Në pa
nteonin e nderit të qytetit të Elbasanit Filip Papajani ose i njohur si Lipi, zë një vend të veçantë si virtuoz i mjekësisë, njeriu i poezisë, qytetari i kulturës dhe i qytetarisë elbasanase. Në universin e vlerave të munguara prej harresës, doktor Filip Papajani është personaliteti para të cilit një pushtetar a një deputet, një mjek apo një njeri që kërkon merita të pamerituara, duhet të ulë kokën nga turpi. Përkujtimi i figurës së patriotit Filip Papajani është përkujtimi për elbasanasin që meriton t’i hiqet pluhuri i harresës, si për çdo patriotit shqiptar. Ai e shkroi emrin e tij në faqet e historisë elbasanase për zhvillimin, për demokraci e prosperitet njerëzor. Biseda me një njeriun e afërt të Filip Papajanit më ndriçoi një skutë të errët që nuk dihej nga unë dhe ndoshta edhe nga shumë e shumë të tjerë për këtë figurë të nderuar. Klement Fullani, djali i mbesës së Filip Papajanit, por edhe me doktor Henrik Papajani, kushëriri i këtij njeriu, gjej gjithmonë rast të pyes për këta personalitete dhe gjithmonë do të dalë ndonjë gjë e re.
COPËZA MENDIMESH NGA LIPI
“Natyra, veç të tjerave, na ka krijuar me ndjenja në zemër. Mos më qortoni se dashuroj Elbasanin”, – shprehej Filip Papajani i ngazëllyer për qytetin e tij të lindjes, që në vitin 1938, duke shtuar se “e di që kësaj i thonë dobësi shpirtërore, por kjo mbasi është natyrore dhe njerëzore, do t`më falet mëkati….Ay që s`do vendlindjen e tij nuk do as atdhen e tij”. Ky është edhe një epitaf për atë varr të thjeshtë, ku prehet Lipi Papajani. Ndaj dhe kërkoi që në pllakën e varrit të tij kur të vdiste të shkruhej :
“Përmbi varr të mos vini rrasë,
Gurë t’rëndë t’Elbasanit,
Veç se shkruni n’nji dërrasë :
Këtu fle Lipi i Papajanit”.
Një ligjëratë shpirtërore, më dhuroi përmallimin e udhëtarit drejt universit të pafund të vlerave njerëzore të sa e sa elbasanasve fisnikë e patriotë. I njohur si një njeri me ndjenja demokratike dhe borgjeze, Lipi, hyri shpejt në konflikt me rreth e atyre bejlerëve anadollakë që s’dinin të shihnin gjë tjetër veç hundës së tyre, paçka se kishin mbetur injorantë dhe meskinë në sjelljet e tyre, pa ndriçuar pak mendjen e tyre. I persekutuar nga një klimë e tillë injorantësh që të aftin e përçmojnë dhe e përbuzin, duke i krijuar gjithnjë rrethana pengesash të pafund, Filip Papajani detyrohet të shpërngulet në Pogradec. Në këtë qytet pati disa evenimente si personalitet deri kryetar i bashkisë së këtij qyteti që kishte nxjerrë Lasgush Poradecin. Filip Papajani u bë një nga miqtë e vjetër të të madhit Lasgush Poradeci deri në fund të jetës së tij, çka bën të ditur faktin se këta intelektualë dinin të gjenin veten tek rrethi i intelektualëve që na bëjnë nder për veprën që lanë pas. Aftësitë e tij si doktor dhe si një njeri që e do shumë qytetin e tij të lindjes, Filip Papajani u bë një nga mjekët e kohës që dha këshilla të vlefshme për qytetarët e tij në kohën ekolerës, pasi ishte një njeri që kishte studiuar në Rumani, ku edhe kishte gjetur ngrohtësinë familjare. Vajza e tij Margarita e martuar me të mirënjohurin Kostaq Cipo, ka shprehur krenari për babanë e saj, porse çdo kush që njeh meritat dhe portretin e këtij elbasanasi të dashuruar me Elbasanin, i jep të drejtë Lipit për veprimet që ka bërë, gjithnjë në shërbim të Elbasanit të tij të dashur.
