Si Kleopatra

Momenti më i bukur i ditës të vinte, çdo mëngjes e prisja
Fshehurazi të adhuroja unë sytë, që shfaqeshin përmes piramidave
Sytë që drithëronin, si ylli i mëngjesit që shkëlqen e thyen natën
Ashtu si Roma drithëronte Kleopatrën!

E shikimin e përhumbja shpesh, andej nga piramidat imagjinare
Të shihja kur vije si vegim, vallëzuese porsi shtojzovalle
Druaja shikimin tim të brishtë vallë a ma kuptoje?
Mos ai nuk të pëlqente? Mos m’u zemëroje?

E afroheshe ti me ecjen e lehtë, faraonike si pa andralla
Porsi shtojzovallet që vallëzojnë ndër përralla
Të prisja posi ëndërrat hyjnore, me flatra
Ashtu si Çezari priste Kleopatrën!

Dhe pritja u zgjat, e yjësitë nuk kishin më dritë
Veçse kujtesa më sillte pranë teje, fshehtas çdo ditë
Dhe ndiqja yjësitë pareshtur, pas atyre syve të zjarrta
Ashtu si Çezari ndiqte Kleopatrën!

E ngrita Piramida madhështore, të larta drejt qiellit
Dhe Sfinkse vigane për hyjnitë pellazge të diellit
E aty do adhuroj përjetësisht ty, të zjarrtën
Ashtu si Çezari adhuronte Kleopatrën!


Poezi nga Kostaq Cipo (I Riu)

Kostaq Cipo

Tagged in:

Pin It on Pinterest

Share This