Manastiri (Kujtime rinie) – Kostaq Cipo

ShkrimTurqia hartoi një projekt-ligj që bënte fjalë për mbylljen e klubevet politike, tue u rrejtë se me këtë masë po çkulte me rranjë bimën e keqe, por s’duel gja edhe prej kësaj pune.

Veç klubeve, flakën e shqiptarësisë e mbante gjallë në Manastir, ku lidheshin e zgjidheshin çashtje politike e arsimore, edhe djelmnija shqiptare e krahinavet që vinte aty për të plotësue mësimet e mesme në gjimnazin tyrqisht të Manastirit. Ishte një shkollë që ka qenë edhe ma përpara çerdhe, por u ba sidomos pas 1908-es vatër drite, ku, nxanësit e mëdhej, vijnin e zbarsnin zemrën patriotike me fjalë e me kangë shqiptare. “Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë”, dhe ma të vegjëlit mernin dorë nga ma të mëdhejtë për t’ua degdisë atyre që do të vinin me pastaj shkëndijnë e atdhedashurisë. Mendimi se Manastiri do të ishte qendra e një Shqipnije autonome me katër vilajetet i a shtonte ëndërën faqe botës shqiptare.

Disa nga ne që ishim nxanës të klasave të nalta dhe shqiptare të mirë kishim fitue dhe disa të drejta ma tepër se të tjerët. Të premtevet, fjala vjen, që ishte ditë pushimi hynin lirisht në bujtinën “Liria” të Germenji-t dhe posht, pa ngjitë shkallët hapnim një derë të vogël që puthitej mirë ne mur dhe gjenim brenda ne një setër (xhaketë) të vjetër në një nga xhepat e saj gjejshim fletore (gazeta) në gjuhen shqip që vijshin nga Amerika dhe që ishin të ndalueme në Turqi.

Kongresi ManastiritThamë ma nalt se Manastiri ka qenë një vatër ku është mbajtë gjallë ideali i kombësisë dhe këtë të mirë u a ka hua Istituteve private të vendit të cilet s’e lane të shuhet ajo flakë e shenjtë. Po i quejmë Istitute, për shërbimet patriotike që i prunë çështjes, se në kuptimin e sotme të fjalës të tillë nuk janë. Po zamë në gojë pik së pari shtypshkronjën “Bashkimi i Kombit” bashkë me gazetën e te njëjtit emër dhe me të përkohëshmen “Lahuta e Malsis” fletë satirike e letrare, klubin “Bashkimi”, gjimnazin tyrqisht, bujtinen “Liria” e Minella Gërmenjit dhe nonji shtëpi shqiptare si ajo e Qiriazëvet. Por u ba zamath sidomos me të dy kongreset që u mbajtën aty më 1908 dhe më 1910.

Gëzimi i shqiptarëve për shpalljen e lirisë ishte i papërshkrueshëm. Tashma gjuha do të këndohej (lexohej) dhe do të shkruhej lirisht, fletoret (gazetat) shqipe nuk do të kalonin dorë me dorë tinës e përtinës por do ti sillte posta, në shtëpi të pajtimtarëvet. Nuk shkuen shumë muej dhe u mbush Shqipnija me klube, me shkolla shqipe dhe me fletore e të përkohëshme që filluen botimin në shumë qytete të Atdheut dhe në qendrat e mëdha e kryeqytete të Evropes. Ky lulezim i math… ra me syshë, tyrqit … punojnë nën dhe kundër tij, por me gjithë këtë të gjitha përpjekjet e qeverrisë ottomane nuk patën sukses e kombësia shqiptare grahi anembanë.

