
Historia e kohës së njësimit të gjuhëve kombëtare, me sa dimë të paktën për shtetet që kemi përreth (Itali, Greqi) flet për një çështje që u nxit dhe u krye më së shumti nga zhvillime shoqërore. Kur trajtohet kjo histori e formimit të tyre, shkaqet politike që çuan deri aty, nuk zënë aq vend sa në historinë tonë për njësimin e shqipes. Në fakt edhe kushtet historike të tyre janë të ndryshme nga tonat. Metoda e studimit për njësimin e gjuhës tek ata është sociolinguistikë e pastër. Megjithëse edhe për atje (Itali dhe Greqi), shpesh gjatë studimit është e vështirë të veçohen shkaqet shoqërore nga ato politike, por edhe kur ato përmenden, gjithmonë flitet si për një proces politik krejt të përfunduar. Pra për këto vende çështja e standartit është e mbyllur njëherë e përgjithmonë. Në këto vende gjuhëtarët janë shumë aktivë në ruajten e pastërtisë së gjuhës dhe problemeve të tjera të këtij lloji që sjell globalizmi dhe ku gjuha si një fenomen i gjallë shoqëror, nuk është kurrë e imunizuar ndaj tyre. Ndërsa tek ne shqiptarët e ndarë në disa shtete, me një emigracion shumë të përfillshëm, ku problemeve të pastërtisë së gjuhës nga ndikimet e huaja tashmë u ka dalë tymi, po ndodh më e pabesueshmja: Po sulmohet pikërisht aty ku kemi arritjen më të çmuar, në atë që na radhit krahas kombeve më të civilizuar, në njësimin e gjuhës letrare kombëtare. Këtë herë sulmet po kryhen nga vetë disa shqiptarë(?!), në të vetmen urë lidhëse të kombit, politikisht të ndarë e të shpërndarë më shumë jashtë se sa brenda shtetit amë. Është e tepërt të përmenden përpjekjet e gjata, gati shekullore, të shqiptarëve mendjendritur brenda dhe jashtë këtyre kufijve, për të arritur gjer në Kongresin e ’72-shit në Tiranë, por le t’i hedhim një vështrim të shpejtë konkretisht asaj që po ndodh aktualisht:
Përfaqësuesit e atyre që janë kundër njësimit të normës së gjuhës letrare shqipe, konkretisht të asaj që vendosi Kongresi i Drejtshkrimit në 25 nëntor të vitit 1972, u bënë mbi 20 vjet që janë shfaqur. I pari zë që seriozisht trazoi ujërat dhe që u artikulua qartë me pretendimin se vendimet e atij Kongresi ishin marrë nën diktatin politik të udhëheqjes komuniste të kohës (meqë Enver Hoxha ishte gjirokastrit) në favor të toskërishtes dhe në dëm të gegërishtes, që u dëgjua në publikun e shqiptarëve të Shqipërisë pas viteve ’90, ishte ai i Arshi Pipës. Në fakt ia vlen të përmendim atë që ka thënë Ismail Kadare kur e pyetën për këtë çështje. “Gjuha e njësuar ka në bazë të folurën e Gjirokastrës?! … Merrni e lexoni Musine Kokalarin,.. dhe krahasojeni atë me gjuhën letrare!” – u përgjigj ai. Ndërsa lexuesit të këtyre radhëve që nuk ka pasur rast ta lexojë atë, mund t’i thuhet se e folmja e Gjirokastrës është e folmja e personazhit të Ponjës, tek emisioni “Portokalli” i Top Channel-it, që siç mund të vihet re lehtësisht, është aq larg standardit – sa ç’mund të jetë fjala vjen – e folmja e Elbasanit me shkodranishten…
