Martesa e 1910

ShkrimTakoheshim përditë, rreth orës 10 të mëngjezit, me përjashtim të të djelave. Ishim njojtur rastësisht dhe prej asaj dite na ishte bërë shprehi që të takoheshim te bari poshtë pallatit. Ai e zgjaste mjaft qëndrimin, ulur duke lexuar gjithmonë gazetën “Shekulli”. E kishte qejf rakinë dhe kalonte nga njëra gotë te tjetra deri aty nga ora dy e pasdites. Besoj se e keni kuptuar. Ishim që të dy pensionista, rreth të 80-tave. Sa herë që takoheshim, gazetës i vinte rradha të lihej mënjanë dhe sekush fillonte të tregonte kujtimet nga jeta.

Ai kishte qenë shumë më me fat në jetë. I kishte qëlluar të kishte një dajë që i shkonte fjala, kështu që kishte patur rastin të dilte shpesh jashtë shtetit. Kishte parë jetë, pikërisht atëhere kur ne të tjerët kishim qenë të detyruar që një ekskursion në malin e Dajtit ta quanim një ngjarje me rëndësi.

Kështu që pothuaj se gjithmonë ishte po ai që e merrte fjalën i pari. Tregonte ngjarjet me ngadalë dhe shumë qartë. Kishte qenë dhe partizan dhe tregonte ngjarje nga jeta ashtu siç i kishin ndodhur.

Por shpesh qëllonte që personazhet e tregimeve të tij  ishin për persona shumë ë njojtur edhe prej meje, megjithëse  gjatë jetës kishim patur drejtime të ndryshme dhe nuk kishim patur rast të njiheshim.

Shpesh fillonte duke thënë:

– Rreth vitit 1950, takova në Vlorë prof. Skënder Luarasin…

– Por edhe unë e kam patur profesor në Gjimnazin  e Tiranës.

– Isha në një Brigadë me Doktor Pavlo Pavlin, i cili sapo kishte mbarur studimet dhe kishte dalë partizan…

– E njoh dhe unë që kur punoja në spital dhe kisha shumë muhabet me të, dhe sa herë që ai kalonte para dritares së sekretarisë, do t’i binte xhamit duke bërtitur “Roberto il Diavolo” dhe largohej duke qeshur. Ndërsa edhe me djalin e tij Stefanin vazhdojmë të jemi shokë të ngushtë.

Kështu vazhdonin kujtimet duke i përmendur njëri-tjetrit personat që kishim njojtur në jetë, të shoqëruara gjithnjë me ndonjë tregim interesant mbi ta.

Ky miku i rastësishem kishte ndjekur studimet në një demokraci popullore. Dhe të them të drejtën tashti nuk më kujtohet nëse në Bullgari, në Hungari, në Ceki apo në Poloni. Kur ishte kthyer (rroftë daja) kishte zënë një punë në sektorin e artit. Dinte nja tre gjuhë të huaja kështu që disa batuta komike i shkëmbenin si në italisht apo frëngjisht, veçanërisht ato të poetit antifashist italian Trilussa, apo të Leopardit, duke u vënë shpesh në garë se kujt i kujtoheshin më shumë nga shprehjet e tyre, duke i plotësuar me të qeshura.

Që të vazhdoj aty ku e lamë, ulur aty në klub porositja vetëm një kafe, një bitter apo ndonjë ëmbëlsirë, sepse gjithmonë i kam patur qejf të ëmblat. Ai mbasi kthente 5-6 gota me lëng rrushi, kthehej në apartamentin e tij, hante drekë dhe ja këpuste gjumit nja tre orë, ndërsa unë e kundërta ulesha dhe punoja në kompjuter. Kështu që pasditeve nuk takoheshim asnjëherë. I kishim bërë shpesh ftesa njëri-tjetrit për të shkëmbyer vizita por sekush ishte i kënaqur me takimet e paradites, ndërsa mbasditet i kalonte sipas qejfit të tij.