As shtypi grek nuk ndejti urtë në këtë mes. Gazetat greqishte zunë të hudhin gurë se klubet shqiptare në Manastir, në Selanik e në…Stamboll kane qëllim politik  dhe do të përpiqen për një Shqipni më vete. Shqiptaret s’kishin kohë të mereshin me marrëzite e me shpifjet e shtypit grek, kishin një problem të dorës së parë për të rrahë e për të zgjidhë. Gjithë fletoret e të përkohshmet që u botuan brenda e jashtë Shqipërisë aso kohe ishin shkruar shqip po jo me të njajtën abece dhe shumë të rij që kishin nxanë abecenë e Stambollit, s’dijnin t’i zgjidhnin gazetat e librat shqipe që vijnin nga kolonitë shqiptare të hartueme me të tjera shkronja. Kjo çështje duhej thjeshtue e zgjidhë sa më parë, se klubet që sherbenin si shkolla nate dhe shkollat që do të hapeshin në vjetin e ri shkollor kishin nevojë për libra e fletore të hartueme me nji abece.

Dokumenti ManastiritKjo punë çeli shtekun e Kongresit të parë të Manastirit që u mbajt me 1 të Vjeshtës së Tretë 1908 dhe u quajt « Kongresi i Abece-së ». Muarën pjesë disa nga shkrimtarët ma të zgjedhun dhe luftëtarë të lirisë. Edhe sot mbas një kohe dyzet e sa vjetëve e gjej fort të bukur e fort patriotik mendimin e atyre që deshën të ftojnë n’atë mbledhje historike jo vetëm puntorët e pendës por edhe trimat e malevet.

Puna qe fort e vështirë se duhej që nga një babiloni abece-shë të ndahej e të caktohej një e vetme abece kombëtare. Tue qenë se të dërguemit nuk ishin të gjithë të premë për një punë të tillë, u zgjodh një komisi që ta rrihte, ta shoshiste më parë çështjen dhe tja paraqiste përfundimet kongresit për pëlqim. Si u muarën në studim abecetë e ndryshme e u harrën ato që u dukën të papërshtatëshme, mbetën në kambë vetëm dy: ajo e Stambollit dhe Abeceja Latine bashkëpunim i ngushtë i penës e i pushkës, rreth të cilave u ndez një bisedë e gjatë.

E para kishte për flamurtar Mid’hat Frasherin me ca trima të tij, e dyta, të dërguemit shkodranë me disa të tjerë.

Të dy palët kishin arsye. Sikur t’ishte fjala për pranimin e një abeceje të vetme, arsyet politike e psikologjike lypnin atë të Stambollit. E pse të mos merrej ajo që kishte një histori, që ishte pjella e disa veteranëve të Rilindjes s’onë dhe me të cilën ishin shkrue disa vepra thjesht shqipe si të Samiut, të Vretos?

A nuk kishte këndue edhe zana e Naimit me to trimëritë e Skënderbeut mu në zemër të Stambollit? Edhe teqet e bektashinjve që ishin çerdhet e kombësisë nuk do ta pritnin me zemër të mirë nji a-be-ce që të mos ishte ajo në të cilën ishin shkrue “Fletorja e Bektashinjve”, “Qerbelaja” dhe “Lulet e Verës”.

Të kufizohej puna me kaqe ishte gjysma e së keqes, por kishte dhe arsye të tjera që flitnin për të mirë t’asaj abeceje.Toskënija dhe gegët e Shqipërisë së Mesme që kishin heqë mundim deri sa e kishin nxanë atë alfabet, do te varshin buzët po të detyroheshin n’atë moshë të shkueme që ndodheshin t’i hynin një pune të dytë, kurse mezi ja kishin dalë mb’anë së parës. E s’është fjala këtu për ata me shkollë, por për puntorët e krahut. Kjo abece kishte për t’ja pre hovin e propagandes që banin në Manastir Turqit e Rij kundër idealit kombëtar, e ata ndoshta s’kishin për ta gjetë atë fushë të lirë për të mbjellë farën e përçarjes me anë të fanatikëve të blemë, as grekët as serbët nuk do të gjinin shesh e të bënin përshesh po t’ishte pranu vetëm ai.

Nuk due të provoj me arsyet që shtrova se po të pranohej vetëm abeceja e Stambollit rrebeshi që ra do t’ishtë mënjanue. Due të theksoj se kur u hap fjala që kongresi pranoi edhe një abece fjesht latine” u vu re një pakënaqësi në disa qarqe dhe u çel shteku më lehtë për të kërku një abece të tretë me shkronja tyrke.

