Një Përgjigje për Mohuesit e Standardit të Shqipes

ShkrimNjë javë pas botimit të letrës që një grup gjuhëtarësh, shkrimtarësh dhe intelektualësh i drejtuan Kryeministrit Edi Rama për mbrojtjen e gjuhës shqipe, një nga firmëtarët e asaj letre, Prof. Rami Memushaj, flet për gazetën ‘DITA’. Ai shpjegon në këtë intervistë arsyet pse u shkrua ajo letër dhe nga cilët qarqe rrezikohet seriozisht shqipja. Çfarë fshihet pas sulmeve të pandërprera kundër shqipes standarde gjatë dy dekadave të fundit dhe pse shteti shqiptar duhet ta shpallë gjuhën shqipe “objekt kulturor i rëndësisë së veçantë”. Roli i Akademisë së Shkencave dhe emrat e atyre që punojnë sistematikisht për prishjen e shqipes standarde.

“… Profesionalisht, kjo zonjë (Ledi Shamku-Shkreli) e vetëshpallur si sociolinguiste nuk është linguiste, kusht i parë për t’u marrë me sociolinguistikë. Prej saj nuk kemi asnjë artikull të mirëfilltë gjuhësor, pa folur për monografi. Dhe nuk do t’ia vlente të merreshe me të, po të mos ishte se, për shkak të postit të deputetit, dyert e medies i ka të hapura për të shpërndarë nëpërmjet tyre të pavërteta, që i shet pa iu dridhur qerpiku si të vërteta, duke ndikuar keq në opinionin e painformuar…”

“… Është fatkeqësi që në politikën shqiptare bëjnë karrierë njerëz të tillë (Ledi Shamku-Shkreli) që punojnë kundër kombit…”

Prof. Rami Memushaj
Prof. Rami Memushaj

Profesor Memushaj, ditët e fundit një grup gjuhëtarësh dhe intelektualësh, ku bënit pjesë edhe ju, iu drejtua me një letër Kryeministrit Edi Rama për mbrojtjen e gjuhës shqipe. Pse e ndërmorët këtë nismë?

Është ngritur prej kohësh shqetësimi i gjuhëtarëve për shpërfilljen e normave të gjuhës. Por, në vend që të mbështeten nga shteti, institucionet që merren me gjuhën kanë ardhur duke u rrudhur dhe roli i tyre duke rënë. Reformimi i Akademisë së Shkencave, në vend që ta forconte rolin e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, e dëmtoi edhe më keq, duke ia rrudhur numrin e punonjësve shkencorë në rreth 10 vetë dhe duke shkrirë sektorë të tij që më parë ishin marrë me kujdesin ndaj gjuhës. Si gjithë institutet e tjera që merren me kulturën kombëtare, ky institut u vu nën një kupolë të re, të QSA-së, duke humbur edhe lirinë akademike për shkak të vënies nën vartësinë e Ministrisë së Arsimit. Në krye të QSA-së erdhën njerëz me misionin politik të “dekomunistizimit” të albanologjisë dhe, në këtë kuadër, një nga objektivat e kupolës së QSA-së ka qenë edhe rishikimi i gjuhës standarde. Kjo ka bërë që energjitë kryesore të gjuhëtarëve brenda këtij instituti dhe në departamentet universitare të gjuhës shqipe të përqendrohen në atë se a duhet të ndryshojnë dhe sa duhet të ndryshojnë kodet e standardit, duke lënë pas dore studimin e gjuhës, problemet e përdorimit të saj në ligjërimin e shkruar e të folur. Këto janë disa nga arsyet pse menduam t’i drejtohemi Kryeministrit. Sepse, ndryshe nga disa që mendojnë se shteti nuk mund të bëjë gjë apo nuk duhet të ndërhyjë, ne mendojmë se shteti ka shumë për të bërë për mbrojtjen e gjuhës.

Çfarë e kërcënon realisht gjuhën shqipe?

