Mendimi Letrar i Kostaq Cipos – Prof. Nasho Jorgaqi

ShkrimPër të parën herë, Kostaq Cipo (1892-1952) do të duket përpara opinionit shqiptar në vitin 1918 me shkrimet që boton në gazetën “Kuvendi”. Qysh në fillim, nën pseudonimin Scampensis, ai do të shkruajë artikuj si për probleme të gjuhës shqipe, ashtu dhe për ato të letërsisë sonë kombëtare1 . Një binom ky, të cilit do t’i qëndrojë besnik deri në fund të jetës. Me kohë, në personalitetin e Cipos do të zotërojë figura e gjuhëtarit, por gjithnjë do të jetë i pranishëm dhe studiuesi i letërsisë. Në studimet letrare shqiptare të së kaluarës, kontributi i tij ka peshën e vet, jo vetëm se përfaqëson një nga stadet e mendimit tonë letrar të traditës, por përmban vlera dhe gjykime shkencore që i kanë qëndruar denjësisht kohës.

Duke e vështruar në tërësi veprimtarinë shkencore të Kostaq Cipos, e cila shtrihet për më se tri dekada, vëmë re se, në qoftë se problemet e gjuhës do të zenë vend parësor dhe do të gjejnë shprehjen e tyre në veprat sintetizuese si “Gramatika e sintaksa e gjuhës shqipe”, “Fjalori i gjuhës shqipe”, me studimet letrare, ai do të merret kohë pas kohe dhe puna e tij, do të qëndrojë në kuadrin e artikujve, të shqyrtimeve, të recensioneve e portreteve letrare. Në këtë rast, bën përjashtim vetëm vepra “Fillimet e stilistikës e të letërsisë së përgjithshme”, hartuar tok me Aleksandër Xhuvanin.

Dihet se Kostaq Cipo ka qenë një gjuhëtar i talentuar, me përgatitje serioze filologjike, zotërues i shkëlqyer i gjuhëve klasike e modeme, e në të njëjtën kohë dhe një njohës i thellë i letërsisë, i formuar nga pikëpamja teoriko-letrare, me koncepte dhe metodologji shkencore, me shije të holla estetike. Këta dy komponentë solidë tek ai, do të jenë të lidhur dhe në bashkëveprim të përhershëm, duke ndikuar jo vetëm në mënyrë të ndërsjelltë te njëri-tjetri, por dhe duke përcaktuar disa tipare origjinale të veprimtarisë së tij. Në radhë të parë, duhet thënë se K. Cipo e studioi dhe e vështroi gjuhën, të lidhur ngushtë me letërsinë artistike dhe letërsinë nuk e shkëputi asnjëherë nga organizimi i gjallë i gjuhës. Gjuha shqipe u bë për të objekt studimi, si për funksionin e komunikimit shoqëror, ashtu për funksionin artistik. Pra ajo u pa, jo vetëm në aspektin formal të interesave filologjike, por dhe si mjet shprehës dhe individualizues, si dukuri estetike. Një praktikë të tillë kishin nisur A. Xhuvani, J. Rrota etj, dhe do ta çonte më tej pastaj E. Çabej me vepra më serioze. Kësaj rruge të sapo shkelur, do të ecte dhe K. Cipo, duke hedhur ura të reja në mes gjuhës e letërsisë shqiptare dhe duke zgjeruar sferën e studimit të përbashkët.

Është fakt se Kostaq Cipo gjatë periudhës midis dy luftrave, u mor më shumë me studime letrare se gjuhësore. Janë punimet e kësaj kohe që përbëjnë fondin kryesor të trashëgimisë së tij në këtë fushë. Ai do të nisë si kritik letrar në faqet e shtypit shqiptar, brenda dhe jashtë vendit, duke shkruar shkrime e recensime për letërsinë e Rilindjes e atë bashkëkohore, duke dhënë gjykime të çmuara për shkrimtarë klasikë si: De Rada, Naimi, Fishta, por edhe për autorët e rinj si: Asdreni, Prenushi, Ribeko etj. Më pas, vijnë vitet 20-30 dhe interesat e tij do të shtrihen dhe në fushën e studimit të folklorit, ku ai do të mbetet një nga pionierët e kësaj shkence tek ne. Megjithatë, duhet thënë se vëmendjen më të madhe në shkrimet e veta letrare, Cipua do t’ia kushtojë Naimit, portretizimit të figurës së tij si artist dhe atdhetar dhe analizës së veprës letrare.

