Partizanët kishin kaq ditë që ndodheshin në majë të malit X. Fshatrat përreth kishin marrë vesh se aty ishte përqëndruar një njësi partizane dhe shumë të rinj kishin kërkuar të dilnin vullnetarë. Vullnetarët nuk ishte mirë t’i kthenin mbrapsht. Për të ngrënë e kishin zgjidhur në një farë mënyre. Sejcili nga fshatarët e rinj kishte sjellë diçka me vehte. Pastaj edhe njerëzit e shtëpive të tyre, herë pas here dërgonin ushqime për djemtë e tyre që kishin dalë në mal.
Në mbledhjen e shtabit u studiua me vëmendje situata dhe u vu re se ju mungonin ato që ishin kryesore për një batalion partizanësh, pajisja e tyre me armë. U bënë disa propozime dhe më në fund u vendos që komandanti i batalionit ti drejtonte një letër këshillit popullor të fshatit duke i kërkuar që të bënin ç’ishte e mundur për t’i siguruar sa më shumë armë që të kishin mundësi të gjenin, mbasi kishin ardhur shumë vullnetarë dhe nuk kishin mundësi që ti armatosnin ata dhe ti bënin gati për ndonjë sulm kundra ballistave që ishin grumbulluar në fshatrat fqinjë.
Dhe kështu u bë. Komandanti dhe komisari bënë gati letrën për në fshat.
” V.F.L.P.
Këshillit Popullor të fshatit Dyrshek.
Unë që po ju shkruaj jam Komandanti i Batalionit të II-të të Brigades së 12 dhe po ju kërkojmë të na ndihmoni për sa më poshtë:
Na kanë ardhur nga fshtrat disa vullnetarë dhe nuk kemi mundësi ti pajisim me armë. Ju lutemi që të bëni çmos të na siguroni armët që keni mundësi të gjeni, mbasi numuri i partizanëve të batalionit është rritur dhe kemi skuadra që janë fare pa armë. Jemi në vështiresi për të nisur ndonjë sulm.
Sapo ti siguroni, na i nisni menjëherë në mal. Kini kujdes nga kontrollet dhe postblloqet. Kur t’i sillni, i thoni atyre që do ti dërgojnë që të kenë kujdes nga grupet e ballistave që sillen në këto anë.
Të fala revolucionare. Mbetemi në pritje.
Komandanti
Osman Terpani ”
Kaluan disa ditë dhe armët nuk po vinin. Atëhere komandanti vendosi që me katër partizanë të niseshin e të shkonin vetë në fshat për të parë si ishte situata që po vonoheshin kaq shumë.
Armët që mbanin me vehte ja lanë në ruajtje komisarit, me përjashtim të revolverëve që sejcili i mbante në xhep të pantallonave për çdo situatë, dhe filluan zbritjen për nga fshati.
Vapa ishte e madhe. Ishte mezi i Tetorit por megjithatë vapa ishte e padurueshme. Gurët e malit ishin nxehur kaq shumë sa nuk mund ti prekje me dorë. Mbasi zbritën një copë rrugë e ndjenë se kishin nevojë për diçka që të njomnin fytin. Komandanti u tha që bënin mirë të hiqnin beretat me yllin partizan dhe ti futnin në xhep. Po ta shihnin keq situatën, të silleshin arrogantë duke dhënë pershtypjen se ishin ballista që ishin në kërkim të diçkaje për të ngrënë. Zbrit e zbrit, në një farë vendi takuan një fshatar që tërhiqte nga kapistra një gomar të ngarkuar me dy kosha.
– Ndal, briti komandanti. Ku shkon?
– Në pazar, të shes diçka.
– Pa të shohim çfarë ke për të shitur, foli me arrogancë sipas porosisë Hakiu, një nga partizanët.
– Më lini rehat, memzi i kam mbledhur, më lini rehat të vazhdoj rrugën.
– Ne vdiqëm për një pikë ujë dhe ti kërkon të na e hedhësh, foli përsëri Hakiu me harbutllëk dhe duke thënë këto fjalë, largon me dorë gjethet që mbulonin njërin kosh dhe pa aty fiq të porsa këputur.
Fshatari tërhoqi gomarin nga kapistra dhe u vu midis koshave dhe partizanëve.
– Prit, nga do të ikësh? Nuk ke se ku shkon. Kujdes se do ta marrim shpirtin.
– Më lini rehat. Ju ballistat kështu bëni gjithmonë. Na çveshët ne fshatarëve. Dhe e tërhoqi përsëri gomarin nga kapistra.
– Mos e lini të iki. Ti Haki preja rrugën.
Hakiu nuk e bëri të gjatë, nxorri revolen që kishte në xhep dhe e shtriu përtokë fshatarin.
– Më duket se e tepruam, foli komandanti. Tashti u bë si u bë, futjuni fiqve se vdiqëm për të njomur fytin.
Hoqën gjethet e fierit që mbulonin fiqtë dhe futën duart. Kishin ngrënë pak kokrra kur njëri prej tyre dalloi poshtë shtresës së parë të fiqve diçka që shkëlqente. E mori me kujdes dhe pa se ishte armë. Atëhere panë me kujdes dhe koshin tjetër. Edhe ai ishte plot me armë. Nuk po kuptonin.
– Kontrolloni fshatarin, urdhëroi komandanti.
Në xhep të pantallonave gjetën një shkresë.
– Merre komandant, e kishte në xhep të pantallonave.
– Të shohim njëherë se çfarë shkruan.
” V.F.L.P.
Batalionit të II-të të Brigadës së 12-të.
Shokut Osman Terpani
Shoku komandant. Sipas porosisë tuaj, po ju dërgojmë, pak me vonesë se dhe ne kemi vështirësitë tona, armët që na kërkove. Sapo të sigurojmë të tjera do t’jua nisim menjëherë. Këtë herë nuk gjetëm më shumë. I kemi ballistat nëpër këmbë. Fshatari që po ti sjell është djalë i mirë dhe ka dëshire që të dali partizan. Pranoje në Batalion. Është djalë i vetëm. Kije kujdes.
Të fala revolucionare
Kryetari i Këshillit të fshatit
Besnik Ramazani ”
– E morëm vesh, foli komandanti. Këtë me siguri që duhet ta kenë vrarë ballistat. Kur të kthehemi në batalion duhet ta shpallim “dëshmor”. Armët i muarëm. Tashti erdhi koha të kthehemi në çetë.
Kjo është një ngjarje e vërtetë, treguar në konfidencë nga ish-partizani B.B. U desh të vinte viti 2002 që ti hapej goja. Ishte e para herë që e tregonte.Robert Cipo