Xha Llazin e mbaja mend kur në Korçë rreth viteve 1937-38 punonte me një kamion privat që shërbente si taksi mallrash për tregtarët apo fshatarët e rrethit. Atëhere isha fare i vogël, 7-8 vjeç. Sa herë shkoja apo dilja nga shkolla i shikoja ata dy apo tre shofera që me makinat e tyre private rrinin në pritje të klientëve.
Rreth viteve ’60, pak para se xha Llazi të dilte në pension punonte akoma si shofer me autoambulancën e maternitetit të Tiranës. Ishte e vetmja autoambulancë që dispononte Materniteti dhe Llazi ishte gjithmonë i gatshëm që sapo të binte telefoni që lajmëronte për ndonjë rast lindjeje, shkonte me shpejtësi për ta marrë pacienten e ta sillte në spital, duke përfituar dhe ndonjë bakshish të rastit. Ishte jashtëzakonisht i rregullt, e mbante makinën pastër dhe në aftësi të plotë teknike. Pothuaj vahdimisht e gjeje brenda në makinë, ulur te vendi i tij.
Pata rastin të njihem me të dhe në bisedë e sipër i kujtova se e mbaja mend që në Korçë kur kishte një kamion “Diamant” dhe kryente shërbime trasporti sipas kërkesave të klientëve. Kamioni ishte e vetmja pasuri që dispononte. Por kohërat erdhën ndryshe, kamioni u prish dhe nuk kishte më pjesë këmbimi për ta riparuar. Më vonë erdhën dhe vendimet që të shtetëzohen automjetet private, kështu që automjeti duke mos pasur asnje kujdesje pak e nga pak doli jashtë përdorimit
Xha Llazi për të mbajtur familjen vazhdoi të punoje si shofer, zanat mjaft i kërkuar mbas çlirimit ku ishin të pakët ata që dinin të drejtonin një automjet. Të them të drejtën mbiemrin nuk ja mësova kurrë.
Kjo miqesi e lidhur mbi bazën e kujtimeve të rinise së hershme u bë shkak që në një ditë vere, në ambientet e spitalit të Tiranës, ku Llazi bashke me mjeken kishte sjellë një paciente për ti bërë një analizë, filluam një bisedë të shtruar dhe nuk më kujtohet se përdora shprehjen pa kuptim: « mos e drith o Llazi si Prifti i Llëngës ».
– Po ti, më pyeti Llazi – a e ke njojtur priftin e Llëngës?
– I përmenda dy apo tre priftërinj që njiheshin në Korçë, por Prifti i Llëngës nuk më kujtohej.
– S’ka se si të kujtohej, vazhdoi Llazi – ai shërbente në Llëngë, por ne shoferëve privatë të asaj periudhe shpesh na binte rasti ta merrnim përpara në makinë dhe ta sillnim në Korçë apo ta kthenim në fshat. Na njihte mirë. Na pyeste për familjet tona e për fëmijët.
I njihte mirë dhe gjithë fshatarët e Llëngës, ja u njihte problemet dhe preokupohej për to, ja u dinte emrat e të gjithë banorëve. Dinte edhe për lopët që kishte sejcili në shtëpi si dhe për fëmijet e tyre, të cilët i kishte pagëzuar vetë dhe shqetësohej e pyeste për ta. Ishte njeri me shumë kulturë, me ndjenja dhe shumë i sjellshëm.
Rastësisht e pyeta njëherë sa gjuhë dinte dhe më tha se dinte pervëç greqishtes edhe frengjisht, italisht e gjermanisht.
Thonin se Prifti nuk ishte brenda nga Llënga. Në fillim ishte çfaqur i veshur prift në Manastirin e Shën Naumit por më vonë me kërkesën e tij e për të qenë afër Korçës e kishin caktuar për të shërbyer në Llëngë dhe kishte zënë vend në kishën e fshatit. Fliste një shqipe të bukur e të qëruar. Meshën e theshte shqip, pa përdorur asnjë fjalë greqisht e për këtë u kishte hyrë në zemër fshatarëve. Mjekrën e kishte të zezë por jo shumë të rritur. Mbahej pastër dhe me sqimë.
Ne shoferët e kamionave e kishim për nder kur e merrnim me vete për ta shpënë në Korçë apo për ta kthyer në fshat. Ishte gojë ëmbël dhe plot muhabete.
Por erdhën kohë të këqija. Plasi lufta. Në fillim okupacioni italian. Pastaj lufta italo-greke. Në ato kohë pata rastin ta takoja nja dy tri herë priftin. Ishte shumë i mërzitur, por mbasandaj u zhduk. Situata ishte e tillë. Korça ishte e pushtuar nga ushtria greke. Tashti nëpër rrugë në vend të gjuhës italiane dëgjohej e folura greqisht. Kur pyeta rastësisht një fshatar nga Llenga me tha se prifti kishte qenë i shqetesuar për fatin e familjes dhe ishte kthyer përsëri në fshatin e tij për ti qëndruar pranë familjes andej nga kufiri me Jugosllavinë.
Pastaj erdhi viti 1943. Italia kishte kapitulluar. Ushtarët gjermanë kishin mbushur Korçën. Kufiri me Greqinë ishte hapur. Atëhere ne të tre shoferat që kishim nga një kamion privat menduam të ndihmojme familjet e të bëjmë tregti për hesapin tonë me shtetin fqinjë. Mbushëm kamionat me prodhimet e fshatit dhe u nisëm për në Selanik, ku që para lufte kishim zënë të njojtur nja dy tregtarë grekë.
