Dy Fjalë Për Goethe – nga Prof. Kostaq Cipo

ShkrimBota e qytetëruar gëzohet, del nëpër rrugë e larë e e ndërruar, sa herë që i takon të kremtoje qindvjetorin a pesëdhjetvjetorin e ndonjë biri të sajë, i cili me pun’e me shkrime të gjalla ka nderuar e lartësuar kombin e qytetërimin, ka fituar adhurimtarë kudo dhe ka lënë emrin e tij të pavdekur në çdo shpallje të jetës e të mendjes. Të tillë fatosa, të gishtit qofshin a të mendjes, janë nderi e zulma e kombit që i ka pjellë e, shumë herë, e gjithë njerzis.

Këto kremtime për shpirt të ndonjë të vdekuri të math nuk janë të kota e pa vend sikundër duan të thonë një palë, se me të tilla zakone forcohet ndjenja kombëtare, ndizet djalëria për vepra të forta e të bukura. Andaj e kemi për detyrë t’i kujtojmë këta puntorë të ndjerë me fjalë, me lule e me lot.

Tashti vjen rradha të pyesim: Po ne? Pse mos të bëjmë edhe ne gjithashtu për ata të pakë shqiptarë që meritojnë nga një lter në zemrat t’ona e një vend të bukur në faqet e përjetëshme të historis kombëtare e letrare? Pse vallë gjithë kjo haresë, gjithë kjo pamiradije? Mos shtrëngica e kohës së sotme që e ka pështjellë botën në zi e mjerim na pengon të kryejmë detyrën t’onë që kemi drejt atyreve që nuk u stepen të mbarojnë të tyren edhe me rrezik të jetës? Nuk më duket. Kjo plagë, që është duke munduar të gjithë botën sot nuk e ndali dorën të hedhim dy kokra temian në uratoret të dëshmorëve t’onë, se, të qe ashtu, fqolla e tymit të qemit nuk do të ngrihej aq lart për cilindo nëpunës me rrogë të majme.

Të thom të vërtetën, kjo ftohtësi nga ana e jonë është një shuplakë për ata që hodhën themelet e kësaj ndërtese ku po banojmë të lirë. Me duket se i harruam zakonet e bukura të pleqve, kur e përligjim me pamjen e harresës, gjakun që derdhen ata për të mishëruar udhën e liris, e cila n’ato mote t’errëta nuk kishte qensi më të fortë se atë të ëndrës. I harruam të gjitha: mundimet që hoqën, varret ku pushojnë. Ahere ku do të mësojë djalëria e jonë detyrat që ka kundrejt atdheut dhe shokut, kur e kemi humbur rrugën që na shpie në pantheon?

Ja, kaloi pesdhjetvjetori i Përlindjes Kombëtare e asnjë nuk shkroi për rëndësin e kësaj dite, asnjë nuk foli nëpër faltore e shkolla se ç’kuptim ka për ne kjo dit’ e shënuar. E pra të gjithë e kuptojnë se një kremtim i tillë kishte për të qënë shumë ndërtimtar për breznin e re.

U rrokullis në greminë edhe qindvjetori i lindjes së Kristoforidhit dhe asnjeriut nuk i ra ndërmend t’i kushtojë punës së gjatë për komb e fe, një fjalë të ngrohtë, një tufë me lule. I harruar, pa lot e pa lule ka mbetur edhe varri i përvjestarit të math të Kishës Shqiptare, varri i Papa Kristo Negovanit, e asnjë dorë e mëshirshme, nuk i ndezi kandilën, nuk i ra këmbanës, asnjë prej nesh nuk çoi një meshë për shpirt të tij. Kishës Orthodhokse autoqefale, e cila i ka themelet të çpërkatura me gjakun e shërbëtorit besnik të Hyut, i bije të caktojë një ditë, e të thotë një “missam solemnem” për shpirt të dëshmorit e për ngushullimin e të gjallvet.

Kjo munges’e madhe, turp t’a thom, është dëshmi e qartë se ne nuk dimë detyrën tonë. Nuk është pun’e urtë t’i vëmë këmbën genit kombëtar, me të cilin nderohet i gjithë populli. Veprat e tyre, ato që janë, formojnë kryegjen mendore tonën, e cila sa më të endet moti aq më vlerë ka për të fituar. E kemi për detyrë t’i tregojmë popullit vlerën morale e mendore të bijve që duallën nga gjiri i tij, shkëndijën që ndezën në zemrat tona, frymën kombëtare me të cilën ishin mveshur. E kur të mësojë populli se çfarë djemsh ka, kur t’i njohë mirë ata, ahere do t’i zgjohet në shpirt kryelartësija kombëtare e do të punojë më me fuqi.

