Siç e kemi përmendur edhe më lart, mbasi botoi artikullin “Libri, Kujtime, Mendime” në “Revistën Letrare” të Vedad Kokonës, ky i fundit i kërkoi Cipos që të vazhdohej me këtë bashkëpunim të filluar midis Cipos si letrar dhe Kokonës si botues. Mesa duket i këtij mendimi duhet të ketë qënë edhe Cipo sepse pikërisht duke ditur se çfarë mund të botonte i vjen ndërmend një ngjarje letrare që kishte shkaktuar një debat të ashpër në Europë e që kishte ndodhur në vitet e para pas Luftës së Parë Botërore, por që në Shqipërinë e asaj periudhe kjo ngjarje as nuk ishte përmendur dhe as ishte dëgjuar.
Ndoshta Cipo mendonte se edhe pas 25 vjetëve nga ajo datë, kjo ngjarje që aq shumë kishte apasionuar qarqet letrare të kohës, do të bënte pershtypje dhe do të hapte edhe këtu diskutime midis studiuesve. Por për çudi, mbasi kishte shkruar nja tre faqe dhe pasi shpalosi me imtësi pikëpamjet si të njerës palë ashtu dhe të tjetrës, ai ndërpreu çdo gjë. Ndoshta e kuptoi se në realitetin e kohës me një Shqipëri të pushtuar, me një injorancë e analfabetizëm galopant, me studiues e letrarë që numëroheshin me gishtat e dorës, të filloje të shkruaje e të flisje për këto çështje, do të ishte jashtë çdo logjike njerëzore.
Po për çfarë bëhej fjalë? Po ju paraqesim vetëm fillimin e artikullit të Cipos të cilit nuk pati kohë t’i vinte as titullin e që ne vetë po e titullojmë “Mbi Gjenezën e Komedisë Hyjnore të Dante Aligierit”.
Nuk e kuptoj pse diskutimi i Dantistave dhe Arabistave nuk kishte për të ngjallur asnjë interes tek lexuesit, mbasi dhe vetë botuesi i gazetës Prof. Vedadi i rekomandoi më tepër të përqëndrohej në kujtimet e tij të viteve të kaluara. Por ndërkohë kjo nuk mund të vazhdonte më sepse partizanët hynë në Tiranë dhe revista u mbyll. Ky artikull kaq interesant mbeti i papërfunduar. Libri i Don Miguel Asin Palacios në vitin 2000 është botuar edhe në shqip nga një studiues shkodran, por ende edhe sot askush nuk e ka vazhduar diskutimin e hapur nga Prof. Cipo. Megjithatë ja vlen t’i ndjekim bashkarisht arsyetimet e Cipos në artikullin e mëposhtëm.
Mbi Gjenezën e “Komedisë Hyjnore”
Mbi Gjenezën e Komedisë Hyjnore të Dante Alighierit, në vijim të një teze të paraqitur nga Don Miguel Asin Palacios më 1919 për t’u pranuar si Antar i Akademisë Mbretërore të Madridit.
A i shkonte mendja njeriut, këtu e njëzet e pesë vjet përpara se do të vinte një ditë në të cilën struktura arqitektonike, rrinezore dhe alegorike e Komedisë Hyjnore të dilte në dritë të vëzhgimeve të reja, me pretendimin se ishte ngjizun me diçka tjetër që nuk dihesh deri m’atëhere, me diçka që ishte marrë hua nga gojëdhana islamike dhe nga letërsia e saj?
Në lidhje me gjenezën e Komedisë Hyjnore, Bota letrare, pas shumë hulumtimesh, mundi të zbulojë burimet qysh me kohë dhe rezultoi se e kishin bazën në kallzimet e kallogjerëvet të mesjetës. Veç se mos të shkojme me atë mendje e të thomi se Dante u frymëzue nga ato prralla të thata të murgarëvet të cilat nuk mund t’i konsiderojmë si bazë të veprës së vet, sepse në një punë të hollë e artistike si ajo e Alighierit menjëherë do të binte keq në sy, dhe do të na dukej si një këmishë e bukur mëndafshi mbushur me arna kur të gjithë e dimë se arna vihet në veshjet e brendëshme pikërisht aty ku nuk e sheh njeri.
Prandaj dhe ai Zot i vjershërisë (poezisë) para se ta shtjerë në veprim atë lëndë të ngathët (amorfe), medoemos që punoi mjeshtërisht me duart e veta, i fryni (i dha zjarr), i dha shpirt dhe krijoi ato lloj pikturash të gjalla, episode të pavdekura bukurie që i kanë shoqet e rralla në botën letrare. Gjithë këto të vërteta që thuhen në lidhje me burimet e Komedisë Hyjnore s’ishin gjana të reja, për ditë t’i zinte veshi, rriheshin kudo ndër mbledhje letrarësh.
Por ajo që nuk diheshe dhe, kur u muer vesht, la pa mend botën letrare ka qënë lajmi sipas të cilit Dante kishte këputë një cope brume nga gojëdhana mystike të Islamismës për të gatue poemën e shenjtë – “a cui han posto mano e cielo e terra”.