ELBASANI PËRBALLË DIKTATURËS
Sot gjithkush e di fort mirë se diktatura komuniste, jo vetëm masakroi barbarisht inteligjencën, kulturën e traditën qytetare elbasanase, por mënjanoi, pluhurosi, por pa mundur kurrë t’i shuajë nga kujtesa mirënjohëse mbarëpopullore vlerat më të vyera të traditës, gjuhës e kulturës, të skalitura që nga lashtësia prej mendjeve e penës. Elbasani ka meritën e flamurtarit që nga Kongresi Elbasanit, që nga Normalja, si Universiteti i Parë Shqiptar më 1909 e deri te Shpallja e Pavarësisë e më tej deri tek këputja e vargonjve komuniste .Vlerat dhe virtytet e larta njerëzore ridimensiohen sot si vlera autentike jo vetëm si traditë, por edhe si domosdoshmëri, që e tashmja t‘i dëshmojë së ardhmes lashtësinë tone dhe personalitetin e burrave që i bëjnë nder kombit me emrin dhe veprën e tyre. Në vargjet e lëna kujtim tek “Proka” e tij e dashur, Lipi shprehet me fjalët më të zgjedhura dhe me dashurinë më të zjarrtë. Kanë kaluar 90 vjet, kur i ndrituri poet elbasanas, Filip Papajani, i këndonte vendlindjes, Elbasanit. Jeta e tij mori kuptim me angazhimet intelektuale, duke mbetur deri në fund të jetës së tij një demokrat i vërtetë që nuk e pranoi asnjëherë diktaturën komuniste. Këto vargje lartësohen, si ligjërim shpirtëror, për të na futur në meditime reale. Vargje që kapërcejnë kufijtë kohorë, si kënga e një zogu për folenë e vet. Dhe s’ishte poet profesionist si Lasgush Poradeci që e deshi aq shumë, as shkrimtar i spikatur, por një mjek i gjindshëm, një njeri i thjeshtë, dashamirës e shpirtmirë. “Lipi i Papajanit” e quanin elbasanasit birin e tyre të nderuar.
PAK NGA JETA E FILIP PAPAJANIT
Ai u lind më 1878. Fëmijëria e tij kaloi në mjediset, ku ndjehej urtësia dhe fjala elbasanase e Kristoforidhit. Tushi i Pinës dhe shumë të tjerëve, patriotë të ndritur të Elbasanit.
Filip Papajani, “Lipi” ishte njeriu që dëshmoi qartë se sa i respektuar, i njohur e popullor ka qenë ky intelektual i plotësuar më së miri. Ai jetoi e punoi duke përjetuar ngjarjet më kulmore të historisë së Shqipërisë, që nga jehona e viteve 1878- 1912, Shpalljen e Pavarësisë, Kongresin Arsimor të Elbasanit, çeljen e Normales, Zemra dhe shpirti i tij fisnik qysh më 1938, sikur e kish ndjerë furtunën, që do të përjetonte një popull i tërë nga diktatura komuniste. “Lipi” u bë i njohur jo vetëm si mjek por që nga 1912 deri më 1945, ky elbasanas demokrat, ligjeroi e shkroi për vendlindjen, zhvillimin dhe përparimin. Në shkrimet e tij publicistike, vjershat, poezitë e tregimit, lejtmotive frymëzues mbetet liria dhe prosperiteti njerëzor, dashuria për vendlindjen me traditën, bukuritë dhe vlerat e larta njerëzorë. Më 1912 shkruan në Bukuresht poemën “Osman Maria” e më pas “Noreka” më 14 janar 1921, Filip Papajani arrin të botojë në Elbasan gazetën politike letrare “Shkumbini” me moton: “Mbron lirinë e njësinë e vërtetë”! Artikujt e tij dhe të mjaft elbasanasve patriotë të asaj kohe pasqyrojnë shqetësimin qytetar për copëtimin e Shqipërisë. Akoma më dukshëm në atë kohë ai ngrihet në mbrojte të të drejtave të njerëzve të thjeshtë.