Tyrqit e Rij kishin në programe tyrqizimin e Ballkanit. Ky shpërthim i kombësisë shqiptare i shqetësoi fort. Hapën një fushatë me anë të shtypit kundër abecevet të Manastirit, thyen me të holla disa elemente turbullonjës e disa të tjerë fanatikë fetarë si Arif Hiqmetin të cilët s’ja thoshin fort nga penda e të dobët nga karakteri të cilët kërkuan që të futej nëpër shkolla shqipja me shkroja tyrqishte. Me këso mjetesh ndezën fanatizmin e disa që fesë i dinin vetëm cipën dhe kujtuan për një kohe të shkrutër se do t’i qëronin nga mezi flamurtarët e lëvizjes. Pesha u thoshte se do t’a qitnin në krye këtë punë ani se do ta paguanin shtrejtë. Kundër kësaj fushate shtypi shqiptar u ngrit e ja dha me topa. “Bashkimi i Kombit” organ i shtëpisë botonjëse literare së pari dhe “Drita” e Muç Qullit në Manastir më vone ashtu dhe fletoret e tjera që botoheshin shqip-tyrqisht u thanë Tyrqeve të ri se udha që kishin zanë nuk dilte. Me artikuj të botuem tyrqisht të « Bashkimi i Kombit » dhe gjetkë, Hasan Prishtina, Bedri Peja e të tjerë ja u ipshin flakë më flakë. Kërcënimevet të tyrqvet të rij një nga bijt e Kosovës trime i përgjigjet kështu: “Jo vetëm që s’më trembin fjalët e larove, por hatà alekidarleremden met-tesheq-qil bir mehqeme ynené bilà pervà arz-i vuxhud itme-e hazir bulleridiqeme Besà. (Edhe po te hapet nje gjyq qe ka të bëjë me mua, jam krejtësisht i gatshëm të paraqitem personalisht pa asnjë lloj frike).” Turqit këtij trimi që shqiptarët kurrë se ulën gurin dhe zunë të talleshin me shqiptarët për të cilët thoshin s’dijnë shkrim e këndim. Prap një tjetër kosovar i përgjigjet me këtë ton: “Arnautllar xhahil ise, exhdadenden ojle bir mehabet-i vatanije, ojle bir his-i hamjet ve fedaqari tevareth et mishder-qi mefterileren ajarende ollaullas bu gjibi mezajaji anllamakten temamile axhisderler”. (Shqiptarët edhe në qofshin të paditur, nga të parët e tyre, me sakrifica, kanë trashëguar nëpërmjet historisë, një dashuri të tillë për atdheun dhe nderim për kombin, sa që ata që janë prè e shpifësve, janë krejtësisht të pa aftë për ti kuptuar).

Por dhe humori shqiptar këtë herë zbriti në fushë të nderit për të thye një heshte në të mirë të abecesë kombëtare: “Nuk shkruhet shqipja me abecenë tyrke, dhe ti or zot që ngul këmbë dhe pohon të kundërtën, ha de, merre shkruej një herë me shkronja tyrke fjalën shqip « mot » (mut) dhe si t’a shkruejsh, të lutem t’a mbash për vete”. Shtypi tyrk duke qenë në shtëpi të vet, priste e qepte si mbas mësimit që merte nga partija  “it-tihad ve tereki” (Bashkim e Zhvillim) dhe mbas pështellimevet  të qeverisë së Stambollit.

