Përrallat e Tranzicionit Shqiptar – Shinasi A. Rama

Shinasi A. Rama. I lindur në Shkodër më 1959, ka magjistruar në South Carolina University (1992-1996), mban gradën Doktor i Shkencave Politike nga Columbia University (1996-2004) dhe është Profesor Klinik në Departamentin e Politikës në New York University në SHBA. Është Drejtor i Programeve të Masters në Departamentin e Politikës të NYU dhe Zv. Drejtor i Qendrës Alexander Hamilton për Ekonominë Politike. Jep mësim në nivelin mbasuniversitar në NYU dhe në Columbia University.
Ai ka qenë edhe Organizues dhe Drejtues i Lëvizjes Studentore të viteve 1990-1991, bashkëthemelues i Partisë Demokratike, Anëtar i Komisionit Nismëtar të PD-së. Gjatë Luftës së Kosovës ka qenë Zëdhënës i UÇK-së në SHBA, Këshilltar Politik i Delegacionit Shqiptar në Rambuje dhe Këshilltar i Lartë Politik i Kryeministrit të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.

Lexoni librin e plotë ose shkarkojeni Falas (PDF) – Read the book or download it here Free (PDF)

[tnc-pdf-viewer-iframe file=”http://robertcipo.com/wp-content/uploads/2017/12/Përrallat-e-Tranzicionit-Shqiptar.pdf” width=”700″ height=”600″ download=”true” print=”true” fullscreen=”true” share=”true” zoom=”true” open=”true” pagenav=”true” logo=”false” find=”true” language=”en-US” page=”” default_zoom=”auto”]

PARATHËNIE – Përrallat e Tranzicionit Shqiptar

Kjo përmbledhje është një përpjekje për të reflektuar mbi shkaqet e dështimit të proceseve historike të transformimit të gjithanshëm të shoqërisë shqiptare, e të kalimit nga një sistem shoqëror në një tjetër, pra të kësaj periudhe mbi-20 vjeçare të përcaktuar si tranzicion. Analizat janë përgatitur si pjesë të një mozaiku refleksionesh, të shkruara për t’u botuar në shtypin e përditshëm, të quajtur 1001 Përrallat e Tranzicionit. Shtysa për analizat është marrë nga ngjarje reale që kanë ndodhur gjatë këtyre dy viteve të fundit, si zgjedhje, përkujtimore, mitingje, formime koalicionesh, takime ndërkombëtare, fjalime politikanësh, apo reflektime lidhur me analiza e komente të botuara në shtypin e përditshëm. Por, analizat nuk janë thjesht një përmbledhje mekanike dhe gazetareske e shkrimeve, të botuara për probleme të ditës, në shtypin e ditës gjatë këtyre dy viteve të fundit. Edhe pse një pjesë e tyre janë botuar në shtypin e përditshëm, si tek Libertas, Gazeta Shqiptare, Sot, Shekulli, TemA, Panorama, shkrimet iu kanë shkuar me postë elektronike të gjithë organeve të shtypit. Kush e ka parë të arsyeshme i ka botuar. Këtu, analizat janë paraqitur të ripunuara dhe për një audiencë tjetër.

Në procesin e ripunimit të librit, mbasi e pashë të nevojshme që t’i bëj mendimet më të qarta dhe të kuptueshme për lexuesin, analizat i kam prekur në disa pika, veçanërisht në anën argumentative e teorike. Nevoja për të qartësuar e ftilluar më mirë aspektet teorike e praktike të problemeve që trajtohen këtu, si dhe për të zhvilluar argumentin e paraqitur në një kohë tjetër, natyrisht, pa prekur ndonjë parashikim që është bërë në lidhje me fenomene të caktuara, 16 përrallat e tranzicionit shqiptar ishte e pashmangshme. Mendimet, që ishin shprehur me shpejtësi e lehtësi, shpesh ishin të hedhura shkujdesshëm, dhe kishin nevojë për sistemim e sqarime, që do t’i bënin të kuptueshme për gjithkënd.

