MANASTIRI MË 1910 – nga Prof. Kostaq Cipo

ShkrimTurqia hartoi një projekt-ligj që bënte fjalë për mbylljen e klubevet politike, tue u rrejtë se me këtë masë po çkulte me rrajë bimën e keqe, por s’duel gja prej kësaj pune.

Veç klubeve, flakën e shqiptarësisë e mbante gjallë në Manastir, ku lidheshin e zgjidheshin çashtje politike e arsimore, edhe djelmnija shqiptare e krahinavet që vinte aty për të plotësue mësimet e mesme në gjimnazin tyrqisht të Manastirit.

Ishte një shkollë që ka qënë edhe ma përpara çerdhe, por u ba sidomos pas 1908-ës vatër drite, ku, nxanësit e mëdhej, vijnin e zbarsnin zemrën patriotike me fjalë e me kangë shqiptare. “Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë”, dhe ma të vegjëlit mernin dorë nga ma të mëdhejtë për t’ua degdisë atyre që do të vinin më pastaj shkëndijnë e atdhedashurisë. Mendimi se Manastiri do të ishte qëndra e një Shqipnije autonome me katër vilajetet i a shtonte ëndërën faqe botës shqiptare.

Disa nga ne që ishim nxanës të klasave të nalta dhe shqiptare të mirë kishim fitue dhe disa të drejta ma tepër se të tjerët. Të Premtevet, fjala vjen, që ishte ditë pushimi hynin lirisht në bujtinën “Liria” të Gërmenji-t dhe posht, pa ngjitë shkallët hapnim një derë të vogël që puthitej mirë në mur dhe gjinim brenda në një setër të vjetër …[1]

Thamë ma nalt se Manastiri ka qënë një vatër ku është mbajtë gjallë ideali i kombësisë dhe këtë të mirë u a ka hua Istituteve private të vendit të cilët s’e lanë të shuhet ajo flakë e shenjtë. Po i quejmë Istitute, për shërbimet patriotike që i prunë çështjes, se në kuptimin e sotme të fjalës të tillë nuk janë.

Po zamë në gojë pik së pari shtypshkronjën “Bashkimi i Kombit” bashkë me gazetën e të njëjtit emër dhe me të përkohëshmen “Lahuta e Malsis” fletë satirike e letrare, klubin “Bashkimi”, gjimnazin tyrqisht, bujtinën “Liria” e Minella Gërmenjit dhe nonji shtëpi shqiptare si ajo e Qiriazëvet. Por u ba zamath sidomos me të dy kongreset që u mbajtën aty më 1908 dhe më 1910.

Gëzimi i shqiptarëve për shpalljen e lirisë ishte i papërshkrueshëm. Tashma gjuha do të këndohej dhe do të shkruhej lirisht, fletoret (gazetat) shqipe nuk do të kalonin dorë më dorë tinës e përtinës por do ti sillte posta, në shtëpi të pajtimtarëvet. Nuk shkuen shumë muej dhe u mbush Shqipnija me klube, me shkolla shqipe dhe me fletore e të përkohëshme që filluen botimin në shumë qytete të Atdheut dhe në qendrat e mëdha e kryeqytete të Evropës. Ky lulëzim i math… ra me syshë, tyrqit … punojnë nën dhè kundër tij, por me gjithë këtë të gjitha përpjekjet e qeverrisë ottomane nuk patën sukses e kombësia shqiptare grahi anembanë.

As shtypi grek nuk ndejti urtë në këtë mes. Gazetat greqishte zunë të hudhin gurë në klubet shqiptare në Manastir, në Selanik e në… Stamboll kanë qëllim politik  dhe do të përpiqen për një Shqipni më vete. Shqiptarët s’kishin kohë të mereshin me marrëzitë e me shpifjet e shtypit grek, kishin një problem të dorës së parë për të rrahë e për të zgjidhë. Gjithë fletoret e të përkohshmet që u botuan brenda e jashtë Shqipërisë aso kohe ishin shkruar shqip po jo me të njajtën abece dhe shumë të rij që kishin nxanë abecenë e Stambollit, s’dijnin t’i zgjidhnin gazetat e librat shqipe që vijnin nga kolonitë shqiptare të hartueme me të tjera shkronja. Kjo çështje duhej thjeshtue e zgjidhë sa me parë, se klubet që shërbenin si shkolla nate dhe shkollat që do të hapeshin në vjetin e ri shkollor kishin nevojë për libra e fletore të hartueme me nji abece.

