Dy Kopshtarët – Pikëpyetja

ShkrimKishin kaluar pothuaj 4-5 vjet që kur kisha përfunduar së shkruari Monografinë mbi jetën e time eti, dhe akoma nuk po gjeja një botues. Fillova të merrem me gjetjen e ndonjë botuesi për të shtypur librin. Ju drejtova një shokut tim, i cili ishte marrë me këtë punë dhe ishte ai që më rekomandoi një mikun e tij, botues i panjohur, të cilin një mëngjes ma solli në shtëpi për të biseduar.

Në bisedë e sipër mora vesh se gjatë rrugës për në shtëpinë time, duke biseduar midis tyre, miku im dhe shoku i tij botues, ky i fundit kishte marrë vesh se unë kisha punuar si përkthyes në Ambasadën Italiane dhe kur erdhi tek unë, më tha: “Unë jam i biri i Idrizit, ish-kopshtarit të Ambasadës i cili si të kujtohet vdiq gjatë periudhës kur punonte në Ambasadë dhe unë me kursimet e babës, mbasi erdhi demokracia këtu tek ne, fillova të merrem me botime”.

Të gjitha këto po m’i thoshte me një buzëqeshje të çuditëshme, sikur po deshte të thoshte “im atë një copë kopshtar dhe kish lënë trashëgim mijëra dollare, sigurisht që edhe ti, si përkthyes, nuk do të jesh pa gjë.”

Ndërkohë me ndërhyrjen e një kushëriri gjeta një botues tjetër dhe libri u botua, por herë pas herë më vinte ndërmend i biri i kopshtarit.

Mu kujtua se kur punoja si daktilografist në Spitalin Nr.1 të Tiranës erdhi të punonte si kopshtar edhe Idriz Muço, me të cilin zura miqësi. Mbaj mend se një mëngjes më takon Idrizi në lulishtet e spitalit dhe më tha se ishte transferuar po si kopshtar në Ambasadën Italiane.

Unë pas disa viteve që kalova si laborant në Institutin e Higjenës (mbasi praktikisht nuk më lejohej të kryeja punë më me përgjegjësi, për arsye se isha përjashtuar përgjithmonë nga gjithë shkollat e Shqipërisë dhe në pamundësi për të vazhduar shkollën e lartë) më propozuan të kaloja në vitin 1974 në shërbim të Zyrës Shërbimit të Trupit Diplomatik, meqënëse isha njohës i mirë i gjuhëve të huaja.

Dikush që shkova dhe u konsultova me të, më tha se gjithë punonjësit shqiptarë të ambasadeve duhet të ishin të gjithë agjentë-informatorë apo “Bashkëpunëtorë të Sigurimit”. Kjo më trembi pa masë dhe bëra çmos për ta zgjatur sa më shumë përgjigjen e proprozimit që më ishte drejtuar për të punuar si përkthyes në Ambasadën e Kubës.

Por erdhi një çast që kjo gjendje nuk mund të zgjaste më. Kishin kaluar dy vjet. Tashti ishim në vitin 1976 dhe më kërkohej një përgjigje e shpejtë dhe përfundimtare. Atëhere shkova në Ministrinë e Jashtme dhe kërkova takim me një shokun e vëllait tim, i cili kishte qenë edhe diplomat në Austri dhe Jugosllavi, dhe ja parashtrova çështjen duke ja thënë copë se nuk desha të bëhesha informator i Sigurimit. Ai qeshi dhe më tha “as mos të të shkojë mendja se do të bëhesh informator apo bashkëpunëtor. Në çdo Ambasadë kemi kohë që kemi gjetur nga një person, shqiptar apo i huaj, këtë nuk po t’a them, nga ata më të parëndësishmit dhe që është vazhdimisht në lëvizje, për të hapur sytë dhe për të na dhënë informata, në rast se do të kërkohen. Ti rri i qetë dhe puno me ndershmëri. Të tjerat janë vetem thashetheme dhe përhapen sa për të trembur njerëzit.

ambasada_kubaneKështu që punova për pesë vjet tek Kubanët me gjuhën Italiane sipas vetë kërkesës së tyre dhe me vonë me atë Spanjolle, që e mësova po aty.

Pas gjithë këtyre viteve më thanë se duhet të kaloja në Ambasadën Italiane pasi nuk po gjenin asnjë me atë gjuhë që t’i përmbahej kushteve që kërkoheshin për të punuar nëpër Ambasada. Fillova të interesohesha se cilat mund të ishin këto kushte. Në rradhe të parë më thanë se nuk duhet të ishe komunist. Në rradhë të dytë, as edhe ndonjë pjesëtar tjetër i familjes nuk duhet të ishte komunist. U habita, mbasi mendoja se duhet të ishte krejt e kundërta. Më sqaruan se herë pas herë bëheshin mbledhje të KQ të PPSh dhe aty trajtoheshin probleme të rëndësishme për vendin tonë, por këto mbledhje apo Plenume (siç quheshin) fillonin të botoheshin në shtypin e kohës vetëm mbasi kishin kaluar të paktën dy-tre vjet, kështu që e kishin humbur aktualitetin. Në këtë mënyrë punonjësit shqiptarë të ambasadave edhe sikur të donin, nuk kishin mundësi për t’i marrë vesh diskutimet dhe veçanërisht vendimet e Pleniumeve.