Me pak fjalë, sipas Arshi Pipës, që sapo vuri këmbë në Tiranë më 1991, kishte ardhur koha që shqiptarët paskëtej, të kishin dy standarte drejtshkrimi… Qysh prej atëherë deri këto ditë, rreth këtij zëri, dalëngadalë u grupuan politikanë që marrin vesh gjithsesi mjaftueshëm nga çështje të gjuhësisë dhe ndonjë gjuhëtar i paangazhuar dukshëm në ndonjë parti, të cilët vazhdojnë të punojnë me ngulm për të vënë në vend idenë e ngritjes në normë gjuhësore më vete edhe të gegërishtes “së martirizuar padrejtësisht” sipas tyre. Si reagim u krijua vetvetiu edhe kampi tjetër, si të thuash ai i rezistencës për mbrojtjen e bazës së vendimeve të Kongresit, ose siç po cilësohen rëndom, ai i mbrojtjes së standardit. Debatet teknike kanë të bëjnë në lidhje me kërkesën e antistandardëve për të zbatuar në drejtshkrim vetëm parimin fonetik dhe shmangien plotësisht të parimit morfologjik. (Krahas parimit fonetik, drejtshkrimi i njësuar i shqipes mbështetet gjerësisht edhe në parimin morfologjik, i cili kërkon që fjalët dhe pjesët e tyre përbërëse të sistemit trajtëformues e fjalëformues të shkruhen njësoj, pavarësisht nga ndryshimet tingullore të shkaktuara prej ligjeve fonetike që veprojnë në gjuhën tonë. Ky parim ka të bëjë me “ë” -në e pazëshme dhe fundore si psh në fjalët: bukë, punë etj.)
Por zhurma më e madhe në këtë debat është pretendimi për shmangien nga standardi të formës paskajore gege (me punue) dhe të zëvendësuar me paskajoren e toskërishtes (për të punuar) ose me vetën e dytë të lidhores (të punosh) në raste të tjera. Ja për kaq (në dukje) po bëhet gjithë kjo luftë e nisur nga të gjithë ata që janë kundër standardit, ose të paktën kështu thonë. Fitore finale pastaj ky kamp do të quajë vetëm ngritjen në normë letrare edhe të një varianti të pastër të gegërishtes, përkrah këtij ekzistuesit. Veshët e këtyre që bëjnë këtë luftë janë të dyllosur ndaj çdo zëri shkencor që vihet në mbrojtje të standardit. Asnjë argument shkencor, për pamundësinë e paskajores gege për të hyrë në marrëdhënie të tjera fjalëformuese në disa raste, ashtu siç mund t’i bëjë vetëm paskajorja tjetër ( për të punuar), karakterit konvergues (përbashkues) të kësaj të fundit etj, nuk i bind të tërhiqen antistandardët. Edhe kur u provohet se standardi i mbështetur në këtë formë foljore të toskërishtes, nuk i le gjë mangut në të shprehur paskajores së gegërishtes,.. jo që jo, idhtarët e paskajores gege nuk qetësohen dot në vajtimin e tyre ngashëryes. Me fjalë të tjera vetëm për mungesën e paskajores gege dhe ato rastet e “ë” – ve, kampi kundër standardit, nuk ndalet për t’i vënë minën e për ta ndarë më dysh në bazë të dialekteve gjuhën letrare të njësuar. Është e kotë. Ata s’duan t’i dëgjojnë argumentet bindëse që sillen nga akademikët tanë më seriozë. Ata duan vetëm paskajoren e tyre dhe kurrsesi atë të Enverit. Për paskajoren ata nuk të falin.
Ata janë aq shumë të vendosur në nismën e tyre dhe po aq konkretë në hapat që kanë bërë, aq sa tashmë duket se po i afrohen finalizimit të qëllimit të tyre, dmth “hedhjes në erë” të normës së njësuar të gjuhës letrare. Bash për këtë mendoj se duhet dhënë alarmi për “vendosje tritoli” në themel të veprës më të madhe për identitet kombëtar të shqiptarëve pas Shpalljes së Pavarësisë.