Jo vetëm ne gjuhëtarëve, por edhe njerëzve të thjeshtë u bie në sy se rrugët e qyteteve dhe të fshatrave të Shqipërisë janë mbushur me tabela shitoresh e pllakate në gjuhë të huaj; botimet, përfshirë edhe tekstet shkollore, janë plot me gabime gjuhësore – gabime drejtshkrimi, pikësimi, morfologjike, sintaksore, fjalë të huaja të panevojshme etj.; dokumentacioni zyrtar vuan, gjithashtu, nga të njëjtat plagë; brezat e rinj dalin nga shkolla me një formim gjuhësor shumë të mangët, kanë njohuri të cekëta gramatikore dhe nuk zotërojnë leksikun themelor të gjuhës amtare; gjuha e shtypit të shkruar e televiziv lë shumë për të dëshiruar, duke nisur që nga theksimi i gabuar jo vetëm i fjalëve të huaja, po dhe i fjalëve shqipe, e duke vijuar me përdorimin me tepricë të fjalëve të huaja e me ndërtime sintaksore të gabuara. Të gjitha këto janë tregues të bjerrjes së kujdesit për gjuhën, të varfërimit të shprehjes gjuhësore, të zhargonizimit dhe kreolizimit të saj. Po t’u shtojmë këtyre, më njërën anë, përpjekjen e një grupi gjuhëtarësh për rishikimin e normave të gjuhës standarde dhe, nga ana tjetër, nxitjen që u bëhet folësve nga një zhgan intelektualësh për të braktisur gjuhën standarde dhe për t’iu kthyer varianteve letrare e dialekteve, del se gjuha standarde shqipe, ky mjet i komunikimit mbarëkombëtar, është shumë e kërcënuar.

Ju ritheksoni se Kongresi i Drejtshkrimit dhe Gjuha e njësuar janë një arritje e madhe kombëtare. Mirëpo dihet se kjo arritje u krye në kohën e diktaturës komuniste dhe disa mendojnë se ju jeni nostalgjikë të diktaturës. Si do t’u përgjigjeshit këtyre zërave?

Gjuha standarde përkufizohet si “variant i kodifikuar i një gjuhe që u shërben nevojave të shumta dhe të ndërlikuara komunikative të një bashkësie kombëtare”. Gjuha standarde shqipe vërtet daton në kohën e diktaturës, por nuk është vepër e diktaturës. Ajo është vepër e popullsisë shqiptare në ish-Jugosllavi, që duke përqafuar gjuhën zyrtare të kombit amë, i tha jo ndarjes gjuhësore dhe po bashkimit kombëtar nëpërmjet gjuhës, 4 vjet para se të mblidhej Kongresi i Drejtshkrimit. Tipar i studiuesit serioz është objektiviteti shkencor. A mund të quhen studiues seriozë ata që nuk duan t’i shohin faktet historike? Si mund të thuash se gjuha standarde është vepër e diktaturës, kur këtë atribut gjuha zyrtare e Tiranës e fitoi falë pranimit të saj prej shqiptarëve të Jugosllavisë? Dhe popullsia shqiptare përtej kufirit e pranoi, shpjegon gjuhëtarja amerikane Xhenet Bajron, jo se dialekti zyrtar i saj ishte i “varfëruar në pikëpamje linguistike” dhe i paaftë “për shprehjen e mendimit modern”, po se “zgjodhi ta afirmonte nacionalizmin e vet nëpërmjet gjuhës duke përvetësuar dialektin standard të vendit amë”. Pra, ajo pranon se më 1968 gjuha zyrtare e Shqipërisë nuk ishte gjuhë standarde, po “dialekt standard”. Të mos e pranosh këtë të vërtetë, do të thotë se ta kanë errur arsyen ide që vënë krahinoren mbi kombëtaren.

Në letrën tuaj ju e ndani në dy periudha historinë e standardit të shqipes: në 20-vjetëshin që pasoi Kongresin dhe që, sipas jush, ishte një kohë ku u shënuan arritje të dukshme, si dhe dy dekadat më pas që po sipas jush po synohet prishja e këtij standardi. Pse ka ndodhur kjo ndarje si me thikë e këtyre dy periudhave?