Megjithatë, duke patur për bazë bisedën me shokun tim diplomat në Ministrinë e Jashtme, vazhdova rregullisht punën pa u shqetësuar për asgjë tjetër.

ambasada italjaneMe kalimin e ditëve vura re diçka mjaft të çuditshme. Kopshtari i Ambasades, Idriz Muça, megjithëse ishim njohur që kur punonim së bashku në Spital, kishte filluar të bëhej mjaft serioz. Edhe kur bisedoja me të për probleme të zakonshme dhe familjare i binte shkurt dhe gjente gjithmonë shkaqe për t’u larguar se “kam shumë punë”. Por nga ana tjetër e shikoja se e kalonte ditën duke u sjellë vërdallë tek pemët e frutave të bahçes së Ambasadës dhe vazhdimisht hante prej tyre, meqënëse italianet vetë nuk i preknin me dorë frutat e kopshtit , mbasi e konsideronin si turp që një diplomat të hajë nga pemët e bahçes, ndërsa kishte mundësi t’i blinte me çmim të lirë te dyqani i diplomatëve.

Idrizi shpesh na tregonte se meqë territori i bahçes ishte mjaf i shtrirë dhe plot me bar, kur vinte periudha e nxehtë e verës, kishte gjithmonë frikë se mos nga ndonjë shkëndijë apo nga nxehtësia e ambientit bari mund të merrte flakë. Kështu që ai shpesh në periudhën e verës nuk vente fare në shtëpi po e kalonte edhe natën ne Ambasadë duke ruajtur territorin nga ndonjë djegie.

Na bëri gjithashtu përshtypje kur ishim mbledhur një ditë në Drejtorinë e Zyrës Diplomatike sepse na u prezantua një punonjëse e re në ambientet e Ambasadës Italiane. Meqë ajo nuk dinte asnjë fjalë italisht, kërkonte nga punonjësit e tjerë të ambasadës ta ndihmonin për të kuptuar kërkesat e personelit italian si dhe çfarëdo që të kishte nevojë për aktivitetin e saj. Akoma pa mbaruar fjalën N/Drejtori, ishte Idriz Muça ai që e mori fjalën duke deklaruar se do ta ndihmonte këtë punonjëse të re. Të gjithë ishin kthyer nga unë për të dëgjuar çfarë do të thosha dhe u habitën nga fjalët e Idrizit që ai “kopshtar” merrte përsipër ta ndihmonte. Të gjithë të pranishmit në mbledhje filluan të qeshin dhe mendonin se duhet të ishte përkthyesi ai që duhej të angazhohej për të ndihmuar këtë punonjëse të re. Kur të gjithë filluan të qeshin, vetëm atëhere Idrizi duke e kuptuar që e kishte shkelur, e plotësoi duke thënë jo vetëm unë (Idrizi) por dhe përkthyesi (Berti).

Vetëm 30 vjet më vonë e morëm vesh se ishte Idrizi, bashkëpuntori i Sigurimit që do ta kishte në vartësi punonjësen e re, dhe praktikisht nuk kishte gabuar që kishte ndërhyrë për ta siguruar mbështetjen e tij. Por asnjë nuk i dinte këto probleme dhe ndërhyrjen e tij e morëm si shoqërore.

Njëkohësisht nga ai morëm vesh se porta e dytë e ambasadës që ndodhej në krah të Fakultetit të Gjuheve të Huaja, qëndronte ditë e natë e hapur, mbasi aty hynin e dilnin orë e pa orë veturat e diplomatëve. Madje qëlloi një herë që një Rom i cili kishte nja pesë a gjashtë kuaj, duke kaluar natën anës ambasadës dhe duke parë barin e bahçes të pakorrur si dhe derën e bahçes të hapur, i kishte futur kuajt aty për të kullotur dhe vetë ishte shtrirë në një qoshe të bahçes dhe ja kishte këputur gjumit. Idrizi, që zakonisht vinte në punë që në orën 6 të mëngjesit, i kishte parë kuajt, kishte zgjuar romin që po flinte dhe i kishte nxjerrë jashtë po nga porta e prapsme pa e marrë vesh njeri se çfarë kishte ndodhur. Që nga ai çast edhe tek ajo derë u vu një roje, megjithëse porta vazhdonte të qëndronte gjthnjë e hapur.

Përballë Ambasadës Italiane, në rrugën e Elbasanit, në atë kohë ndodhej edhe Ambasada Franceze. Edhe aty punonte një kopshtar shqiptar i cili kujdesej për një bahçe shumë më të vogël se ajo e italianëve. Por ai me sa e shihnim ishte gjithnjë në grindje me një punonjës francez që ishte si punë administratori, grindje që nuk arrinim ta kuptonin se përse shkaktoheshin, ndërkohë që punonjësi shqiptar ishte gjithnjë i qetë dhe i qeshur.

Ky kopshtari i francezëve, në moshë të re sepse nuk duhet të ishte më shumë se 40-45 vjeç, pas një farë kohe filloi të sëmuret dhe një ditë na lajmëruan se kishte vdekur. Shkuam që të gjithë në varrimin e tij. Banonte në periferi të Tiranës.

Po mbas atij filloi të sëmuret edhe Idrizi, kopshtari ynë. Atëhere i shkuam për një vizitë në shtëpi. Mua nuk mu duk dhe aq rëndë, por në bisedën që bënë midis tyre Idrizi me Ramadanin, kopshtarin e Ambasadës së Kubës me të cilin kishim punuar bashkë për pesë vjet me rradhë, Idrizi ju drejtua atij dhe i tha:

“- Ramadan, une po vdes. . .  ti shpëtove…”.

