Kostaq Cipo: Gjuhëtari dhe themeluesi i Arsimit të Lartë në Shqipëri – Aleksandër Meksi

ShkrimNë kohën tonë të trazuar, kur vlerësimi i aspekteve  morale dhe intelektuale të një individi apo krijimtarie është tepër  i ulët, evokimi i figurave të së kaluarës  dhe veprës së tyre është domosdoshmëri. Vepra  dhe jeta e tyre, janë frymëzuese dhe stimulojnë energji pozitive për ndërtimin e një demokracie të vërtetë në një vend që nuk po i shmanget tranzicionit, ku bashkëjetohet  lehtësisht me të keqen, dhe ku i ligu çmohet, admirohet dhe merret për model. Jeta e Kostaq Cipos, si e shumë intelektualeve të tjerë të shquar, del prej kohës që jetuan për të ardhur deri në ditët tona e projektuar me dimension prej shkencëtari dhe patrioti te madh. Kostaq Cipoja i ka përshkruar të tre periudhat e fundit të historisë së re shqiptare “duke përcjellë dhe duke pasuruar më tej trashëgiminë e saj kulturore dhe shkencore” ( Xhevat Lloshi).

Ndonëse Ai nuk jetoi gjatë, përsëri jeta e tij qe shumë intensive; nis qysh në vitet e fundit të sundimit osman, lindi në 1892, kur rilindësit po përpiqeshin  për pavarësi dhe liri kombëtare, kalon në dekadën e dytë të shekullit  të njëzetë, kur Shqipëria kërkonte identitetin e vet midis prapambetjes, varfërisë dhe lakmisë së fqinjëve, vazhdon në monarkinë e vonuar te Zogut, për të ardhur në vitet e pushtimit nga të huajt për të vijuar dhe mbyllur me vendosjen e sistemit totalitar komunist. E në të gjitha këto ndryshime rrënjësore politike Kostaq Cipoja mbeti i njëjti: atdhetar i patjetërsueshëm , arsimtar i shquar , gjuhëtarë i madh që vuri bazat e arsimit shqiptar, veçanërisht atij të lartë.

Elbasani ku u rrit dhe mori mësimet e para Cipoja ishte një qendër e rëndësishme e kulturës dhe veçanërisht e arsimit shqiptar. Dhaskal Todri, Kristoforidhi dhe shumë të tjerë hodhën themelet e  të shkruarit dhe të gjuhës shqipe. Jo rastësisht në këtë qytet u hap shkolla e parë e mësuesisë  “Normalja e Elbasanit “ ku dhanë mësim patriotë të shquar si Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Sotir Peci e të tjerë, dhe dolën kuadrot e para që çuan dritën e diturisë në shumë  troje shqiptare.

Si gjithë fëmijët e tjerë Kostaq Cipoja i filloi mësimet në shkollën shtatëvjeçare greke në lagjen ortodokse të Kalasë në Elbasan. Mbasi mbaroi shkollën në vitin 1907,  u regjistrua në Idadi  i Mylkije, një lloj  gjimnazi i ulët pesëvjeçar, ku tre vitet e para ishin shkollë plotore kurse dy të fundit duheshin kryer në Manastir, ku e vetmja mundësi ishte të fitoje një burse me konkurs, mbasi familja nuk kishte mjete financiare. Cipoja e provoi fatin .Turqia në atë kohë jepte dhjetë bursa për nxënësit e vobektë të krahinave ballkanike. Konkurrenca ishte shumë e madhe, në dyqind vetë do të përzgjidheshin vetëm dhjetë. Dhe fati i buzëqeshi Cipos, iu lexua emri i pari si fitues.

Në Manastir  ai fillonte shkollën duke perfeksionuar Turqishten dhe Greqishten si dhe duke mësuar me këmbëngulje Arabishten dhe Persishten. Në gjimnazin e Manastirit mësohej edhe frëngjishtja  ku nxënësi shqiptar dallohej mbi të tjerët. Në një vit e gjysmë që qëndroi në Manastir ai u njoh me patriotë të shquar të çështjes kombëtare, njerëzit e penës dhe të dyfekut si Gjergj Qiriazi, Muço Qulli, Shahin Kolonja, njohje që patën ndikimin e tyre në formimin atdhetar të shkencëtarit të ardhshëm.