Konsulta e Prishtinës, duke miratuar përdorimin në trojet shqiptare në ish-Jugosllavi  vetëm të shqipes zyrtare të trungut amë, ndaloi njëherazi përdorimin e gegërishtes standarde. Kurse në Shqipëri, me një vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 1974 u bë i detyrueshëm përdorimi i “drejtshkrimit të njësuar dhe i normave të gjuhës letrare kombëtare” në të gjitha botimet, aktet juridike e shkresat zyrtare dhe në veprimtarinë e institucioneve kulturore që kishin të bënin me formën e folur të gjuhës. Pra, në trojet shqiptare në ish-Jugosllavi, me zbatimin e normave të gjuhës së njësuar u morën institucionet gjuhësore dhe kulturore, ndërsa në Shqipëri shteti. Këtu shteti organizoi edhe kualifikimin e gjithë punonjësve që kishin si materie fjalën shqipe, mësuesit, korrektorët e redaktorët. Më 1979, Këshilli i Ministrave vendosi edhe krijimin pranë Akademisë së Shkencave të Komisionit të përhershëm për pastërtinë e gjuhës, të cilit i caktoi si detyra punën “për pastrimin dhe pasurimin e gjuhës”, “për shqipërimin dhe njësimin e terminologjisë tekniko-shkencore” dhe kujdesin “për zbatimin e plotë të normës së gjuhës letrare”, duke i kërkuar edhe të hartonte platformën “si bazë për këtë veprimtari dhe një plan pune me afat të gjatë”.

Kurse në periudhën pas viteve ‘90 roli i shteti lidhur me gjuhën ka qenë zero. Kjo ndodhi sepse, pas ndryshimeve demokratike, dolën kritikë të politikave gjuhësore të shtetit të mëparshëm, të cilët propaganduan mosndërhyrjen e shtetit në punët e gjuhës, liberalizmin gjuhësor, policentrizmin linguistik, çlirimin nga prangat e standardit etj. Nga ana tjetër, mungoi edhe përkrahja e shtetit për Institucionet që merren me gjuhën, si Instituti i Gjuhësisë, ku sektori i kulturës së gjuhës, që merrej me problemet e zbatimit të normave të gjuhës, dhe sektori i terminologjisë janë shkrirë. Pra, dallimi midis dy periudhave është tepër i dukshëm.

Mohuesit e standardit të shqipes flasin për mangësitë e drejtshkrimit që u vulosën në Kongresin e 40 vjetëve më parë. Në të vërtetë, a ka mangësi në drejtshkrim dhe si mund të ndreqen ato?

Përpunimi i normave të asaj që do të bëhej gjuhë standarde nisi në mënyrë të organizuar më 1947, vit kur u krijua në Tiranë Instituti i Shkencave, në të cilin u tubuan gjuhëtarët më të mirë që ka pasur Shqipëria deri më sot: Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipo, Eqrem Çabej, Mahir Domi, Androkli Kostallari etj., të gjithë të diplomuar në universitete me emër të Europës. Këta hartuan katër projekte të ortografisë, të vitit 1948, 1951-shit, 1956-s, 1967-s; hartuan edhe “Fjalorin e gjuhës shqipe” më 1954, që luajti një rol të rëndësishëm në njësimin e drejtshkrimit dhe të leksikut. Projekti i vitit 1967 iu nënshtrua një diskutimi 5-vjeçar, që u përmbyll me diskutimet në komisionet e Kongresit. Kështu u arrit te rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, që përdorim sot. Përvoja 42-vjeçare e zbatimit të këtyre rregullave ka treguar se ato nuk kanë mangësi. Por përmirësime të vogla mund t’u bëhen: mund të pakësohen përjashtimet duke rritur fushën e veprimit të rregullave, ndonjë rregull dytësore mund të përfshihet në rregullat kryesore, duhen përditësuar shembujt ilustrues të rregullave, duke hequr emërtimet që lidhen me institucionet dhe funksionet e periudhës komuniste dhe duke i zëvendësuar me emërtime të kohës së sotme, duhen shtuar shembuj emërtimesh të institucioneve dhe funksioneve të shtetit të Kosovës, por edhe të Maqedonisë, ku shqiptarët kanë institucionet e veta. Këto mund të ndreqeshin shumë lehtë, pa qenë nevoja për mobilizimin e dy akademive, mjaft që të thirrej një grup prej 3-4 hartuesish nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, që do të punonte nën kryesinë e prof. Emil Lafes, i cili është i vetmi bashkautor i librit “Drejtshkrimit i gjuhës shqipe” (1973) që jeton.

Ju flisni për një këshill ndërakademik që paguhet nga shteti për prishjen e standardit. Ç’është ky këshill dhe cili është misioni i vërtetë i tij? Mos ju kërkoni t’u mbyllni gojën atyre që duan të debatojnë për shqipen?