Në dimrin midis viteve 2001-2002, pati nja dy-tri ditë megjithëmend të ftohta. Unë përfitova nga rasti për të mos i zbritur shkallët për të hyrë në bar, por një ditë gruaja më thotë se e kishte takuar mikun tim nëpër shkallë dhe e kishte pyetur se si isha me shëndet sepse kisha bërë mungesë. Atëhere të nesërmen zbres për ta takuar në bar, por ai nuk po dukej. Piva kafen, prita dhe rreth gjysëm ore dhe atëhere nga bari e mora në telefon dhe e pyeta si ishte dhe pse s’kishte zbritur. S’e mbaj mend se si ishte përgjigja. Unë e ndërpreva dhe i thashë po përfitoj nga rasti për ta bërë unë i pari vizitën e shumë premtuar dhe u ngjita dy-tre kate deri te apartamenti ku banonte.

Por edhe aty në shtëpi nuk e kishte braktisur zakonin. Kishte vënë përpara shishen e rakisë dhe gota ishte përgjysem para tij, ndërsa gazeta “Shekulli” qëndronte hapur në krah te tij. Më pyeti se çfarë mund të me servirte.

– Unë kafen e piva poshtë, tashti le të vazhdojmë aty ku e kemi lënë, i thashë.

– S’e mbaj mend se ku e kemi lënë, më tha. Ku më le rakia të kujtohem. Mos u mërzit se kemi histori të tjera për t’i kujtuar, por te pakten prit sa ta kthej gotën.

Ulur aty në kolltuk i hodha një sy apartamentit, apo dhomës së pritjes. Më bëri përshtypje se anash televizorit qëndronte një fotografi, ku dallohej një grup njerëzish të së njëjtës familje, që une nuk i kisha parë asnjherë dhe e pyeta:

– Janë nga familja e gruas ?

– Jo, m’u pergjegj. Janë nga familja ime.

Ndejti pak duke u menduar dhe vazhdoi:

– Ky burri këtu, ka qenë gjysh im, babai i nënës… Kjo vajza e vogël, 7-8 vjeçare, ngjitur me gjyshin është nëna ime kur ishte e vogël.

– Po kjo? – e pyeta duke i treguar një vajzë rreth të 20-tave.

– Tezja ime. Ishte vajza e madhe e familjes.

– Por paska qenë shumë e bukur.

– Ashtu ka qenë, unë nuk arrita dot ta njoh.

E shihja se diçka e pengonte te fliste lirshëm siç e kishte zakon.

– Kjo fotografi… vazhdoi i menduar, siç ma kanë thënë duhet të jetë e vitit 1910, d.m.th. para 100 vjetëve. Nga mbrapa ka datën kur kanë dalë si dhe emrat e gjithë pjestarëve të familjes. E shoh që u hutove nga kjo tezja ime dhe nuk pyete as për gjyshen, është kjo që ndodhet e ulur në krah të gjyshit.

Nuk po arrija ti renditja këto mendime kaq të ngadalta si dhe dëshirën e tij për të mos më folur për këta persona.

– Po këtë këtu pse e kanë përfshirë në grupin e familjes? Apo si i thonë “për të prishur syrin e keq”. Ky ta shpifka, me siguri duhet të ketë qenë shërbëtori i shtëpisë, megithëse i veshur mirë. Që në pamjen e parë ta jep këtë përshtypje, i thatë dhe i imët në trup, jo më shumë se një metro e gjysëm, i zi në fytyrë. Duket se nuk është i racës së familjes tuaj. Ju të gjithë jini të bardhë.

– Jo vetem ne, por të gjithë banorët e fshatit tonë kështu janë. Por ky nuk është shërbëtori i shtëpisë… Ai ka qenë i fejuari i kësaj vajze shumë të bukur që të mbetën sytë.

– Nuk e besoj, bërtita i tmerruar…

– Duhet ta besosh kur ta them unë… Por meqë u hap ky muhabet, po mundohem të ta tregoj gjithë historinë, por me një kusht që atë që do të dëgjosh s’ke për t’ja treguar asnjeriut. Unë jam i fundit i familjes që e di historinë e tyre dhe nuk dua që deri sa të jem gjallë të vazhdohet të bisedohet më për të.

Ja dhashë fjalën, por që të mos e harroja, siç po e shihni vendosa t’ja dorëzoja kompjuterit. Kurrë nuk  mendoja se një histori e zakonshme familjare do të më bënte kaq kurioz.

libraAtëhere u ulëm në divan, fikëm televizorin dhe ai filloi të tregonte. Kur pjesët bëheshin tronditëse, e ulte zërin dhe instinktivisht kthente kokën sa majtas-djathtas për të parë se mos po e dëgjonte njeri. Kjo më bënte të shtrija buzët, por nga ana tjetër ma shtonte kuriozitetin.

