Kishin kaluar disa javë nga vdekja e Enver Hoxhës dhe në Ambasadën Italiane filluan të bëhen disa pregatitje që për punonjësit shqiptarë dhe për një pjesë të punonjësve italianë ishin të pakuptushme dhe të pashpjegueshme.
Dhomën që shërbente si ambient zyre për përkthyesin e urdhëruan ta lirojë dhe atë bashkë me tavolinën e shkrimit e vendosën në një hyrje korridori. Të gjitha ambientet e tjera rreth e qark u boshatisën. Edhe atasheu kulturor u detyrua ta boshatisi dhomën e punës dhe të spostohej në ambiente të tjera. Dhomat e boshatisura, duke përfshirë dhe banjën që dispononte një boiler e vaskë banje, u kyçën me urdhër të prerë që asnjë nuk duhet të shkelte në ato dhoma.
Kjo ndodhte nga fillimi i muajit Qershor 1985. Gjithëfarlloj hamendjesh u bënë në lidhje me këto spostime por pa nxjerrë asnjë rezultat. Ambasadori që ishte bërë gati për të shkuar me leje, e ndërpreu udhëtimin dhe çdo ditë në ora 12.00 dilte dhe qëndronte te hyrja e rezidencës, gjithnjë i shoqëruar me ndonjë nga punonjësit italianë dhe pasi priste aty rreth gjysëm ore hynte përsëri në zyrë.
Kjo gjendje ishte kthyer në një ritual të zakonshëm. Asnjë nuk po e kuptonte se ç’deshte ambasadori që qëndronte gjysëm ore në mesditën e çdo dite te hyrja e rezidencës. Por mbasi kaloi pothuaj më shumë se një muaj, ambasadori vendosi të mari lejen dhe shkoi për pushime në Itali. Dhomat e boshatisura vazhdonin të rrinin të kyçura.
Ndërkohë Atasheu Tregtar, person me tendenca të hapura fashiste, e kishte bërë zakon që ta pregatiste vetë kafen ekspres në zyrën e tij dhe ta thërriste përkthyesin shqiptar për ta pirë nga një filxhan bashkë, e duke bërë muhabet i tregonte se si gjatë luftës shkonte nëpër fshatra rreth e qark Romës, aty ku ishin vendosur partizanët italianë, me qëllim për të siguruar nga fshatarët ndonjë ushqim apo ndonjë kofshë derri, vezë, etj. të cilat i sillte në familje. Por gjatë kthimit në qytet i nxirrte dorën dhe hypte gjithmonë në kamionat e ushtrisë gjermane të cilët tregoheshin shumë dashamirës me të. Tregonte gjithashtu se vite me vonë kishte pësuar një aksident automobilistik nga i cili kishte patur të dëmtuar kaq shumë fytyrën sa i ishte dashur të bëjë një operacion plastik. Kështu që fytyra që kishte ai sot nuk ishte fytyra e tij e vërtetë dhe ata që e kishin njohur në periudha të kaluara po ta takonin tani nuk mund ta njihnin.
E çuditshme ishte se megjithëse ishte atashe tregetar, nuk zhvillonte asnjë lloj aktiviteti tregtar si dhe nuk kryente asnjë takim me organet tregtare shtetërore shqiptare, mbasi nëse do të kryheshin ishte i detyruar, meqë nuk dinte shqip, të kërkonte mbështetjen e përkthyesit, gjë që nuk ndodhi asnjëherë.
Ambasadori u kthye nga pushimet, i nxirë nga banjot e diellit, por nuk harronte të vazhdonte ritualin e tij të daljes në mesditë te porta e rezidencës sikur ishte duke pritur njeri dhe pasi qëndronte aty nja gjysëm ore, hynte përsëri në rezidence dhe prej andej në zyrë. Gjithandej ishte një gjendje pritjeje. Dhomat vazhdonin të qëndronin të boshatisura dhe të mbyllura. Atasheu tregtar çdo mesditë thërriste përkthyesin dhe uleshin e pinin kafen ekspres duke biseduar.
Në një nga ditët e fillimit të Shtatorit, pikërisht në kohën kur po e pinin kafen, dëgjohen të folura njerëzish te hyrja e garazheve të makinave. Atasheu i thotë përkthyesit, shih njëherë kush është që bën gjithë këtë zhurmë? Përkthyesi ngriti pak perden e dritares dhe pa disa gra e burra që po bisedonin italisht me shoferin e me pastruesen shqiptare, dhe duke ju kthyer atasheut ashtu siç ishte me filxhan në dorë i thotë:
– Janë disa burra e gra që po bisedojnë me shoferin dhe shërbyesen.
Atasheu kërceu më këmbë dhe briti:
– Sono arrivati! (erdhën).
