“Halle, halle kjo dynja…” – Felix Luis Viera

Felix Luis Viera
Felix Luis Viera

Felix Luis Viera

Ka lindur në Santa Clara, Kubë, më 1945. Ka botuar poezi me titull “Una Melodia Sin Ton Ni Son Bajo La Lluvia” (1978), romanet “Con Tu Vestido Blanco” (1988) dhe “Seras Comunista, Pero Te Quiero” (1994), përmbledhjen me tregime “En Nombre Del Hijo” (1983) dhe “Precio De Amor” nga ku është nxjerrë edhe tregimi “Halle, Halle kjo dynja…” (1990).

*******

ShkrimVazhdonte të binte një shi i imët. Unë ngisja veturën me ngadalë gjatë shëtitores që niset nga hotel Oasis për në Varadero. Kur isha duke e marrë kthesën, akoma pa vendosur në se do të ktheja majtas apo djathtas, e pashë atë. Dritat e veturës e ndriçuan. Kishte qëndruar në cep të trotuarit. Nuk di në se ma bëri me shenjë apo jo, por më mjaftoi që ta shihja nën atë shi të imët që vazhdonte të binte, e vetme, natën dhe instinktivisht frenova.

“Po shkon andej ?” më pyeti, duke më treguar me dorë në drejtim të Varaderos.

Pas asaj që më kishte ndodhur atë mbrëmje, në të vërtetë as unë nuk e dija nga ku do të shkoja. I thashë po.

Hypi përpara.

Sapo ishte ulur, akoma përpara se të nisesha, dritat e një veture që vinte nga ana e kundërt më lejuan t’i hidhja një shikim me bishtin e syrit. Ishte bionde, flokë të gjata dhe të lagura nga shiu, profili me tipare fine e me shprehje të ëmbël.

“Afër parkut” më tha kur e pyeta se ku do shkonte.

“Unë nuk po shkoja në asnjë vend” iu përgjigja kur ajo më pyeti se në ç’drejtim isha nisur, për të parë nëse drejtimet tona përputheshin, se nuk duhet të shqetësohesha, mjafton ta çoja deri aty ku të kisha mundësi.

Kisha bërë pothuaj një kilometër kur fillova të ndjej një farë tërheqje për të. Mendova se kjo të ishte për dy arsye: e para, se gjindesha ulur afër saj, të dy vetëm, në qetësinë e një veture që udhëtonte natën, nën shiun që binte ; e dyta: mungesa e seksit, problem që kishte filluar ta ndjeja dhe që më në fund kishte ardhur çasti për ta zgjidhur.

Duke kaluar për nga dancing light llogarita se sa të holla kisha me vete. Vendosa që nuk kishte mundësi që ta ftoja për atje. Mendova se do të më jepej mundësia ta ftoja në ndonjë lokal tjetër (mbasi m’u mbush mendja se kisha për ta ftuar), por duhet të shkoja në ndonje lokal me çmime sa më të lira. Ja hodha përsëri sytë shkarazi ; pata një konfirmim kur pashë profilin e saj delikat, dhe pamjen e saj të ëmbël. Duhet të filloja t’i flisja, mendova t’i them se isha vetëm, pa asnjë pikësynim dhe se ndjeja nevojën për të biseduar me dikë, “aq më shumë me një grua”.

“Po mbërrijmë” i thashë, duke ulur akoma më shumë shpejtësinë, kur kishin mbetur akoma tre-katër blloqe deri te Parku.

“Po” tha dhe më shikoi, duke buzëqeshur me një buzëqeshje të njerëzishme, pikërisht kur falenderon një të panjohur për mirësjelljen e tij.

“Por në të vërtetë, siç po të thoja” i fola me ti “konkretisht unë për veten time nuk isha duke shkuar në asnjë vend”.

Buzëqeshi.

Dhe pasi kaluam edhe një bllok, tha:

“Nuk e kuptoj pse thoni kështu: njeriu gjithmonë shkon në ndonjë vend”.