Sot kundërshtarët e standardit, pasi u grupuan, mënjanuan çdo anëtar që ishte për mbrojtjen e standardit dhe tashmë kemi përpara një grup solid të pastër në Këshillin Ndërakademik, ku bie në sy kryesimi i ish sekretarit të presidentit Berisha, zotit Kolec Topalli. Ky institucion jolegjitim ka shkuar deri aty sa t’i njohë vetes edhe të drejtën të marrë edhe vendime, (?!) sikundër deklarojnë me vendosmëri se do të bëjnë në përfundim të këtij procesi ogurzi.
Kur hedh sytë nga Kosova mëson se edhe atje po veprohet paralelisht si tek ne. Çuditërisht edhe atje, ashtu si edhe këtu në Shqipëri (me Kolec Topallin), të bie në sy se në krye të betejës kundër standardit, janë figura që kur u dëgjon emërin, (psh Nexhat Dacin) më parë të vjen ndërmend politikani, se sa gjuhëtari.
“Nisma e kahershme e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, kundër gjuhës standarde shqipe, ka filluar të dalë në sipërfaqe në Kosovën tonë të pavarur… Ky sulm mbi kulturën dhe unitetin gjuhësor të shqiptarëve të mbarë botës, po bëhet me qëllime politike, të dirigjuara nga Beogradi dhe BE-ja, në mënyrë që Kosova ta ketë edhe gjuhën e vet letrare gege, ashtu sikur e ka kombin “kosovar”, flamurin dhe himnin “kosovar”, ashtu sikur e ka edhe Akademinë “kosovare”, tërësisht LDK-iste për nga forma, përmbajtja, njëmendësia partiake e ideologjike. ASHAK-u është Akademi njëpartiake dhe në asnjë mënyrë nuk mund ta përfaqësojë botën e tërë intelektuale të Kosovës…” – shkruan Ahmet Qeriqi.
Aq shumë janë thënë e stërthënë argumentet se gjuha standarde nuk është baraz me toskërishten dhe se kjo ide nuk ka asnjë bazë shkencore, sa është e tepërt të flitet më për to. Edhe ata që thonë se standardi duhet hapur ndaj variantit gegë, harrojnë se ai ka qenë i hapur qysh në krye të herës. Normat e gjuhës standarde nuk janë vetëm ato të toskërishtes letrare, pasi kjo ka përthithur mjaft nga elementet e veçantë të të folmeve veriore. Sepse normëzimi vetëm sa u kodifikua në Kongresin e 20 – 25 nëntorit të vitit 1972. Ai ishte një proces që kishte filluar si prirje e toskërishtes letrare për të qenë e hapur ndaj elementeve gegë, shumë më parë. Në intervistën e botuar para pak ditësh në “Shekulli” me titull: “Po i bëjnë gjuhës atë që nuk ia bëri dot Beogradi” prof. Rami Memushaj tregon mes të tjerash se: “Pas luftës, me krijimin më 1947 të Institutit të Shkencave, filloi puna e vetëdijshme për ndërtimin e një norme gjuhësore, si nevojë e funksionimit normal të shtetit. Për këtë punuan kryesisht gjuhëtarë gegë, si A. Xhuvani, K. Cipoja, M. Domi etj. Themelet e normës së sotme u hodhën me veprat e Cipos “Gramatika shqipe” (1949) dhe “Sintaksa” (1952), po sidomos me “Fjalorin e gjuhës shqipe” (1954), vepër kolektive e K. Cipos, E. Çabejt, A. Krajnit dhe O. Myderrizit. Pra, tre nga bashkautorët e tij ishin gegë dhe këta nuk mund të akuzohen se e kanë “persekutuar” dialektin e vet apo se kanë lënë jashtë fjalorit leksikun gegë. Shkurt, gegërishtja është e përfaqësuar në gjuhën standarde jo vetëm me pjesën e përbashkët, po edhe me shumë elemente morfologjike e fonetike të saj. Gjithë të tjerat janë spekulime.”