Pavarësisht nga ka ardhur shtysa e momentit, në këtë përmbledhje, jam munduar që t’iu ofroj përgjigje, kryesisht e sistematikisht, tre pyetjeve kryesore. Së pari, a ka arritur paria sunduese që të ndërtojë shoqërinë që iu garanton shqiptarëve sigurinë e jetës, të nderit, të pronës, begatinë e ardhmërinë që meritojnë ata, ashtu siç bënë paritë respektive për popujt e tjerë të Europës Lindore? Ky do të ishte fundi i tranzicionit të suksesshëm për shoqërinë shqiptare. Së dyti, në se nuk është arritur që të ndërtohet një shoqëri me struktura, me institucione, me vlera, me kulturë, me identitet, e me objektiva që e bëjnë të mundshme zhvillimin progresiv, në vazhdimësi dhe me qëndrueshmërinë që nevojitet, ku duhet kërkuar përgjegjësia historike? Së treti, çfarë duhet bërë me ndryshue, me vendosë, e me konsolidue një sistem të ri, i cili do të garantojë të ardhmen më të mirë të mundshme për shqiptarët?

Përgjigja e këtyre tre pyetjeve vjen përmes analizimit të aspekteve të ndryshme të tranzicionit, të para nga kënde të ndryshme. I përsëritur rregullisht, në fund të çdo shkrimi, e për tema të ndryshme, argumenti im është se tranzicioni ka dështuar në arritjen e objektivit të përbashkët të shqiptarëve. Eksperimenti shoqëror, që u ideua dhe u drejtua nga paria, ka dështuar për të ndërtuar një shoqëri normale dhe demokratike, e cila mund të ofrojë siguri njerëzore, mbrojtje shoqërore, mundësi zhvillimi, përparim ekonomik e begati për të gjithë shqiptarët.

Duke vlerësuar ndryshimet pozitive që janë arritur në drejtime të caktuara, ky gjykim ofrohet duke mbajtur në mend gjithnjë çmimin e pakrahasueshëm që është paguar për ato mbrritje. Po ashtu, gjykimi im mbështetet në shkallën e mundësive që u krijuan, si dhe në sasinë e në cilësinë e burimeve njerëzore e ekonomike të jashtëzakonshme që paria, dhe e gjithë shoqëria shqiptare, pati në dispozicion mbas vitit 1990. Është gjithnjë më e vështirë me gjykue sjelljen njerëzore nga këndvështrimi i synimeve dhe i qëllimeve se sa i të dhënave faktike. Por, pa një gjykim të tillë, nuk mundet me u vlerësue si duhet përvoja historike. Shkurt, mendimi im është që ishte dashtë që të përfitohej shumë më shumë nga mundësia historike që u krijua.

Ka edhe faktorë të tjerë, si Zeitgeist, mendësia popullore, dhe influencat e huaja, që luajnë një rol të madh në këtë proces të dështimit të tranzicionit. Mirëpo, duke mos e nënvlerësuar rëndësinë e këtyre faktorëve, mendimi im është se nuk ka fare dyshim që shkaktarja kryesore, për këtë dështim të tranzicionit, është paria e Tiranës. Kjo shtresë numerikisht e ngushtë, që kontrollon me dorë të hekurt pushtetin politik, sistemin ekonomik, dhe vlerat kulturore në shtetin shqiptar, në dukje, është amorfe, e fragmentarizuar, dhe e përçarë. Por, në realitet, “e kapur si lëmashku në ujë,” kjo rrjetë e ndërlidhur e parisë është e lidhur me një mijë fije tejet të qëndrueshme përmes interesave, vlerave, edukimit, lidhjeve farefisnore, origjinave, mendësisë e qëllimeve të përbashkëta brenda një brezi e midis brezave të njëpasnjëshëm. E lidhur mbas individëve të veçantë e klaneve respektive, paria ka punuar vetëm e vetëm për të ruajtur interesat e saj.

Krizat që ka kaluar shoqëria shqiptare janë të njëpasnjëshme e shumë tranduese. Por, në mos tjetër, Fortuna, e papritura, e paparashikueshmja dhe rastësorja në histori, siç thotë edhe Machiavelli, nuk i ndërron njerëzit aq sa i kultivon karakteristikat e tyre të vërteta. Fortuna i bën që të tregojnë karakterin e tyre të vërtetë. Paria kishte dijen, zotësinë, aftësitë, stërvitjen dhe edukimin për të bërë zgjedhjen e duhur. Prandaj, përgjegjësia historike për dështimin e tranzicionit nuk duhet t’i mbesë karakterit dhe kulturës së popullit shqiptar, një popull që është mbajtur qëllimisht në errësirë për kohë të pafund. Nuk mundet me iu lënë përgjegjësia as të huajve që, në fund të fundit, nuk janë përgjegjës, e nuk kanë ndonjë interes jetik për zhvillimin e shtetit shqiptar. Nuk mund t’i mbetet përgjegjësia as rrethanave historike, apo edhe vetë Fortunës.