“- Jo Idriz, mos e thuaj atë fjalë, ti dukesh mirë dhe do shërohesh.”

“- Jo, insistoi Idrizi – unë po vdes”.

Kjo bisedë bëhej midis atyre të dyve në një formë të tillë sikur vetëm ata të dy kuptonin se përse bëhej fjalë ndërsa ne të tjerët kishim qëlluar vetëm spektatorë. Dhe kështu ndodhi që në ditët e para të Qershorit të vitit 1985 (ndërsa organizohej pritja e Ambasadës për nder të Festës së Republikës Italiane) ndodheshim në Hotel “Dajti” duke pritur të ftuarit për në sallën e madhe të Hotelit. Pashë të më afrohej Sekretari i Parë i Ambasadës Z. Shimoneli me një pamje shumë të acaruar (ndoshta edhe ai ishte i bindur, siç i kishin thënë, se unë isha përgjegjësi i punonjësve të Ambasadës) dhe sikur të isha unë fajtor për gjithçka, m’u drejtua gjithë inat duke u shprehur:

“- E more vesh? Idrizi vdiq.”

“- Kur i shkova për ta parë në shtëpi nuk m’u duk aq rëndë, i thashë. Po juve kush jua dha këtë lajm?”

“- Ma dha sot pasdite shërbyesja që punon tek unë”, më tha.

Biseda nuk u zgjat më shumë sepse filluan të vijnë të ftuarit dhe darka u zhvillua normalisht.

Por më e çuditshmja ndodhi dy ditë më vonë, kur në zyrat e Drejtorisë së Shërbimit të Trupit Diplomatik u organizua një mbledhje ku çështja kryesore ishte si dhe pse u ishte thënë të huajve mbi vdekjen e Idrizit. Unë të paktën nuk arrija ta kuptoja, ç’rëndësi kishte kjo mbledhje? Pse ishte kaq e rëndësishme vdekja e Idrizit për të huajt? Pse ishte aq i acaruar Sekretari i Ambasadës? Dhe pse ishte i acaruar N/Drejtori i Zyrës? Pasi u thanë shumë e shumë fjalë boshe dhe nuk doli asgjë në dritë, isha po unë që nuk arrija të kuptoja se çfarë kërkohej. Ishte i çuditshëm fakti se nga të gjithë të pranishmit mungonte ajo më kryesorja, pikërisht ajo shërbyesja që kishte hapur fjalë për vdekjen e Idrizit dhe sigurisht ajo nuk kishte ardhur sepse asaj kështu duhet ti kishin thënë, që nuk duhet të vinte. Po pse?

Një pjesë të kësaj përgjigje e mora vesh shumë e shumë vite më vonë, pothuaj mbas 20 vjetëve. Rastësisht para pak kohësh në një bisedë me njerëz të rastësishëm, mësova se vdekja e kopshtarëve mendohej  të ishte një vdekje e porositur.

Kjo ndodhi atëhere kur vetë Enver Hoxha, pasi kishin filluar të ftoheshin marrdhëniet me BRSS dhe sidomos pas ngjarjeve të Hungarisë në 1956, u kishte mbajtur një diskutim anëtarëve të Byrosë ku kishte theksuar se situata politiko-ushtarake është mjaft e acaruar dhe kishte mundësi që të përfundonin përsëri duke luftuar nëpër male. Duhej patur kujdes se po të ndodhte vërtet kështu, do të kishte nevojë për shumë të holla, kështu që duhet t’i gjeni një rrugëzgjidhje kësaj situate.

Për të siguruar këtë sasi të hollash të nevojshme për një luftë partizane të paparashikuar, pati një mendim të cilin e vuri në zbatim ish-kryeministri Mehmet Shehu duke organizuar prodhimin e jashtëligjshëm të armëve për Mafian italiane.

sigurimi_kamorrajpgDokumentet Sekrete – Si e furnizoi me armë Sigurimi i Shtetit organizatën kriminale “Camorra”.

Lidhjet mbi 20-vjeçare të oficerëve shqiptarë me mafian napolitane. Si u prodhuan e u trafikuan armë antitanke dhe automatikë për luftë urbane. Ku shkuan dollarët e përfituar dhe si kryheshin transaksionet bankare.

Për më shumë se dy dekada, krimi i organizuar italian dhe Sigurimi i Shtetit kanë bashkëpunuar në mënyrë aktive. Faktet autentike që po ju paraqesim tregojnë se “Camorra” napolitane dhe Sigurimi bashkëpunuan në trafikun e armëve luftarake, automatikë të përshtatshëm për guerrilje urbane (e ashtuquajtura lufta popullore partizane në qendra të banuara). U bashkëpunua edhe për trafikimin e armëve kundër mjeteve të blinduara të tipit “raketë antitank”.

Fillimet

Afera e këtyre armëve çoi në një përshkallëzim të ri të marrëdhënieve midis Sigurimit dhe “Camorra”-s. Historia e këtij “idili” nis që në mesin e viteve ’60, duke u ndërprerë për pak kohë pas “vetëvrasjes” së Mehmet Shehut dhe pastaj u vazhdua deri në vjeshtën e vitit 1991, dy javë përpara mbërritjes së kontigjentit të misionit “Pelikan” në Shqipëri.