Të tilla mendime më kishin pushtuar, kur mora letrën e bukur të Drejtorit të vlershëm të fletores “Demokratia” me të cilën më ftonte t’i gatitnja nonjë send të vogël për kujtim të Goethes, të poetit të math gjerman të cilin sot po e nderon bota e tërë.

Goethe
Johann Wolfgang von Goethe

Goethe – jahr (viti i Goethes) e quajnë gjermanët vitin që po ecën, e të gjithë të diturit, gjithë sa kanë qënë vijanos në kungim shpirtëror me veprat e gjalla të

Goethe-s mundohen të thonë dy tri fjalë të bukura e me kripë, përpiqen të zbulojnë gjëra të reja në jetën e në veprat e bilbilit të Weimarit. Nga ana e ime s’kam se ç’të thom që të mos e kenë thënë të tjerët nëpër fletore politike e letrare, ndonëse buka që do të gatuaj në magjet, do të jetë miell nga thesi i im.

Pasandaj çfarë lulesh do t’u blatojmë të huajvet, kur nuk qit toka e jonë flet’e lule për të kremtuar gjakun tonë. Me gjith atë, sa do që tonët i kemi neveritur, prap të huajt po i përmendim përditë duke kënduar veprat e tyre.

Historia e letërsisë ka thanë se varfëria dhe poeti u lindën binjakë. Po jeta e auktorit të Faustit është një përjashtim që të mos thom një përgënjeshtrim i kësaj fjale të lashtë. Goethe lindi me këmishë, andaj kurrë s’e kemi dëgjuar të qahet. Fati, ajo plaka lozonjare e Naimit i flet me buzë duke qeshur, prandaj ç’rroku dora e tij, dolli e mbaruar së gjithash. Është zotni i math i fjalës e i sqimës, di të lozi valle, të piksojë e të hartojë poezi të vërtetë.

Çupat e bukura, që patin rastin t’a njohin, përgjërohen për të dhe Gorthe, si kalorës që është, u a shpërblen të mirën duke e përjetësuar në veprat e tij. Me të gjithë është fol e qesh e gojë ëmbël, e këto vetija i ka trashëgim nga e ëma: “von Mutterchen die Frohnatur, die Lust zu fabulieren” (këtë natyrë gazmore nga nëna dhuratë, të gjithëve tja u tregojmë). Zemrën e ka të njeshur me ndjenja të holla dhe zemrën të veshkët e të përkulshme për çdo lëmë të dijes. S’ka gjë që të preki penda e magjistarit të math e mos të dalë e krehur dhe e mbaruar. Po këtë dijetar e poet të math mos e fyeni duke e quajtur krimb të bibliothekës. Bibliotheka e tij, veprat mbi të cilat kurruset janë faqet e librit të gjithsisë. Kërkon me çdo kusht të mësojë të fshehtat e Natyrës, andaj është vijanos në kungim shpirtëror me të, të cilën e përkëdhel e adhuron e vjeth. Në lidhje me fen, Goethe është ipatenzone, adhuron artin e shkencën (Kunst und Wissenschaft) të cilat i mban si dy kushte të qytetërimit; fen e quan të nevojshme për popullin, i cili kurr nuk munt të ngrihet aq lart sa të krijojë një shkollë filosofike ose të përvetojë shkencën e artin sikundër bëjnë të zgjedhurit.

“Wer Wissebschaft und
Kunst bezits

Hat anch Religion

Wer jene belden nicht besitzt

Der habe Religion.”

“Atij që shkencën,
artin zotëron

Féja mendjen ja ndriçon

Por dhe ay që asnjë
nga këto zotëron

Feja gjithashtu e drejton.”

Përfundimin e vëshgimeve të frytëshme mbi natyrën e gjallë të njeriut e breshnoi në këto pak fjalë: “Der Mensch mag sich wenden, wohin er will, er mag unternehmen, was er auch sel, stets wird er auf jenen Weg wieder zuruchkehren” – “Nga çdo anë që të vërtitet njeriu e çdo veprim që të ndërmarrë, ka për të marë gjithnjë atë rrugë që i a ka shënuar që në fillim natyra.”