Po ç’kishte shtypi grek që perzihej në një punë në të cilin s’e kishte ftu njeri? Lajmi i pranimit edhe të një abeceje latine u a leu bukën me tëlyne kundërshtarëvet të kombësise s’onë, të cilët edhe si pat marë fund kjo punë s’pushoi së shkruemi sofizma pa krypë. Ja se ç’thoshte një gazetë greke: “Ky popull (shqiptar) në vend që të ketë parasysh se në Shqipni ka turkoglose dhe hellenoglose, komiteti shqiptar u ktheu kurrizin këtyre dhe mundohet të kalli ndër ta abecenë latine që të përshtatet Rumanisë (siç) dhe Austrisë (siç).” Për fat të keq, shkruen gazeta, shqiptarët shkojnë edhe më tej, fjalët që nuk i ka shqipja, i a marrin hua latinishtes, mirpo harrojnë me këtë mënyrë popullsia latinizohet (siç) dhe dal-nga-dalë hyn në rrugë të katoliqizmës.” Edhe kesaj zallahije kundër shkronjave tona shtypi shqiptar i u përgjegj burrnisht. “Bashkimi i Kombit” shkroi se “qeveria si edhe çdo tyrk s’ka të drejtë të na shtrëngojë të përdorim këto ose ato shkronja, se kjo punë është vetëm e shqiptarëvet. Pastaj sikundër s’ka qeveria të drejtë të shtrëngojë Grekërit, Ermenët, Syrianët, Bullgarët e tjerët të ndërrojnë shkronjat e gjuheravet të tyne, kështu as fare s’ka të drejtë të na pengojë përdorimin e shkronjavet, të cilat gjer më sot me tërë zemër i ka pritur Shqipëria, sikurse u tregue në kongresin që u bë vjet në Manastir, i cili u mbloth vetëm për çështjen e shkronjavet, të cilësi dha dhe fund. Për së dyti themi se në dëshiron Qeverria të shkruhet shqip me shkronja tyrqishte, me këtë faqeza tregon se edhe paskëtajthi nuk do që të mësohet shqipja dhe sec i pëlqen të mbetet Shqipëria nd’erësirë e ndë padije”.

Ma poshtë i bije prapë: “Vivllën shqip të shkruarë me shkronja tyrqishte sa herë që t’a këndonjë, qoftë edhe vetë ay qe’e shkrojti, kaqë herë ndryshe do t’a këndoje, veç në e pastë mësuar me gojë si papagallua.” Dhe mbasi shton nje radhë arsyetimesh të tjera për t’i dalë zot abecesë së Manastirit e mbyll artikullin tue ftue parësinë shqiptare të Stambollit të mos presi këshilla për gjuhën tonë, por burrnisht t’ua mbylli gojën atyneve që duan “të përzihen aty ku s’i ftojnë.” (B.K. Viti I-rë, Nr.16, 1909)

Një ditë u hap lajmi si rrufe se Turqit e Ri paskëshin ba një mbledhje të mçefët aty në Manastir dhe paskeshin vendosë me i dhanë zjarr shtypshkronjës “Bashkimi i Kombit”. Nuk dij në ka qenë i vërtetë lajmi, por kushtrimi u lëshue e u formue shpejt për shpejt një roje patriotësh që silleshe natën rreth ngehinës.

Tue u ndodhë vendi në një gjendje të tillë shpirterore, u pa nevoj’e madhe të mblidheshin në Manastir edhe një herë ajka e shqiptarëvet për një kongres të dytë, i cili do të mendonte se ç’duhej ba për ball rrezikut që po i turrej atdheut. Kongresi i dytë do të çilesh me 15 Mars 1910 por tue qenë se të nderçmit përfaqësues të Kosovës mërrijne me 19 t’atij muej, kongresi u hap me 20 ne klubt “Dituria”.

Mbas përshëndetjevet të rasës, Dervish Hima, përfaqësuesi i shqiptarëve të Stambollit dhe drejtor i fletores “Shqiptari” u ngrit e çfaqi mendimin që të zgjidhej kryetar i mbledhjes Qazim bej Dibra. Të gjithë e pritën më gëzim, por z. Dibra si falenderoj shokët i a lëshoi kryesinë atdhetarit të njohur Bedri beut me shkronjës (sekretarë) Ferid Ypin dhe Petro Nini Luarasin.