Kur një shtresë e caktuar, shumë e organizuar, me ide të qarta, dhe e përgatitur mirë, lufton me të gjitha mënyrat e me vetëdije të plotë, vetëm e vetëm për të ruajtur sundimin e vet, i arrin 18 përrallat e tranzicionit shqiptar objektivat e saj. Paria, edhe kur është numerikisht e papërfillshme, e përcakton fatin historik të një populli dhe është në gjendje t’i shmangë efektet e rastësive historike nga vetvetja, dhe, po të jetë e përgjegjshme, edhe të ruajë popullin e vet. Në shtetin shqiptar, me vetëdije, paria mendoi vetëm për veten e vet dhe nuk u kujdes aspak për popullin shqiptar. Sistemi që është ndërtuar është sistemi që ajo ka punuar që të ndërtojë. Prandaj, përgjegjësia e dështimit të tranzicionit është e shtresës sunduese. Karakteristikat e përbashkëta, që ka pasur e që e dallojnë edhe tani, e që paria i shfaqi hapur gjatë tranzicionit, ishin shumë të frikshme.

Përtej kësaj, paria ka arritur që t’i imponohet të gjithë shoqërisë shqiptare. Kjo ka ndodhur jo vetëm në marrjen e vendimeve të rëndësisë strategjike, por edhe në çdo aspekt të jetës së përditshme. Si pasojë, paria e ka deformuar dhe kriminalizuar shoqërinë deri në një pikë të rrezikshme, aq sa kthimi në normalitet duket thuajse i pamundur. Në këtë drejtim, paria ka qënë tejet e suksesëshme. Por, arritja e saj, si pari, si shtresë shoqërore, është fatkeqësia e të gjithë shqiptarëve si komb. Tash, paria mundohet që ta paraqesë atë që ka ndodhur si Fortuna. Por, në fakt, Fortuna kanë qënë një numër i pafund dhe i njëpasnjëshëm vendimesh të marra nga paria dhe nga prijatarët e saj.

Dy fjalë në lidhje me qasjen e përmbledhjes. Së pari, caveat emptor, njerëzit që e jetojnë përditësinë në realitetin shqiptar kanë zhvilluar mekanizma jetese, argumente mbrojtëse, si dhe justifikime të shumëfishta kulturore për sjelljet e tyre. Këto argumente kulturore apo të rrjedhura nga praktika e përditshme, janë përforcuese të interesave, të lidhura fort me dhe që mbështesin njëri-tjetrin. Veprimet e tyre të përditshme, në kushte të tjera, do të konsideroheshin si pastërtisht kriminale ose jonormale. Megjithatë, në shtetin shqiptar sjelljet kriminale janë bërë shoqërisht të justifikueshme. Për shumë prej njerëzve, ai realitet është normaliteti, dhe jeta, për ta, nuk imagjinohet ndryshe. Edhe kur e dinë se i kanë “shkepë me rrena” e me mashtrime, njerëzit durojnë thjesht sepse kanë një jetë më të mirë në disa drejtime, d.m.th. materialisht, standardi i tyre i jetesës është më i mirë se sa standardi i jetesës që kishin në vitin 1990. Ata shohin përmirësime relative të gjendjes ekonomike e materiale, dhe ndalen në atë pikë.

Mosngopja e barkut me bukë në sistemin e dikurshëm, dhuna dhe kontrolli totalitar i shtetit, që janë të pashlyeshme në mendjen e brezave mbi një moshë të caktuar, përcakton edhe shkallën e gjykimit të tyre lidhur me tranzicionin. Problemi është se në sistemin enverist gjendja materiale ka qënë aq e keqe, dhe shtypja ka qënë aq ndrydhëse, sa çdo gjë që mund të ndodhte mbas vitit 1990, do të ishte një përmirësim i pakrahasueshëm. Por, edhe për këta njerëz që ende gjykojnë me urinë e me varfërinë e dikurshme, nuk mjafton vetëm ana materiale. Njerëzit gjithmonë duan që të besojnë në diçka që e justifikon sjelljen e tyre si të moralshme, dhe që i konsideron praktikat që janë në të mirë të interesit të tyre të ngushtë, si rrugën e drejtë të sjelljes në shoqëri. Për të funksionuar shoqëria, duhet arritur kodifikimi i këtyre sjelljeve, që duhet të konsiderohen si sjellje të moralshme, të pranueshme, e praktikisht të pazëvendësueshme nga të gjithë. Prandaj, edhe kur nuk ka një ideologji të gatshme, njerëzit shpikin argumente e vlerësojnë sjellje që bëhen koherente, konsistente dhe që, me kohë, marrin dukjen e një botëkuptimi, pavarësisht se sa irracionale që mund të duket ajo sjellje nga jashtë atij realiteti.