Instituti i Gjuhësisë në Tiranë dhe Instituti Albanologjik i Prishtinës, duke parë rënien e kujdesit për gjuhën në mediet, në botime e në shkolla, propozuan më 2002 ngritjen e një këshilli kombëtar, me shpresën se do të bënte punën që pati bërë Komisioni i Akademisë sonë deri në vitin 1990. Ky këshill u ngrit në dhjetor 2004. Por, pa u krijuar ende ky organizëm, në qershor të 2004 Akademia e Arteve dhe e Shkencave e Kosovës botoi “Orientimet” për punën e komisionit, të cilit i vihej si detyrë të përcaktonte “ndryshimet që duhet të pësojë drejtshkrimi me qëllim të thjeshtësimit dhe të begatimit në drejtim të kahjeve të sotme zhvillimore të shqipes standarde”. Nën frymën e këtyre orientimeve, grupi i drejtshkrimit i Prishtinës paraqiti një listë ndryshimesh që shkonin shumë larg, të cilat nuk u pranuan nga grupi gjegjës i Tiranës, që ishte jo për ndryshim të drejtshkrimit, po përmirësime të tij në ato pika që praktika shkrimore kishte treguar se nuk qëndronin, sidomos në rrethanat e reja politike në të dy anët e kufirit. Ky qëndrim i grupit të Tiranës nuk u pëlqye nga përfaqësuesit e Akademisë kosovare në Këshill, të cilët kërcënuar se ata që janë kundër ndryshimeve nuk kanë vend në këtë këshill. Dhe kështu u bë më 2010, kur u riformatua Këshilli, duke ndryshuar, së pari, emërtimin e tij në Këshill Ndërakademik, pastaj duke përjashtuar nga bashkëkryesimi prof. Emil Lafen, i cili nuk është akademik, dhe duke e shkrirë grupin e drejtshkrimit të Tiranës, punën e të cilit e mori përsipër një akademik, që me drejtshkrimin po merret këta katër vjetët e fundit. Këshilli i riformatuar ka tre vjet që po punon për realizimin në thelb të projektit të Prishtinës, duke propozuar ndryshime të tilla të drejtshkrimit që prekin gati 1/6 e fjalorit të shqipes. Ne kundërshtojmë mënyrën se si ky Këshill ka përjashtuar njohësit e vërtetë të drejtshkrimit, mungesën e argumentimit shkencor të ndryshimeve të propozuara dhe shkallën shumë të lartë të tyre, që mendojmë se do të ketë pasoja negative largvajtëse, si dhe rrugën që akademikët mendojnë të ndjekin për zbatimin e tyre. Debati ynë është parimor. Në përpjekjen për të ndalur reformën e propozuar të drejtshkrimit, që jemi të bindur se do t’i thellojë problemet në vend që t’i zgjidhë, ne nisemi nga pozita shkencore e kombëtare, po edhe nga dështimi i reformave të tilla në vende me vetëdije e kohezion kombëtar shumë të lartë dhe me potenciale shkencore e financiare shumë herë më të mëdha nga tonat, si Gjermania, Franca, Çekia etj.

Në letrën tuaj ju i bëni një akuzë tepër të rëndë Akademisë së Shkencave. Tekstualisht ju shkruani: “Akademia e Shkencave, në vend që të ngrinte, me forcën e plotfuqishme të së vërtetës, zërin e saj për këtë rrënim të kulturës kombëtare dhe të shpenzonte të gjithë fondin e vet financiar të dhënë nga shteti në mbrojtje të gjuhës shqipe, është bërë bashkëpunuese në goditjen kundër institucionit të shenjtë të gjuhës së njësuar të kombit”. Si e argumentoni këtë?