– Ma chi sono arrivati ? (Po kush kanë ardhur?) pyeti përkthyesi.
– Tu non sai nulla (ti nuk di asgjë), ja ktheu atasheu e u sul me shpejtësi jashtë zyre drejt e te porta e rezidencës, aty ku ambasadori tashmë i kishte takuar të porsa ardhurit.
Përkthyesi ndërkohë, mbasi la filxhanin e kafes mbi tavolinë, me ngadalë doli dhe ai dhe pa se si të porsardhurit po bisedonin me ambasadorin. Aty ndodheshin gjithashtu edhe atsheu tregtar dhe radisti.
Atehere ndodhi çudia e shumëpritur. Me një “Susam Hapu”, u hapën dhomat që kishin disa muaj që rrinin mbyllur dhe ata të pestë menjëherë u strehuan në ambientet që ishin caktuar me kohë për ta. Edhe shoferi me pastruesen, të pyetur me vonë, thanë se ata flisnin italisht por një italishte që kuptohej se ata nuk ishin italianë, dhe vazhdimisht insistonin të takoheshin me Ambasadorin.
Mbas një ore ambasadori thirret në Ministrinë e Jashtme. Përkthyesi më vonë gjeti rastin dhe e pyeti atë se çfarë ishin këta të pestë që ishin strehuar në ambasadë. Ambasadori i tha se ishin të gjithë nga e njëjta familje (motra a vellezër), që kishin patur nënën me nënshtetësi italiane dhe kishin qenë të internuar në një fshat të Durrësit mbasi kishin një vëlla jashtëzakonisht të pasur që ndodhej i arratisur në Kanada. Kërkonin strehim politik në Ambasadë.
Zv. Ministri i Jashtëm që e kishte thirrur në takim i kishte kërkuar Ambasadorit që ti dorëzonte, se i jepte fjalën që nuk do të pësonin gjë, ndërsa vetë ambasadori ishte në hall se si të vepronte dhe ishte duke pritur përgjigjen nga organet italiane të Romës të cilat i kishte vënë në dijeni për ngjarjen. E prit sot e prit nesër, kjo gjendje tërhiq e mos këput vazhdoi për pesë vjet.
Po prej kësaj date ndodhi diçka e çuditshme. Ambasadori, në takimet e përditshme me përkthyesin për leximin e shtypit të ditës, filloi ta provokojë edhe për çështjet e tij familjare, për kushërinj e farefis, duke e vënë përkthyesin në dyshim se kush e furnizonte me këto të dhëna. Mendo e mendo por nuk po gjendej asnjë zgjidhje. Por disa muaj më vone, kur përkthyesi shkoi te e motra për vizitë në Durrës, ajo i tha në muhabet e sipër se ju në Ambasadë keni të bijtë e familjes Popa dhe sigurisht që ty të kujtohet Irena që vinte në shkollë me nallane e hajshim bashkë mana te oborri ynë. Në të vërtetë nuk më kujtohej asnjë Irenë dhe asnjë nga shoqet e motrës, 10 vjeç më të vogla, por aty e kuptova se nga kush i merrte informatat Ambasadori në lidhje me mua e me familjen time. Nga gjithë banorët që kishte Shqipëria, që kishte Tirana, duhej të ishin pikërisht komshijtë e tij të Tiranës së Re që të gjenin rrugën e Ambasadës.
Po kush ishte kjo familje që kishte kërkuar strehim në Ambasadën Italiane? Fillimisht ata kishin banuar në Tiranën e Re, në apartamentet e Moscatit. I ati, burrë i urtë dhe i shtruar, kishte studiuar mesa flitej në Napoli të Italisë dhe tërë jetën kishte punuar farmacist. Të shoqen thonë se e kishte napolitane por shumë të prapë dhe shpesh ngatërroheshe me gratë e lagjes në rradhat e ushqimeve apo zarzavateve. Fëmijët thonë i kishin ngjare të jëmës. Thonë gjithashtu se e shoqja dhe fëmijët e kishin marrë gjithmonë nëpër këmbë farmacistin e urtë. Nga të gjithë këta fëmijë, më tepër në lagje mbahej mend ajo më e vogla, Irena, pak e çoroditur nga trutë, e cila që në klasën e parë fillore shkonte në shkollë me nallane, duke i përplasur ato fort në tokë si dhe duke u ngatërruar me shoqet e klasës.