Duke e parë në përgjithësi veprimtarinë studimore të K. Cipos, nuk mund të mos konstatojmë se në punën e tij, ai është udhëhequr në mënyrë konsekuente nga një divizë thellësisht patriotike e progresiste. I mbrujtur me frymën e Rilindjes, me devocionin e dashurinë për vlerat e popullit shqiptar, i lidhur shpirtërisht e mendërisht me gjuhën dhe letërsinë e tij, ai do t’u kushtohet këtyre të fundit, për të nxjerrë në dritë gjeninë krijuese e origjinale kombëtare të popullit të vet.

Vështrimi i Cipos mbi këto vlera paraqitet i gjerë e depërtues, entuziast e kritik, realist e optimist. Është intelektuali militant dhe mësuesi me vetëdijen e lartë të detyrës, por në rastin tonë është studiuesi serioz e i përgatitur, me synime të qarta ideo- shkencore.

Vend të veçantë në konceptet dhe studimet e Cipos, zë folklori, të cilin ai e njihte shumë mirë dhe qe tepër i ndjeshëm ndaj tij, prandaj nuk është e rastit, që Cipua radhitet ndër studiuesit e hershëm të letërsisë orale shqiptare, po të kemi parasysh një varg artikujsh të botuar në vitet 20 në gazetën “Ura e Shkumbinit”2 . Ai që e ndiente aq shumë gjuhën amtare, nuk mund të mos e ndiente dhe folklorin, sepse të dyja qenë pjellë e drejtpërdrejtë e mendjes dhe shpirtit të popullit. Cipua e ka të qartë qysh në fillim dhe e shpall me bindje të plotë se “në qoftë se gjuha asht manifestimi më i thjeshtë i cilësive etike të një populli…ma i vjetri moment artistik letrar…janë kangët popullore të cilat tek përrallat e zakonet formojnë arkivin e popullit, visarin e etërve tanë, historinë e vërtetë kombëtare“. Veç kësaj, te kjo pasuri e kombit, ai gjen sa shpirtin e lirë e luftarak të shqiptarit, aq dhe shpirtin artistik, të hollë e delikat të tij. Prandaj, dhe objektin themelor të shikimit e përbëjnë dy llojet kryesore të folklorit shqiptar: këngët erotike dhe këngët heroike. Në të parat, Cipua niset nga ninullat dhe këngët e stinëve, për të dalë te motivet dhe gjendjet shpirtërore, ngërthyer në këngët lirike të dashurisë e të dasmës, të cilat i karakterizon si manifestim të jetës së brendshme të një populli. Kurse këngët heroike janë për të shfaqje të njeriut shqiptar në veprim, ku gërshetohen historia e legjendës dhe konkretizohet me figura si ajo e Skënderbeut, Pal Golemit etj.

Këngët më të vjetra të folklorit shqiptar Kristaq Cipo i gjen në folklorin e arbëreshëve të Italisë, të cilat i quan si një letërsi orale “me kuptime biblike”. Pikërisht, nga ky thesar, ai veçon si shembullin më të mirë “Këngët e Kostandinit të Vogël” në variantet më të lashta. Sipas tij, kjo këngë është e denjë për penën e Shekspirit dhe këtë e shikon në shembëllimin e figurës së plakut arbëresh me atë të mbretit Lir. Vlerat e saj ideoartistike studiuesi i zbërthen në një spektër të gjerë, kur nënvizon bukurinë poetike të këngës, figurat plastike e dramatike, velin melankolik, dhe epilogun dramatik, të gjitha këto për të dhënë idenë e besës,”e shenjtërimit të zotimit të shqiptarit”. Interesimi i Cipos për folklorin do të mbetet gjithnjë i gjallë, jo vetëm duke shfaqur në shtyp shqetësimin për harresën e Këngëve të vjetra popullore “këngëve pleqërishte, për të cilat shtron nevojën e mbledhjes së ngutshme të tyre”3 , por dhe flet për to me entuziazëm, si një letërsi e krijuar nga populli në çastet më të shënuara të jetës së tij, ku përmbyllet “një botë e ndritshme”.