Gjashtë shqiptarë të çquem e përfaqësonin Kosovën n’atë mbledhje historike: Rexhep be Mitrovica, Bedri be Peja, Qamil beu, Hysni beu, Bejtulla beu, Sabid beu. Një fjalë me randësi mbajti Dervish Hima, i cili preku çështjen e përvëlueme të shkronjavet që luftohej të mbrohej me egërsi nga njana e nga tjetra anë. “Ju e dini fort mirë, tha Hima, se Kurani që rrëfen fenë nuk na ka zbritë nga qielli së bashku me shkronjat arabishte, por ka ardhe si frymë, me të fole, dhe mbas shumë kohe u shkrue me ato shkronja që ishin në përdorim aso kohe. Këto shkronja nuk janë gjana fetare, por vegla për të punue dituritë. Mirpo disa që s’ja duen të mirën kombit na çelën luftë, por ne do ti mbrojmë këto shkronja me shpatë qitë.”

Dervish Hima kërkoi që të mblidhej një kongres më i math në Janinë më 20 të Qershorit 1910 për ti tregue botës se Janina është shqiptare dhe atë vend që e quejnë grekët Epir me tin megalin idhean, nuk ashtë tjeter veçse Shqipni.

Mbasandaj vijoi gjithë këto due t’i përsërit edhe për Kosovën, ku asht tue derdhë pare të madhe Serbi për t’i serbosë vllazerit t’anë, që t’i thotë më vonë botës se në Kosovë nuk ka kamb shqiptari, për tja paraqitë si serbë banorët e Kosovës.” Fton të gjithë të këndojnë e të shkruajnë gjuhën me shkronjat kombëtare e t’i përvishen punës e të punojnë si Jani Vreto, Vaso Pasha, Kristoforidhi e tjerë në ditët më të tmershme të tiranisë.

Mbasandaj e muarën fjalën përfaqësuesit e Kosovës për të tregue nevojat që kishte kjo krahinë për mësim e rruga. Thanë se në tanë Shqipninë nuk po shihnin një rrugë të mirë. Një udhëtar që shkon prej Pejës në Gjakovë detyrohet të shkojë vithe kalit dhe me krye n’dorë. Por gjaja ma e nevojshme për vendet tona, thanë ata, asht një mësojtore madhe shqip që duhet çelë në Shkup dhe duhet ba sa ma parë, se puna s’prêt, se serbët siç e tha bukur vllaj ynë Dervish Hima, po bajnë propaganda n’ato vise për damin tonë. Një tjetër gja e nevojshme për vendin tonë, vijuen të dërguemit, ashtë të botohet një fletë shqip-tyrqisht për me i dhanë me kuptue popullit të Kosovës ç’bahet në shtëpit. Dervish Hima u ngrit e i përkrehu nxehtësisht kërkesat e Kosovës. Përsëriti nevojën që ka Kosova për një msonjtore të madhe (shkolle normale) dhe për një fletë të përjaveshme shqip-tyrqisht me anën e së cilës do të dilnin në shesht padrejtësitë që po bahen mbi kurrist të kesaj popullsie trime e dhe këto mizori do te riprodhoheshin në fletët tona kombëtare si dhe nëpër ato t’Europës, boll që të mirte vesht edhe Europa se ç’po punohej mbi kurrist të kesaj krahine thjesht shqiptare.

Ndër shumë pika që u rrahën vendosi midis te tjerash edhe këto:

1) Të çilet një mësonjtore e madhe në Shkupt një orë e ma parë dhe të botohet nje fletë (gazetë) shqip-tyrqisht. Te hollat që do të nevojiteshin për Nomalen e Shkupit u vendos të mblidheshin nga shqiptarët e Kosovës. Dervishi kërkoi që edhe shuma e të hollave qe ishin mbledhur, ishte i mendjes që t’i dhurohej shkollës Shkupit, së bashku edhe me shumën e të hollave që ishte mbledhë nga një çfaqje theatrore që ishte dhanë prej disa artistave shqiptarë në Stamboll. Dha fjalën gjithashtu se fletës që do të shifte dritën në Shkupt do t’i siguronte me një herë njëqind pajtime që do t’i mblidhte nga shqiptarët e Stambollit.