Kur dëgjon këto fjalë të prof. Memushajt, veç të tjerash të krijohet bindja se për të bërë më të ndjeshëm dhe madje për të bërë më të vetëdijshëm mbarë opinionin për këtë rrezik të madh, duhet folur me zë akoma më alarmant, më të lartë. Madje të bën përshtypje edhe mosreagimi i menjëhershëm i institucioneve shtetërore për këtë çështje kaq madhore…
Debati shkencor jo e jo, por asnjë lloj logjike normale nuk hyn në punë me ata. Si para 20 vjetëve ata vazhdojnë të hidhen degë më degë, nga Enveri te paskajorja. Po të jetë se duhen dhënë me patjetër emra,.. ata janë krejt të tjerë. Ata janë shumë se dhe rruga e atij procesi për njësimin e shqipes ishte e gjatë. Ajo filloi me rilindasit dhe vazhdoi me Manastirin e 1908 -s për t’u kurorëzuar më 1972 në Tiranë. Lista e atyre që do të duhej t’u bëhej homazh sa herë që bie fjala për këtë vepër do të ishte e gjatë, por nëqoftë se do të duhej t’i thjeshtëzonim gjërat sa të mundnim, mund të na shërbejë fakti që sjell në intervistën e tij prof Memushaj: “Themelet e normës së sotme u hodhën me veprat e Cipos “Gramatika shqipe” (1949) dhe “Sintaksa” (1952), po sidomos me “Fjalorin e gjuhës shqipe” (1954),..”
E pra, nëse duhet vetëm një emër konkret, i kohës për të cilën bëjnë zhurmë idhtarët e paskajores, ai nuk është Enver Hoxha. Ai është gegë dhe është elbasanasi Kostaq Cipo (1892 – 1952). Ai nuk ishte fizikisht në atë Kongres të madh, por në themelet e këtij monumenti të historisë sonë është dora dhe mençuria e jashtëzakonshme e tij. Të gjithë gjuhëtarët seriozë ia njohin këtë meritë dhe e konsiderojnë si krenaria e shkencës moderne albanologjike. Ishte mes të tjerësh, kontributi i Kostaq Cipos që i bëri shqiptarët të rraskapitur nga historia, megjithëse pa Homer dhe Dante të trashëguar në letërsinë e tyre, të kenë një gjuhë të njësuar dhe të rrinë si të barabartë mes të barabartëve me kombet më të qytetëruara.
Një tjetër gegë i madh që padrejtësisht nuk u ftua të ishte fizikisht në atë Kongres, (këtë radhë pengesë do të bëhej politika e kohës) që megjithëse i fyer nga mospjesëmarrja dhe që do të shprehej pro asaj që do të vendosej në të, ishte prof. Selman Riza.