Fillimisht, Akademia jonë e Shkencave ka qenë në pozita të paqortueshme. Ajo krijoi grupe pune me specialistët më të mirë të fushave, ndërtoi edhe një platformë pune të Këshillit, në të cilën flitet për probleme si rregullimi ligjor i gjuhës shqipe, përmirësimi i mësimdhënies së saj në shkollë, kujdesi më i madh për gjuhën në administratë, medie e botime, mënjanimi i fjalëve të huaja të panevojshme dhe i strukturave sintaksore të huaja, pasurimi i leksikut edhe me prurje nga traditat letrare dhe krijimi i një baze të dhënash për nevojat e leksikologjisë e të leksikografisë shqiptare, por nuk thuhet asnjë fjalë për ndryshimin e drejtshkrimit. Largimi nga kjo platformë ndodhi kur nën imponimin e ASHAK-ut dhe nisur nga ideja për të mos krijuar probleme, Akademia jonë pranoi ndryshimin e emërtimit të këshillit dhe lëvizjet në kryesinë e tij. Megjithëse dy kryetarët e fundit të Akademisë i kemi paralajmëruar për rreziqet që paraqet puna e Këshillit Ndërakademik, prej tyre nuk ka pasur asnjë reagim, përveç intervistave të akademikëve në këtë Këshill. Madje, së fundmi nga faqja e internetit e Akademisë është fshirë edhe platforma që cituam, e cila deri në korrik-gusht 2013 gjendej në atë faqe. Kjo do të thotë se gjuhëtarët që janë bërë anëtarë të saj së fundmi, janë të vendosur ta shpien deri në fund punën e nisur. Miratimi i këtyre ndryshimeve ashtu si e ka menduar këshilli Ndërakademik do të jetë një investim i Akademisë në dëm të interesave kombëtarë.

Nuk është hera e parë që sulmohet shqipja. A shikoni ndonjë lidhje apo vijimësi midis sulmeve para dhe pas Kongresit?

Sulmet kundër gjuhës standarde nisën në fillimin e viteve ’90, me ardhjen e Arshi Pipës në Shqipëri, i cili e quajti gjuhën standarde një mjet për të kolonizuar Veriun; vijuan me deklaratën e gjuhëtarëve të Shkodrës, të nxitur besoj po nga Pipa; dhe u rinyjëtuan nga Bahri Beci në kohën kur ishte drejtor i Institutit të Gjuhësisë. Ato u fashitën për pak kohë për t’u ndezur pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kur gjuhëtarë të atjeshëm, sot anëtarë të Këshillit Ndërakademik, deklaruan se tani duhet të bëjmë edhe gjuhën kosovare. Rreth tyre u grumbulluan edhe disa gazetarë, një pjesë e të cilëve sot janë pedagogë të gjuhës shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku helmojnë brezat e ardhshëm të mësuesve të shqipes me teoritë e tyre antishkencore e antikombëtare. Fryma antistandard u aktivizua edhe në Shqipëri pas krijimit të Qendrës së Studimeve Albanologjike, në krye të së cilës u soll nga jashtë një ndër anëtarët e grupit antistandard të Parisit, ku bëjnë pjesë B. Beci dhe francezja Odin Daniel, pedagoge e shqipes. Ky drejtues i QSA-së shpalli që në fillim se duhej bërë rishikimi i gjuhës, sepse, sipas tij, “5 milionë shqiptarë nuk mund të ndjekin një milion shqiptarë, po duhet të ndodhë e kundërta”. Vepër e tij dhe e tutorëve të tij është edhe Konferenca famëkeqe e Durrësit, në të cilën u përpoqën të impononin një platformë që parashihte ndryshime të thella në gjuhën standarde, ndër të tjerat edhe futjen e paskajores gege me ba. Ndonëse kjo platformë nuk u votua, pikat e saj është duke i zbatuar Këshilli Ndërakademik, i cili jo më kot është shtuar me anëtarë nga Prishtina që janë kundërshtarë të hapur të standardit.

Këtyre zërave u janë përgjigjur në shumë raste edhe  korifenjtë e letrave shqipe: Ismail Kadareja, Rexhep Qosja, Arbën Xhaferi, Dritëro Agolli, Idriz Ajeti, Shaban Demiraj etj. “Është e pakuptimtë, – ka thënë Arbër Xhaferi,- që interesi strategjik i një populli, siç është gjuha standarde që krijon e përforcon unitetin kombëtar dhe kohezion shoqëror të barazohet me kapricet, teket, injorancën e grupeve të ndryshme që pa kompetencë mbrojnë ose sulmojnë një mision historik kombëtar, siç është standardizimi i gjuhës.”

Profesor, sa besim keni tek qeveria aktuale se do t’i thotë ndal kësaj dukurie?