Lufta Ballkanike i ndërpreu studimet në Manastir por Cipoja, nëpërmjet ish mësuesit të tij Luigj Gurakuqi, tashmë Ministër i Arsimit në qeverinë provizore të Ismail Qemalit, arrin të sigurojë një bursë, pikërisht aty ku ai kishte studiuar vetë, në Kolegjin arbëresh të Shën Adrianos, në San Demetro Korone të Kalabrisë, kolegj me një traditë të shquar patriotike, ku kishin dhënë mësim që nga De Rada, Prof. Gaspër Mërturi nga Shkodra, Prof.  Battista Gropa nga Frashineto, Prof. Aleksandër Xhuvani, daja i Kostaq Cipos, Dr. Nikoll Martin Camaj nga Shkodra, Mehdi Frashëri etj. Kolegji financohej prej qeverise italiane qysh nga koha e Garibaldit. Me Dekret të veçantë Heroi Kombëtar i italianeve ua kishte bërë këtë dhuratë arbëreshëve për kontributin e tyre në çlirimin e Italisë nga  zgjedha austriake.

Në mbarim të shkollës Cipoja u shpall nxënësi më i mirë dhe për këtë përfitoi bursë. Në tetor të vitit 1917 regjistrohet në fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Romës. Edhe këtu  nuk e pat të vështirë të ishte i suksesshëm, sepse  prirjet e tij për gjuhësinë ishin të veçanta. Në universitet, duke ndjekur kurset e filologjisë, u lidh me një miqësi të ngushtë me një student tjetër shqiptar, ndonëse pesë vjeç më i madh, me Mustafa Krujën, që më vonë do të bënte emër jo vetëm si albanolog por edhe si politikan. Të dy ata u bënë redaktorë të jashtëm të gazetës “Kuvendi” por që bashkëpunimi nuk vazhdoi gjatë. Shkrimet e dy studentëve të rinj shqiptarë binin ndesh me politikën botuese dhe të shtetit italian. Gjithsesi shkrimet e tyre në këtë gazetë na shërbejnë për të parë formimin  si intelektual dhe si studiues të Cipos. Vepra e tij, si e çdo njeriu, është e pandashme nga jeta, ngjarjet dhe ndodhitë e shumta. Nga ky vështrim jeta e Kostaq Cipos është tejet e veçantë, tepër intensive, me kalime dhe situata nga më ekstremet, me ngritje dhe ulje marramendëse

Aleksandër Meksi
Aleksandër Meksi

Prirjet gjuhësore të tij spikaten qysh në fëmijëri si nga shpejtësia me të cilën  ai mësoi gjuhët e huaja me baza të vërteta shkencore, ashtu dhe nga përdorimi i tyre. Për këtë  të tërheq vëmendjen  shkrimi  i botuar në Korrik të vitit 1919 në gazetën “Kuvendi”:  “Studime etimologjike të gjuhës shqipe të krahasuar me atë greke, latine, gjermane e persiane”, si dhe një serë artikujsh për Naim Frashërin, De Radën dhe Fishtën. Të gjitha shkrimet ishin në gjuhën italiane. Shkrimi për origjinën e gjuhës shqipe ka një rëndësi të veçantë. Tezat për lashtësinë parahomerike të saj në atë kohë të trazuar dhe të rrezikshme për kombin, ishin  një argument i fortë kundra tezave pseudoshkencore shoviniste që donin t i mohonin popullit shqiptarë pavarësinë, lirinë dhe identitetin.

Në Nëntor të vitit 1921 mbron temën e diplomës dhe kthehet në vendlindje, në Elbasan. Sigurisht për intelektualin e ri, që për tetë vjet kishte jetuar në një vend të  kulturuar, ku ishte shkolluar dhe brumosur me idealet e demokracisë perëndimore, nuk ishte i lehtë akomodimi në vendin e pishës dhe të kandilit, në vendin me varfëri shekullore. Gjithsesi idealet patriotike, dëshira për ta parë atdheun ashtu si dhe vendet e qytetëruara ishte  shtysa më  e fuqishme në veprimtarinë e tij në Normalen e njohur të  Elbasanit ku filloi punën si mësues  i  gjuhës dhe i letërsisë.  Përveç përkushtimit në  punë, marrëdhënieve të shkëlqyera me nxënësit dhe kolegët Kostaq Cipo u përfshi në jetën politike, sigurisht në krahun përparimtar, antifeudal.