Studimet më të rëndësishme letrare, Cipo ia kushtoi letërsisë shqiptare, duke e shqyrtuar dhe analizuar atë si në traditën e saj, ashtu dhe në rrjedhat bashkëkohore. Ai diti që në krye të vejë në dukje talentin e shquar të De Radës, si “rreze e shkëlqyeshme e poezisë shqiptare”4 . Por autori pas të cilit u dashurua dhe la për të studimet më të mira, ishte Naim Frashëri. Në qoftë se i pari, me “Milosaon”, inaguroi letërsinë artistike shqipe, por nuk arriti të ushtrojë ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë në proceset e letërsisë sonë, i dyti, luan një rol vendimtar me përmasa kombëtare. Naimi, sipas Cipos, shfaqet në letërsinë shqipe kur “telat e lyrës shqiptare ishin këputur” dhe duhej një dorë që t’i binte harpës për të zgjuar popullin shqiptar5.  Ishte ai që “do ta përtërinte jetën letrare” me veprën e tij, në një kohë kur “dukej se po shuhej gjuha…po zhvishej nga ëmbëlsia dhe nga trajtat madhështore”. Në këtë çast kritik për kulturën kombëtare, do të lindin jo aq vepra si “Ëndërrimet”, fryt i dashurisë e i lidhjes shpirtërore të poetit me poezinë e madhe persiane, se sa kryevepra si “Lulet e verës”, tek e cila gjejmë dramën e vetëdijes së artistit në kushtet e atdheut të robëruar apo “Bagëti e Bujqësi”, me të cilën i hapet rruga poezisë që i këndon njeriut shqiptar dhe tokës së tij.

Mendimi i K. Cipos për Naimin do të vijë gjithnjë duke u thelluar, gjykimi i tij për të do të bëhet më i qartë e më i pjekur. Kjo do të duket kur, duke iu rikthyer atij pas afro dhjetë vjetësh6,  ai do të arrijë të përvijojë portretin e gjerë të krijuesit dhe të hedhë dritë në tiparet themelore të veprës. Cipo e cilëson poetin “gjyshin e letërsisë shqipe” dhe e arsyeton këtë me faktin se Naimi “është flamurtar i idesë së shenjtë”, këngëtar i gjuhës së bukur e të pastër shqipe. ”Në veprën e tij”, shkruan Cipua “do të gjejmë brenda thekse mallëngjimi, zjarr dashurie, pikësime të jetës blegtorale, fusha lufte, panorama të bukura gjithë dritë e shkëlqim.” Ai është ndër të parët që shquan, natyrën lirike të talentit të poetit dhe arrin në përfundimin e drejtë se “Shpirti i butë i Naimit nuk ka fuqi të krijojë patosin e armatosur rëndë, nuk i do kuçedrat, nuk do dragonjtë… Zana e tij është një çupë e ëmbël nuk e do epin, po lyrën”. Për këtë dëshmon dhe spontaniteti naimian, që shprehet në vargun e qartë, të lehtë, por të papunuar. “Një gjë e vetme i mungon – thotë ai- dekalogut estektik të Naimit – ajo që thirret lucidus ordo