Sapo mbërritëm në Selanik i vendosëm makinat në një nga sheshet e qytetit dhe po bisedonim se si do të vepronim, kur aty erdhën nja dy ushtarë gjermanë bashkë me një oficer SS, na kërkuan dokumentat dhe na thanë se kamionat sekuestroheshin dhe malli kalonte në favor të ushtrisë gjermane. Kur u munduam të skjaroheshim, na kërcënuan dhe patëm frikë se mos na vrisnin. Të dëshperuar filluam të sorollateshim nëpër rrugët e Selanikut duke qarë hallin dhe duke u menduar se si do t’ja bënim. Edhe tregtarët grekë që i kishim pasë njojtur, me gjithë kërkimet tona, nuk qe e mundur ti gjenim.
Duke ecur kështu pa asnjë drejtim, nga një ndërtesë që ruhej me roje gjermane, del nje oficer me shenjat SS; i pastër, i hekurosur, me çizme të llustruara dhe mbasi na pa na u drejtua me emër.
– C’kemi o Llazi, ç’e mirë ju ka sjellë këndej. Po ti o Raqi, po ti o Stefan? Si jeni nga shtepija? Si i keni ata fëmijët? Na pyeti se si na shkonin punët, se si e kalonim në këtë kohë lufte? Zëri ishte shumë i njohur. Na bëhej se e kishim dëgjuar kaq e kaq herë por nuk arrinim ta dallonim se i kujt ishte. Ne i treguam se si e kishim hallin. Na tha se tashti nuk kam kohë se jam shumë i zënë. Merreni këtë pusullë, dhe ejani nesër në mëngjez në këtë ndërtesë dhe do bisedojmë se si mund t’ju ndihmoj.
Rrugës mbetëm duke biseduar me njëri-tjetrin se kush mund të ishte ky gjermani që dinte shqip? Si na njihte? Por nuk arritëm në asnjë përfundim. Atëhere e lamë që ta skjarojmë nesër këtë pikëpyetje. Kështu të nesërmen u gjendëm që në mëngjez te sheshi i vogël para ndërteses së komandaturës, u afruam dhe i zgjatëm rojes pusullën që na e kishte dhënë gjermani. Ai menjëherë thirri një nënoficer i cili na shoqëroi deri në katin e dytë ku në një dhomë të madhe, prapa një skrivanie, qëndronte ulur gjermani ynë. Aty biseda u bë akoma më e ngrohtë por gjithmonë ne ishim shumë të ndrojtur. Kur e pa këtë na u drejtua duke thënë:
– More, më duket se akoma nuk më keni njohur se kush jam.
– Ashtu është, i thashë unë. Nga zëri je shumë i njohur, por nga pamja nuk po na shëmbëllen me asnjë të njohur.
– Por si nuk me njojtët a derëzi. Po jam unë, jam Prifti i Llëngës.
Atëhere ja plasëm gazit. Si nuk e njohëm që në fillim. U ngritëm nga vendi ku ishim ulur dhe i shtrënguam përsëri dorën sipas zakonit tonë.
Biseduam dhe nja gjysëm ore. Ai na pyeste, ishte në merak veçanërisht për fshatarët e Llëngës. Na pyeti një nga një për të gjithë. Na pyeti nëse i kishim takuar në këtë kohë lufte dhe si e kalonin, çfarë halle kishin, si i kishin fëmijët.
Mbasandaj u ul dhe shkroi një letër për Post-komandën gjermane me urdhër që të na ktheheshin kamionat e sekuestruar, duke na i mbushur me mallra nga depoja e ushtrisë dhe na pajisi me leje për të mos patur pengesa gjatë kthimit.
Kur u kthyem në Korçë, nga shitja e atyre mallrave, nxorrëm një fitim të mirë, por na mbeti në mendje Prifti i Llëngës. Si kishte mbërritur deri ne Selanik që nga fshatrat e Korçës. Atëhere pyesnim veten se sa vjet kishte ai që ndodhej në Llëngë dhe a ishte marrë vetëm me punë feje?
Këtu mbaron dhe tregimi i xha Llazit. Disa vite më vonë, rastësisht pata rastin të takoj dhe një ish-partizan, Dr. Jorgji Adhamin, tashti mjek i nderuar infeksionist në Institutin e Higjenës i cili kishte qenë partizan në çetat e rrethit të Korçës dhe e pyeta në se kishte dëgjuar për priftin e Llëngës.
– Me sa me kujtohet, m’u përgjigj, ne na erdhi një informacion mbi Priftin e Llëngës që kur ishim ne mal, dhe se na thanë që ai pas nje farë kohe u përpoq të kthehej përsëri në Llëngë për të vazhduar veprimtarinë e tij, përsëri si prift, por me sa kam dëgjuar atë e arrestuan partizanët dhe e pushkatuan.
Por këto fjalë nuk ishin shumë bindëse mbasi edhe ai vetë i kishte me të dëgjuar.
Kjo histori tashti pas 40 vjetëve pati një vazhdim shumë interesant. Shoku im i gjimnazit Gani Karapici, të cilit ja dhashë për ta lexuar këtë histori, disa ditë më vonë vjen e më thote së Prifti i Llëngës ka jetuar dhe shumë kohë pas çlirimit dhe se i biri i tij me mbiemrin Kokoneshi u bë Sekretar i Parë i Partisë për Rrethin e Pogradecit.
Ka shumë mundësi që mbas largimit të Priftit të Llëngës nga Korça për në Greqi në vitin 1941, Drejtuesit e Kishës Autoqefale Shqiptare me kërkesen e banorëve të fshatit të kenë kërkuar të caktohej një prift tjetër për të shërbyer në fshatin e Llëngës, i cili do të ketë vazhduar të sherbejë në atë fshat edhe shumë e shumë kohë më vonë edhe pas vitit 1944 dhe se i biri i tij doli partizan në Batalionin “Hakmarrja” të udhëhequr nga Gjeneral Petrit Dume.
Robert Cipo