Lipi prezantohet denjësisht si poet i Elbasanit që i përkushtoi gjithë jetën dhe vargjet e tij me gjuhën e bukur, me elbasanishten e kulluar si urë bashkimi midis toskërishtes e gegërishtes veriore. I kompletuar, si intelektual i vërtetë, ai vjershëron si romantik përparimtar me besimin e shpirtit. Fjala e vargut e tij edhe se mbart një pjesë të Shqipërisë, gjuha, stili pasqyron e përndrit ashtu si Naim Frashëri, Poradeci, Shiroka etj. gjithçka shqiptare.
ELBASANI NË SHPIRTIN POETIK TË FILIP PAPAJANIT
“Pellazgë: Qytetërimi e Vllaznimi” i drejtohej më 1938 bashkëqytetarëve dhe gjithë shqiptarëve.
Si rrallëkush, më thjesht, më bukur, më ndjeshëm, më kuptueshëm dhe me ngrohtësi, ai i kushtohet vendlindjes në poemën “Elbasani” botuar me 1938.
“Elbasan qytet i bukur
Në kërthizën e Shqipëris
Bijt e tu o posi flutur
Rrokin librat e ditnis”
“Ju them se jam patriot shqiptar”, – shprehet ai në parathënien e librit. “Që të duash Shqipërin, më parë duhet të duash qytetin e lindjes. Unë jam elbasanas dhe i këndoj më parë Elbasanit, ashtu si Lef Nosi, Ethem Haxhiademi, Emin Matraxhiu, Thanas Floqi, Vasil Andoni, Simon Shuteriqi, Ali e Muhamet Cungu, Sulë Harri, Leksi Vinit, Myzyrit dhe Budinit”. Ai përmend vlerat dhe bukurit e Elbasanit, qyteti kulturës e dijes. E gjithë poema “Elbasani” prej 790 vargjesh, si atlas i plotë gjuhësor, historik, gjeografik, etnografik, ekologjik, botanik e zoologjik, përmbush mjeshtërisht mesazhet më virtuoze të një poeme që ridimensionohet e përndrit në çdo kohë me përjetimet përmalluese që i dhuron çdo lexuesi me zjarrin e pashuar të dashurisë për vendlindjen, që sipas tij e ka bekuar i madhi zot.
Drama në vargje “Moisi Golemi” poema tjetër “Noreka”, përmbledhja poetike “Vjersha” pasqyrojnë artistikisht ngjarje dhe figura madhore të historisë sonë që nga Skënderbeu, ato të gjysmës së parë të shek.XX. Lipi edhe në novelën “Proka” na përshkruan me mjeshtëri letrare të përshkrimit Ky mjek popullor, plot humanizëm e dashuri për njerëzit arriti drejtpërdrejt të zërë vendin e respektuar për gjatë gjithë 50 viteve të para të shekullit XX. Në të gjitha poezitë, shkrimet, studimet e tij lartësohet Elbasani, vendlindja, atdhedashuria, besimi e mirëkuptimi, bukuria e jetës dhe e natyrës e përndritur me diellin e shpresës për zhvillimin e përparimin. Rrallëkush si ai i ka kënduar Elbasanit, vargjet e të cilit kthehen në himn popullor..
“Kush dishron me pa Pernin (Perdinë), N’Elbasan t’vi dorën e t’shofi.
Kush s-i-a ndin dhe ditunin
Ktu fort qartaz do t’i-a njofi…” .
Si poeti i qytetit të lindjes, Filip Papajani edhe sot pas 157 vjetëve nga dita e lindjes, na mallëngjyen me fllad krenarie, gëzimi e shpresë për jetën, si një Shirokë, si një Mjedë, si një Poradec, por krejt i veçantë me natyrën dhe përmasat e veta shumëdimensionale. Patriotizmi dhe shpirti demokrat, dashamirësia dhe ndjeshmëria e tij për bashkëqytetarët dhe Elbasanin, i ka lënë hapur shtigjet, për të qenë i lidhur me njerëzit në ç’do kohë, duke merituar të drejtën jo vetëm të kujtohet por edhe të rivlerësohet duke u nderuar si të gjithë personalitetet e shquar të kulturës e letërsisë elbasanase e pse jo mbarëkombëtare. Jo vetëm vlerat edukative e njohëse historike por edhe nga vlerat gjuhësore e letrare, poezia dhe proza e Filip Papajanit mbetet minierë që duhet hulumtuar.
HYQMET ZANE