2). Klubi qëndror i Stambollit i ngarkohej barra të çilte një akademi që do të merrej me botimin e librave shkollore dhe me gatitjen e fjalorit shqip.

3). Klubi i Stambollit të mirrte përsipër me e pyetë Sheh-ul-Islamin për një fjalë. U muerën edhe shumë vendime të tjera që s’po i përmend se drue e teproj.

Gjithë këto vendime u pranuen me gëzim dhe Kongresi i dytë i Manastirit u mbyll me këto fjalë të kryetarit: “s’ka gja ma të naltë në ktë botë se sa kombi dhe gjuha.

Këtë dashuri për gjuhë shqipe Kosova e tregoi edhe me punë. Posa hapi dyert shkolla Normale e Elbasanitvjeshtë të vjetit 1909 togje-togje erdhën n’Elbasan nxanës nga viset e Mitrovicës, të Pejës, të Jakovës, të Shkupit, të Prishtinës, të Vuçiternit, për të nxanë të bukurën gjuhë shqipe, ja kemi hue atdhetarit të flaket shpirt-ndritëshmit Hasan Prishtinës.

Historia e kohës së vjelun, zjarri i pashuem i Kosovës së sotme për lirin e vet dhe fryma e re e së pritmes dëshmojne e rrfejnë me gojë të vërtetë se vetëm një udhë shpëtimi ka Kosova, të rrijë e bashkueme me Nanën Shqipni. Vetëm kështu, e mbështetun njana me tjetrën mund të mënjanohet rreziku që po na troket ke dera.

Klubet

Sa u shpall lirija e 1908-ës u mbush shqipënija me klube politike. Klubi i Manastirit ishte qëndra e gjithë klubeve që deri atëherë vepronin si shkolla nate për ti mësue shqip popullit, salla leximi edhe vend konferencash. Në Klubin e Manastirit janë mbajtë edhe konferenca me ngjyrë politike. Më Dhetuer 1909, erdhi Nikolla Ivanaj, drejtori i fletës “Shpres’e Shqipnisë” që botohej në Trieshte, e mbajti një konferencë në Manastir që u dha dhe për botim të organi i shqiptarëvet “Bashkimi i Kombit” me një kryeartikull me titullin « Quorque tandem ».

Ligjëratat, konferencat, artikujt e flaktë shqip e turqisht, fjalët e mëdha që dëgjoheshin posht’e naltë krijuen një farë psykoze ndaj turqve të ri, të cilët s’duronin mà t’u flitej për shqiptarë e për Shqipni. Halë ne sy i kishin shqiptarët myslimanë sepse nuk ja nxinte mendja qysh këta din-kardashet t’i bajnë baltë shkronjat tyrke si dhe kur flitnin shoq me shoq për arnaudët  buza e sipërme u dridhej nga pak prej frike e prej zemërimit. Faik Konica që e kishte vënë re mirë shkroi një herë teAlbania”c’est une grimace à peine perceptible, mais tellement caracteristique qu’on n’oublie pas une fois soisie au vol” (ishte një shtrëngim buzësh që memzi dallohej, por kaq karakteristike sa që kapej fluturimthi) dhe po Faiku lëshoi një ditë kushtrimin “combattons les jeunes turcs, ce sont eux qui pour le muvement personifient le Kuçedra te nos legendes populaires” (ti luftojme turqit e rinj, sepse janë pikërisht ata që për lëvizjen tonë përfaqësojnë kuçedrën e legjendave tona popullore).

Dita ditës puna po thartohej, marrëdhaniet po keqsoheshin, maceja që kishte hyrë në ment të shqiptarëvet dhe turqve të rinj kishte qenë e zezë. Dyshimi se shqiptarët me këtë hof dhe shpërthim të kombësisë mos kërkonin edhe disa të drejta përtej kufinit ose nje autonimi sic et simpliciter (si ndodhi konkretisht) që u forcue me zbritjen e Dervish Himës në Shkodër me një flamur shqiptar. Shtypi turk s’e mbajti gojën ma por i u lëshue shqiptarëvet me tërbim. Shkroi e tha se qeveria ottomane s’kishte ndër ment t’u ipte imtiazate (aprovimin). Fleta Drita e Manastirit” që kishte zanë vendin e Bashkimit të Kombit”, që botohej nën drejtimin e patriotit Muço Qullit i a dha flakë per flakë me një radhë kryeartikujsh të titulluem: imyiazatmi jokse bukuri tabiijemi qe i a kemi hue pendës së prehte të Mustafa Hilmiut që ashtë vetë Muço Qulli.