Në realitetin shqiptar, për shumë vjet, objektivi i njerëzve ka qënë mbijetesa. Kjo është arritur nga shumica e njerëzve duke punuar kundër ligjit e shtetit, si dhe kundër shumë formave të tjera të moralshme të organizimit shoqëror. Për ata që ikën, mbijetesa është siguruar, në rastin më të mirë, duke mbetur në pjesën e padukshme të shoqërive e të shteteve perëndimore si mërgimtarë. Nga ana e saj, paria e Tiranës përdori shtetin dhe dijet që kishte për të forcuar oligarkinë e vet. Shoqëria përdori klanin katundar, forcën, dhe hapësirën e ligjshme e të paligjshme që iu krijua me rrënimin e shtetit. Tashmë, të dy palët po ecin në rrugë të ndryshme. Edhe pse pajtohen se forcimi i shtetit është një problem për të dy palët, zgjidhja e krizës kalon përmes forcimit të shtetit.

Duhet kuptuar qartë se njerëzit e racionalizojnë gjendjen e tanishme, si dhe sjelljen e tyre në luftën për mbijetesë gjatë tranzicionit, duke e krahasuar me mjerimin e fundit të viteve ’20 përrallat e tranzicionit shqiptar 1980-të. Nuk ka dyshim që shumicës së shqiptarëve, jeta e tyre personale, relativisht, nga ana materiale, iu duket shumë më e mirë gjatë tranzicionit se sa ka qënë më parë. Në jetën e njerëzve, shteti, që tashmë është një instrument i pakushte, korruptiv, e zvetënues nën kontrollin e padiskutueshëm të parisë, është kthyer në armikun kryesor të shumë njerëzve. Problemi është se rruga e pasurimit, por edhe e mbijetesës, kalon përmes krimit, si dhe në kundërvënie të hapur ndaj shtetit e ndaj moralit të një shoqërie normale. Duke qënë se paria ndan të njëjtën mendësi, se pse kjo gjendje i shërben më së miri, situata është me të vërtetë kritike.

Prandaj, edhe realiteti shqiptar, që për mua është një realitet krejtësisht anormal dhe i shfytyruar, është edhe lehtësisht i kuptueshëm dhe e ka shpjegimin e vet, logjik, dhe të mbështetur me një masë të pakundërshtueshme provash, tek sjellja e parisë. Edhe kundërshtimi për rrugën e zgjedhur vjen pikërisht prej kuptimit të ndryshëm të asaj se çka ka qënë dhe është normale, njerëzore, e nevojshme, e dobishme, si dhe, mbi të gjitha, racionale dhe e mundshme për shoqërinë bashkëkohore shqiptare. Po ashtu, në disa pika, gjatë paraqitjes së këtyre argumenteve ia kam lejuar vetes lirshmërinë e të shprehurit që, vende-vende, duket sikur është edhe emocionale. Këtu nuk ka fare elemente subjektiviteti, përkundrazi. Por, e vërteta të dhemb. Është krejt ndryshe me t’ia shpjeguar dikujt të keqen që i ka rënë, prej identifikimit të së keqes në shoqërinë tënde. Aq më shumë që kjo që po ndodh sot ka provuar katërcipërisht atë që unë e kam thënë dhe e kam parashikuar qartë, qysh në fillimet e tranzicionit, cicatrix manet, një bindje që veç më është forcuar me kohën. Por, sot mundem me e arsyetue atë që dikur e kam marrë me mend dhe që e kam pasë frikë, edhe pse nuk kam mundur t’i imagjinoj përmasat e së keqes që do të ndodhte.