Familja e gjyshit banonte në një shtëpi, pallat mund ta quajmë, ndërtuar sipas modeleve të borgjezisë evropiane, vendosur në majën e një kodre të ulët. Kati i parë ishte me tavan shumë të lartë dhe me shumë hapësirë, ku mund të organizoheshin festa dhe bankete për shumë persona. Aty shpesh banorët kapadainj të qytetit hyjshin brenda pa i zbritur kuajve. Gjyshi ishte pronar i dy-tre anijeve që bënin rrugën për në portet e Italisë. Për atë kohë, ishin shumë të pasur dhe miqësia me të ishte shumë e kërkuar. Edhe ai vetë ishte tip i qeshur dhe shumë i afrueshëm.

Kur lindi vajza e dytë, ajo që do të ishte nëna ime, vajza e parë, ajo bukuroshja që e quanin Madera,  ishte shumë e ngjitur pas të atit. Ai e deshte dhe e përkëdhelte pa pushim duke ja plotësuar të gjitha dëshirat, aq sa njerëzit e familjes e quanin “vajza e babait”. Gjithë kërkesat e saj plotësoheshin menjëherë, ndërsa ai vetë sa herë shkonte me anije në brigjet e Italise do t’i sillte gjithmonë peshqeshe nga më të bukurat dhe veshjet më tërheqëse.

Ajo vetë ishte shumë e çiltër, shumë e lidhur me familjen. Vetë i ati i mësonte të shkruante e të lexonte si dhe ndonjë fjalë italisht apo dhe greqisht. Familje të tjera aty afër nuk kishin, as shoqe të moshës së saj. Qyteza për të cilën po flasim ishte mjaft e shtrirë, ndërsa këta ishin në majë të kodrës dhe kontaktet me familjet e tjera ishin fort të rralla. Ajo u lidh shumë me nënën por veçanërisht me babain.

Vajza po rritej, dhe familja filloi të mendojë për ndonjë djalë të mirë për ta fejuar. U shtuan shumë vizitat nga banorët e qytezës. Të gjithë lavdëronin bukuritë e vajzës së madhe dhe shumë djem të familjeve më të shquara të qytetit dolën kandidatë për t’u fejuar. Ishin djem që në atë kohë vazhdonin studimet në shtetet fqinje, të pashëm, kandidatë për t’u diplomuar për doktorë apo avokatë të ardhshëem dhe nëpërmjet prindërve apo shkesëve dërgonin herë pas here kërkesa për t’u fejuar.

Por gjithnjë gjendeshin përballe refuzimit të prerë të vajzës për të mos u fejuar.

Papritur ndodhi diçka që e prishi këtë rregull. U bë shkak tregtari më i pasur i kësaj qyteze të vogël, që në një takim me babain e vajzës ja mbushi mendjen atij që t’ja jepte vajzën për djalin e tij. Sipas thënieve që dolën më vonë kërkonte që këtë nuse të bukur ta kishte si njeriun më të përshatshem për pritje dhe përcjellje të miqve dhe klientave që mbushnin dyqanin, meqënëse djalit të tij që propozohej për t’u martuar, i mungonin këto të dhëna, si trupi apo edhe bukuria e jashtme për të qenë në krye të familjes. Ndërsa kjo vajzë do të ishte si një mollë e artë në tryezën e familjes së tyre.

Njëkohësisht bëri dhe një propozim shumë tërheqës. Në atë kohë ishte zakoni që vajzat kur shkonin te burri sillnin me vehte një prikë, një sasi të konsidrueshme të hollash jo vetëm si dhuratë për familjen e dhëndërrit por njëkohesisht si garanci se vajza e tyre do të trajtohej mirë dhe nuk do ti mungonte asgjë në jetë.

Prindëri i dhëndërrit i propozoi babait të nuses se, nëse do të përfundonte kjo marrëveshje, ai nuk kishte asnjë kërkesë në lidhje me prikën. Kjo e bëri të mendohej shumë babain e nuses dhe meqë në atë periudhë nuk po i shkonin dhe aq mbarë punët me tregtinë, vendosi të pranojë kërkesën, duke shpëtuar mijëra napolona flori nga të ardhurat e familjes.