Në sirtarët e kuvendit fle prej vitesh një projektligj për gjuhën, i cili edhe mund të rishihej nga specialistë këndej dhe andej kufirit dhe pastaj të miratohej. Është e pakuptimtë që gjuha standarde të mos mbrohet me ligj dhe pikërisht këtë kemi parasysh kur i kërkojmë Kryeministrit që “gjuha të shpallet objekt kulturor i rëndësisë së veçantë”. Ky ligj do të shtonte kujdesin e shtetit dhe të institucioneve të ngarkuara prej tij për përmirësimin e situatës gjuhësore. I jemi drejtuar Kryeministrit edhe për ndërprerjen e financimit për nisma si ajo e Akademisë së Shkencave me KNGJSH-në, duke i bërë të ditur se pasojat e kësaj ndërhyrjeje do të jenë të rënda për të dy shtetet dhe për kulturën shqiptare. Si studiues të gjuhës, historianë, shkrimtarë e botues, e ndiem për detyrë ta bënim këtë thirrje. Fjala e urtë latine thotë: “Dixi et salvavi animam meam.” (Fola dhe shpëtova shpirtin tim.)

Pas botimit të letrës suaj, zonja Ledi Shamku-Shkreli në një shkrim të sajin është shprehur me tone të ashpra, duke ju quajtur “profesorë postkomunistë”, “ish-gjuhëtarë”, “epigonë të Androkli Kostallarit” etj. Ç’mendoni për këto akuza?

Së pari, për sa i përket etikës së komunikimit, dua të them se kjo zonjë nuk ka normat elementare të edukatës. Ka vite që me epitete e shprehje përçmuese, të cilave do t’ua kishte zili çdo arixhofkë gojëgardhe, ajo fyen figura të shquara të kulturës shqiptare, si prof. K. Frashërin, A. Kostallarin, M. Çelikun etj. Të tilla janë edhe cilësimet e profesorëve nënshkrues si “ish-gjuhëtarë” dhe epigonë. E pranojmë që jemi postkomunistë, sepse jetojmë në epokën postkomuniste, si dhe zonja në fjalë; në vend të urrejtjes dhe të vrerit që vjell zonja, ne kemi respekt të thellë për mësuesit dhe profesorët tanë, por nuk jemi epigonë të askujt, përveçse të bindjeve tona; të gjithë jemi aktivë në fushën e kërkimit shkencor dhe të botimeve, sepse gjuhëtari mbetet gjuhëtar derisa t’i punojë mendja dhe t’i lëvizin gishtat, pavarësisht nga vlerësimi dhe trajtimi që i bëhet prej shtetit të tij.

Profesionalisht, kjo zonjë e vetëshpallur si sociolinguiste nuk është linguiste, kusht i parë për t’u marrë me sociolinguistikë. Prej saj nuk kemi asnjë artikull të mirëfilltë gjuhësor, pa folur për monografi. Dhe nuk do t’ia vlente të merreshe me të, po të mos ishte se, për shkak të postit të deputetit, dyert e medies i ka të hapura për të shpërndarë nëpërmjet tyre të pavërteta, që i shet pa iu dridhur qerpiku si të vërteta, duke ndikuar keq në opinionin e painformuar. Me intervista e shkrime në gazeta, ajo është vënë në anën e kundërshtarëve të hapur të gjuhës standarde, duke e paraqitur në dritë të shtrembër procesin e standardizimit të shqipes. Jo njëherë ka deklaruar se nuk ka shqipe standarde, se një numër tejet i madh shqipfolësish nuk e gjejnë veten në këtë kod, se standardi do të bjerë, se duhen lënë dialektet të përafrohen vetvetiu, se fëmijët duhet të mësojnë gjuhën e nënës, dialektin. Edhe arbëreshët e Italisë i ka këshilluar që në shkolla të mos mësojnë standardin, po ligjërimet vendore!

Gjuhësisht, idetë e saj për planifikimin gjuhësor të shqipes janë retrograde; kombëtarisht, idetë e saj bien ndesh me interesat kombëtarë, pasi heqja dorë nga gjuha standarde, për të cilën lufton prej vitesh, dhe kthimi te variantet letrare apo të folmet vendore do të thotë ndarje gjuhësore dhe ndarja gjuhësore të shpie në prishjen e unitetit kombëtar, pikërisht tani që kemi ndërtuar autostrada e po bashkojmë ekonomitë. Është fatkeqësi që në politikën shqiptare bëjnë karrierë njerëz të tillë që punojnë kundër kombit.

Pin It on Pinterest

Share This