Në përmbledhje thuhet haptazi, si në përrallën e Andersen, se “mbreti është lakuriq.“ Ky nuk është një përfundim i këndshëm për ata që presin të dëgjojnë se punët në shtetin shqiptar janë mirë. Por, detyra e ime është me dhënë mendimet e mia. Në se mendimet dhe analiza ime janë të pranueshme apo jo për dikënd tjetër, ky nuk është më problemi i im por i lexuesit. Me dalë mbreti i zhveshur lakuriq mundet me kenë edhe moda e fundit, dhe, njëkohësisht, shprehja më e gjallë e bashkëkohores në jetën shoqërore të një populli, po kjo nuk don të thotë se ai popull është në rrugë të drejtë. Asgjë më shumë se organizimi serioz e impresionues i karnevaleve, vetëm pak kohë mbasi një qytet i madh përmbytet për javë të tëra, e m’u për këtë tragjedi konsiderohet se ka qënë gjithnjë si Venecia e Ballkanit, nuk e ilustron këtë mendësi paradoksale, anormale e tragjikomike, të shoqërisë shqiptare në tranzicion.

Shpresoj që mërgimi i gjatë, edhe pse i padëshëruar dhe i imponuar, si dhe studimet e mia, të më kenë ndihmuar që t’i shoh, si individët që janë lojtarë kryesorë të parisë, ashtu edhe proceset e ndryshme, më qartë e më qetësisht se atyre që iu duhet të jetojnë përditësinë në shtetin shqiptar. E vërteta është se i kam njohur mjaft mirë disa nga këta individë shumë kohë më parë. Natyrisht, ato ishin kohë kritike, kur s’mund të dilje lehtë nga lëkura e vërtetë. Duke i vëzhguar nga afër, mendoj se e kam parë fytyrën e tyre të vërtetë, dhe ajo nuk ka kenë e këndshme. Po ashtu, edhe pse nga larg, i kam ndjekur me vëmendje të madhe gjatë evolucionit të tyre edhe gjatë kësaj metamorfoze të tranzicionit. Ata që kanë kenë, ata edhe kanë mbetë.

Miqësitë personale janë të çmueshme. Gjithsesi, të vërtetën duhet me e thanë ashtu si e kupton, edhe kur mundesh me i humbë miqtë që presin me i dashtë, pa i gjykuar për sjelljet e tyre. Por, e vërteta nuk ndrron prej kushteve ku jemi, ajo që ndrron është aftësia e jonë me e thënë atë në kushte e në realitete të caktuara. Për këtë arsye, sidomos në kohë të këqia, si këto që po kalojnë shqiptarët, duhet me ditë me dalë mbi vetveten, mbi të metat, mbi lidhjet personale e, mbi të gjitha, me i tejkalue edhe mangësitë tona personale si njerëz. Në këtë pikë, ndërgjegja e ime është miku që më duhet më shumë. Si për çdo njeri tjetër, që është tërësisht i shkëputur, me vetëdije, nga proceset politike e nga marrëdhëniet shoqërore në një shtet të caktuar, edhe për mua, fjala që kam me thënë, është gjithçka që mundem me dhënë.

Më në fund, si të gjithë përmbledhjet me shkrime, edhe kjo iu detyrohet shumë vetëve. Edhe pse e shkruar për një botë që ata nuk e njohin, ky libër është shkruar me Ashtinin dhe Aidanin në 22 përrallat e tranzicionit shqiptar mendje. Kjo përmbledhje nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e vëllezërve dhe motrave të mia. Kolegët si Prof. Eda Dërhemi më kanë dhënë një ndihmë të çmuar, si me komentet ashtu edhe me anën gjuhësore. Poeti dhe kritiku Vaid Hyzoti, që me përkushtim mori përsipër redaktimin letrar, më ka ndihmuar shumë në ruajtjen e normës letrare. Komentet e studentëve të mi, Najada Tafili Phoenix dhe Grid Rroji, kanë qënë një ndihmesë e paçmuar gjatë procesit të përgatitjes së librit. Si gjithnjë kritikët më të ashpër dhe lexuesit më të vëmendshëm kanë qënë Nereida Rama dhe Sokol Muja. Përmbledhja ka përfituar shumë prej leximit të vëmendshëm dhe komenteve të shumë miqve të tjerë që nuk po i përmend këtu, por ata e dinë kush janë dhe unë iu jam shumë mirënjohës për leximin e vëmendshëm dhe komentet e tyre.

Botohet dhe shpërndahet me lejen e Autorit – Reproduced and shared with Author’s permission

Pin It on Pinterest

Share This
%d bloggers like this: