Pas një gjyqi në Kino Kosova, e pushkatuan. Të vellain ja futën në çmendinë dhe kështu u veprua sipas porosive të Partisë dhe të Mehmet Shehut. Në gjyqin kundra Teme Sejkos ishin të ftuar edhe gjeneralët sovjetikë që ishin si këshilltarë në Ministrinë e Mbrojtjes. Çfarë u tha dhe si u tha, akoma nuk eshte sqaruar mirë deri në fund.

   *   *   *

Me Shofer Mirush Camin

Mirushi ishte nja një vit më i ri se unë. Në vitin 1950 ishte 19 vjeç dhe ishte caktuar që në fillim si shofer me veturën e Gjeneral Petrit Dumes, shef i Shtatmadhorisë. Mezi kishte mbaruar shkollën fillore. Vetë detyra e tij dhe qënia shofer i një generali bënte që të gjithë të flisnin për të dhe kjo bënte që edhe Mirushi t’i jepte rëndësi vetvehtes. Veçanërisht me mua sillej në mënyrë përçmuese. Shpesh ma kthente fjalën gjithë inat dhe për asgjë nuk binim dakord. Ishte tipi i injorantit klasik.

Kundërshtimi karshi meje, që nuk e kuptoja përse ndodhte, u shtua akoma më shumë mbas ceremoisë së varrimit të babë që u krye në sheshin përpara Ministisë së Mbrojtjes, ngjitur me Selinë e Kuvendit Popullor (sot Instituti i Arteve).

Mbas kësaj ngjarjeje, një natë, duke kaluar pëpara gjithë automjeteve vetura të parkuara aty në garazh vura re se në një nga makinat kishte një drite të dobët. Ishte ora 9:30 dhe u afrova për të parë mos ishte lënë ndezur ndonjë nga llambat e kruskotit të veturës. Kur u afrova pashë se ishte vetura e Petrit Dumes dhe brenda ishte shoferi. Atëhere u largova.

Mbas pesë minutash ai del nga makina dhe më afrohet duke më thene: “Isha duke dëgjuar te radio e makinës lajmet në shqip nga Radio Londra dhe kur ti u afrove te vetura isha duke dëgjuar një emision mbi babën tënd Prof. Kostaq Cipon.” “Pse nuk më thirre ta kishim dëgjuar bashkë?” i thashë. “Ti e di si janë këto çështje, sidomos dëgjimi i Radio Londrës në veturën e Petrit Dumes” më tha.

Ky ishte shkaku që acarimi i nervave midis nesh u shuajt. Pastaj filloi të afrohej. E pyeta për shkollën dhe për familjen, nëse dinte ndonjë gjuhë të huaj e të tjera si këto.

Nga ajo ditë m’u bë shoku më i afërt. Për çdo çështje do vinte të më pyeste. Ndërsa kjo miqësi vazhdoi akoma në ditët e sotme, mbas 60 vjetësh.

I shkova shpesh në shtëpi, njoha nënën e tij, motrën dhe vëllezërit. U bëmë shokë të pandarë. Me të mbaruar ushtrinë ja mbusha mendjen dhe vazhdoi shkollën 7-vjeçare. I hyri në qejf shkolla dhe mbaroi dhe shkollën e mesme. Gjatë kësaj periudhe u miqësua me gjithë shokët e mi të gjimnazit dhe u bë më shok me ata se sa unë vetë.

Një ditë kur ndodhesha në shtëpi të tij, me thiri në një dhomë veçan dhe me zë të ulët më pyeti nëse kisha ndonjë hartë të Shqipërisë bashkë me shtetet fqinje. Po i thashë, kam disa harta. Më sill njerën dhe ta bisedojmë. Ja solla hartën dhe duke e matur distancën midis Shqipërisë dhe Italisë me tha se i ishte mbushur mendja të arratisej në Itali dhe nëse isha dhe unë dakord që ta shoqëroja. U morëm vesh. Por problem ishte se me çfarë mjeti do ta kalojshim detin. Këtë ja lashë Mirushit për ta zgjidhur. Dhe kështu tërhiq e mos e këput, kjo ëndërr e jona mbeti pa u realizuar. Une u fejova, u martova dhe vizitën e parë të nuses e bëra në shtëpinë e Mirushit… dhe kështu kaloi kjo jetë.

Robert Cipo

Pin It on Pinterest

Share This