Po pikërisht në këtë klasë të parë fillore ndodhej dhe e motra e përkthyesit e cila kishte zënë shoqëri me këtë Irenën dhe shpesh e sillte në shtepi të saj ku në oborr ndodhej një man i math dhe Irena nuk përtonte të hypte e ta shkundte manin duke e gjuajtur me nallanet e saja. Dhe kjo shoqëri vazhdoi për sa kohë ishin bashkë në një klasë. Edhe kur e motra e përkthyesit u martua në Durrës, i binte rasti dhe e takonte herë pas here Irenën në pazarin e Durresit dhe bisedonin e pyesnin për familjet e tyre përkatëse.
Ato, me arratisjen e vëllait të tyre në Kanada, u internuan në një fshat të Durrësit duke u detyruar të punonin në kooperativën e fshatit, por duke patur të drejtë të lëviznin lirisht deri në Durrës. Me kalimin e viteve u konsideruan si banorë të fshatit dhe asnjeri nuk e kishte mendjen për t’i vrojtuar apo kontrolluar.
Veçanërisht Irena ishte bërë person i zakonshëm në pazarin e Durrësit ku merrej me shitje çikërrimash apo plaçkash të vjetra, duke u takuar e zënë miqësi me gjithfarlloj personash e shitësesh. Atje në fshat konsideroheshin si banorë të zakonshëm. Aty u ishte dhënë dhe një apartament në katin e parë të një ndërtese për të banuar dhe jeta ndiqte rrugën e saj të zakoshme.
Ndërkaq vëllai i tyre në Kanada, në të vërtetë nuk ishte aq pasanik i madh siç ia kishin paraqitur Ambasadorit. Ai punonte te një dentist kanadez si istrumentist apo siç i themi ne këtu si ndihmës mjek privat me një rrogë të zakonshme sa për të mbajtur veten. Si u muar vesh më vonë, vëllai i math në Kanada nuk u ngatërrua fare në këtë çështje, megjithatë duan të thonë se ai ishte i dërguar nga Sigurimi i Shtetit Shqiptar për të kryer aktivitet spiunazhi në Kanada (kurrë nuk u sqarua kjo çështje).
Shërbimet sekrete të huaja këtë rast po e kërkojshin me padurim. Enver Hoxha sapo kishte vdekur, dhe flitej se pasardhësit e tij do të bënin ndryshime. Ishte një rast i mirë për të provuar se si do të veponte qeveria shqiptare në një rast kur një grup njerëzish të futeshin e të kërkonin strehim në Ambasadë. Në vendet e Evropës Lindore kishin filluar të turbulloheshin ujrat dhe priteshin me ditë ndryshime. Për këtë veprim u lajmërua me radio Ambasadori, i cili nga ana e tij vuri në dijeni, përveç radistit që kishte dijeni mbi çështjen mbasi nga duart e tij kishte kaluar mesazhi dhe ishte njeriu i Shërbimit Sekret Italian, njëkohesisht dhe atasheun më të besuar, siç ishte atasheu tregtar.
Dhe menjëherë u morën masat. U mendua se ku do ti strehojshin. U zgjodhën dhomat, ku njëra prej tyre kishte shërbyer më parë si guzhinë, si dhe banja, mjaft e përshtatshme. Pregatitjet filluan menjëherë sepse nuk dihej data e saktë se kur do të vinin “mysafirët”. Vetëm një gjë ishte saktësuar. Ishin njoftuar se hyrja do të ndodhte rreth orës dymbëdhjetë, dhe se të porsardhurit do të kërkonin të bisedonin personalisht me ambasadorin.
Po vëllezërit Popa a kishin dijeni për këto veprime që ishin duke u bërë për ta?
Çështja po vonohej. Duheshin përgatitur vëllezërit Popa se si duhet të vepronin, kështu që gjithë operacioni u mendua të kryhej nga vjeshta e vonshme. Dhe keshtu u la. Atëhere u lajmërua dhe ambasadori se mund të shkonte me leje sepse veprimi do të kryhej në vjeshtë.
Si duket disa nga shefat e sigurimit shqiptar kishin bërë gjithnjë lojë të dyfishtë, mbasi panë se ju erdhi rasti të vepronin sipas udhëzimeve të ustait tjetër. Të vënë në dijeni për zhvillimet e mundëshme, u morën edhe këtu masat e duhura. Hiqet e transferohet operativi i fshatit duke u emëruar aty një operativ tjetër.
Njëkohesisht njëra nga gratë takohej me dikë në Durrës i cili i jepte instruksione se ku do të shkonin dhe si duhet të vepronin. Një shitëse që shërbente në një dyqan dëgjoi rastësisht një bisedë që dikush, burrë apo grua nuk i kujtohej mirë, po e instruktonte njërën prej grave Popa duke i thënë se: “kur të shkoni kini kujdes të thoni se kërkoni…” por pastaj meqë kjo bisedë po bëhej me zë shumë të ulët dhe pa asnjë farë rëndësie, nuk ja vuri më veshin. Megjithëse më vonë u mundua shumë për ta kujtuar këtë detaj, ishte e pamundur që ta kujtonte. Njëkohësisht u krye vizita e një vëllai te doktori i fshatit, të cilit ju kërkua që t’i lëshonte një rekomandim për një kontroll më të imët në spitalin e Tiranës, kërkesë të cilin mjeku nuk ja refuzoi dhe pregatiti recetën me rekomandimin për shtrim në Spitalin e Tiranës.