Studimi më i plotë i Cipos për Naimin është artikulli ese “Lulet e verës”7 , ku autori duke u nisur nga kjo kryevepër, e zbulon poetin në dimensioin atdhetar dhe në atë artistik. Në këtë rast, kemi të bëjmë me një trajtesë origjinale, qoftë përsa i takon gjerësisë së mendimeve, shkallës së lartë të përgjithësimeve, ashtu dhe argumentave të reja që sjell dhe mënyrës së arsyetimit e formës së paraqitjes. Që në krye, ai parashtron disa mendime themelore, që vendosin figurën e poetit në një rrafsh filozofik e kombëtar. “E vërteta e gjallë – shkruan ai për Naimin – nuk del nga koka e armatosur e Jupiterit, po lind nga dhimbje të forta, zbulohet me anën e shqyrtimit të vetëdijes, gjendet në përparimin e brendshëm të njeriut”. Duke qenë kështu, poezia naimiane, vështruar në kontekstin e jetës shqiptare, është kthyer në një ushqim atdhetar “është bërë një krua i gjallë, ku të gjithë ne, po deshëm mund të ulemi të pimë e të përtërihemi shpirtërisht”. Por sipas Cipos, kjo mund të arrihet vetëm duke e mësuar “veten me një disiplinë të fortë…duke i vënë fre udhësisë së veseve.”

Personaliteti i Naimit për studiuesin tonë është i pasur dhe kompleks. Tek ai kemi jo vetëm poetin, mjeshtrin e gjuhës shqipe, artistin e të gjitha moshave, po dhe Apostullin, Atdhetarin, Bektashiun e Panteistin.

Naimin poet e çmon në radhë të parë karakterin e tij popullor, për faktin se ai është i kuptueshëm, për të gjithë, i sinqertë, i larë nga çdo hipokrizi. Por entuziazmi për të, nuk e pengon të pohojë se “pjella e Naimit nuk është këngë e gjithë, veç në ato vise ku fryn flladi i poezisë”. Duke e krahasuar me afresket e Xhiotos, që me gjithë gabimet e shpërpjestimet e vërejtura, ato mbeten prapë të bukura, ai e merr në mbrojtje Naimin kur thotë se “Nuk është vetëm veshja e jashtme që e ngre artin në lartësi, por fryma e brendshme”.

  1. Cipo me të drejtë nuk e ndan Naimin asnjëherë nga atdhetari dhe atdhetarin nga apostulli, duke i marrë një të tërë të bukur e madhështore, gjithnjë në shërbim të çështjes kombëtare. Te kjo tërësi, ai vë re një gjë thelbësore, pa të cilën nuk mund të kuptohet ajo që e bëri Naimin poet të madh të kombit. Dhe kjo është “fjala e dashurisë” që përhapi në popullin e tij, në një kohë tepër të vështirë, “me besimin e madh në afrimin e ditës së lirisë” dhe i dha atij rolin e një apostulli, duke ia rrethuar ballin me dritën e shenjtorëve”.

“Naimi – shkruan ai – është ay bujku i mirë që u dërgua në botën shqiptare për të mbjellë dashuri”.

  1. Cipua, duke depërtuar më tej në veprën e Naimit, shikon në të, një lidhje të natyrshme në mes letërsisë artistike dhe teologjisë, në mes fjalës së tij poetike dhe bektashizmit. Bektashizmi analizohet nga optika e kohës së poetit, si një fe ku gjejnë shprehjen e tyre interesat kombëtare. Ai çmon tolerancën e saj, faktin që ajo nuk kundërshton përparimin e shkencës, se pajtohet me nevojat e shoqërisë e të shtetit. Nga ana tjetër, Naimi Bektashi nuk mund të kuptohet pa panteizmin, pa atë vështrim human që ka mbi gjithësinë, ku njeriu, duke qenë krijesa më e perëndishme është altari i saj i gjallë. Prej kësaj, do të rrjedhë “ndjenja e butë e Naimit për varfërinë, për gjithë botën.”

Madhështinë dhe forcën e pashtershme të trashëgimisë Naimjane, K. Cipo do ta ndjente edhe njëherë pas lufte, në atmosferën e kushteve të reja historike. Në dy artikuj që na ka lënë, ai u drejtohet punëtorëve dhe flet për poetin nga një këndvështrim i ri, duke e parë Naimin, jo vetëm si atdhetar të madh, po dhe si njeri përparimdashës e punëdashës, të lidhur shpirtërisht me bujkun e blegtorin, njeriun e punës.