Pikërisht ky pozicion politik e armiqësoi me parinë mesjetare të qytetit për të cilën mendimet liberale dhe ndikimi i pedagogut të ri te nxënësit, kolegët dhe mjediset intelektuale ishte i madh. Transferimi i tij në Shkodër në saj të intrigave që i kurdisen i doli për mirë:  jeta dhe puna në një qytet tjetër me tradita i dha atij një përvojë të re, e njohu me intelektuale të shquar. Edhe këtë herë, engjëlli i tij mbrojtës qe Luigj Gurakuqi, tashmë deputet dhe me ndikim të madh politik, që ndërhyri në këtë transferim. Në Shkodër Cipoja fitoi shumë shpejt simpatinë jo vetëm të kolegëve dhe nxënësve por të të gjithë atyre që e njohën nga horizonti i gjerë kulturor, shkalla e lartë e njohjes së gjuhës dhe letërsisë si dhe zotërimi i disa gjuhëve të huaja. Tashmë ai ishte afirmuar si  një ndër intelektualët e shquar të kohës. Në mënyrë të veçantë e shtrenjtë qe për të miqësia që lidhi me poetin kombëtar, me At Gjergj  Fishtën.

Pas gjimnazit të Shkodrës veprimtarinë pedagogjike dhe kulturore K. Cipoja e vazhdoi në Liceun e Korçë. Gjatë katërmbëdhjetë vjetëve Ai  u dha mësim qindra studentëve, një armate të tërë, të cilët e kujtonin me respekt pedagogun e tyre që e adhuronin. Ai, me pasion dhe përkushtim të  rrallë, ju nguliste dashurinë për atdheun, për gjuhën shqipe, për veprat e shkrimtarëve shqiptarë si Naimi, Çajupi, De Rada, Fishta, Mjeda e shumë të tjerë ndaj të cilëve ai ishte prononcuar edhe në shtypin e kohës me ese, artikuj përkujtimorë, analiza dhe komente letrare. Ish nxënësit e tij u bënë figura të shquara të letërsisë, shkencave, intelektualë me emër, disa prej të cilëve mbetën në  panteonin e kombit si albanologët e shquar Selman Riza e Mahir Domi, shkrimtarët Nonda Bulka, Dhimitër Shuteriqi e Vedat Kokona, themeluesi i gazetarisë sportive Anton Mazreku e personalitete të tjerë të njohur të shkencës  dhe të jetës shqiptare si Anton Çeta, Aqif Selfo, Aleko Turtulli, Minella Karajani, Sotir Kuneshka, Enver Sazani, Gjergj Canco, Kristaq Fundo, Fejzi Hoxha, Kol Paparisto e shumë të tjerë.

Krahas punës pedagogjike Cipoja , si gjithnjë, u mor edhe me veprimtari te tjera shkencore, letrare dhe shoqërore. Të tërheqin vëmendjen për vlerat artikujt e ndryshëm për shkrimtarë të shquar të vendit apo të huaj si për Naim Frashërin, Lulet e Verës,  Mendime 1936, Dy fjalë për Gëten 1932 ( gazeta Demokracia), por në mënyrë të veçantë  shkrimet në Gazetën Gazeta e Re nën okelion Biblioteka e Punëtorit Intelektual. Synimi ishte që të krijonte një bibliotekë me botime të përzgjedhura, më përfaqësuese të letërsisë dhe historisë kombëtare. Lista e autorëve ishte e gjatë, përveç atyre që përmendëm më lart ishin dhe Kristoforidhi, arbëreshët, Prenushi etj, por edhe botime folklorike dhe gjuhësore.

Pushtimin fashist të vendit Kostaq Cipoja e priti si të gjithë patriotët e tjerë. Reagimi i tij ishte i hapur si me refuzimin për t’u bërë anëtar i partisë fashiste ashtu dhe me qëndrimin në shkollë, pjesëmarrja në demonstratat antifashiste. Prandaj dhe jo rastësisht, vetëm disa muaj pas pushtimit, në Gusht të vitit 1939 arrestohet dhe burgoset në Korçë  dhe pas internohet në Itali, në një fshat të humbur në majë të maleve Apenine, pa dalje në dete. Bashkë me të në internim ishin edhe patriotë dhe intelektuale të tjerë si Petraq Pepo, Ziaudin Kodra, Teufik Gjyli, Gaqo Gogo etj.