Dhe një ditë të caktuar, mbasi u veshën mire, me ato rrobat më të mira që kishin mundur të siguronin për t’u dukur si turistë italianë në shëtitje nëpër Shqipëri, u nisën me trenin Durrës-Tiranë. Mbërritën nga ora dhjetë e gjysëm në Tiranë, por mbasi ishin akoma herët u nisën me nge, më këmbë, nga stacioni i trenit deri te Ambasada Italiane. Dikush që i njihte i pa sesi të pestë së bashku po shkonin nga rruga e Elbasanit gjithë humor dhe bisedonin gjithë qejf gjatë rrugës. Diku ndaluan e blenë nga një byrek dhe e hëngrën duke ecur e duke bërë shaka me njëri-tjetrin.
Kur u afruan te Ambasada, sipas instruksionit, nuk zgjodhën portën kryesore por portën anësore përballë shkollës së gjuhëve tëhuaja. Kjo portë anësore qëndronte gjithnjë e hapur. Ajo shërbente për të kaluar automjetet e funksionarëve italianë kur hynin e dilnin nga ambasada. Polici që ruante këtë hyrje ishte mbështetur si çdo ditë në shtyllën e portës dhe për pak sa nuk po e zinte gjumi. Këta të pestë, duke folur italisht njëri me tjetrin, i drejtohen policit dhe i flasin italisht duke i kërkuar të hynë në ambasadë e të takohen me ambasadorin. Ndërkaq pa u ndaluar, duke folur e duke ecur, futen brenda. Atëhere polici erdhi në vete dhe tentoi t’i pengojë duke i thënë se hyrja është në portën kryesore, por pastaj duke menduar se këta italianë janë, mbas një tentative të parë për t’i penguar, nuk i kundërshtoi dhe i la të hynë.
Ata sapo hynë në bahçen e prapme të ambasadës panë aty garazhin e makinave dhe atje shoferin që po i bënte shërbimet automjetit si dhe pastruesen me fshesë në dorë dhe duke u folur atyre italisht i kërkojnë të takohen me ambasadorin. Por ky bisedim nuk u zgjat shumë mbasi shoferi shqiptar i tregoi se pak metra më tutje qëndronte më këmbë ambasadori dhe takimi u bë pikërisht aty ku ishte parashikuar, te hyrja e rezidencës.
Me të ardhur lajmi në fshat se të internuarit e fshatit të tyre ishin futur në Ambasadë, operativi i ri që sapo kishte marrë detyrën shkoi menjëherë e bëri kontroll në ish-apartamentin e vëllezërve Popa. Aty brenda për çudi vuri re se sipër krevateve kishin mbetur vetëm dysheqet dhe sipër tyre qëndronte i vetëm duke fjetur qeni i shtëpisë, ndërsa gjithë plaçkat e tjera, Irena i kishte shitur pjesë-pjesë çdo ditë në pazarin e Durrësit, dhe si për çudi asnjërit nuk i kishte rënë në sy, meqë ishin mësuar ta shihnin të kryente përditë këtë punë.
Por edhe polici te hyrja e Ambasadës në fillim nuk e pati dhe aq lehtë. E pushuan menjëherë nga puna, por mbas tre ditësh e graduan nga polic në përgjegjës të një grupi të kontrollit rrugor.
Gjatë gjithë kësaj periudhe të gjatë pesëvjeçare të qëndrimit në Ambasadë, u luajt një lojë qesharake, ku policia kontrollonte punonjësit italianë sa herë që dilnin nga Ambasada se mos kishin të fshehur ndonjë prej vëllezërve Popa me qëllim për ta nxjerrë jashtë ambasade, duke perfshirë këtu edhe vetë ambasadorin me autoveturën e tij, duke shkelur në këtë mënyrë haptazi të drejtat e paprekshmërisë diplomatike.
Nga ana tjetër, edhe njerëzit e sigurimit tregoheshin të interesuar dhe pyesnin punonjësit shiptarë sa herë që dilnin për të shkuar në shtëpi nëse i kishin parë ata të pestë, nëse ndodhedhin aty të gjithë? Dukej sikur vetë Sigurimi ishte i interesuar që familja Popa të qëndronte brenda në ambasadë dhe asnjë të mos dilte jashtë. Cila ishte arsyeja e një qëndrimi të tillë?