Po të lamë mënjanë ditët më të lashta të historisë shqiptare e të shtrojmë lëmashkun e harresës edhe mbi kryengritjet e repta që u vërtetuen midis vjetvet 1825-1850 në Shqipni të Veriut dhe të Jugut, fitime e të bjeruna nga të dy palët, mund të thomi se qysh prej vjetit 1856 e deri në Ligën e Prizrendit shqiptari gëzon një farë qetësie në shtëpi te vet. Por nji kjo paqe e qetësi gadi e kalli në dhet kombin shqiptar. Nuk jam tue i ba bisht së vërtetës historike nëe pohofsha se atë që nuk e bënë shekuj me rradhë robnije që tue u ba aty për aty në një të katert e shekullit, gjatë së cilës rreziku i njësisë kombëtare, i gjuhës shqipe, e farës së pashtrueme shqiptare, ka qenë i math fort.

Në të endun të jetës së vet, vetëm një herë ndoshta malësori, fusharaku, ndjeu majën e thikës që po e shponte në palce.  Ndoth disa herë të rrjedhë një e mirë prej nji së keqeje dhe kjo ngjau, gjaqet u falën. Bujaria e shqiptarit në ditët  me rrezik është edhe më e madhe, besa u lidh se Ligën e Prizrendit e kishte aty në kambë si shkamb të gjallë kundër kuvendit të Berlinit i cili pa njoftë zot e pa vu dorën në zemër, desh me dà Shqiperinë copa-copa. Kjo veprimtari e madhe nuk i pruni politikisht nonji fitim çështjes shqiptare ose ma mirë ky fitim ka qenë vetem mohimtar, por në fushë të kulturës kombëtare dhe të jetës së shoqërueshme ka qenë një vepër e madhe historike që shembi e rrënoi për një hop ndryshimet e klasavet dhe te fevet dhe në emër të mbrojtjes së kombësise shqiptare u lidh Besa, u shtypën libra e fletore, të cilat mbajtën vlagë pothue deri ditën që u çpall pavarësija. Qysh prej kësaj Lige fillon rilindja e vërtetë shiptare.

Grekët qysh prej ditës që fituen pavaresinë (1830) s’na kanë lanë të ringremë krye. Miqsija e tyne në lidhje me ne ka qenë laj e lyej. Anmiqësija e tyne, e cila në krye ka qenë e mbulues dhe disa herë dhe latare e buzagas e hoqi maskën më 1878 të nesërmen e Ligës së Prizrendit u ba e egër, e tërbueme, e pamëshirshme. Turqia me Greqinë u rrokën dorë për dorë dhe u lëshuen për të prishë çerdhen e shqipes. Po ky rrebesh nuk e tronditi idealin kombëtar, sepse në çdo vend të Shqipnisë kishte apostuj e nxanës të cilët s’u bante lak zemëra. Një ndër këto çerdhe ku qëndroi në këmbë lëvizja kulturore shiptare deri sa s’muer fund Lufta Ballkanike ka qenë edhe Manastiri.

Ky qytet është ndërtue pranë Heraklesë së moçme, që ka qenë një qytet i vjetër i Maqedhonise mbi rrugën historike Egnatia e cila shkon aty afër Manastirit t’sotme. Mbasi u prish ushtërija e Perseut, Heraklea ra në dorë të romanëvet, të cilët, mbasi disa kohë e lanë shkret dhe e ndërtuen n’atë fushe ku ndodhet sot Manastiri. Qyteti ka qenë në kohët të lashta një qendër strategjike me randësi dhe çelsi për ata popuj që lakmonin pushtimin e Maqedhonisë. Edhe sot tue u ndodhë pranë kufirit shqiptaro-grek, po atë rëndësi ushtrijake ka.

