Kujtime nga jeta – Faruk Dragoti

Kjo është një ngjarje e vërtetë, që ka lidhje me Kolonel Asaf Dragotin dhe me të birin e tij Farukun.

Robert CipoNë Komandën e Përgjithshme të Ushtrisë ku kryeja shërbimin e detyrueshëm ushtarak, për një farë kohe punova si daktilografist në sekretarinë e Degës Ekonomike të Shtatmadhorisë dhe gjithë dita më kalonte duke shtypur në makinën e shkrimit, nga mëngjezi deri në mbrëmje shkresa pa pushim që i dërgoheshin gjithë reparteve të Shqipërisë.

Një ditë në mëngjez, ndërsa isha duke daktilografuar, hyn në zyrë një oficer pa grada po që shefja e zyrës e quajti shoku Kolonel, i cili kërkoi që ti shtypej me urgjencë një shkresë. Shefja ma zgjati mua konceptin ndërsa koloneli para se të largohej duke mu drejtuar mua më tha: “E kij kujdes, se po bëre gabime do të ta ve në ngarkim letrën.”  Me frikën e ndonjë trasferimi që mund të më bënte koloneli inatçi, i vura kujdes shkresës dhe ja dorëzova përgjegjëses për t’ja çuar. Ajo kthehet pas 10 minutash me po atë letrën që e kisha daktilografuar por këtë herë me plot korrigjime të bëra nga vetë koloneli. Shefja e sekretarisë më urdhëroi që ta punoja dhe një herë shkresën se koloneli ka bërë disa ndryshime. Atëhere më shkri gjaku. E shtypa dhe një herë shkresën dhe kur ja dhashë për t’ja çuar kolonelit, i thashë përgjegjëses: ” I thuaj Kolonelit se po bëri dhe një herë korregjime do të jem unë që do tja ve në ngarkim letrën.” Ajo ndofta dhe pa qëllim apo nga miqësia që kishte me Kolonelin kur ja çoi shkresën i thotë se daktilografisti me tha të të them se po bëre prapë korrigjime do të ta vejë ai në ngarkim letrën. Dhe pyeta: “Cila ishte  përgjigja e kolonelit? Një e qeshur e madhe me gjithë zemër.”

Ky ishte takimi i pare dhe i fundit me Kolonel Asaf Dragotin. Shpesh e shikoja nëpër zyrat e komandës, te ndërtesa që sot quhet « Rektorati », gjithmonë i vrejtur dhe inatçi, por nuk pata më rast të bisedoj më me të. Mora vesh më vonë se Koloneli ishte Prokuror Ushtarak dhe në atë kohë të gjithë ja kishin frikën.

Kjo ngjarje kishte filluar të fashitej nga kujtesa por ndodhi që rreth 20 vjet më vonë, kur punoja si laborant në Institutin e Higjenës vjen në punë një mjek i ri, që sapo kishte mbaruar studimet ne Gjermanine Lindore dhe me të cilin që në fillim më lidhi një miqësi e ngushtë. Mora vesh se quhej Faruk Dragoti.

Mbasi kaluan disa muaj, dhe miqësia u forcua akoma më shumë rastesisht e pyeta në se kishte të bente me një farë Asaf Dragoti që e kisha njojtur në Ushtri.

– Po, ka qenë babai im – tha

– Ama burrë i prapë. . .inatçi. . .

– Ai vuante që në atë kohë nga një kancer i stomakut që pak më vonë do t’i merrte jetën. Kjo e bënte të ishte gjithnjë nervoz. Kështu ka qenë dhe në shtëpi. Unë e mbaj mend që kur ishim të vegjël e të gjithë ja kishim frikën dhe që kur kalonte prakun e derës për të hyrë në shtëpi të gjithë i rrinin sus dhe asnjeri nuk kishte guxim të bënte zhurmë.

Kjo miqesia jonë vazhdoi rrugën e vet normale. Faruku ishte i afrueshëm edhe me shokë të tjerë, pavarësisht nga mosha. Në Institut ishte Përgjegjes i Repartit të Ampulimit.  Shpesh shkonim në shtëpi të tij dhe në bodrumet e saj luanim poker duke e gdhirë gjithë natën.

Një ditë, ulur në një dhomë të Institutit, Faruku më tregoi një histori apo ngjarje nga jeta e tij. Ja kishte treguar edhe nja dy shokëve të tjerë por ata nuk ja kishin besuar dhe nuk i kishin vënë rëndësi. Meqë unë vazhdoja të merresha pa pushim me letërsine e huaj dhe isha pothuaj i vetmi në Institut që dija disa gjuhë të huaja, Faruku u shtrua dhe më tregoi historinë e tij që e mundonte.

Kur vazhdoja fakultetin e mjekësisë në Gjermani, gjate pushimeve të veres punoja në spital si infermier, duke siguruar një fare të ardhure suplementare. Te kursi ynë i mjekësise kishte mjaft studenta të ardhur nga të gjitha anët e botës dhe shpesh organizonim, siç ishte zakon në vendet socialiste, “Mbrëmje Studentore”. Gjatë pushimit të orkestrës grumbulloheshim në një qoshe të sallës ku zjente muhabeti.