Një ditë përkthyesi degjoi se dikush nga rruga, mbështetur te kangjellat e ambasadës, po bisedonte me zë të lartë me dikë që ndodhej brenda. I habitur mbi këtë ngjarje, meqë asnjë shqiptar apo i huaj nuk lejohej të qëndronte por as dhe të ecte në trotuarin e ambasadës dhe aq më tepër as të fliste me dikë në drejtim të ambasadës, del nga zyra dhe sheh se dy nga punonjësit e sigurimit që qëndronin gjithnjë jashtë hekurave po bisedonin me dy nga motrat Popa, të cilat që nga dhoma ku ndodheshin ja kthenin bisedën duke u bërë shenja me duar. Me daljen e përkthyesit në oborr, të dy palët bashkëbiseduese e ndërprenë bisedën dhe u tërhoqën.
Pas një farë kohe, si duket edhe pala italiane u mërzit nga kjo lojë që s’kishte të sosur dhe një pasdite, kur në ambasadë nuk ndodhej asnjë nga personeli, dhe si roje të brendshme ndodhej vetëm zoti Conforti, arbëresh e me tendenca shqiptarofile, e njoftoi shoferin duke i thënë shko i thuaj punonjësve të sigurimit që janë duke ruajtur jashtë se në ambasadë tashti nuk ka asnjeri, edhe unë po bëj sikur po iki në shtëpi se kam djalin semurë dhe ata le te hyjnë e le t’i marrin vëllezërit Popa. Dhe ashtu bëri. Hipi në makinë dhe shkoi në shtëpi duke lënë ambasadën vetëm pa asnjë roje dhe u kthye vetëm mbas gjysëm ore. Megjithëse u lajmëruan për këtë çështje, sigurimi i shtetit nuk bëri asnjë veprim dhe mesa duket kishte më shumë leverdi t’i kishte Popat brenda në ambasadë sesa në burgjet e Tiranës. Kështu që edhe kjo tentativë nuk pati rezultat.
Mendimi është se roja italiane e ambasadës nuk e bëri nga vetja këtë propozim dhe braktisje të ambasadës, por do të kenë qënë udhëzimet e organeve eprore që deshin ti japin fund kësaj çështje që po bëhej pengesë për marrdhëniet midis Shqipërise dhe Italisë.
Por tashmë gjendja ndërkombëtare po precipitonte. Të gjithë demokracitë lindore kishin kaluar në anën e perëndimit dhe atëhere kur pothuaj po mbusheshin pesë vjet nga qëndrimi i familjes Popa si dhe mbas bisedimeve që nuk reshtën asnjëherë, vijnë nga Italia dy mjekë psikiatër dhe fillojnë ti trajtojnë ata të pestë me metoda psikiatrike bashkëkohore për ti përgatitur për një largim të shpejtë nga Shqipëria.
Gjendja e tyre ishte katastrofike. Kishin kaluar që të gjithë në gjendjen e çmendurisë. Atëhere nga ambasada ju kërkua përkthyesit të shkonte në Ministrinë e Brendëshme dhe të bisedonte se si do të veprohej me ata për ti larguar. Mesa duket edhe në nivele më të larta duhet të kishte patur një farë zhvillimi.
Mbasi pyeti te sporteli i Ministrisë së Brendëshme se kush mund ta priste, e drejtuan drejt e te zyra e vetë Ministrit i cili i rrethuar nga shumë punonjës, të gjithë më këmbë, i dha të kuptoje se nuk ka asnjë shpresë për dërgimin e tyre në Itali. Me të dalë nga Ministria, përkthyesi shkon në shtëpi dhe prej andej merr në telefon zyrën e Protokollit të Ministrisë së Jashtme dhe i kërkon sqarime për këtë çështje. Ata si përgjigje e lidhin me vetë Ministrin e Jashtëm zotin Malile, i cili duke ju drejtuar me emër i thotë se mund të vijnë për t’i tërhequr pasaportat dhe t’i nisin kur të duan. Përkthyesi i thotë se përgjigja e Ministrit të Brendshëm nuk ishte e tillë. Ministri i Jashtëm zoti Malile insistoi se kjo çështje tashmë ka mbaruar dhe për këtë problem kam folur edhe me shokun Ramiz Alia i cili është dakord.