Kongresi i Manastirit
Kongresi i Manastirit

Kjo punë çeli shtekun e Kongresit të parë të Manastirit që u mbajt më 1 të Vjeshtës së Tretë 1908 dhe u quajt “Kongresi i Abece-së”. Muarën pjesë disa nga shkrimtarët ma të zgjedhun dhe luftëtarë të lirisë. Edhe sot mbas një kohe tridhjet e sa vjetëve e gjej fort të bukur e fort patriotik mendimin e atyre që deshën të ftojnë n’atë mbledhje historike jo vetëm puntorët e pendës por edhe trimat e malevet. Puna qe fort e vështire se duhej që nga një babiloni abece-shë të ndahej e të caktohej një e vetme abece kombëtare. Tue qenë se të dërguemit nuk ishin të gjithë të premë për një punë të tillë, u zgjodh një komisi që ta rrihte, ta shoshiste më parë çështjen dhe t’ja paraqiste përfundimet Kongresit për pëlqim. Si u morën në studim abecetë e ndryshme e u harrën ato që u dukën të papërshtatëshme, mbetën në kambë vetëm dy: ajo e Stambollit dhe abeceja latine bashkëpunim i ngushtë i penës e i pushkës, rreth të cilave u ndez një bisedë e gjatë.

E para kishte për flamurtar Mid’hat Frashërin me ca trima të tij, e dyta, të dërguemit shkodranë me disa të tjerë. Të dy palët kishin arsye. Sikur t’ishte fjala për pranimin e një abeceje të vetme, arsyet politike e psikologjike lypnin atë të Stambollit. E pse të mos merrej ajo që kishte një histori, që ishte pjella e disa veteranëve të Rilindjes s’onë dhe me të cilën ishin shkrue disa vepra thjesht shqipe si të Samiut, të Vretos? A nuk kishte këndue edhe zana e Naimit me to trimëritë e Skënderbeut mu në zemër të Stambollit? Edhe teqet e bektashinjve që ishin çerdhet e kombësisë nuk do ta pritnin me zemër të mirë nji a-be-ce që të mos ishte ajo në të cilën ishin shkrue “Fletorja e Bektashinjve”, “Qerbelaja” dhe “Lulet e Verës”.

Të kufizohej puna me kaqe ishte gjysma e së keqes, por kishte dhe arsye të tjera që flitnin për të mirë t’asaj abeceje. Toskënija dhe Gegët e Shqipërisë së Mesme që kishin heqë mundim deri sa e kishin nxanë atë alfabet, do të varshin buzët po të detyroheshin n’atë moshë të shkueme që ndodheshin t’i hynin një pune të dytë, kurse mezi ja kishin dalë mb’anë së parës. E s’është fjala këtu për ata me shkollë, por për puntoret e krahut. Kjo abece kishte për t’ja pre hovin e propagandës që banin në Manastir Turqit e Rij kundër idealit kombëtar, e ata ndoshta s’kishin për ta gjetë atë fushë të lirë për të mbjellë farën e përçarjes me anë të fanatikëve të blemë, as grekët as serbët nuk do të gjinin shesh e të bënin përshesh po t’ishte pranu vetëm ai. Nuk due të provoj me arsyet që shtrova se po të pranohej vetëm abeceja e Stambollit rrebeshi që ra do t’ishte mënjanue.

Due të theksoj se kur u hap fjala që Kongresi pranoi edhe një abece “fjesht latine” u vu re një pakënaqësi në disa qarqe dhe u çel shteku më lehtë për të kërku një abece të tretë me shkronja tyrke. Tyrqit e Rij kishin në programe tyrqizimin e Ballkanit. Ky shpërthim i kombësisë shqiptare i shqetësoi fort. Hapën një fushatë me anë të shtypit kundër abecevet të Manastirit, thyen me të holla disa elemente turbullonjës e disa të tjerë fanatikë fetarë si Arif Hiqmetin të cilët s’ja thoshin fort nga penda e të dobët nga karakteri të cilët kërkuan që të futej nëpër shkolla shqipja me shkroja tyrqishte. Me këso mjetesh ndezën fanatizmin e disa që fesë i dinin vetëm cipën dhe kujtuan për një kohë së shkurtër se do t’i qëronin nga mezi flamurtarët e lëvizjes. Pesha u thoshte se do t’a qitnin në krye këtë punë ani se do ta paguanin shtrejtë.

Kundër kësaj fushate shtypi shqiptar u ngrit e ja dha me topa. “Bashkimi i Kombit” organ i shtëpisë botonjëse literare së pari dhe “Drita” e Muç Qullit në Manastir më vonë ashtu dhe fletoret e tjera që botoheshin shqip-tyrqisht u thanë Tyrqëve të ri se udha që kishin zanë nuk dilte. Me artikuj të botuem tyrqisht te “Bashkimi i Kombit” dhe gjetkë, Hasan Prishtina, Bedri Peja e të tjerë ja u ipshin flakë me flakë. Kërcënimevet të tyrqvet të rij një nga bijt e Kosovës trime i përgjigjet kshtu:

Jo vetëm që s’më trembin fjalët e larove, por: “hatà alekidarleremden met-tesheq-qil bir mehqeme ynené bilà pervà arz-i vuxhud itme-e hazir bulleridiqeme Besà”. Turqit këtij trimi që shqiptarët kurrë se ulën gurin dhe zunë të talleshin me shqiptarët për të cilët thoshin s’dijnë shkrim e këndim. Prap një tjetër kosovar i përgjigjet me këtë ton: “arnautllar xhahil ise, exhdadenden ojle bir mehabet-i vatanije, ojle bir his-i hamjet ve fedaqari tevareth et mishder-qi mefterileren ajarende ollaullas bu gjibi mezajaji anllamakten temamile axhisderler”.