Frut i njohjes së thellë dhe e një studimi serioz të krijimtarisë së Naimit është padyshim dhe botimi kritik, që Cipua i bëri nga fundi i jetës poemës “Historia e Skënderbeut”. Me përgatitjen e këtij botimi, ai dha shembullin e një pune krijuese cilësore si përsa i takon pajisjes me komente letrare e shënime gjuhësore, ashtu dhe të korrektësisë tekstologjike. Ndonëse shpjegimet gjuhësore janë zotëruese, prapë në aparatin shkencor është kudo i pranishëm studiuesi i letërsisë. Shënimet e përgatitësit në aspektin letrar dhe estetik janë të llojeve të ndryshme: Nga zbërthimi e interpretimi i metaforave e shprehjeve figurative, i aluzioneve e personifikimeve, në evidencimin e metrave e kadencave e deri te komenti letrar, shqyrtimet stilistike dhe vetitë estetike të gjuhës. Leximi i kësaj vepre klasike të letërsisë sonë nga Cipua është një lexim i kualifikuar i tekstit letrar, i një lënde të gjerë, me një amplifikim të historisë e të jetës shqiptare, i një relievi të pasur artistik me variacione të ndryshme vlerash. Duke depërtuar në botën e poemës së Naimit, studiuesi jo vetëm zbulon atë, por e përjeton dhe e interpreton me saktësi e bukuri. Ai ka hyrë në të fshehtat e artit të poetit, në labirinthin e një realiteti ideo-estetik. Kështu, Cipua ndalet në momentet më domethënëse e përgjithësuese të figurave e të situatave psikologjike, zbërthen e nxjerr vlerat emocionale të epiteteve, qartëson sistemin figurativ, hedh dritë mbi portretet e personazheve etj. Vëmendje të veçantë i kushton gjuhës si mjet artistik, karakterizues e individualizues. Gjithë shqyrtimi letrar që i bëhet veprës dëshmon jo vetëm për ndjeshmërinë e lartë ndaj fjalës artistike, por dhe për kulturën e pasur, për vizionin e gjerë mbi jetën e historinë, siç pohon dhe për aftësinë komunikuese me lexuesin, për qartësinë e thjeshtësinë e të shprehurit, për sensin e hollë të humorit etj.

Pas Naimit, vendin e dytë te studimet letrare të Cipos e zë Gjergj Fishta, “ndera e Shqipnisë”, siç e quan ai, poeti që “ka për të mbetur i pavdekshëm në rrymë të moteve”8. Brenda një kohe të shkurtër ai shkruan një recension për librin “Mrizi i Zanave” dhe dy shënime letrare për vjersha të veçanta, siç janë “I Dëbuemi”9 dhe “Një Lule Vjeshte”10 .

“Mrizi i Zanave” përbën për të kryeveprën e lirikës fishtane, ku “harpa shqiptare shkëlqen në dorën e poetit”, nga e cila veçon vjershat “Gjuha Shqype”, “Shqypnia” dhe “Ujët e Jordanit”.

Kjo vepër – shkruan ai – është një lulishte plot manushaqe të njoma, plot lila të bardha, plot trëndafila në të cilat rrjedhin kroje të ftohta, ngrihen e lëshojnë hija shelgje të bukura, e qiparisa të blera, e zogu i verës me pëndë të shkëlqyeshme derdhë kangë mbi gjethin e gjelbërt.”