Në fundin e vitit 1983, prerja e ndihmave kineze pesë vjet më parë po i shkaktonte pasoja serioze arkës financiare të Sigurimit. Prandaj gjithmonë e më tepër, për të siguruar valutë të fortë, Sigurimi po angazhohej në aktivitete gjithnjë e më kriminale, maksimalisht të dënueshme nga ligjet ndërkombëtare. Këto marrëdhënie me Mafian italiane, në rast se do të zbuloheshin, do të mbuloheshin me fraza parimore si “Mbrojtja e atdheut, detyrë mbi detyrat”, “Të luftojmë, të mendojmë e të punojmë si në rrethim” etj.

Negociatorët

Në kontaktet direkte me “Camorra”-n për problemin e armatimit, përfaqësuesi i Sigurimit ishte ish-shoferi i Ambasadës Shqiptare në UAR (Republika Arabe e Bashkuar, shtet i dikurshëm i sajuar nga bashkimi i Egjiptit me Sirinë) i dërguar jashtë shtetit me urdhër të eprorit të tij partiak B. Angjeli dhe me lejen e organizatës-bazë të PPSH-së.

Përfaqësues i “Camorra”-s ishte Mikele Zaza, një njohje e vjetër e Sigurimit të Shtetit, i mirënjohur në tërë pellgun mesdhetar si “Numri 1” i kontrabandës së “biondeve” (cigareve). Takimi u bë në një vilë të vogël në zonën e Pozilipos (pranë Napolit). Autoritetet italiane të kohës mësuan diçka për këto bisedime disa vjet më vonë, në sajë të pohimeve jo fort të sakta të të penduarit Pasquale Galasso me origjinë nga zona e Vezuvianos.

“Asi” i hetuesve të DIA-s (Drejtoria Hetimore e Antimafias) të Salernos, Leonida Primicerio, i vlerësoi këto kontakte si mjaft problematike, sa që për këtë informoi edhe shërbimet sekrete italiane.

Ne bazë të bisedimeve ndërmjet “Camorra”-s dhe Sigurimit, “tregjet e eksportit” të këtyre mallrave do të gjendeshin nga pala italiane, ndërsa transporti do të kryhej si me mjete italiane ashtu edhe me ato shqiptare, si p.sh. automjetet e tonazhit të rëndë të Parkut të Eksportit, anijet e Flotës Tregtare apo me valixhe diplomatike. Njëri nga “specialistët” e “Camorra”-s me vendbanim të përkohshëm në rrugën “Rue Grand Puits 23”, Herstal – Liege, Belgjikë, siguronte një cilësi prodhimi thuajse të njëjtë me automatikët e prodhuar në uzinat belge, madje edhe me makineritë Çeke, Kineze dhe Suedeze (“Bofors”) të disponueshme nga pala shqiptare.

Ndërlidhja

Ecuria e këtyre bisedimeve iu raportua shefave të Sigurimit të Shtetit nga selia e firmës “Sokomar” në Zvicër nga një sigurims me nofkën “Bibi” dhe u mor në teleksin e firmës “Albtrans” që mbulonte operacionet e kontrabandës ndërkombëtare të organizuara nga shteti i diktaturës. Për komunikimin u përdorën aparatura ndërlidhjeje të tipit “telex” mjaft të përparuara për kohën. Këto aparatura ishin të markës “Sagem”. Importimi i këtyre mjeteve të komunikimit u bë me valutë dhe importuesi legal i tyre ishte Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhës Shqiptare.

sigurimi_kamorra3Bisedimet

Afera e automatikëve dhe e raketave antitank u diskutua në rrethet më të larta të Sigurimit të Shtetit dhe të Ministrisë së Mbrojtjes në mënyrë shumë konspirative, duke u informuar Ramiz Alia, Prokop Murra dhe Hekuran Isai. Vetë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi, me shkrim dore, në Mars të vitit 1984, jep porosi dhe me çfarë çmimi të importohen automatikët dhe raketat. Udhëzimet u transmetuan me teleks në Itali dhe punonjësit e ngarkuar me këtë detyrë përfunduan transaksionin.

Nuk janë gjetur prova që të jetë informuar Enver Hoxha, i cili ishte në gjendje të rëndë shëndetësore në momentin kur realizoheshin këto shitje që dokumentohen prej korrespondencës që është botuar.

Marrëveshja

Bisedimet paraprake ishin plotësisht të frytshme dhe çështja e importimit të automatikëve kalibër 9 mm dhe raketave antitank me rreze 900 jard (800 metra) me fuqi blindshpuese 300 mm u quajt e zgjidhur në të gjitha aspektet, si çmimi, mënyra e pagimit, kostoja e transportit, sasia në copë, ambalazhimi, fshehtësia etj. Përfaqësuesit e “Camorra”-s, pas inspektimeve në uzinat sekrete ushtarake shqiptare në Çekin, Poliçan dhe Uzinën e Autotraktorëve (Uzina e Artilerisë), i ofruan Sigurimit të Shtetit katër specialistë të tyre, mjaft të kualifikuar, për prodhimin në Shqipëri të këtyre automatikëve. Sasia e prodhuar parashikohej deri në 200 mijë copë në 3-4 vjet. Në këtë kohë, në arsenalin e Forcave të Armatosura Shqiptare kishte vetëm rreth 250 mijë AK-47 (Kallashnikovë) të prodhimit rus, kinez dhe shqiptar. Sasia prej 200 mijë copë destinohej si për nevojat e ushtrisë shqiptare, edhe për eksport.

sigurimi_kamorra2Trafiku

Kontigjentet e para të automatikëve dhe disa mostra raketash të gatshme për përdorim, përfshirë shënjestrat optike, mbërritën në Shqipëri nga fabrika prodhuese në Belgjikë. Në fakt, më shumë se për t’i shërbyer mbrojtjes së atdheut socialist, ato i shërbyen pasurimit të arsenaleve të “Camorra”-s italiane, duke u rishitur në vendin fqinjë  nëpërmjet kanaleve të kontrabandës me skafet blu. Një sasi armësh të tilla, pak pas incidentit me familjen Popa, mbërriti në Napoli. Ato u strehuan në një stabiliment pranë Varrezave (Kamposanto) të Poggio Reales, në rrugën “Santa Maria del Pianto”. Më vonë u transferuan në depon e një ofiçine metal-mekanike në zonën e Afragolas.