“Mund të ta shpjegoj ndërsa marrim diçka për të pirë”.

“Jo… Nuk dua që të më marrësh për atë që nuk jam”.

“Shiko se në të vërtetë nuk të marr për asnjë në veçanti, secili është ai që është ».

“Për më tepër… po më presin në shtëpi”.

“Lum ti që ke një shtëpi ku të presin”.

* * *

Hymë më në fund në një lokal që nuk e njihja, me premtimin se në ora njëmbëdhjetë duhej të ishte në shtëpinë e saj. Pak mbetej për te ora njëmbëdhjetë. Vazhdoja të isha i shqetësuar. Më në fund nuk mbaja mend se sa të holla kisha me vete, dhe se me çfarë kisha për t’i kaluar orët e tjera. Për ta hequr dyshimin shkova menjëherë në banjo. Po, kisha shumë pak, kisha vetëm sa për dy gota pije.

“Çfarë ishe duke bërë kur të takova?” e pyeta ndërsa po kërcenim.

“Mendoj se është akoma shumë shpejt për të ta treguar”, edhe ajo duke me folur me “ti”, se “ky është një problem serioz”.

Domethënë edhe ajo kishte një problem serioz. Mbeta duke u menduar.

Pista e kërcimit ishte e vendosur në një anë të lokalit, në mënyrë që tavolinat me gjithëse ishin rreshtuar mirë, dukej sikur të ishin grumbulluar të gjitha në anën e kundërt. Afër pistës kishte dy-tre dritare, më të gjata se sa të gjera nëpër të cilat hynte ajri i detit dhe me ca reflekse që herë pas here pengonin shikimin.

Me sa duket vuri re hutimin tim si në bërjen e porosisë, ashtu edhe në shikimin me të cilin ajo po pinte, sepse në një farë kohe, me gota tashmë bosh dhe kamarierin aty afër, foli , (dhe thashë foli sepse m’u duk se nuk më foli mua, por sikur po i drejtohej dyshemesë) “Porosit diçka tjetër, kam të holla me vete”.

“Po jam unë ai që të ftova” ja ktheva.

“Por tani a kam rradhën unë”.

Nga fundi i kërcimit të dytë, aë “lloj afiniteti” kishte ardhur duke u konkretizuar. Nuk ishte vetëm profili i saj, që ariti kulmin me shikimet mija të theksuara që i drejtoja gjatë kërcimit, shumë afër faqes, por edhe për dhëmbët e saj të rregullta dhe të shndritshme, duke i imagjinuar si diçka që do ti takonin gojës time, dhe format e ngjeshura të trupit të saj, gjinjtë e saj, që në vijim të pjesëve muzikore më ngacmonin në maksimum imagjinatën time, si diçka solide, dhe gjitha kjo, si diçka që kishte mundesi të prekej nga goja ime, nga duart e mia, e mbeshtetur pas trupit tim…

Llogaria shpejt e kaloi sasinë e të hollave të mia, dhe porositëm për llogari të saj. Mungonte tashmë dhe nja gjysëm ore kur fillova t’i shprehja, si në pistë ashtu dhe ulur në tavolinë, nevojën për ta pushtuar që atë natë. Sigurisht që nuk ja thashë direkt, por i bëra vetëm pyetjen “po apo jo”, sigurisht i paraqita dhe alternativën. Ajo përsëri e hodhi fjalën tek ai problemi serioz i saj (çfarë mund të ishte?) dhe tha se kishte vendosur të kalonte pak kohë me mua vetëm për të parë nëse mund të linte një kujtim qetësues në këtë mbrëmje, që, me sa dukej, kishte dhe ajo diçka që e ngacmonte, por:

“Ta thashë, që nuk desha që të gaboheshe në lidhje me mua, nuk jam nga ato”, tha duke më parë në fytyrë mbasi ishte distancuar nga faqja ime, gjatë atyre tentativave të lehta për ti takuar faqet”.

