Na ishte seç na ishte…Mos kujtoni se kemi të bëjmë me një përrallë. Kjo është një histori e thjeshtë për pesë shokë studenta që e kalojshin mëngjezin duke u takuar në ndonje klub për të pirë së bashku një kafe e kaluar kohën me muhabete. E kishin bërë zakon të takoheshin çdo mëngjez për të kaluar ditën. Meqë ishin studenta dhe ndodheshin në pushimet e verës, shpesh u qëllonte të gjendeshin pa asnjë lek në xhep, kështu që njëri prej tyre u propozoi shokëve se kishte gjetur një metodë për ta pirë kafen gratis pa nxjerrë asnjë lek nga xhepi. U habitën dhe ja dhanë të qeshurit. Nuk po ju besohej. Megjithatë vendosën ta provojnë një herë.
U nisën. Shoku që kishte bërë propozimin ecte përpara dhe ata të katër pas tij. Në një qoshe rruge ai që ishte përpara ndaloi dhe po lexonte lajmërimet e vdekjeve. Të gjitha ishin të ditëve të kaluara. Por në atë çast erdhi aty dhe punonjësi i agjensisë së funeraleve i cili ngjiti me kujdes një lajmërim vdekjeje. Ishte për një plak, 75 vjeçar. Ai që drejtonte grupin e pyeti se kush kishte vdekur, çfarë pune kishte pas bërë, ku banonte dhe nëse dinte sa fëmijë kishte pasur, etj. Me te marrë këto të dhëna, u shpjegoi shokëve se tashti do shkojmë të pimë kafen gratis. Do shkojmë në familjen e të vdekurit dhe do ti shprehim ngushullimet familjarëve dhe ata do të na shërbejnë kafen. Dy prej tyre nuk deshin ti nënshtroheshin kësaj loje por të tjerët i bindën dhe më në fund që të pestë u nisën për në adresën që shënohej në lajmërim.
Dera e shtëpisë ishte hapur, dhe kishte njerëz që hynin e dilnin. Ata që të pestë duke vënë përpara atë që kishte bërë propozimin, u futën në shtëpi dhe i dhanë dorën atyre dy-tre burave që u ngritën më këmbë për t’i pritur dhe u ulën nëpër karriget e vendosura rreth e qark dhomës. Disa të tjerë që erdhën pas tyre, që mesa duket i njihnin njerëzit e familjes, pyetën si kishte ndodhur e muhabete të tjera rreth të vdekurit.
Pastaj një djalë i ri shërbeu kafen. Me ta pirë kafen, ndejtën dhe nja pesë minuta dhe nga shenja që u bënte drejtuesi i grupit, u ngritën më këmbë dhe mbasi shtrënguan dhe një herë duart me familiarët, u gjendën ke porta.
Rrugës nuk po e mbanin dot të qeshurin. Kështu që e lanë edhe për nesër të takoheshin rreth orës 10 të mëngjezit te qoshja e rrugës ku ishin vendosur lajmërimet. Qyteti ku ata banonin ishte një qytet i vogël dhe rastet e vdekjeve ishin mjaft të rralla, por ata me durim duke kërkuar e gjenin çdo ditë nga një, sa për të shkuar e për të pirë kafen e përditshme. Por një ditë qëlloi që deri në ora 12 nuk ishte vënë asnjë lajmërim, kështu që të pesë studentat nuk po dijshin ku ta kalonin mëngjezin për ta pirë kafen.
Duke u menduar si do t’ja bënin, njërit ju kujtua se kishte një zgjidhje. I tërhoqi shokët dhe shkuan së bashku në lagjen e jashtme të qytetit dhe hynë në një shtëpi të ulët ku gjetën të zotin e shtëpisë shumë të pikëlluar. U futën brenda. I shtrënguan dorën të zotit të shtëpisë dhe thanë nëpër dhëmbë disa fjalë pa kuptim dhe u ulën nëpër shiltet e dhomës së ndjejtes ku një zjarr bubulak digjej në vatër.
Ai që e dinte historinë filloi muhabetin duke i thënë se u vinte shumë keq për humbjen e pësuar dhe të zotit të shtëpisë ja preu krahët sepse me anën e tij nxirrte bukën e gojës. Të gjithë të tjerët tundnin kokën në shenjë aprovimi. Por kur hynë të shtepia ju bëri përshtypje sepse aty tek porta nuk panë asnjë shpallje dhe se në shtëpi nuk kishte asnjë vizitor përveç atyre të pestëve. Ai që e dinte ngjarjen nuk pushonte së lavdëruari atë që kishte ikur dhe iu shpreh të zotit të shtëpisë se ne e dimë hallin që të ka rënë dhe prandaj vendosëm që të të shprehim ngushullimet tona e ta pimë një kafe për kujtim te tij.
Me të dëgjuar fjalët e fundit, i zoti i shtëpisë u çua nga vendi dhe i tha djalit që rrinte më këmbë te dera e dhomës që ti nxirrte nga një kafe miqve që kishin ardhur për ngushullim. Mbasi pinë kafen, ai që e njihte dhe që i kishte udhëhequr shokët për te shtëpia i tha dhe një herë disa fjalë të mira për atë që kishte ikur dhe që të pestë u ngritën më këmbë dhe duke i shtrënguar edhe një herë dorën të zotit të shtëpisë, dolën në rrugë.
Studentat tanë sapo u larguan nja 50 metra nga shtëpia e pyetën atë që i kishte çuar për ngushullim te shtepia e katundarit të varfër se kush i kishte vdekur fukarait të shkretë?
– Po ju çfarë ju duhet? Kafen e pitë dhe ju bëftë mirë. Ndofta do vijë një ditë që ta merrni vesh të vërtetën.
Ndërkohë edhe i zoti i shtëpise po rrinte e shikonte me habi të pestë studentat që po largoheshin.
Ndërsa i biri që po qëndronte i habitur përpara babës, më në fund e pyeti:
– O babë, pse ngushullim për gomarin erdhën këta?
– Or çun, tha i zoti i shtëpisë. Edhe unë fort u habita. Kurrë nuk më kishte shkuar ndërmend se gomari im do të kishte patur kaq shumë shokë e miq.
Robert Cipo
800×600