Këtu u kuptua se ishin dy rryma të kundërta. Një rrymë intransigjente që nuk deshte në asnjë mënyrë të kapitullonte karshi perëndimit dhe me sa duket ishte po e njëjta rrymë që për 5 vjet, duke shkelur gjithë normat diplomatike, kishte mbërthyer situatën në këtë gjendje, ndërsa tjetra ishte vija e qëndrimit të butë dhe e marrëveshjes e mirëkuptimit. Fitoi kjo e dyta. Familja Popa mori pasaportat dhe pas dy ditëve u nisën me avion për në Itali. Po tashmë gjendja kishte filluar të turbullohej. Filluan të hyjnë refugjatët e parë nëpër ambasada dhe gjendja mori atë drejtim që të gjithë jemi dëshmitarë.
Dua të theksoj se hamendjet se si mund të jenë zhvilluar kontaktet dhe marrëveshjet midis familjes Popa, Ambasadës Italiane ne Tiranë, dhe Ministrive të Jashtme dhe te Brendshme italiane jane shtjelluar sipas hamendjes së shkronjësit. Ka mundesi të jenë zhvilluar ashtu siç e kemi përshkruar ose ka mundësi të jenë gjetur rrugë të tjera ndoshta më të thjeshta apo më të komplikuara, që vetëm familja Popa po të pyetej do të ishte në gjendje të na i tregonte. Ndoshta këtë mund ta shpjegojë më mirë Ministria e Brendshme e Italisë, meqënëse ish-Ambasadori i Italisë në Shqipëri, zoti Gentile, tashmë nuk mund të na thotë asgjë sepse pasi u largua nga Shqipëria shkoi me detyrë në Irlandë ku vdiq nga sëmundjet e shumta prej të cilave edhe vuante.
Disa vjet me vonë mbas këtyre shënimeve, botohet në gazetën “Panorama” një përshkrim i përgjysmuar sesi ishin zhvilluar ngjarjet me familjen Popa. Në atë artikull është marrë për bazë përshkrimi i bërë nga Z. Nazif Bezhani në librin e tij “Mëkatarët 3”.
Ky skenar, sipas dokumentave të nxjerra nga arkivat sekrete, u pregatit nga UDB (Shërbimi sekret Jugosllav) dhe SISMI (Shërbimi sekret Italian).
Po le të shohim çfarë shkruhet në hyrje të artikullit. Zoti Nazif na shpjegon se si e mësoi Sigurimi i Shtetit planin e zbulimeve të huaja për të organizuar “arratisjen” e familjes Popa. Çfarë raportoi agjenti “1030” që vepronte për llogari të shërbimit të fshehtë shqiptar në gjirin e UDB jugosllave? Kush ishte skenari i pregatitur nga jugosllavët dhe si u bashkërendua puna midis agjentit te tyre shqiptar me pseudonimin “Loro” dhe bashkëpuntorit të tij, shokut “Buran”? Me se u shpërblyen bashkëpuntorët dhe çfarë raportonte agjenti me emrin e koduar “Plepi” për lidhjet e UDB-së dhe shqiptarëve të vënë në dispozicion të tyre? Si e studiuan informatorët vendin e hyrjes së Popajve në Ambasadën Italiane dhe sa njerëz ishin planifikuar të merreshin me organizimin e aksionit? Cilat ishin qëllimet e këtij aksioni dhe përse këta mendonin se kishte rënë ndjeshëm vigjilenca e Sigurimit të Shtetit? Përse futja e familjes Popa ishte paraskenari i dyndjes së shqiptarëve në ambasadat e huaja më 2 Korrik të vitit 1990 dhe cilat ishin shërbimet e huaja sekrete që realizuan planin për pesë vjet?
Këto dhe mjaft fakte të tjera interesante mbi familjen “Popa” jepen në artikullin e kësaj gazete “Sigurimi në Dijeni të Planit Kundër Shqipërisë”.
Në muajin Nëntor të vitit 1985, pra rreth një muaj para futjes të familjes Popa në Ambasadën Italiane në Tiranë, Sigurimi i Shtetit Shqiptar mundi të zbulojë elemente të dyshimta për planin që kurdisej kundra Shqipërisë, nëpërmjet një informacioni të ardhur nga agjenti “1030” që vepronte brenda sigurimit jugosllav. Por të dhënat e tij nuk ishin plotësisht të sakta. Ai thoshte se Alpinoviç kishte bërë një takim me oficerin e drejtimit të Shqipërisë, ku është biseduar për një aksion që po përgatitej të kryhej në Shqiperi, ndoshta (mendonte ai vetë) nëpërmjet zonës së Shkodrës (kjo është pa baza, thjesht nga ideja se Shkodra ishte konsideruar si qendër e reaksionit e pallavra të tjera si këto, ose ndoshta ai edhe nëse vepronte për llogari të Shqipërisë, nuk është çudi që të vepronte edhe në favor të Jugosllavisë, kështu që me dashje dyshimin e përqëndroi në rrethin e Shkodrës sa për të larguar dyshimin nga rrethet e tjera ku mendohej të kryhej aksioni – RC).