Në situata të tjera, tha, ndoshta do të kishte parë takimin tonë si diçka që do të kishte një vazhdim, mbasi unë mund ti kisha rezultuar tip interesant. Por tani jo, tashti qëllimi ishte vetëm që të kalonin minutat që i kishin mbetur ashtu siç do ti kishte kaluar ai bixhozçiu, që para se të çohej nga tavolina, tashmë i humbur, përqëndrohet duke parë fotografinë e një zogu të bukur të varur në mur.

Megjithatë kur po afroheshim te ora e caktuar, në bisedë banale që sillej rreth e rrotull qëllimeve të mia, vendosa të lëshohem përsëri (ndërsa ajo vazhdonte të më thoshte për të tretën apo të katërtën herë, se akoma nuk i kisha treguar problemin tim, megjithese ja kisha premtuar kur u takuam) ndërsa unë i propozova të dilnim te bregu i detit. Te deti, po, te deti por vetëm pak minuta, të lutem, sa po të soditur detin natën, ndoshta akoma nën shiun e imët.

Dhe atëhere ajo tha po. Më tha gjithashtu se nuk ishte kundër që të rrinte me mua edhe gjithë natën në breg të detit. Më në fund, kundër çdo llogjike, kundër çdo gjëje që është e këshillueshme, kundra përplasjeve apo dridhjeve të një jete apo dhe të vetë jetës, mendova, kishte zënë vend mbi të gjitha, në një interval të shkurtër kohe, sulmi i mashkullit në prani të femrës, që ishte hapur si një lule në pritje të polenit, sepse kështu duhet të ishte për një çështje të vendosur që në lashtësi, primitive, elementare dhe e përjetshme. Dhe mbasi më tha se do të kishte ardhur me mua në breg të detit, dhe buzëqeshi, isha plotësisht i sigurt se pas disa minutave, duart tona do të kishin kërkuar njëra-tjetrën në zonat më të ndjeshme dhe se buzët tona do të hapeshin e mbylleshin njëra mbi tjetrën për të krijuar atë përzjerjen e frymëve tona, duke krijuar një frymë të përbashkët, por i ndryshëm nga ajo e secilit; pas disa minutave në breg të detit, poshtë palmave, trupat tanë, gjysëm lakuriq, do të ishin shtrirë në rërë dhe këmbët e saj do të hapeshin dhe seksi im do të ishte sulur me vrull drejt të sajit. Atëhere hoqa dorë në fantazitë e mia mbi këtë çështje dhe i thashë direkt se kisha nevoje ta bëja timen po atë natë; se ishte e vetmja gjë që në të vërtetë kisha nevojë. Dhe në vetvete mendoja se kjo ishte shumë e vërtetë dhe se e vetmja gjë që kishte kuptim ishte ajo që ta bëja timen sonte, ndërsa nesër nuk kishte më asnjë rëndësi; nuk kisha për të zgjidhur asgjë nëse do ta kisha sonte dhe asgjë nëse nuk do ta kisha.

Kështu e ktheva gotën me fund, thirra kamarierin dhe i kërkova llogarinë. Ajo, e lumtur, e shpenguar, më puthi në faqe dhe më tha se do të shkonte një çast në banjo.

E prita duke gërryer me dhëmbë copëzat e akullit të mbetura në gotë duke parë çiftet që kërcenin.

Pas katër-pesë minutave u kthye kamarieri. I thashë të priste edhe pak, mbasi nuk mund të paguaja derisa ajo nuk ishte kthyer. Por ai më tha:

“Llogaria jote është paguar. Ju dërgojnë këtë shënim” dhe më dorëzoi një pusullë të palosur.

Hapa pusullën, por me aq sa u mundova nuk kisha mundësi ta lexoja për arsye të dritës së dobët. Kamerieri ndezi elektrikun e dorës dhe më drejtoi rrezen e dritës.

“Jeta nuk është ashtu si e imagjinojmë. Fat të mbarë”.

Përktheu Robert Cipo

Pin It on Pinterest

Share This