Ky lajm kishte ardhë nga Spanja dhe ja si ngjau: Një ditë dimri të vjetit 1919, Don Miguel Asin Palacios, arabist i çmuem, pranohet për herë të parë si mis (anëtar) i Akademisë Mbretnore të Madridit dhe në fjalimin që mbajti në këtë rasë paraqiti tezën e titullueme: “La Escatologia Musulmana en la Divina Comedia”. Në këtë studim akademiku i ri arrinte të provonte me krahasime të bukura dhe me çkoqitje të imta sqarimin e ngushtë si dhe përputhjen në shumë veçanësi pëshkrimore, episodike dhe topografike të Komedisë Hyjnore me gojëdhanën myslimane që përshkruen udhëtimin që bani Muhameti AS natën e të ngjitunit e tij në qiell. Këto që thashë gjinden në shumë qarqe të Hadithit që janë punue bukur prej të famëshmit paleograf Abdul-al-Maasri.
Sado që ngushtica e vendit nuk më lejon të numuroj nji-për-nji gjasimet dhe analogjitë që s’t’i merr mendja se kuptohen pa hypotezën e imitimit midis veprës së Dante-s dhe burimevet islamike, prap e do puna që disa prej syresh të tregohen me gisht si fjala vjen përftimi fizik e moral i mbretnisë përtej vorrit, skenaria topografike, shkallëzimi dhe caktimi i fajeve dhe i ndëshkimavet. Edhe mundimet prej së cilave heqin e vuajnë fajtorët të njëjta janë si stuhia e Ferrit, shiu me zjarr, vorret e flaknueme, akullnaja e tradhëtarëvet e shumë të tjera që shtrihen e përfshinë edhe veçanëritë alegorike dhe mbinjerëzore sikurse janë për shembull pria, bishat që presin rrugën shtektarit, tre abdestet me të cilat lahet e pastrohet mekatari për t’u ba i dejë me u njitë në qiell.
Por çka bie në sy më fort është stërditja midis vegimit të shqiponjës në qiell të Jovit dhe Engjëllit të math mysliman në formë të gjelit. Të habit gjithë ajo mori personash e deqesh që kallen nergut për të hapë biseda teologjie e letrësie. Shkurt, vepra e Don Miguelit veç rëndësisë që ka për lavrimtarin e historisë krahasueme të fevet, zgjon edhe një herë interes të math ndaj ftillzonjësit dhe shëndritësit e poetit të math fiorentin.

Nga sa u tha më nalt del si perfundim se asnji letërsi fetare e marrun nëpër duer pa studim prej dantistëvet për të hetue gjenezën e Komedisë nuk i ep vëzhgonjesit lëndë ma të pasun fytyrash, përshkrimesh e mendimesh se sa letërsia myslimane në themën eskatologjike, do me thanë në përfytyrimin e jetës përtej vorrit.
Posa u digjua oshëtimë e parë e kësaj bombe, dantistët u shikuen njiherë sy ndër sy, pa ba za, pastaj prehën pendët dhe një betejë e rregullt u ndes në Republikën e letravet. Më i miri shëndrites estetik i Komedisë Hyjnore, Francesco Toracca, Profesor i Letretyrës në Universitetin e Napolit e goditi tezën e akademikut spanjoll me një përgjigje që s’ishte më e gjatë e me prehtë se një shigjetë. E madhe qe jehona që duel prej saj por së vërtetës nuk ju pa fytyra. Ajo mbeti përtej gardhit sepse lëvdatat e kritikat venin e vinin shregull dhe arsyetimet vërtiteshin mbrenda një rrethi veskeq që s’kish mundësi të çahej.
Dikush tha se studimi rrotull gjenezës së Komedisë s’kishte hal e kokë sepse ku vall mund t’i kishte qemëtue Dante ato gojëdhana kur as që ja shkrepte fare arabishtes dhe kjo ishte kryefjala që i vinte sejcilit në majë të gjuhes dhe s’dinte ti ipte zgjidhje, veç se po të arrihet të pranohet dija e Alighierit në lamë të arabishtes, kështu që teza e Don Migelit binte shem perdhe si kështjellë prej karte.
E përgjasimet ishin ato përgjasime që trumbetoheshin në të katër anët, ç’mund të ishin tjetër veçse një lojë e thjeshtë ose një kombinim i rrallë. Por edhe këtu gjarpëri kafshonte bishtin e vet sepse ato gjasime nuk ishin nji e dy e tri e pesë, ato ishin një varg i gjatë që përjashtonte hypotezën e lodrës së natyrës. Por një ditë pas fitimesh e të bjerrunash nga të dy anet, sikur u hap rrethi e nërkaq u ça dhe muzgëtiria që i a lëshoi vendin dritës: s’prish punë tha një punëtor i penës se s’ka ditë Dante arabisht, historia na thote se në ditët e Poetit kultura islame ka qenë shtri në çdo kand të Perendimit edhe si pasojë e kryqëzatavet por edhe për hir të Spanjës që kishte në krye një mecenat të math, Alfonsin e Urtë. Një tjetër u ngrit e tha se ajo kulturë ishte shtri e përhapë edhe me anën e kishëtarëvet, filosofëvet dhe polemistëvet dhe se kishte zanë rrajë kur zunë marrëdhënavet tregëtare, me marrëveshje politike dhe ekonomike, qëndra e të cilave ishte Roma më parë dhe qytetet e mëdhej në dorë të dytë. A kishte pra si ti shpëtonte Danteja ndikimit letrar e shkencor? …
(Këtu artikulli është ndërprerë) – Tiranë 1944