Në Gusht të vitit 1941 mbaron periudhën e internimit. Para se te kthehej ne Shqipëri iu afrua posti i shefit të Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Firences. Duke ditur ndikimin dhe autoritetin e tij fashistët dëshironin ta mbani larg atdheut, duke e  joshur me një post goxha të madh. Si antifashist dhe nacionalist i flaktë në Shqipëri e priste papunësia. Dhe për një intelektual ajo është jo vetëm dënim i rëndë për të por për gjithë familjen. Madje nuk pranoi as ftesën e kryeministrit të radhës, Mustafa Krujës, shoku i tij i ngushtë i periudhës së studimeve të larta, që i propozoi postin e Ministrit të Arsimit. Cipoja e refuzoi dhe i kërkoi Cafës, siç e thërriste në intimitet, të jepte dorëheqjen. Mustafa Kruja e kishte  pranuar këtë post  që të ndikonte te pushtuesi kalimtar në ruajtjen e integritetit të vendit të kërcënuar seriozisht nga furia sllavokomuniste. Shokët debatuan gjatë dhe u ndanë për të mos u takuar më kurrë. U mor me redaktime, përkthime  daktilografime dhe ndonjë artikull përkujtimor për figurat e shquara të traditës. Punë e lodhshme por që i siguronte kushtet e një jetese minimale.

Sidoqoftë çlirimi, të cilit ishte përkushtuar në mënyrën e tij, erdhi. Dhe meritat, në një farë shkalle, ja njohën duke e caktuar përkohësisht drejtor i Bibliotekës Kombëtare por megjithatë qe i detyruar të kërkonte borxh. Është mjaft prekëse një letër që mban datën 3.01.1945 drejtuar peshkopit ortodoks te Tiranës, mikut të tij të vjetër, Irine Banushit, që na duket me vend ta citojmë. “Ta dish nga unë se kur i valueka njeriut mbi kulm të shtëpisë flamuri i vobekësisë, aty ma turp e marre mos kërko. Kurrë ndonjë herë nuk jam gjendur në pikë të hallit sa sot. Dru e qymyr skam ma në shtëpi… edhe thesi me miell po më mbarohet.”

Caktimi në drejtimin e ministrisë së Arsimit qe një befasi për mësuesin dhe albanologun me emër. Pushtetit të ri, që më shumë se pushtuesit kishte luftuar patriotët, tashmë i duheshin njerëz me reputacion si Kostaq Cipoja që për 14 Vjet  kishte qenë profesor dhe kishte drejtuar Liceun e Korçës, që ishte internuar dhe persekutuar nga fashistët, që kishte ruajtur të pastër personalitetin e tij. Një njeri me vizion të gjithanshëm dhe me energji të pashtershme ishte zgjedhja më e mirë e diktatorit që Cipon e kishte pasur mësues dhe koleg në Lice.

Mirëpo kjo ”zgjedhje” nuk zgjati shumë, e hoqën sepse nuk pranoi të bëhej anëtar i Partisë në pushtet dhe se në zyrën e tij vinin shumë funksionarë të ambasadave Perëndimore me të cilët diskutonte se si mund të ndihmonin arsimin për të dalë nga kjo gjendje, kur  shkollat nuk kishin as abetare jo më tekste të tjera. Mbeti përsëri papunë, pa pasur kujt t’i ankohej sepse ishte pushteti që e kishte sjell vetë. Edhe këtë rradhë, për të mbijetuar, u detyrua të shiste libra dhe koleksione gazetash nga biblioteka e tij.

Vetëm  pas disa muajsh u kujtuan për të duke i ngarkuar një detyrë tepër të vështirë, krijimin e Institutit te Studimeve, që do të ishte bërthama e ardhshme e Akademisë se Shkencave. Dhe qe fat i madh që Ai u ngarkua me këtë detyrë sepse mblodhi rreth vetes njerëz me të vërtetë të aftë. Angazhimi i tyre qe produktiv në dy drejtime, në atë të shkencës por edhe u shërbeu si mburoje ndaj ortekut të kuq që zbriti nga malet gjithë mllefe dhe hakmarrje  për ata që nuk ishin të prerjes së tyre dhe që mendonin ndryshe.

Fryt i punës së këtij kolektivi modest në numër por jo nga kapacitetet qe ngritja e Institutit të Lartë Dyvjeçar, që shënon fillimin e arsimit të lartë në Shqipëri. Me të fillon një punë e madhe për hartimi i teksteve për shkollat e të gjitha cikleve  si dhe përgatitja profesionale për hapjen më vonë, në vitin 1951, të Institutit të Lartë Pedagogjik (katërvjeçar), që së bashku me institutet e tjera të larta ishin paraardhës të Universitetit të Tiranës.