Megjithëse e ngre lart talentin lirik të Fishtës, Cipua është i mendimit se tek ai zotëron poeti epik e sidomos satiriku i fuqishëm. Kryevepra e tij mbetet gjithnjë “Lahuta e Malcisë”, ngritur mbi themelet e botës shqiptare, me skena homerike, të punuara me shumë mjeshtëri. Ajo është për të “kanga më e bukur që i ka endur artisti besës dhe pushkës shqiptare”. Nga ana tjetër, duke u marrë me individualitetin artistik të Fishtës vëmë re se “zana e tij është herë e ëmbël, herë e hidhur, por kur zemërohet shumë lëshon nëmë e gurë të nxehtë kundër armikut të Shqipërisë. Vargu i tij është i rëndë, i plotë, dhe të kujton shpesh herë fuqinë jambike të Arqilokut11

  1. Cipua si kritik ka ndjekur, përveç veprimtarisë së Fishtës dhe krijimtarinë e shkrimtarëve shqiptarë bashkëkohorë. Përmes recensave e shkrimeve, do të përcillte librat që botonin shkrimtarë të tjerë, duke vënë në dukje kontributin e tyre dhe atë çka ishte origjinale tek ata. Kështu, ai do të përshendësë Asdrenin dhe V. Prenushin, dy poetë lirikë, “harpa e të cilëve nxjerr këngë e vaje, shpresë e dëshpërim”.

Në qoftë se te Asdreni sheh poetin e atdhedashurinë e natyrës shqiptare, Prenushin e quan “Ossiani i Shqipnisë”12. Po kështu, mirëpret botimin e librit “Vjersha malli” të Agostin Ribekos, tek i cili gjen atdhetarin e sinqertë dhe çmon “hijeshin dhe njomësinë e gjuhës arbëreshe”.13

Në mendimin letrar të K. Cipos hasim gjykime dhe për shkrimtarë të tjerë, të cilët ndonëse të pashtjelluara gjerësisht, dallohen për objektivitet shkencor dhe origjinalitet. Për prozën e K. Kristoforidhit, ai mendon se është e rrahur dhe e lidhur mirë, “shqip e ka theksin, shqip arkitekturën.” Ndërgjegjja e lartë artistike e Mjedës në përpunimin e vargut e të gjuhës, i kujton atij poetët e Greqisë së Vjetër. Te Çajupi e tërheq “Shqipja dhe vargu i bukur, poezia e kulluar.”

Këngën e Lasgushit e quan “kënga e bilbilit sevdalli… dhuratë e çmuar për faltoren e dashurisë”. Në prozën e M. Gramenos sheh “strofën e shkrimtarit”, kurse te “Historia e Skëndërbeut” e F. Nolit dallon “një stil që vende-vende ka fluturime lirike.” Ai thotë një të vërtetë për poezinë e De Radës kur pohon se ajo “është mbyllur me një shqipe të papunuar. Ujë trëndafili në një kupë balte!

  1. Cipua në studimet e veta letrare ndoqi dhe zbatoi përgjithësisht një metodë të drejtë, me kritere shkencore, duke synuar për një trajtim objektiv të problemeve. Ai punoi në këtë fushë kur bëheshin përpjekje për t’i hapur shtigje të reja mendimit tonë shkencor dhe për ta kapërcyer prapambetjen historike. Mbështetur mbi një platformë thellësisht patriotike dhe i përgatitur profesionalisht, i udhëhequr nga koncepte të qarta teorike letrare, Cipua, krahas hetimit të vlerave të letërsisë kombëtare, do të shtronte e do të jepte mendime për disa nga çështjet që nxirrte stadi i studimeve letrare të kohës. Ai u nis gjithnjë nga brendia, nga roli edukativ i letërsisë, nga thelbi dhe funksioni shoqëror i saj, por pa e shkëputur atë prej problemeve të trajtës e shprehjes artistike.

Cipua u mor kryesish me analizë veprash, parë këto në raport me krijimtarinë e shkrimtarëve dhe momente të jetës së tyre. Ndonëse gjuhëtar, Cipua nuk anoi nga kritika filologjike, përkundrazi u përqëndrua në analizën e gjithë komponentëve të veprës, ku gjuha vështrohet në funksionin e saj artistik. Nga kjo pikëpamje në mendimet e tij gjejmë dhe elementë të kritikës sociologjike e disa herë asaj impresioniste dhe biografike.