Ky përfundim i ve cak punës s’edukatës, e cila kot lodhet të ndreqi atë që natura e dënoi të mbetet dru e shtrembër. Po ahere? Ahere t’u vemë veshin këshillavet të filosofit romak ”sequere naturam si vis salvus esse, si recurus, si beatus, si vis esse, quod es optimum, liber”. Mirë po këtu na mbin një punë që nuk e lemë dot në heshtje, na përgjon ndofta një gabim. A duhet njeriu të lihet i lirë, në luftë me lidhjet e ligjet që janë themeluar për të mprojtur shoqërin? Apo prirjet, që vinë në kundërshtim me ligjet e zakonet në fuqi, t’i shtypi e të trajtojë, me mundime të mëdhaja, një abito mentale e të njëjtë me atë të shoqëris ku është pjestar.

Andre Gide, shkrimtari i njohur frëng, i cili këtë teori të Goethe-s e ka bërë të vetin dhe e zhvillon në disa vepra të tij, është i mendjes që të lihet i lirtë njeriu të çvillojë prirjet e tij të natyrshme. Kjo udhë na shpije në një moral të ri, për të cilin nuk është vendi këtu që të flas.

Goethe është një mendje e gjithmarshme, e vaditur në të gjitha burimet e dijes, po mendja poetike e tij ngrihet mbi të gjitha. Fausti, kjo kryevepër në të cilën kanë vënë dorë qielli e toka, është gati të na dëshmojë se pupla magjistare e tij di t’i veshi mendimet filosofike e shkencore me fletët e këngës, do t’i ndërrojë fjalët në drit’ e muzikë. Po kur e le me nj’anë shkencën dhe zë e këndon, zërin e ka shumë të bukur, e kënga që ndërliq atëhere, është ajo e zogut të verës që këcen degë më degë dhe mbush me jonë t’ëmbla zemrën e udhëtarit të lodhur. “Ich singe, vie der Vogel singt – Der in den Zweigen wohnet”. (Ja thom këngës, ashtu si zogu që midis degëve i lirë jeton). Më duket sikur kam përpara një nga ata clerici vagantes, të cilët janë të djegur për rrojtje e bukuri dhe këndojnë me sa fuqi kanë: “gaudeamus igitur invenes dum sumus…”. Shumë copa nga veprat e këtij gjysmë-perëndije të letërsisë janë hymne drejt diellit, naturës, dashuris.

Letërsia e hollshme shqiptare i a ka dëgjuar zërin Goethes. Kemi ca ballata të shqipëruara nga poetet t’onë si “Der unten Knabe”, “Der Konig in Thule” (Mbreti në Thule) etj. Uroj që të përkëdhelen me tingujt e gjuhës shqiptare të gjitha ballatat e tij, këto çupa të bardha e të nisura të cilat, kush i pa, qoftë dhe në prakun e derës, s’e përmbajti vehten pa u hedhur atyre nga një vështrim plot dashuri. Kush është i thënë nga natura të pasurojë kopshtin t’onë me lule t’ardhura, duhet të ketë përpara syshë këto dy gjëra: të mos i mbetet besnik dhe aq fjalës, se kjo besnikri, mund të shkaktojë shumë herë pabesi e kështu të humbasë bukurija e muziknija e fjalës, të vejë në punë këshillat e Goethes:

“Jungling merke
dir in Zeiten

Wo sich Geist und
Sinn erhohl,

Dass die Muse zu begieiten,

Doch zu leiten
nicht versicht.”

“Djalosh, vazhdimisht
ty të ndjek,

Aty ku shpirti dhe
mendja jote çlodhen,

Aty ku muzat të shoqërojnë

Por për t’udhëhequr s’lodhem.”

Artikullin që më kërkove Z. Drejtor, e mbarova; po nuk po e mbyll pa thanë edhe dy fjalë; pata bërë mend, kur rroka pendën të shkruaj këto pak rradhë, të thomë një lutje të vogël përpara iterit të të madhit Goethe, po kur desha të kapërcej prakun e faltores së tij, më pushtoj një frikë hyjnore, m’u-muar goja dhe s’thash dot gjë tjetër veç një “introibo” (hyrje) së cilës i mungon thelpi i lutjes:

“Ad Deum qui laetificat iuventutem meam”    

“Jemi pjestarë të një brezi që mundohet të dalë nga errësira në dritë” – Goethe

Pin It on Pinterest

Share This