Ja si tregon prof Nasho Jorgaqi për të:
“Më kujtohet që në ditët kur po bëheshin përgatitjet për Kongresin e Drejtshkrimit në një bisedë që pata me prof. Rizën, e pyeta se ç’mendim kish ai për gjuhën e njësuar letrare shqipe. Mendoja se një pyetje e tillë, për një çështje aq delikate që ishte në diskutim e sipër, do ta bënte bisedën tonë të vështirë. Dyshoja se ai nuk do të qe dakord me këtë zgjidhje që po i jepej. Por për çudinë time, ai, pa u menduar gjatë, m’u përgjigj qetazi dhe prerë: “Toskërishtes i takon. Është e vetmja alternativë e arësyetuar shkencërisht për ta vënë në bazën e gjuhës sonë të përbashkët.” Të them të drejtën, një përgjigje të tillë nuk e prisja, duke u nisur jo vetëm nga paragjykimi se ai ishte gegë, por edhe sepse platformën e njësimit të gjuhës e kishin përgatitur disa nga kundërshtarët e tij. Më tej profesori më tregoi se ai kishte qenë partizan i toskërishtes qysh në vitet ’30. Aso kohe ai bile kish botuar edhe artikullin “Shqiponja dhe shqipja” në revistën “Përpjekja shqiptare”, kushtuar pikërisht këtij problemi jetik të shqipes. “Shqiptari i vërtetë, aq më tepër gjuhëtari,- tha,- nuk duhet të jetë kurrësesi lokalist, kur është puna për çështje madhore. Problemi duhet gjykuar rracionalisht dhe jo në mënyrë sentimentale. Toskërishtja në krahasim me gegërishten është më e përbashkueme, kurse gegërishtja ende jo, sado që edhe ajo ka po aq vlera sa simotra e saj.” dhe si u mendua një copë herë, më tregoi me buzë në gaz: “Atëherna, kur u botua artikulli pata madje dhe telashe me kolegët gegë, por s’desha t’ia dij. S’është punë ndjenjash në këtë mes, po çështje arsyetimi shkencor. Më vjen për të qesh kur kujtoj fjalët e Justin Rrotës, i cili më tha : “Ti kosovar, si don me e vu tosknishten në një rrang me gegnishten. Më beso më ke ba me brejt hekra!” E pra, kështu mendoja dhe kështu mendoj dhe sot e tanë ditën!” (Nasho Jorgaqi, “Koha e kujtimeve” – Ombra GVG – 2011, faqe 390, 311.)
Ja pra dy dëshmi për dy gjuhëtarë gegë (Kostaq Cipo dhe Selman Riza) që nuk ishin fizikisht në atë Kongres, por që mbështesin fuqishëm standardin.
Sigurisht që në Kongresin e 20 -25 nëntorit të ’72-shit kishte edhe gjuhëtarë toskë, madje edhe gjirokastritë, si Eqerem Çabej. Por vetëm ata që nuk e njohin veprën e Eqerem Çabejt, mund të venë në dyshim integritetin shkencor të tij. Ndërsa për ata që nuk e kanë as këtë mundësi, mund t’u tregohet e vetmja foto që ka ai me Enver Hoxhën në ditën e themelimit të Akademisë së Shkencave, ku duket fare qartë qëndrimi shpërfillës i shkencëtarit tonë të madh ndaj diktatorit (duke i kthyer shpinën). Kush e ka njohur Çabejn, e di fare mirë se ndikimi i politikës tek ai ishte zero. Kësisoj teoria se ishte ndikimi i zyrtarëve të lartë të politikës së asaj kohe në favor të toskërishtes, është një rrenë e madhe.
Megjithë injorimin që bëhet ndaj së vërtetës historike për Njësimin e Gjuhës Shqipe, asaj s’kanë ç’ti bëjnë, se ajo është aty, e dokumentueshme lehtësisht. E keqja është gjetiu: Problemi më i ngutshëm është se kundërshtarët e standardit po marrin vendime konkrete që e minojnë këtë arritje. “Paskajorja” është vetëm sebepi. Kjo kuptohet nga veprimet që po kryhen. Tashmë vetëm naivët nuk e kanë marrë vesh se ç’është ulërima për paskajoren: “me punue – me shkatrrue”, që i është vënë themeleve të Njësimit të Gjuhës Kombëtare. Këtë duhet ta kuptojë dhe shteti dhe atij nuk i duhet raportimi i shish-it për të ç’aktivizuar këtë “tritol”. Shteti nuk duhet ta refuzojnë këtë denoncim publik të përsëritur. Është i ashtuquajturi Këshilli Ndërakademik për Gjuhën, “kapsula” e këtij “tritoli”. Aty janë dhe mblidhen herë në Durrës, e herë në Tiranë… Zoti kryeministër! Alarmi për “vendosje tritoli”, këtë herë, fatkeqësisht, nuk është i rremë.
Ilir MBORJA – Gazeta “Shekulli”, 10 shkurt 2014