Jemi aty nga fillimet e viteve ’30 në një Shkodër të gjallë e të gëzueshme, megjithëse akoma e ndarë në dy miniqytete, në Shkodrën katolike dhe në atë islamike. Por duhet pranuar se qyteti zjente. Vetëm një shkodran mund ta kuptonte këtë diferencë. Pjesa katolike e hapur me njerëz të qeshur e të gëzuar dhe me gra moderne. Ndërsa pjesa tjetër, ajo mysimane, me shtëpi të rrethuara nga mure të larta që nuk të jepnin mundësi të shikoje çfarë kishte përtej këtyre mureve.
Megjithatë Shkodra vlonte. Në të kishte disa shkolla të mesme dhe shumë studenta nga të gjitha anët e Shqipërisë që i jepnin gjallëri qytetit. Për një të huaj nuk vihej re ky diferencim, por për një vendas, po ta shihje hollë-hollë, dilte në shesh dallimi midis tyre. P.sh. Shkodra kishte nje skuadër të famshme futbolli, dhe për ironi e kishin pagëzuar “Vllaznia”, por po të pyesje djemtë e rinj katolikë do të të thojshin se kjo skuadër ishte e përbërë krejtësisht nga muhamedanë dhe se vetëm pas viteve ’50 filloi të bëjë pjesë në të i pari lojtar katolik që u pranua në skuadër, dhe ky ishte Simon Deda, lojtar brilant, me aftësi të larta individuale.
Në këtë qytet kaq interesant, kishte dhe një anë që akoma nuk e kemi përmendur. Ishte një qytet plot kulturë. Në të gjallojshin shkrimtarë e poetë. Të rinjtë kopjonin sa të mundnin këta poetë me theks të dalluar popullor, e veçanërisht ai që mundohej të kopjohej e të imitohej ishte poeti i math i rilindjes shqiptare Padër Gjergj Fishta.
I dalë nga shtresa më e ulët e fshatarësisë së rrethit të Shkodrës, u bë shumë shpejt poeti më popullor i gjithë Shqipërisë. Nga fundi i viteve ’30, e pikërisht në vitin 1937, botoi të plotë poemën “Lahuta e Malcis” që shpejt u bë poema më popullore jo vetëm në qytetin e Shkodrës. Megjithëse kishte nje theks dhe një përmbajtje malësie e malësorësh, u bë kaq popullor sa pati edhe njerëz që këtë poemë të përbërë nga 300-400 faqe e mësuan dhe u recituan përmendësh. Edhe në pjesën tjetër të Shqipërisë, megjithëse me një gjuhë të rëndë malësie, pati simpatizante të flaktë. Përveç këtij karakteri të theksuar patriotik e shprehje të theksuara malësore, Gjergj Fishta u muar edhe me poezi komike duke thurrur vjersha të paharruara.
Ne do të përqëndrohemi këtu në një ngjarje tragji-komike të cilën mund ta përcaktojmë vetëm me fjalën tragjike. Në këtë periudhë u dukën shumë poetë popullorë shkodranë që merrnin nëpër gojë disa zakone apo shfaqje të caktuara nga jeta e këtij qyteti. Nuk po përmendim asnjë nga këto poezi të cilat u bënë të famshme në ato vite dhe vazhduan të recitoheshin për një kohe të gjatë në rrethet familjare të qytetit. Në atë kohë siç e thamë kishte një rreth të gjerë studentash (apo si me thënë nxënësa gjimnazi) për me qenë se në Shqipëri akoma nuk kishte filluar të vepronte një universitet, nxënësit e shkollave të mesme filluan ti cilësojne si studenta, me shumë respekt nga të gjithë, mbasi shumica e tyre pas kësaj shkolle do të shkojshin të studiojshin jashtë shtetit apo do të zejshin një punë të zgjedhur në administratën qytetare apo si arsimtarë a nëpunës nëpër tregtarët e ndryshëm që kishin lidhje tregtije me furnizuesit e tyre jashtë shtetit.
Por edhe dashuria e të rinjve, me gjithë muret e larta apo dasitë e tjera ndiqte rrugën e saj të dhënë nga natyra. Në lagjen muhamedane të qytetit dallohej një vajzë shumë e bukur, me trup të gjatë si selvi por shumë e hedhur dhe nuk linte rast pa marrë nëpër gojë adhuruesit e saj që i silleshin si satelitë këtij ylli të ndritur. Sipas shembullit të Evropës moderne, edhe këtu shkëmbimet e letrave të dashurisë ishin të përditshme dhe nuk kishte vajzë të mos merrte edhe dy apo tre letra në ditë nga adhuruesit e tyre.