Por ndërkohe babai nuk harronte të kishte kontakte edhe me familjet e tjera që kishin shfaqur kërkesën për këtë vajzë, kështu që këto takime para-martesore ishin bërë pothuaj të përditeshme në qytezën e vogël.

Vajza, si çdo pasdite, ndodhej në kopësht dhe si zakonisht merrej me lulet, kur menjëherë dëgjoi të shpërthenin krismat e pushkëve. Atëhere futet brenda dhe i thotë nënës së vet:

–  Mami sa qejf, gjithandej po krisin pushkët, nuk e di se çfarë do jetë.

–  Janë pushkët e fejesës tënde moj bijë, futu brenda dhe vishu mirë se që tani mund të fillojne të na vijnë vizitat.

–        Cfarë fejese?

–        Nuk e di, yt atë do shkonte në disa familje që kishin shprehur kërkesën për fejesën tënde me ndonjë nga djemtë e tyre, presim sa të vijë ai vetë e të na e tregojë.

Nuk duam t’jua japim bisedën e plotë të babait kur u kthye nga vizitat e fejesës. Ai vetëm sa tha se nuk kisha si t’jua prishja. Ata deshën një nuse që t’u ndriçojë shtëpinë, të presë e të percjellë miqtë, të jetë e bukur ajo vetë si dhe të dijë të flasi bukur, të njohi gjuhë të huaja si në sofër e në vizita dhe ta nderojë shtëpinë e dhëndërrit. Ata një djalë kanë, e shoqja e Thomait nuk bëri më tjetër fëmijë. Kështu që vetëm atë ju dha perëndia. Të themi të drejtën, përfundoi i ati, edhe mua më erdhi shumë keq për ta. Gjithë ajo tregti që ka 50 vjet që po merret Thomai i shkretë dhe gjithë ajo pasuri dhe nuk kishte kush t’jua trashëgonte. Por tashti më së fundi do të ishin fëmijët e sime bije që do të trashëgonin çdo gjë. Unë e dhashë fjalën, besoj se dhe vajza ime do të jetë dakord. Me të mbaruar këto fjalë, vajza siç ishte zakon filloi të qajë dhe shkoi te dhoma e saj.

Ajo kishte patur rastin ti njihte mirë gjithë kandidatët e këtij qyteti të vogël, ju dinte edhe emrat, ju njihte prindërit, vëllezërit dhe motrat, e dinte ku kishin shkuar për të studiuar dhe rronte me ëndrrën që një ditë të bëhej nusja e ndonjë profesori, e ndonjë doktori apo farmacisti.

Por as që i kishte shkuar ndërmend se do të bëhej e shoqja e një bakalli. Por fati çfarë nuk sjell dhe ajo, mirë apo keq, për të mos ja prishur qejfin prindërve e pranoi fatin e saj. Edhe këtë kandidat e njihte mirë. Kishte shkuar kaq herë në dyqan të tij. I dobët, i imët, i zi në pamje, tmerr vetëm për ta menduar. Dhe do ti duhej të flinte bashkë me të në një shtrat.

Për të tjerat nuk po e zgjas, më tha miku i im. Mbas gati një viti u bë dasma.

Të nesërmen e dasmës, babai dhe nëna e vajzës u kthyen në shtëpi pas mesit të natës dhe u zgjuan më vonë se zakonisht. Me t’u ngritur vunë re se dikush u kishte hyrë ne shtepi. Hapën sytë gjithandej, dhe më në fund zhurma që erdhi nga kuzhina i detyroi të hapin derën dhe ç’të shohin? Vajzën e tyre që kishte këputur një kafshatë bukë thatë dhe po e hante me shumë uri.

– Po ti moj e paturpshme, si e le shtëpinë e burrit dhe vjen këtu dhe këput copën e bukës thatë. Nisu me vrap te burri dhe mos u duk më këndej. Na turpërove, i bërtiti i ati dhe i acaruar doli nga guzhina.

I foli edhe e ëma. Po pse moj bijë, ti mbrëmë sapo u martove dhe sot sulesh në shtëpi të prindërve.