Informacioni u vlerësua seriozisht dhe gjithë shërbimi sekret u komandua të qëndronte në gadishmëri të lartë në të gjithë teritorin shqiptar, kurse për zonat e veriut u be shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme. Për çdo dyshim, për çdo shenjë në brezin kufitar, do të njoftohej menjëherë qendra.
Ishin marrë të gjitha masat e përgjimit edhe për njerëzit e dyshuar për lidhje me shërbimet e huaja. U ndaluan edhe disa të dyshuar, por ai që duhej të ndalohej u shpëtoi, megjithëse ishte nën kontrollin e rreptë të tyre (nuk u ndalua ndoshta sepse ishte dhënë urdhëri që të mos ndalohej – RC).
Është fjala për “Loron”, një ish-oficer kufiri e komunist, i cili ishte nxjerrë në lirim “për mungesë vigilence” për shkak se në zonën e tij kufitare kishin kaluar kufirin diversantë pa u kuptuar nga nënreparti i tij, me shërbim në atë zonë. Më vonë ai u sistemua në Tiranë dhe filloi punë me profesionin e babait te tij, si kasap. Por u përballua me një gjyq tjetër, që përfundoi me “përjashtimin” nga partia. Megjithatë “Lorua” vazhdonte i qetë punën e tij, duke pritur e përcjellë shumë miq, disa nga të cilët me detyra të larta shërbimi. Përgjithësisht këto vizita miqësore shpjegoheshin me faktin se ai ishte kasap dhe në atë kohë të kishe një mik kasap ishte me interes.
Por sigurimi Shtetit kishte rënë në disa gjurmë të tjera. “Lorua” kishte blerë një shtëpi të madhe dhe po bënte shpenzime që nuk justifkonin të ardhurat e tij. Këto prova indirekte ishin bërë shkak që të vihej në përgjim gjatë 24 orëve. Ai dyshohej për vjedhje. I kishin dërguar edhe kontrollin financiar, por nuk i kishin gjetur asnjë lloj defiçiti. Më 4 Nëntor 1985 “Lorua” kishte mbyllur papritur dyqanin qysh në orën 10 dhe ishte nisur për një drejtim të paditur me veturën e shokut Buran. Atë dite ai përgjohej nga “Plepi”, i cili kishte dyshuar për këtë takim, por nuk kishte mundësi ti ndiqte, prandaj njoftoi menjëherë organet nga të cilat varej. Fill pas kësaj bëri dhe raportin me shkrim, ku thuhej: “Lorua” nuk ishte veshur me kostumin e punës që vishte zakoisht por me rroba të mira. Ai bëri vetëm një orë punë, lau dyqanin dhe priste shokun Buran duke hedhur vështrimin herë pas here jashtë xhamit të vetrinës. Kur erdhi vetura e shokut Buran, ai mbylli menjëherë qepenin dhe hypi në veturë. U nisën drej rrugës “Kongresi i Përmetit” bashkë me shokun Buran. Mbrëmjen e asaj dite, makina kishte mbërritur në hyrje të Hasit. “Lorua” kishte zbritur pa hyrë në qytet, për shkak se do të shkonte në fshatin e mikut të tij të ngushtë, me të cilin kishin pirë gjak, e sipas zakonit, do ta uronte për djalin që i kishte lindur. Ai u nda përzemërsisht me shokun Buran, duke lënë për tu takuar përsëri të nesërmen, kur do të kthehej në Tiranë.
Agjenti “Loro” Organizon Hyrjen e Popajve në Ambasadën Italiane.
Veprimet e “Lorua” nuk kishin lënë vend për të dyshuar, ndërsa miqesia e tij me shokun Burhan, ishte shpjeguar si “miqësi mëlçish”, meqënëse ky i fundit njihej si njeri i “gotës”. Por më vonë, kur u sqaruan më mirë gjërat, doli se “Lorua” kishte shkuar në shtëpinë e “vëllamit” të tij që jetonte pak kilometra nga qyteti i Hasit, për të takuar “Mustën”. Ky i fundit kishte ardhur ilegalisht nga Kosova në agimin e asaj dite me një mision tepër sekret dhe të rëndësishëm.
Ne fakt arratisja e “Mustës” për në Kosovë ishte bërë me dijeninë e “Loros” dhe për këtë ai ishte shpërblyer me gjysëm milioni lekë. Me këto të holla, ky i fundit kishte blerë shtëpi dhe bënte shpenzime që kishin rënë shumë në sy. Këtë herë “Musta” i kishte prurë “Loros” një pako shumë më të madhe, të cilën pasi ja dorezoi ashtu siç ishte, e mbuluar edhe me shiritat e bankes, i tha: “Këtë herë i dashur “Loro”, nga ti kërkohet të organizosh hyrjen në Ambasadën Italiane në Tiranë të një personaliteti të rëndësishëm, apo të një grupi peronash. Pas kësaj, do të keni edhe “pako të tjera”.
