Prof. Skënder Luarasin e kam patur profesor në të vetmin gjimnaz që kishte Tirana në vitet e para pas çlirimit. Na jepte gjuhë-letërsi. Po në këtë shkollë jepte mësim dhe gruaja e tij Ollga Luarasi. Kjo na jepte matematikë. Ishte nje grua shumë e urtë dhe e sjellshme. Morrëm vesh se ishte e motra e Migjenit dhe për këtë gëzonte midis ne nxënësve një respekt të veçantë. Nga kjo martesë u kishin lindur tre vajza.
Prof. Skënder Luarasi kishte shkuar vullnetar në luftën e Spanjës, në brigatat ndërkombëtare dhe kur kjo luftë mbaroi, dhe të gjithë e dimë si mbaroi, Skënderi për të mos përfunduar me vullnetarët refugjatë në kampet e grumbullimt në Francë gjeti rastin dhe u arratis për në Angli ku qëndroi rreth tre vjet. Prej këndej, me çlirimin e Shqipërisë kthehet në Tiranë.
Ishte njeri me shumë kulturë, por më tepër kishte sensin praktik dhe mësimet e tij dëgjoheshin në heshtje dhe gjithë vëmendje, duke na ardhur keq kur binte zilja e pushimit. Ishte pak i rrëmbyer dhe nuk i pëlqenin njerëzit e pavendosur e me dy faqe. Kishte aftësi të rrallë për të treguar ndodhira nga letërsia apo dhe nga eksperiencat e tij në jetë. Kishte studiuar në Austri dhe kur kishte qenë i ri kishte përkthyer poemën “Enoch Arden” nga Tennyson që ishte vlerësuar shumë nga shtypi i kohës. Kishte përkthyer gjithashtu “Faustin” e Goethes dhe “Vilhelm Tel”-in e Schillerit. Kishte gjithashtu mjaft dijeni mbi artin dramatik dhe me orë të tëra na shpjegonte për rolet e aktorëve dhe interpretimin e dramave.
Ishte njohes i mire i Shekspirit dhe ne, nxënës të klasës së parë gjimnaz, rrinim me gojë hapur duke dëgjuar shpjegimet dhe ndonjëherë edhe interpretimet e tij në atë hapësirë boshe që ishte midis katedrës së profesorit dhe bangave të para të nxënësve.
Kur u bënë zgjedhjet e para pas çlirimit vuri kandidaturen dhe u zgjodh deputet. Ishte shume i lidhur me nxënësit dhe kur binte rasti i mbronte ata edhe në Drejtori.
Me përfundimin e shkollës së mesme (disa e mbaruan, disa të tjerë nuk patën mundësi ta mbaronin mbasi u përjashtuan përgjithmone nga gjithë shkollat e Shqipërisë për aktivitet kundra “shkollës së re”) morëm vesh se Skënder Luarasi kishte patur debate të ashpra me drejtorin, njeriun më të urryer të shkollës, një farë Stefan Prifti, njeri tinzar e shpirtkeq, për të cilin më vonë morëm se ishte braktisur nga të gjithë madje edhe nga i biri. Pothuaj të gjithë profesorët kishin patur debate me të kur doli problemi i përjashtimit të nxënësve nga shkolla.
Duke u kthyer përsëri tek prof.Skënder Luarasi, dua të them se pas mbarimit të shkollës morëm vesh se i kishte vdekur e shoqja, Ollga, mësuesja jonë e matematikës dhe ne ardhi shumë keq. Mbas një farë periudhe na thanë se prof. Skënderi u rimartua, këtë herë me një sovietike.
U desh gjithë kjo hyrje për të arritur aty ku e kishim mendimin. Pra siç e thamë prof. Skënder Luarasi u martua përsëri me një sovietike. Për të kaluar muajin e mjaltit, shkuan për një periudhë çlodhjeje në qytetin turistik të Himares. Ditët e para i kaluan shumë mirë, në mëngjez banjo deti, pasditeve vizita nëpër qytet që atëhere ishte mjaft i përmbledhur dhe erdhi një ditë që … u merzitën. Atëhere të ulur në breg të detit, e shoqja duke hedhur sytë rreth e qark i thotë Skënderit:
– Skënder, këtu mbi Himarë ndodhet një mal. Pse nuk shkojmë ta shofim si është. Njëkohësisht bëjmë edhe pak turizëm. Si thua ?
– Plotësisht dakord. Nisemi nesër që në mëngjez.
Dhe kështu u bë. Të nesërmen u nisën, por jo dhe shumë herët. Filluan ti ngjiten malit dhe pas pak, meqë ishte muaji gusht dhe bënte shumë vapë, e ndjenë nevojën për pak ujë. E shoqja nuk kishte marrë asgjë me vehte. Hapën sytë për të gjetur ndonjë burim uji për të shuar etjen. Por më kot. Hyp e hyp dhe e panë se kishin nevojë që të pushonin, por kryesorja ishte të gjenin ndonje burim uji për të njomur fytin. Skënderi hapi sytë majtas e djathtas dhe në largësi dalloi një kope dhensh dhe në mes tyre një bari.
– Hello ! do te kesh pak ujë? briti nga larg.
I ishte bërë shprehi që nga Anglia që kur kishte për të thirrur ndonjë njeri, i drejtohej atij me thirjen Hello. Më kujtohej se kur ndodhte kjo në klasë ne na vinte shumë çudi dhe qeshnim.
Bariu nga larg filloi t’ja u bënte me dorë që të afroheshin.
Skënderi i thotë të shoqes se bariu po na fton të shkojmë tek ai dhe me siguri do të ketë ujë për të na dhënë. Dhe kështu vepruan. U ngjitën edhe pak dhe iu afruan bariut. Bariu bashkë me bagëtinë ishte ulur nën hijen e një rrapi të madh.
U takuan, u përshëndetën dhe bariu e pyeti:
– Kush je zotrote ?
– Më quajnë Skënder Luarasi. Kjo është gruaja ime. E kam sovjetike. Kemi ardhur për pushime në Sarandë dhe menduam ti hipim një herë këtij mali. Do të luteshim të na jepni pak ujë se na është tharë fyti nga vapa.
– Unë ujë nuk kam por do t’ju jap dhallë, e kam të freskët. E ruaj ne bucele dërrase dhe ajo e mban të freskët.
Pinë dhallën dhe u kënaqën. Sovjetikja tha se nuk kishte pirë kurrë dhallë në jetën e saj.
Dhe te ulur nën hijen e pemës filluan muhabetin.
– Ne te thamë se kush jemi, por ty si të quajnë?
– Më quajnë Stefan Prifti.
Skënderi nuk po i besonte veshëve. Ngriu në vend. Mbas një çasti kur i kaloi habia e pyeti përsëri:
– Me të vërtetë të quajnë Stefan Prifti?
– Po, me të vërtetë më quajnë Stefan Prifti. Nga anët tona të gjithë jemi të krishterë ortodoksë.
Nuk do ta mendoja kurrë, mendonte me vehte se dhe këtu në majë të malit të Himarës do të më dilte përpara Stefan Prifti. Dhe duke ju kthyer bariut i thotë:
– Shumë faleminderit për dhallën, na kënaqe. Tashti do të na falësh se duhet të kthehemi poshtë në Himarë.
Duke zbritur me kujdes mendonte me vehte:
– Ku na doli përpara ky Stefan Prifti sa për të më prishur humorin. Sa e vogël është Shqipëria.
Ironia e fatit ja kishte vënë përpara emrin më të urryer të atij njeriu që s’kishte patur dëshirë ta kujtonte asnjëherë.
Robert Cipo