Në një nga këto pushime, një studente indiane, një nga shoqet tona të kursit, filloi t’i shtjerë fall në pëllëmbë të dorës shoqeve e shokëve të kursit. Atëhere edhe unë ja zgjata dorën. Ajo e pa, u zverdh dhe më tha unë këtë dorë nuk dua ta shoh më. Filloi orkestra dhe të gjithë u sulëm në vallëzim. Por mua më kishin mbetur merak ato fjalët që më tha indiania dhe nuk ju ndava gjatë gjithë mbrëmjes. Më në fund ajo pranoi të më shtjerë fall.

Ulur në një qoshe të sallës, me dorën time të mbështetur të preni i saj, filloi të më thote: “Jetën e ke të shkurtër. Do të martohesh, por do të vdesësh në moshën 33 vjeçare, sapo të të ketë lindur femija i dytë. Deri në atë kohë jetën do ta kalosh mirë. Tjetër nuk kam se çfarë të të them. Jeta jote mbaron me kaq”.

Unë të them të drejtën i futa një të qeshur dhe nuk ja vura më veshin fallit të indianes. Por tashti kur më mbeten veçse dy vjet që të mbush 33 vjetët nuk e di se si po me vinë gjithnjë në mend fjalët e saj. Nuk e di si me thua ti? I thashë se me sa kam lexuar, sa më shumë ta kesh mendjen te këto parashikime aq më keq është sepse sipas psikollogëve, tentativa për tu përqendruar në një parashikim qoftë dhe i fantazisë, shkakton turbullime nervore e somatike të dëmshme për shëndetin dhe ndonjëherë çojnë në vërtetimin e parashikimeve.

Por me kalimin e një viti te Faruku filluan të çfaqen shqetësimet e para. Ai sëmurej shpesh e më shpesh. Atëhere për hir të kontributit të të jatit gjatë Luftës Nac. Cli., megjithëse ishte mjek, e caktuan formalisht si Atashe Kulturor në Ambasadën shqiptare në Romë. Mjekët italianë i konstatuan një leucemi galopante që e detyronte të bënte dy apo tre transfuzione gjaku në javë. Por gjendja sa vinte e keqësohej. Gruaja e tij ishte shtatzënë me fëmijën e dytë. Dhe qëlloi që pikërisht ndërsa e shoqja ishte duke lindur femijën e dytë në sallën e lindjeve të Maternitetit në Romë, Faruku vdiste nga leucemia në Klinikën Hematollogjike.

Indiania me sa duket kishte parashikuar drejt. Ndofta dikush mund të mos e besojë, ashtu si nuk e besoj edhe unë sot, duke e konsideruar vetëm një koinçidence të rastit, por për ne që e kemi ndjekur çështjen që nga fillimi, mbeti diçka e pashpjegueshme dhe akoma edhe sot, rreth 60 vjet nga vdekja e Farukut, nuk arrijmë ti shpjegojmë këto fenomene paranormale. Por nga ana tjetër duhet të pranojme se edhe i ati i tij Asafi, vdiq po në atë moshë dhe se Faruku (mendoj unë) trashëgoi sëmundjen nga i ati. Ne sa herë që në rast të ndonjë vdekje na qëllon që të shkojme te varrezat, e meqë varri i Farukut është në hyrje të parcelave, nuk mund të rrimë pa u kthyer e pa qëndruar në heshtje para varrit të tij duke menduar për të dhe për fatin e tij të keq.

Disa vjet më vone, një ditë pasdite, një miku im italian m’u ankua se syzet me të cilat lexonte kishin një difekt dhe pyeti a kishte këtu në Tiranë një qendër Optike për riparime. Së bashku shkuam në Bulevardin e Madh dhe hymë në një dyqan ku kishte te shkrojtur “Optika”. Aty na priti një grua së cilës i treguam problemin dhe tha që këtë problem e zgjidhim këtu, por syzet do t’i lini dhe do ti merrni nesër të rregulluara. Dhe ajo vazhdoi duke u drejtuar nga unë e duke më pyetur se ku të kam parë? I thashë se kam punuar në Spital si Shefi i Statistikës dhe më vonë kam kaluar në Institutin e Higjenës.

– Tashti mu kujtua tha ajo. Ti ke ardhur në shtëpinë tonë dhe keni luajtur poker gjithë natën. Unë jam e motra e Farukut.

Ky lajm sikur ma preu gjuhën, nuk isha në gjendje ti them asnjë fjalë. Kujtimi i Farukut me bllokoi gojën. Kur dola nga Optika mu kujtua se si nuk i thashë të paktën dy fjalë. Mendova ta riparoj difektin të nesërmen, por kur shkuam për ti tërhequr syzet gjetëm në pritje një vajzë tjetër. Disa ditë me vonë ajo së bashku me të shoqin më erdhën për vizitë në shtëpi dhe miqësia u forcua, por jo si e kishim patur me Farukun.

Robert Cipo

Pin It on Pinterest

Share This