– A ban me hy veda?, ja ktheu ai pa mbaruar akoma fjalën.
– Në asnjë mënyrë. Urdhëri është që të futen ose njerëz të rëndësishëm, ose në grup, por asnjë të mos ketë patur lidhje me rrjetet e shërbimeve të huaja.
– Ta mendojmë u përgjigj “Lorua”. Aq e lehtë nuk është, por…
“Musta” hapi çantën dhe nxorri një pako tjetër me 5.000 USD dhe i tha: “Merri edhe këto, ndoshta do të duhen për të paguar komisionerët.
Por kur u kthye nga Hasi, u provua se shoku Burhan kishte prurë me vete një “rude” të therur në bagazhin e makinës. “Plepi” e kishte parë me sytë e tij kur e kishin shkarkuar dhe menjëherë ia kishte raportuar rezidentit të tij. Por pas tre ditëve, “Plepi” kishte dhënë një informacion tjetër serioz, në të cilin thuhej se “Loro” kishte mbyllur dyqanin në orën 9 dhe kishte shkuar shëtitje në rrugën e Elbasanit, bashkë me shokun e tij te quajtur Toni Merka, ish i dënuar për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Këta pasi kishin kaluar Ambasadën Italiane, në formë shëtitje, ishin kthyer në të majtë, drejt kodrës se Fuat Beut. Pastaj u kthyen përsëri, po nga ajo rrugë. U duk hapur se ishte një shetitje me dyshime serioze, per shkak se kryhej në orarin e punës dhe nuk u krye asnjë veprim ndaj tyre.
Popajt do të Hynin Nga Porta Lindore e Ambasadës Italiane
Shëtitja e “Loros” dhe e “Tonit” i kishte bërë shumë përshtypje “Plepit” i cili këmbënguli që të vlerësohej edhe nga rezidenti i tij. Por “Loro” e kishte mbaruar misionin e tij. Ai kishte studiuar me kujdes vendin më të përshtatshem nga mund të hyhej për në ambasadë, duke piketuar pjesën verilindore, pikerisht portën nga hynte makina e pastrimit. Azilantët do të gjenin kohën e hyrjes apo të daljes së makinës, me qëllim që të hapej porta e hekurt, pas së ciles do të hynin edhe ata, të qetë, ndoshta duke bërë edhe ndonjë bisedë në gjuhën italiane.
Për më tej do te interesohej “Toni”, sigurisht kudrejt shpërblimit përkates. (Këtu zoti Nazif Bezhani është i pasaktë. Porta për të cilën bëhet fjalë qëndronte gjithnjë e hapur, ditë e natë, mbasi nëpër të hynin e dilnin gjithe makinat private të personelit italian të ambasadës – RC).
Këtu mbarojnë shënimet e zotit Nazif Bezhani, mbi familjen Popa. Por nuk na thotë zoti Nazif, si u bë kontakti me familjen Popa. Kush kishte dijeni se në një fshat të Durrësit ndodhej një familje me nënë italiane, si u bë kontakti dhe si ju mbush mendja atyre për të bërë një veprim të tillë?
Ku shkuan ato 100.000 USD që mori “Lorua”? Kujt ja dorëzoi? Dyshohet se ato përfuduan në llogarinë e Sigurimit të Shtetit që kishte organizuar bashkë me atë Jugosllav, këtë “arratisje”. Nuk na thotë nëse ndonjë nga familja Popa ishte bashkëpuntor apo informator i sigurimit të shtetit dhe nëse ai i urdhëroi të hynin në ambasadë.
Hyrja nëpër ambasada u pregatit nga Sigurimi i Shtetit Shqiptar, i cili organizoi hyrjen e mijëra qytetarëve nga e gjithë Shqipëria. Kush i njoftoi e kush i grumbulloi? Si u ra në kontakt me personelin e huaj të ambasadave për t’i pritur? Unë mund të tregoj vetëm një fakt se Oficeri i Sigurimit i ngarkuar për Ambasadën Italiane, u interesua dhe futi atje nje nipin e tij duke e shoqëruar atë deri në portin e Durrësit, duke hipur edhe ai vetë në autobuzin ku ishte edhe nipi i tij.
Pse duhej bërë gjithë kjo lojë për t’i mbajtur me domosdo vellëzërit Popa në Ambasadë duke mos lejuar në asnjë mënyrë daljen e ndonjërit prej tyre jashtë?
Robert Cipo