– Më mori malli, po mendoja si do të rri unë pa babin dhe pa mamin. Ata ishin të gjithë në gjumë dhe unë erdha këtu tek ju. Më duket se jua plotësova dëshirën? U martova me atë që deshët.

– E bëre këtë gabim, ndërhyri me të butë e ema. Tashti shko, rri disa ditë andej, pastaj gjej rastin dhe duku të të shohim si je e të të përqafojmë.

Dhe për ta mbyllur bisedën, edhe ajo ndoqi shembullin e babait, i ktheu krahët vajzës dhe u largua.

Ajo atëhere, mbas kësaj pritje, e dëshpëruar zbriti një kat më poshtë, hyri te dhoma e armëve e rrëmbeu një çifte. Mbështeti grykën te zemra dhe me gishtin madh të këmbës së majtë ja shtypi këmbëzën e çiftes. U dëgjua një krisëm dhe një trup që ra përdhe.

Vajzën e varrosën në një qoshe të oborrit të shtëpisë në prani të pothuaj gjithë banorëve të fshatit.

– E dëgjove sa tragjike ishte, më tha miku im.

– Po tragjike, por jo aq e tmerrshme sa të mos t’ja tregosh të tjerëve. Këtu duhet të ketë me doemos edhe probleme të tjera që ti nuk po do të na i tregosh. Ç’e shtyu atë që të nesërmen e dasmës të kthehej në shtëpi të saj? Duhet të ketë edhe çështje të tjera që ose ti nuk i di, ose nuk ti kanë treguar, ose nuk i mban mend se kanë kaluar mbi 80 vjet. Kjo që më tregove nuk ka asnjë arsyetim llogjik dhe unë miku im as që mund ta pranoj dhe mos m’u shtrembëro kështu.

Për atë ditë u mbyll me kaq.

Kaluan muaj të tërë dhe kjo çështje as nuk u bisedua më. Fotografia anash televizorit ishte zhdukur. Me siguri do ta kishin çuar në dhomën e gjumit. Për mua çështja mbeti e pa sqaruar. Më dukej si pa kuptim ngjarja. Sidomos si u bind i ati ta martoje vajzën me këtë djalë? Të ketë qenë vetëm çështja e prikës dhe e kursimit të mijërave napolonave flori arsyeja e vetme e kësaj martese?

I bëja pyetje vehtes. Pse erdhi vajza në shtëpinë e babait akoma pa fjetur me dhëndërrin? Pse gjatë gjithë natës së dasmës nuk kishte futur gjë në gojë dhe erdhi që të nesërmen të hante bukë thatë në shtëpinë e babait? Pse ky baba që e deshte kaq shumë këtë vajzë ja dorëzoi dhëndërrit të shëmtuar pa u lëkundur? Pse vajza e porsamartuar vrau veten? Po dhëndërri si kishte qëlluar kaq i zi në këtë familje të bardhë?

Këto pyetje e akoma shumë të tjera shpesh më vinin në mendje dhe nuk arrija dot ti sqaroja. Kjo bëri që dhe takimet te klubi poshtë pallatit u bënë gjithnjë e më të rralla, deri sa tashti së fundi ndodhnin vetëm një herë në muaj. Edhe tregimi kaq shumë i pritur, po fillonte avash-avash të më fshihej nga kujtesa.

U desh të kalojë mbi një vit që të gjendej rasti për ta hapur përsëri këtë problem. Mikut tim ju sëmur gruaja por edhe unë vetë u sëmura nga nervi shiatik dhe për një periudhë të gjatë nuk zbrita te bari. Por gjatë kësaj kohe ndodhën edhe ndryshime të tjera. Mikut tim i ndodhi një fatkeqësi, i vdiq e shoqja, edhe unë kam qenë shumë keq.

Mbas kaq kohe m’u dha rasti të ulemi përsëri dhe ta lidhim muhabetin aty ku e kishim prerë. Të themi të drejtën unë as nuk kisha ndërmend ta hapja prapë bisedën përsa i takon kujtimeve të tija të së kaluarës, por ishte ai vetë që një ditë filloi duke thënë:

Kishe të drejtë, ai tregimi tim ka disa pika të errëta dhe unë kam vendosur të ti sqaroj, por nuk e di nëse do të mundem. Gjatë jetës time disa aspekte të këtyre ngjarjeve i kam dëgjuar të shkëputura, me fragmente që nganjëherë dukeshin të qarta dhe nganjëherë mbeteshin të errëta.