  1. Cipua është nga studiuesit e parë që kontribuoi në shkencën tonë letrare për një konceptim historik të letërsisë shqiptare. Duke studiuar shkrimtarët e Rilindjes, ai synoi t’i lidhë, t’i japë në një vijë të përbashkët, të hetojë kontinuitetin historik.

Nuk gabojmë po të themi se K. Cipo do të krijonte individualitetin e vet si studiues i letërsisë. Ai ka mënyrën e tij të studimit, në mënyrë origjinale se si i qaset autorit dhe veprës, problemit që trajton. Duke u vënë në rolin e interpretuesit, ai zakonisht qëndron mes veprës dhe lexuesit, për t’i ardhur në ndihmë më shumë këtij të fundit. Shkrimet e tij paraqiten në formën e një bashkëbisedimi të përzemërt, të karakterizuar nga qartësia dhe aftësia për t’u shprehur thjeshtë, pa teorizime e ndërlikime, me një frymë të lehtë humori.

Një veçori e individualitetit të Cipos është se ai e ndien fort artin letrar. Në procesin e analizës e të studimit të veprës dhe të autorit, ai ishte në gjendje jo vetëm të jepte gjykime, por herë- herë, duke ruajtur gjithnjë masën, arrinte të përfitonte vizione e të bënte përshkrime, të cilat flasin për një imagjinatë krijuese dhe ndjeshmëri të lartë artistike. Kështu ndodh që, në rastet më të mira, mendimi tij merr ngjyrim impresionist dhe ndonjëherë kthehet në një lloj kritike poetike, me pjesë të frymëzuara, plot asosacine dhe meditime tepër interesante. Ja, fjala vjen, vizioni i tij për këngën lirike popullore:

Kuvli me zog të shkruar, çerdhe me fije të argjendta, një tendë mëndafshti me një çupë brenda, një çikë më tej, burime të ftohta, flutura me krahë të arta, lule jeshe boje. Lart… kuvendojnë …thëllëzat… këtu dasma vlon, këtu kënga kris, këtu çupat lozin, qeshin e këndojnë”.

Stili i Cipos është i dallueshëm dhe kjo e ka bërë të cilësojnë stilist, pse shkruan bukur, me shije të hollë, në mënyrë figurative e të përkorë, di të ngjallë emocione te lexuesi. Ndodh që fraza e tij, në disa raste, të kthehet siç thotë një kritik “në një festë të gjuhës e të shprehjes shqipe”

Trashëgimia e K. Cipos në fushën e studimeve letrare për shkak të problematikës së larmishme dhe të trajtave që merr, e bën portretin e tij të bashkojë në vetvete kritikun, historianin dhe teoricienin e letërsisë. Është kjo arsyeja që i jep atij një vend të veçantë të nderuar në rrjedhat mendimit letrar shqiptar.

1) “Un fiors autunnale” – (Mbi një vjershë të Gj. Fishtës) “Kuvendi” Romë. 1 Korrik 1918 “Studi etimologici della lingua albanese confrontata con la greca, latina, gerrnanica e persiana”. “Kuvendi” 12 Korrik 1918

2) ”Pjesë letrare”- Ura e Shkumbinit Nr 13-30 Qershor – Vjeshtë e III, 1923 Elbasan.

3) “Demokratia” 1 Qershor 1929

4) “Kuvendi” 6 Shtator 1918

5) ”Naim bej Frashëri”, “Kuvendi” 18 Gusht 1918

6) ”Biblioteka e punëtorit shqiptar” “Gazeta e Re” 3 Mars 1923

7) ”Lulet e verës” “Illyria” të Kallnuer 1936

8) “Mrizi i Zanave” “Kuvendi”, 18 Gusht 1910

9) “Un fiore zauttunale” “Kuvendi”, 1 Korrik 1918

10) “L’esule” “Kuvendi” 18 Tetor 1918

11) Biblioteka e Punëtorit Shqiptar

12) Dy poetë të rinj, “Kuvendi” 13 Shtator 1918

13) Vjersha malli, “Kuvendi” 31 Korrik 1918

Pin It on Pinterest

Share This