Detyrat organizative që ju ngarkuan  dhe që Kostaq Cipo i përballoi me sukses sigurisht që  i hynë në pjesë punës së tij krijuese shkencore. Ne po përmendim disa nga veprat e tij në fushën e gjuhësisë që ndonëse janë të krijuara në fillimet e studimeve albanologjike në Shqipëri jo vetëm që kanë vlera të mirëfillta shkencore por tregojnë edhe rrugën që ka përshkruar kjo shkencë deri në  ditët tona.

  • Morfologjia Historike e Shqipes – 1947
  • Fonetika – 1947
  • Rreth disa Kompozitave – 1948
  • Kompozitat Determinative  – 1948
  • Gramatika Shqipe – 1949
  • Sintaksa – 1952

Përgjithësisht, këto dy vepra te prof. Kostaq Cipos, gramatika dhe sintaksa, mbushin një të metë në shkollat tona dhe shënojnë një hap të madh përpara në punë të studimit të gjuhës sonë – do të shkruante prof. Mahir Domi. Ato shërbyen për hartimin e shumë teksteve dhe studimeve në këtë disiplinë. Me punimet e tija hapi ndër të parët rrugën për studime në fushën e gjuhësisë dhe historisë së letërsisë, duke çelur dhe shtigje të reja çka, siç vëren prof. Mahir Domi, i siguruan atij një vend nderi në gjuhësinë tonë, vend që i duhet kthyer. Arritjet e tij, sipas Prof. Selman Rizës u ndihmuan nga fakti se ishte njohësi më i mirë i tre dialekteve të gjuhës shqipe (gegërisht, toskërisht dhe atij arbëresh).

Kontributi i Cipos qe i veçantë edhe në përgatitjen e Fjalorit të parë të Gjuhës Shqipe, së bashku me E. Çabej, M. Domi, A. Krajni dhe O. Myderrizi, ku ai ishte Kryetar i Komisionit për hartimin e tij. Fjalori u botua në vitin 1954 dhe shërbeu si bazë për gjithë fjalorët e tjerë. Vlerat e tij janë të qëndrueshme edhe sot sepse ai u hartua me nivel të lartë shkencor.

Përveç studimeve të gjithanshme gjuhësore Kostaq Cipoja është nga studiuesit e parë të letërsisë që, kontribuoi në konceptimin historik të letërsisë shqiptare. Ai ka mënyrën e tij origjinale të analizës dhe paraqitës së veprës letrare lidhur me kohën dhe jetën e autorit. Shkrimet e tij, qoftë analiza veprash apo portrete autorësh, janë gjithnjë të frymëzuara. Ai e ndjen artin letrar ndaj dhe shkrimet e tij janë një bashkëbisedim emocional me lexuesit. Ai shkruan me stil të bukur dhe të thjeshtë sepse e zotëron deri në virtuozitet lëndën e parë, gjuhën.

Trashëgimia e Cipos në fushën e kritikës dhe studimeve letrare si edhe ajo gjuhësore meriton të botohet tërësisht. Ndoshta kjo duhej të ishte bërë me kohë nga ata që merren me këtë punë. Përveç vlerave të mirëfillta shkencore ajo është edhe një tregues i rrugës së zhvillimit të shkencës gjuhësore dhe letrare.

Kanë kaluar shumë përvjetorë të lindjes dhe të vdekjes së tij, në këtë gjysmë shekulli të fundit thuajse pa e përmendur. Atë e njohin dhe e respektojnë të vjetrit, ish nxënësit e tij, por nuk e njohin të rinjtë. Për jetën dhe veprën e mundimshme të tij na ndihmon një libër i të birit të tij Robertit (Prof. Kostaq Cipo, Tiranë 2003).

Ai lindi, siç thoshte me shaka, tre javë pas në një dite të shënuar për të krishterët 25 dhjetor 1891 (d.m.th. 14 Janar 1892), por dhe vdiq përpara 56 viteve në 6 Janar 1952, në ditën e Ujit të Bekuar, në një moshë  të re kur kishte ende mundësi për të kontribuar në shkencën e gjuhësisë. Do të ishte detyrë dhe nder botimi i plotë i veprës së tij, një kontribut themeltar për albanologjinë shqiptare.

Tiranë më 4.01.2008
Botuar në “Gazeta Shqiptare” më 13.01.2008

Pin It on Pinterest

Share This