Në këto vite të tridhjeta e të bukura, kjo vajzë e bukur nuk kishte ditë që të mos merrte letra të zjarrta nga adhuruesit e saj. Por njëri prej tyre ishte prekur thellë nga kjo vajzë atëhere 17 vjeçare, sa kishte filluar të ndjeheshe krejtësisht i magjepsur dhe i tronditur nga kjo bukuri e rrallë. Letrat e tij ishin bërë çdo ditë e më tronditëse. Kuptohej në to se djali i shkretë kishte filluar të bëhej krejtësisht i paarsyshëm. Atëhere kjo vajzë, e çiltër, e hedhur, gazmore dhe në një moshë që çdo gjë e sheh me syrin e të riut, mbas marrjes së letres së njëqintë nga ky djalë, i dërgon si përgjigjë një letër në poezi ku thuhej:
“Letrat e tua plot sojdi
I kam mbyll ne Yzerhane (tualet)
Dhe sa herë që shkoj me …
Më vjen ndërmend për zotnin tande”
Ndofta mund të kem harruar ndonjë fjalë por në përgjithesi kuptimi mbetet po ky. Vajza priste që djali me ta marrë letrën ti këpuste një të qeshur të madhe dhe kjo të shërbente si shkas për t’ju afruar e për të filluar bisedën. Por ky djalë u prek kaq shumë në sedër sa me t’u kthyer në shtëpi çfarë bëri? Vrau veten.
Ngjarja mori dhenë. Unë, në atë kohë djalë i vogël 5-6 vjeç, e dëgjova këtë ngjarje nga dy dajat e mij kur u kthyen për pushimet e shkollës e që në atë kohe ndiqnin gjimnazin e Shkodrës. Por si i vogël në moshë nuk mund të arrija ta kuptoja këtë tragjedi. Familja e vajzës mbasi ndodhi ngjarja e trondit së tepërmi dhe krijoi një variant. E mori vajzën dhe së bashku me të motrën më të vogël dhe pjestarë të tjerë të familjes, ikën nga Shkodra dhe u vendosën për një farë periudhe pushim-largimi në qytetin e vogel turistik të Pogradecit.
Aty pata rastin ta njoh atë vajzën dhe të marr vesh historinë e saj. Kur e dëgjova ngjarjen që i kishte ndodhur, për moshën time u mjaftova me një të qeshur dhe nga kjo ngjarje më mbeti në mendje dhe e mësova përmendësh pikërisht tekstin e poezisë, të cilën e përsërisja herë pas here duke u kënaqur e ngazëllyer me të.
Kaluan shumë e shumë vite dhe rreth viteve ’50 pata rastin ta shikoj përsëri këtë vajzë, tashmë të rritur dhe të martuar me një mjek të dëgjuar në Tiranë. E shihja por nuk arrija ta kujtoja se ku ma kishte zënë syri më parë. Historia e dashurisë së djalit 17 vjeçar që vrau veten më kishte ikur nga mendja. Edhe vjershën e saj e kujtoja herë pas here por këtë herë nuk ma bënte më për të qeshur.
Por një ngjarje tragjike ma solli përsëri në mendje. Duke dalë bashkë me një grup shokësh për në “xhiro”, siç quhej atëhere shëtitja e darkës, njëri prej tyre përmendi si lajm atë që kishte ndodhur ditët e fundit kur tha se ajo vajza që shkaktoi në kohët e kaluara vetvrasjen e studentit 17 vjeçar në Shkodër, kishte pësuar një dhimbje të madhe. Menjëherë mu kujtua historia e hidhur e asaj ngjarje të largët, dhe aty per aty u përqëndrova në bisedën që po zhvillohej. Ai që po e tregonte përmendi se ashtu si i shkaktoi hidhërim familjes së atij djali në Shkodër i cili vrau vehten pas bukurisë së saj, ashtu i takon asaj që ta ndjejë të njëjtën dhimbje që atëherë i kishte shkaktuar familjes së djalit që kishte vrarë vehten për të. Edhe asaj, pikërisht po në atë moshë 17 vjeçare i kishte vrarë vehten i biri.
Herë pas here më kujtohet kjo ngjarje dhe nuk arrij ta kuptoj se pse ky fati kishte qenë kaq mizor me të.
Në vijim dua të them se atë vajzë, tashti grua e vjetër me thinja por gjithmonë me trup të drejtë dhe ecje prej mbretëreshe, e shoh herë pas here dhe sa herë e shoh nuk mund të rri pa kujtuar atë histori tragjike, që e filluar si një ngjarje komike midis të rinjve u shndërrua në një tragjedi që me kalimin e moshës iu përsërit asaj vetë.
Robert Cipo