Ishim të rinj, kush rrinte t’i gjurmonte këto çështje. Dikush doli partizan, dikush edhe u vra. Njerëzit u shpërndanë. Shumica shkuan në kryeqytet, një pjesë e të rinjve shkoi për studime jashtë shtetit nëpër demokracitë popullore. Kur u kthyen secili zuri një vend pune dhe asnjëri nuk e kishte mendjen për përrallat e të kaluarës.

Rastësisht në një bisedë midis plakave të fshatit ku u ndodha dhe unë i pranishëm, më në fund arrita të marr vesht (gjthnjë sipas asyetimit të plakave) se si kishte dalë ky djalë me lekurë fytyre me ngjyrë të errët.

Një nga plakat filloi duke treguar se kur pronari i dyqanit ishte martuar, e shoqja e tij nuk po lindte fëmijë. Si i bëhej kësaj pune? E ëma e nuses u vu duke pyetur gjithë plakat dhe fallxhoret se si mund ti bëhej për ta zgjidhur këtë çështje. U pyet edhe një arrixhie që herë pas here dukej në fshatin e tyre. Ajo mbasi shtiu fall dhe mbasi u mendua pak i pëshpëriti diçka në vesh të ëmës së nuses. Ajo e dëgjoi por që në fillim i tha se për këtë që më propozon nuk jam dakord, jo për të hollat që më kërkon se 10 napolona flori nuk janë gjë për mua, por se nuk më duket e rregullt.

Kështu që mbasi kaluan edhe 6 muaj dhe përsëri nuk po i dukej asnjë shenjë barre, atehere propozimin e arrixhies e bisedoi edhe me vajzen e saj. Ajo në të vërtetë u rrudh pak, por pastaj duke e menduar mirë i dërgoi fjalë të ëmës se kjo punë mund edhe të bëhej.

Kur u duk përsëri arrixhia, e ëma e nuses e ftoi atë në shtëpi të saj dhe e biseduan edhe njëherë këtë çështje. Ajo i kishte bere gati të 10 napolonat flori, por arrixhia as nuk i preku me dorë. Ajo i tha vetëm se ndërkohë çmimet janë rritur dhe pazari i marrëveshjes ka shkuar në 15 napolona. Megjthatë meqë ishte vendosur të zgjidhej kjo punë, u shtuan dhe 5 napolona të tjera.

Sipas marrëveshjes pronari duhet të mos ndodhej në shtëpi, duhet të ikte për të blerë mall jashtë fshatit. Dhe keshtu një ditë të hëne, kur i shoqi u nis për të blerë mallra, në orët e vona të asaj dite, arrixhia bashkë me të shoqin u dukën në shtëpinë e zonjës dhe ju lutën “meqë ishte natë dhe nuk kishin ku të flinin, nëse kishte mundësi të strehoheshin sa për të kaluar natën në shtëpinë e tyre, në ndonjë plevice, haur apo stallë”. Natën vonë, zonja e dyqanit, mbasi mbylli dyert mirë e mirë, me qiri në dorë, shkoi e u fut te arrixhiu i cili gjatë gjithë natës kreu detyrën e tij si bashkëshort rezervë por me porosi që nëse gruaja nuk do të mbetej me barrë, kjo provë do të përsëritej (pa pagesë) derisa të realizohej plotësisht. Por për prova të tjera nuk pati më nevojë. Gruaja mbeti menjëherë me barrë dhe çifti i arrixhive nuk u duk më në fshatin e tyre, dhe nuk u muar vesht se ku kishin përfunduar.

Kështu qe pas nëntë muajve lindi djali zeshkan. Ndërsa në familjen e vjehrrit tim, vajza e madhe, ajo që do të ishte motra e madhe e nënës time, do të lindte vetëm pas 7-8 vjetësh. Kjo vajzë siç e kemi përmendur, do të rritej me shumë përkujdesje, çdo gjë për të, sa herë që i ati shkonte në Itali për të blerë mallra, asaj ishte e para që do t’i sillte diçka të bukur për të veshur.

Por ndodhi që mbas vetëvrasjes të nesërmen e martesës së saj, filluan avash-avash të përhapen disa fjalë, disa thashetheme, disa pikëpyetje. Si ndodhi, kush ishte arsyeja e kësaj tragjedie? Shumë vjet më vonë, vetëm pas vdekjes së gjyshit tim, filloi të sqarohet njëfarë soji kjo çështje e koklavitur, por duke mbetur gjithmonë në fazën e hamendjes dhe të supozimeve, pa asgjë të konkretizuar.

Kryesorja ishte pyetja pse ky i ati i vajzës (gjyshi i im i ardhshëm) dha kaq shpejt pëlqimin e martesës të kësaj vajze kaq të bukur e të pashme, sikur deshte ta largonte sa më shpejt nga shtëpia dhe pse insistimi i vajzës që bëri çmos që nga dasma të ikte me vrap dhe çfarë e tërhiqte për të shkuar te shtëpia e babait?

Problemi është kaq i ngatërruar e i turpshëm, saqë vetëm pas vdekjes së gjyshit tim filluan sikur të sqarohen disa pika të kesaj çështje. Nga e shoqja e tij (gjyshja ime) filluan të dalin fjalë me dy-tre nënkuptime, me mendime të ngatërruara dhe të papërcaktuara, të nxjerra me shumë mundim dhe me shprehje “se edhe une u tregova shumë qorre, për të mos e kuptuar çfarë po ndodhte në shtëpinë time”.

Tashti po i bie shkurt. Kur vajza ishte 14-15 vjeçe, dhe e shoqja e sipërmarrësit ndodhej te njerëzit e vet mbasi kishte nënën e vet të sëmurë, babai si gjithmonë me vajzën e përkëdhelur pas vetes, shkojnë për një darkë të ftuar nga komshijtë e tyre dhe me fjalë e me qyfyre e me raki të mirë kaluan atje mesin e natës. Kur u thyen në shtëpi, vajza ju lut babait:

– Të vij të flej me ty se mami nuk është, pastaj gjithë kjo shtëpi e madhe vetëm, kam frikë.

– Mirë, tha ai. Shko e bjer se dhe unë pas teje po vij, sa më ka trullosur kjo rakia e shkretë.

Dhe kështu u shtrinë dhe ranë në gjumë. Por këtu faji i babait ishte se i ndodhur nën influencën e rakisë, duke u rrotulluar në krevat harroi se aty nuk ishte gruaja por vajza e tij dhe ashtu i trullosur, kreu kontaktin me të. Por duhet të themi se një pjesë e fajit ishte dhe e vetë vajzës që kur pa se babai po kryente këtë akt të turpshëm, në vend që të bërtiste dhe të largohej, kaq shumë i pëlqeu saqë u shkri fare.

Mbas këtij akti, ishte i ati ai që e kuptoi se çfarë kishte bërë, por kjo gjë nuk mund të riparohej dot. Çfarë të bënte? Ndejti me gjak të ngrirë një muaj të tërë dhe kur pa se vajza nuk kishte mbetur me barrë, u mundua që ato pak vite që kishin mbetur derisa të fejohej vajza me ndonjë nga kandidatët e shumtë, të qëndronte sa më larg saj. Kjo ishte arsyeja pse ja dha vajzën të birit të “arxhiut”.

E shoqja e pronarit akoma dhe sot insiston duke thënë se pas asaj darkë shoqërore nuk po e kuptonte se pse i shoqi po i largohej kaq shumë vajzës së tij dhe pse vajza mundohej të gjente rastin për ti qëndruar sa më afër të atit.

Një pjesë e kësaj të vërtete, u kuptua vetëm disa vjet më vonë kur i shoqi që ishte duke vdekur, diçka i pëshpëriti gruas së tij me fjalë të shkëputura dhe me zë shumë të ulët, kështu që ajo nuk po arrinte ta kuptonte nëse ishin vetëm mendime të turbullta të njërit që po shkonte drejt vdekjes, apo të vërtetat që u kishte ardhur koha të thuheshin.

Unë një gjë munda ti thosha, se asgjë nuk është e sigurt. Por vetëm një gjë është e qartë dhe e sigurt. Kur të vijë dita që ne të gjithë do të vdesim, çdo gjë sigurisht…do të harrohet.

Robert Cipo

Pin It on Pinterest

Share This