Në ditët e Bizancit grahi aty jeta e kallogjerivet, me manastire të lulëzuame midis të cilëve u ba i famshëm manastiri i Bukovës. Bullgarët e quajtën Bitolj por më 1382, kur ra ne duer të perandorisë ottomane, ndërroi emër prap, tue u quejt Manastir në kujtim të monastirëvet qe qenë ngrehë aty rrotull. Ka qenë kryevendi i një vilajeti ku rinte valiu, u zbukuruem me ndërtesa qeveritare dhe private të dorës së parë, me kazerma të mbëdhaja, me gjimnaze ushtrijake dhe qytetare, me shëtitore të bukura gjatë Drahorit. Gjindja vishej e mbathej mirë, vishej bukur mund të thom dhe të pasunit e djelmënija sqimatare visheshin në “Tiring” që sillte nga Viena petka të gatëshme të modës së fundit.

Edhe sot që kanë kalue tridhet e dy vjet, dhe kanë zanë të bijen mbi jetën t’ime hijet e mbramjes, e kam përpara syvet si nji pikturë të bukur e mbështetut pa rrzis Peristerit që është fund e majë gjelbërime. Tregu ishte mbushur me gjithëfarlloj mallrash, kishte qumësht dallandysheje, ëmbëltore e gjelltore me gjithfarë gjellësh e ëmbëlsirash të mira të gatueme prej mjeshtrish të ardhun nga Lindja e nga Perëndimi. Në disa rrugë të tregut s’të ikesh se kundruemi artizanatin tipik të vendit si punë të bukura me telish, qilima të randë, gajtana të mendafshtë dhe punë të hijshme të lëkurës. Por mbrenda fare, në zemër të qytetit, Manastiri të bante përshtypje të kundërt. Me çpalljen e lirisë me 1908 edhe arsimit që kishte mbete prapa, i ra një erë evropiane.  Veç mësimit të llogjikës, u hap fjala se në klasat e nalta të gjimnazit do të hynte me triunf edhe psikologjija (ilmi ahdali ruh) e nxënësit i kishte zanë data.

Pëlhura e marrëvshjeve politike dhe kulturore të shqiptarëvet në ditët e robnisë dhe mbas çpalljes së lirisë ka qenë vu e ende në Manastir që ishte udhë-kryq ku piqeshin e kuvendonin shqiptarët që niseshin për mërgim, por udhë-kryq sidomos për ata që ktheheshin nga Rumanija dhe Bullgarija dhe kishte gjetë shesh të lirë lëvrimi i gjuhës dhe i ndjenjës kombëtare e këta shqiptarë në të hyme të Manastirit, zbarznin zemrën e tyre patriotike, linin farën e kombësisë aty dhe ktheheshin nëpër vendet e tyne.

Më 1903 Manastiri, Shkupi dhe Selaniku kanë qenë tri vilajete të Tyrqisë së Europës ku, si mbas marreveshjes së Murzstegut, do të futeshin reformat që ishin pjella e mendjes femër të diplomacise austro-ungare dhe të Rusisë me pëlqimin e fuqivet e mëdha. N’at marrëveshje ishte theksue se n’ato krahina të vilajetit të Manastirit dhe të Shkupit ku ishte popullsija thjesht shqiptare reformat nuk do të hynin.

Ky dorëshkrim, për arsye të qëndrimit në kondita të vajtushme në bodrumet e shtëpisë në breg të liqenit të Pogradecit përgjatë dy vjetëve që familja e Cipos qëndroj e internuar në Itali dhe Pogradeci ndodhej i përfshirë në luftën italo-greke, Cipu-a u detyrua ta rishkruajë edhe një herë në Dhjetor 1941 pa ndryshuar as shkrimin dhe as përmbajtjen dhe është pikerisht ky që po ju paraqesim.

Robert Cipo

Pin It on Pinterest

Share This