Për të Vërtetën

ShkrimPikërisht  atëhere kur njerëzit kujtuan se më në fund erdhi e Vërteta, u çfaqën si të dalë nga zemra e mesjetës, aty ku kishin mbetur të “ngujuar” (për të përdorur fjalorin e tyre) ata, njerërzit e shpellave, të palarë, të pakrehur e të parruar, me një shqipe arkaike që nuk arrije ta kuptoje edhe me fjalorin e Frang Bardhit.

Mbasi braktisën heshtat e harqet, rrëmbyen pushkë e kallashe dhe si fiset barbare të mesjetës shkatërruan, dogjën e vranë kë u dilte përpara. Me në krye krye-shpellarin të dalë po nga gjiri i tyre (që kur ecte e kur fliste të kujtonte aktorin Boris Karlof në filmin mbi Frankeshtainin apo aktorin komik francez Fernandel në filmin “Ali Baba me 40 Hajdutët” ), i cili me ligjet e shekullit të XV në dorë, e duke tundur  flamurin e anti-komunizmit por duke vepruar si një fashisto-komunist i vërtetë, serviri në vend të Gënjeshtrës nën-produktet e saj, Korrupsionin, Kontrabandën, Prostitucionin, Përvetësimin e tokave të të tjerëve,  shitjen apo rrëmbimin e fëmijëve.

Dhe pamë nga ministra te policë e shefa zyrash (me sa duket ky Ali Baba ynë kishte më shumë se 40 hajdutë) filluan të gëlltisin milionat e dollarëve.

Na u çfaqën gjithashtu njerëz injorantë e hajdutë profesionistë të cilët filluan t’u premtojnë këtij populli të rritur në gënjeshtër një GËNJESHTËR akoma më të madhe. I pëshpëritën në vesh, ashtu si dhelpra Pinokios, se po të mbjellësh paratë në bahçe, ato do të mbijnë e do të japin prodhim të bollshëm e brenda vitit mijëlekshet do të varen nga degët e pemëve, ku sejcili nga pema e vet e pa mundim  mund të zgjasi duart e të  marrë sa para te dojë.

Dhe ndodhi ajo që nuk pritej. Të gjithë u sulën me vrap drejt kësaj mrekullie të bukur, por që ashtu si Pinokios ju doli fort e shëmtuar, dhe tashti bredhin si çifutët në shkretëtirë duke ia kërkuar të tjerëve paratë që vetë i mbollën në bahçe.

albania1997Në formë paranteze duhet të themi se këtë gënjeshtër e “hëngrën” njerëz nga të gjitha kallëpet. Cuditeshim kur shihnim drejtues partie, Ministra, Drejtorë, Oficerë, Doktorë,  Policë, Mësues, Profesorë, Tregtarë, Fshatarë që shisnin lopën e vetme, Intelektualë që shpresonin të bëheshin edhe ata të pasur, vraponin të shisnin shtëpitë duke mbetur në mes të katër rrugëve.

Madje u panë njerëz qe i hipnin avionit a tragetit e vraponin e vinin me vrap edhe nga jashte shtetit dhe sillnin ato para që i kishin fituar në mërgim me djersë e gjak. E kur ti shihje të gjithë me nga një lopatë në dorë dhe me torbën e pareve në krahë, shtyheshin e vriteshin kush të mbillte sa më shumë para, sa te bahçja e Sudes, sa te kopshti i VEFA-s e sa dhe në lëndinat e gjelbërta të një grupi dhelprash-gënjeshtare që qëshnin e gajaseshin me këta budallenj e qe pasi jua merrnin paret, i paketonin e pa patur kohë për t’i numëruar i dërgonin të shoqëruara nga pjestarët e familjeve të tyre për t’i depozituar në bankat e Svicrës apo të Greqisë.

U fola kaq shumë këtyre budallejve që të mos bënin asnjë veprim me paret e tyre, por asnjë nuk më dëgjoi. I shoh tashti që si të trullosur qajnë hallet me njëri-tjetrin, gjithnjë të ulur që në pikë të mengjesit tek kafet poshtë pallatin ku unë banoj, dhe  shpesh vijnë e shurrojnë gjithë kënaqësi pikërisht tek shkallë e pallatit.

Robert Cipo – Tiranë 1996

Pin It on Pinterest

Share This