Valuta

Ja vlen të ndriçohet fakti se fitimet nga shitja e këtyre armëve u përdorën për nomenklaturën e lartë komuniste dhe për forcimin e diktaturës së proletariatit. Kështu një pjesë e valutës së fortë u përdor për të shndërruar në makinë të blinduar “Mercedes”-ët e Ramiz Alisë dhe Adil Çarçanit si dhe për të blerë një automjet “Range Rover”. Firma që bëri blindimin e mjeteve ishte gjermano-perëndimore, ndërsa pagesat u bënë nëpërmjet një banke zvicerane. Po me këtë sasi valute u blenë në Suedi edhe matës radiacioni të quajtur “dozimetra” ose “Gayger counter”. Në një vend tjetër perëndimor, me ndërmjetësinë e firmave të kontrolluara nga “Camorra”, u blenë pranga spanjolle, night-sticks (shkopinj gome më modernë), shock granades (granata që të trullosin, por nuk të vrasin) si dhe agjentë agresivë kimikë të tipit “incapacitating” (që të heqin aftësinë për të vepruar). Të gjitha këto mjete iu dhanë në përdorim policisë dhe ushtrisë shqiptare dhe janë karakteristike për përdorimin ndaj turmave demonstruese.

Tregjet e tjera

Disa nga këto raketa mbërritën në duart e terroristëve palestinezë të grupit të Xhorxh Abashit si dhe të një fraksioni libanez të lidhur me udhëheqësin lokal Valid Xhumblad. Ndërsa automatikë të kopjuar në Çekin të Gramshit, kalibër 9 mm të klasit mitraglietta, iu kapën terroristëve veri-irlandezë nga trupat e regjimentit për mbrojtjen e Ulsterit në fund të viteve ’80, në periferinë lindore të qytetit të Londonderrit. NCIS Britanik (Shërbimi Kombëtar i Hetimit Kriminal) i ndoqi gjurmët e këtyre automatikëve deri te një kamion shqiptar i tonazhit të rëndë, që kishte shkuar në Angli (kur dy vendet nuk kishin ende marrëdhënie diplomatike) për të importuar mallra komforti për një firmë shtetërore shqiptare me seli në rrugën “4 Shkurti” në Tiranë.

Dokumentet

Masat e Sigurimit për mirëpritjen e Camorristëve

Me interes për të pasqyruar atmosferën e kohës është edhe dokumentacioni që ka të bëjë me pritjen, trajtimin dhe mbikëqyrjen e “specialistëve” të “Camorra”-s që erdhën në Shqipëri për prodhimin e këtyre armëve. Në këto dokumente përshkruhen imtësisht masat organizative për akomodimin, ushqimin, transportin, përkthyesit, mbikëqyrjen e deri te pajisja me radio, televizorë me ngjyra, ngrohës radiatorë, cigare dhe pije të markave të huaja si edhe të komforteve speciale në Gramsh, Durrës, Rinas, Tiranë, Martanesh-Bizë, Poliçan, etj. Sigurimi udhëzonte si të priten dhe si të trajtohen  specialistët e “Camorra”-s, duke parashikuar deri edhe detajet më intime të jetës së katër të huajve si dhe kontigjentin e femrave shqiptare që do të “lejohej” të shoqërohej me ta.

Karakteristikat tekniko-luftarake

Këto armë ishin të efektshme jo vetëm kundër autoveturave apo furgonëve të blinduar për transport vlerash të mëdha monetare, por edhe kundër çdo tanku dhe autoblinde të viteve ’70. Përmendim këtu “Leopard 1” gjerman, “T-72” i prodhimit sovjetik, “PSZH-3” polak, “Piraha-2” zviceran apo “M177” të prodhimit amerikan, që në atë kohë ishin nga më modernët. Të tilla raketa shponin deri në 300 milimetra blind, pra edhe brezi i ri i tankeve moderne të fundit të viteve ’80 si “Abrahams”-i amerikan, “Merkava” izraelite, “Le Clerc”-u francez apo “T-80”-a sovjetik ishin të cënueshëm në pikat e tyre të dobëta. Këto raketa antitank asgjësonin çdo mbrojtje me material kevlar, edhe të kombinuar me llamarina me lidhje titaniumi që përmbanin automjete në dispozicion të policëve, gjyqtarëve apo politikanëve italianë.

Dëshmitarët

Kush dinte për sekretin e madh?

Ky sekret ishte nga më të ruajturit me xhelozi nga Sigurimi i Shtetit. Një nga drejtorët e drejtorive të kësaj arme u helmua nga kolegët e tij në pranverën e vitit 1991, ndër të tjera edhe për të ruajtur këtë sekret. Funksionarë shumë të lartë të policisë së periudhës komuniste, të cilët pas vitit 1992 u vunë në shërbim të palës italiane, nuk dinin absolutisht asgjë për këtë aferë. Kjo ishte arsyeja që ata përfunduan si monitorues të rëndomtë të keqbërësve të vegjël shqiptarë në Trieste. Ndërsa nga ata pak veta që dinin diçka, janë shumë pak gojë ende në gjendje të flasin.

Tre sekretet

Floriri, valuta dhe kontrabanda e diktaturës

Tre nga aspektet më kriminale dhe më sekrete të diktaturës janë: zhdukja e floririt, metaleve, gurëve të çmuar e sendeve me vlerë, të grabitura popullatës, zhdukja e një pjese të valutës së fortë e siguruar nga prodhimet për eksport të ekonomisë shqiptare si dhe bashkëpunimi me qëllim përfitimi simbiotik në katër kontinente me organizatat terroriste të ç ertifikuara ndërkombëtarisht dhe me grupimet e krimit të organizuar, kryesisht italian (“Camorra” napoletane) si dhe me bandat e strukturuara kriminale në portet franceze të Setes dhe Marsejës.

sigurimi_kamorra3Mesazhi

Ja çfarë u ofrohej shqiptarëve

“Miqtë përtej Adriatikut, që mendohet të vijnë aty për prodhime që kemi biseduar, na i sollën prospektet për 200 copët që kërkohen. Nga prospekti rezulton se janë të përdorshme vetëm nga një njeri dhe qëllojnë deri në 700-800 metra largësi me fuqi shpuese deri në 300 mm, duke e mbështetur në sup e marrë nishan. 200 copët i ofrojnë në kondita shumë sekrete dhe pa ditur destinacionin se për cilin janë.
Një copë kushton 3.000 dollarë duke shtuar këtu edhe 150-200 dollarë për copë për transport dhe manovrime deri në destinacion. E kemi pranuar vetëm si ofertë në prospekt pa hyrë më gjatë në bisedime.

Specialistët, kanë marrë një ofertë nga një firmë belge për prodhimin e 200.000 copëve automatikë të vegjël (që specialistët do t’i prodhojnë tek ne) e që kemi prospektet në dorë për 150 dollarë copën, që sipas tyre po t’i prodhojmë tek ne kushtojnë jo më shumë se 25 deri në 30 dollarë copa. Insistojnë që për herë të parë t’i prodhojnë tek ne 200.000 copët (pastaj ne bëjmë si të duam) dhe jo t’i prodhojmë gjetkë duke e lidhur këtë me miqësinë me miqtë tanë këto dhe nëpërmjet tyre edhe me ne dhe njëkohësisht për të na treguar se ç’ka janë të zotët të bëjnë aty te ne. Specialistët na thonë se dhe 200 copët që kërkoni neve i prodhojmë në vende afërsisht edhe me kohën që ne na duhen.
Mendojmë që specialistët të vijnë aty sa ma parë, duke e lidhur këtë edhe me entuziazmin e pasionin që ato kanë për të prodhuar tek ne. Ne, gjatë bisedave që po bëjmë këtu, jemi të bindur se këta janë të zotët të prodhojnë me makineritë që ne kemi e që këta kanë parë, shumë gjëra që neve na duhen për mbrojtje.

Tani ata duan të vijnë katër veta dhe të fillojnë nga puna duke u siguruar rrogën mujore që ata marrin atje për të siguruar familjet e tyre, për më vonë shohim se çfarë do të kërkojnë.
Edhe për këtë kemi mendimin se nuk do të ekzagjerojnë në kërkesat e tyre”.

Telekset

Ja shkresat e Zylyftar Ramizit

Këtu janë paraqitur shënimet me dorë që ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi, ka lënë për t’iu transmetuar personave në Zvicër që po negocionin me “Camorra”-n. Udhëzimet e Ramizit u transmetuan me teleksin e orës 21.00, të datës 17 Mars të vitit 1984, me shumë pak ndryshime, pa cënuar përmbajtjen. Ky mesazh, që u dërgua i shifruar, konsiderohet si miratimi përfundimtar i marrëveshjes ndërmjet Sigurimit dhe “Camorra”-s, pas së cilës filloi bashkëpunimi në blerjen, prodhimin dhe trafikimin e armëve të ndryshme të gueriljes urbane, në favor të grupimeve kriminale, organizatave terroriste dhe krimit të organizuar në mbarë botën.

  1. Porositni për të blerë 200 copë kundërtanke. Jemi dakord që të sillen në kondita shumë sekrete dhe pa destinacion dhe pa na komprometuar ne. Bëni diskutim për çmimin që ta ulni sa të jetë e mundur. Raketat kundërtanke që po porositim duhet të na vijnë të gatshme dhe sa më shpejt.
  2. Porositni gjithashtu 200 automatikë të vegjël që thoni se janë 150 dollarë copa, por që ju duhet të luftoni për ta ulur çmimin. Automatikët gjithashtu duhet të vijnë të gatshëm, sekret, pa destinacion dhe pa na komprometuar ne.
  3.  Projektet dhe 4 specialistët të vijnë në Shqipëri për të filluar punën. Për kushtet, mundësitë dhe aftësitë e tyre do të bisedojmë më konkretisht kur të vijnë këtu.
  4. Pagesat për porositë që thamë do t’i bëjmë në kohën e duhur dhe nëpërmjet firmës që po na lidh me këta (Sokomar).

Ky allishverish behej per llogari te Kryeministrit Mehmet Shehut i cili vepronte sipas porosive te Enver Hoxhës dhe siguronte të ardhura në rast se do të paraqitej nevoja e një lufte Partizane, por që u ndërpre pas vetëvrasjes së tij.

Si dhe pse, akoma nuk jam në gjendje ti kuptoj. Ekziston një mendim sipas të cilit një pjesë të të ardhurave të kesaj tregëtije Mehmet Shehu ja fuste xhepit të vet. Kështu që vetvrasjen e tij e ndoqën rregullisht edhe kopshtarët, të cilët, sipas fjalëve që fliteshin, kishin qënë ish-oficerë të komprometuar të Sigurimit.

Ndoshta përveç vdekjeve të tyre do ta kenë ndjekur edhe vdekje të tjera të cilat ne nuk i dimë dhe që nuk u moren vesh asnjëherë. Kështu që m’u be e qartë biseda midis dy kopshtarëve në shtratin e vdekjes së Idrizit. Kopshtari i Ambsadës së Kubës, Ramadani, sigurisht që kishte shpëtuar sepse të ardhurat nga kjo tregëti i kalonin familjes së një funskionari akoma më të rëndësishëm se Mehmet Shehut, asaj të Presidentit Haxhi Lleshit tek i cili Ramadani shkonte e punonte çdo pasdite po si kopshtar, kur dilte nga puna. Ramadani thoshte se gjatë luftës kishte qënë partizan në brigadën e Haxhi Lleshit. Mesa duket propozimi për këtë lloj tregëtije nuk kishte qenë pranuar nga Haxhi Lleshi, por këtë tregëti e kishte pranuar ta bënte vetëm një nga djemtë e tij, djali i dytë Bardhi, djalë i shkathët dhe i shëndetshëm por që pati fatkeqësinë të vdesë pikërisht në atë periudhë nga “sëmundje të ndryshme” që ju shfaqën. Kështu del e qartë paraja e madhe dhe shtëpia botuese e të birit të Idrizit.

Një darkë, nga tavolinat e Kafe “Europa” me kap veshi rastësisht një diskutim mendimesh pikërisht te lidhura me këtë aktivitet. Dikush insistonte se vetëvrasja e Mehmet Shehut nuk ishte vetëvrasje politike, apo per gjoja probleme spiunazhi etj., siç u mundua ta paraqesi Enver Hoxha në diskutimet e pafund të tij për këtë problem.

Klienti në kafe “Europa”  insistonte se ishte rezultat i sasisë së madhe të dollarëve apo të valutave të tërhequra prej Mehmet Shehut nëpërmjet trafikut të armëve me Mafian italiane dhe se një pjesë e mirë e këtyre valutave kishin shkuar jo për llogari të Byrosë, por për llogarinë personale të vetë Mehmet Shehut dhe personave të familjes së tij, jashtë rregullave të përcaktuara.

Ka mundësi që kryetari i partisë Enveri, la të kuptohet se me siguri nuk kishte qenë në dijeni të këtyre veprimeve të dyshimta. Nga ana tjeter ai u tregua i habitur (apo bëri sikur kishte mbetur i habitur) kur e njoftuan për vetëvrasjen e Mehmetit dhe se nga fjalët e tij, duke ju referuar vetëm diskutimeve të Pleniumit nuk e kuptonte sepse në atë Plenum nuk  kishte ndodhur asgjë që mund të kishte shkaktuar këtë vetëvrasje. Nëse i biri i Mehmetit ishte fejuar me një vajzë jo në rregull me vijën e partisë, Mehmeti e kishte shumë kollaj ta prishte fejesën dhe me një autokritike ta mbyllte këtë çështje. Por klienti i kafe “Europës” insistonte se në këtë çështje ishte implikuar dhe i biri i Mehmetit, që si u tha me vonë e vrau sigurimi. Ndërsa klienti insitonte se dhe ai u vetëvra sepse ishte i implikuar pa asnjë rrugëdalje në këtë trafik dhe nuk gjente asnjë rrugëzgjidhje tjetër. Kështu që vetëvrasja e Mehmetit dhe e të birit solli si rezultat dhe vrasjen apo vetëvrasjen e kopshtarëve dhe personave të tjere të implikuar në këtë aktvitet.

Mbas vdekjes së Idrizit, si kopshtar në Ambasadën Italiane u caktua një ish-toger i Ministrisë së Brendshme që kishte qenë deri atëhere Komandant i një poste kufiri me Jugosllavinë dhe që nga zanati i kopshtarit nuk merrte vesh fare. Thoshte se ishte kushëri apo kunat me dikë që punonte në Zyrën e Kuadrit të Ministrisë së Brendshme. E lidh këtë me shënimet e të ngarkuarit me zbulimin e çështjeve të shtrembëra të Sigurimit, i cili kishte nxjerrë në dukje se në organet e ngarkuara me futjen e familjes Popa në Ambasadën Italiane ishte dhe një komandant poste kufiri që ndihmonte për hyrje dhe dalje pa shqetësim për në Jugosllavi.

Po ky person më thoshte gjithashtu se u kishte thënë italianëve se përkthyesi që kishte çdo Ambasadë ishte përgjegjësi i gjithë punonjësve shqiptare dhe se ata nuk bënin asgjë pa marrë urdhëra dhe udhëzime prej tij dhe pa e pyetur atë (d.m.th. pa më pyetur mua). I fola shumë rëndë se pse ua kishte thënë këtë gënjeshtër. Ai tha se kështu kishte marrë urdhër mbasi në këtë mënyrë ai do të ishte i lirë të vepronte sipas udhëzimeve të marra, ndërkohë që gjithë sytë e italianeve do të ishin përqëndruar tek mua, tek përkthyesi.

Por pastaj ndodhi që në Ambasadë hyri siç pritej familja Popa dhe ai gjente rast “si pa e kuptuar” të bisedonte me këtë familje. Për çfarë dhe si nuk e mësova ndonjëherë. Na thoshte se u kishte vënë përgjues (nuk e di a ishte e vërtetë apo gënjente). Unë e mora shumë zët. Para se të emërohej si kopshtar, kishte dhënë edhe provimin e gjuhës italiane në Fakultetin e Italishtes.

Kur ndodhesha njëherë te ambasadori, e nuk e di sesi ra fjala për të, unë i thashë se ai nje copë kopshtar është, nuk keni pse i besoni kaq shumë. Ambasadori De Andreis më tha “E kam kuptuar që nuk e ke fare qejf, por ai në të vërtetë na ndihmon shumë në këmbimin e dollarëve te kambistat”. Ky njoftim më ra aq i papritur, sa që ndejta dhe e pashë me shumë habi. Ai si duket e kuptoi që unë nuk dija asgjë për këtë çështje dhe nuk e zgjati më bisedën.

Sipas fjalëve të kopshtarit, unë duhet t’i dija që të gjitha. Me kaq u kuptua se fjalët e tij kishin qenë vetëm përralla të kota. Por aty e kuptova se këto thënie mesa duket i kishin shprehur italianëve edhe kopshtarët e mëparshëm të Ambasadës. Ambasada gjeti rastin dhe me t’u larguar për në Itali ata që ishin strehuar aty, e larguan kopshtarin, ose ai u largua sepse detyra e tij tashmë kishte përfunduar.

Mu kujtua se Sekretari i Ambasadës Shimonelli para vitit 1990 u transferua me një detyrë tjetër në Ministrinë e Jashtme Italiane. Por menjëherë mbasi Shqipëria kaloi në demokraci, gjeti një rast dhe u kthye me një grup kontrolli në Ambasadë. Me të ardhur në Tiranë, kërkoi menjëherë të më bënte një vizitë në shtëpine time. E prita me ato që me ndodheshin dhe tashti më kujtohet që ai gjatë atyre tre orëve që ndejtëm duke biseduar, vrojtonte me imtësi ambientin e apartamentit dhe ndoshta llogariste nëse dollaret e dorëzuara Idrizit mund të kishin përfunduar në sistemimin e ambientit familjar me mobilje të kushtushme, etj. Vura re se mbeti mjaft i zhgënjyer nga gjendja e zakonshme e pajisjeve të shtëpisë dhe u bind se unë nuk kisha marrë asgjë nga valutat e tij. Ndoshta do të jetë bindur se unë si “përgjegjësi” i shqiptarëve kisha vetëm çelsat e kashtës.

Megjithate ai kopshtari që kishte zëvendësuar Idrizin, kur e kam takuar në rrugë mbas vitit 1992, më është mburrur se në atë pak kohë që punoi në Ambasadë kishte arritur të grumbullonte diçka sa një milion Lek të vjetra.

Është i kotë diskutimi mbi vrasjen apo vetëvrasjen e Mehmet Shehut. Ai në të vërtetë u eliminua kryesisht për dollarët që kishte grumbulluar, ndoshta pa vënë në dijeni ata që mbanin shënim për këto veprime dhe nga ku kishin përfituar një pjesë e mirë e familjarëve të tyre që vazhdojnë akoma të jenë të krimbur në dollarë.

Në lidhje me valutën e grumbulluar nga familja Shehu, kohët e fundit doli në dritë se Mehmet Shehu, siç e dinë të gjithë kishte patur vetëm tre djem. Por rastësisht nga ngjarjet e kohës rezultoi se ai kishte edhe një vajzë, lindur ilegalisht nga një grua që Mehmeti kishte patur marrëdhënie. Kjo vajzë kishte mbaruar Fakultetin Juridik dhe ishte dërguar si avokate në një gjyq që po zhvillohej në Itali për të nxjerrë në dritë fajtorin e mbytjes së pa justifikuar të një grupi personash. Avokatja Shehu gjatë qëndrimit në Itali depozitoi në një Bankë Italiane një sasi të hollash valute duke e justifikuar fillimisht si depozitë të familjarëve për mbrojtjen e të dëmtuarve.

Por disa pjesëtarë të familjeve të të dëmtuarve, mbasi morën vesh për këtë veprim, e akuzuan avokaten se kishte përvetësuar të hollat e tyre. Atëhere ajo vendosi të tregojë të vërtetën dhe deklaroi se këto të holla në valutë të depozituara në Bankë ishin pasuri personale që i ati i saj ish-Kryeministri Mehmet Shehu ja kishte shpërndarë fëmijëve të vet para se të vriste veten.

Këtu del e qartë deri në një farë mase sasia e të hollave që Mehmet Shehu kishte grumbulluar gjatë jetës së tij jashtë rregullave që kishin caktuar. . . Një farë arsye duhet të ketë patur dhe djali i tij i madh që u detyrua edhe ky të vetëvritet. U tha gjithashtu se rrëfimet e Mehmet Shehut të depozituara në Arkivë do të hapehin vetëm mbasi të kishin kaluar tre dhjetëvjeçarë. Me duket se kjo periudhe tashmë ka skaduar. Përse nuk po hapen?

Robert Cipo

Pin It on Pinterest

Share This