Por dhe humori shqiptar këtë herë zbriti në fushë të nderit për të thye një heshtje në të mirë të abecesë kombëtare: “nuk shkruhet shqipja me abecene tyrke, dhe ti or zot që ngul këmbë dhe pohon të kundërtën, ha de, merre shkruej një herë me shkronja tyrke fjalën shqip ‘mot’ dhe si t’a shkruejsh, të lutem t’a mbash për vete”. Shtypi tyrk duke qenë në shtepi të vet, priste e qepte si mbas mësimit që merte nga partija  “it-tihad ve tereki” dhe mbas pështellimevet të qeverisë së Stambollit, po ç’kishte shtypi grek që përzihej në një punë në të cilin s’e kishte ftu njeri.

Lajmi i pranimit edhe të një abeceje latine ua leu bukën me tëlynë kundërshtarëvet të kombësisë s’onë, të cilët edhe si pat marë fund kjo punë s’pushoi se shkruemi sofizma pa krypë. Ja se ç’thoshte një gazetë greke: “… ky popull (shqiptar) në vend që të ketë parasysh se në Shqipni ka turkoglose dhe hellenoglose, komiteti shqiptar u ktheu kurrizin këtyre dhe mundohet të kalli ndër ta abecenë latine që të përshtatet Rumanisë (siç) dhe Austrisë (siç). Për fat të keq”, shkruen gazeta, “shqiptarët shkojnë edhe më tej, fjalët që nuk i ka shqipja, i a marrin hua latinishtes, mirpo harrojnë me këtë mënyrë popullsia latinizohet (siç) dhe dal-nga-dalë hyn në rrugë të katoliqizmës”. Edhe kësaj zallahije kundër shkronjave tona shtypi shqiptar i u përgjegj burrnisht. “Bashkimi i Kombit” shkroi se “… qeveria si edhe çdo tyrk s’ka të drejtë të na shtrëngojë të përdorim këto ose ato shkronja, se kjo punë është vetëm e shqiptarëvet. Pastaj sikundër s’ka qeveria të drejtë të shtrëngojë Grekërit, Ermenët, Syrianët, Bullgarët e tjerët të ndërrojnë shkronjat e gjuhëravet të tyne, kështu as fare s’ka të drejtë të na pengojë përdorimin e shkronjavet, të cilat gjer më sot me tërë zemër i ka pritur Shqipëria, sikurse u tregue në Kongresin që u bë vjet në Manastir, i cili u mbloth vetëm për çështjen e shkronjavet, të cilësi dha dhe fund. Për së dyti themi se në dëshiron Qeverria të shkruhet shqip me shkronja tyrqishte, me këtë faqeza tregon se edhe paskëtajthi nuk do që të mësohet shqipja dhe seç i pëlqen të mbetet Shqipëria nd’erësirë e ndë padije”.

Ma poshtë i bije prapë: “vivllën shqip të shkruarë me shkronja tyrqishte sa herë që t’a këndonjë, qoftë edhe vetë ay që’e shkrojti, kaqë herë ndryshe do t’a këndojë, veç në e pastë mësuar me gojë si papagallua”. Dhe mbasi shton një radhë arsyetimesh të tjera për t’i dalë zot abecesë së Manastirit e mbyll artikullin tue ftue parësinë shqiptare të Stambollit të mos presi këshilla për gjuhën tonë, por burrnisht t’ua mbylli gojën atyneve që duan “të përzihen aty ku s’i ftojnë”.[2]

Një ditë u hap lajmi si rrufe se Turqit e Ri paskeshin ba një mbledhje të mçefët aty në Manastir dhe paskeshin vendosë me i dhanë zjarr shtypshkronjës “Bashkimi i Kombit”. Nuk dij në ka qenë i vërtetë lajmi, por kushtrimi u lëshue e u formue shpejt për shpejt një roje patriotësh që silleshe natën rreth ngehinës.

Tue u ndodhë vendi në një gjendje të tillë shpirtërore, u pa nevoj’e madhe të mblidheshin në Manastir edhe një herë ajka e shqiptarëvet për një Kongres të dytë, i cili do të mendonte se ç’duhej ba për ball rrezikut që po i turrej atdheut. Kongresi i dytë do të çilesh me 15 Mars 1910 por tue qenë se të nderçmit përfaqësues të Kosovës mërrijnë me 19 t’atij muej, Kongresi u hap me 20 në klubt “Dituria”.

Mbas përshëndetjevet të rasës, Dervish Hima, përfaqësuesi i shqiptarëve të Stambollit dhe drejtor i fletores “Shqiptari” u ngrit e çfaqi mendimin që të zgjidhej kryetar i mbledhjes Qazim bej Dibra. Të gjithë e pritën me gëzim, por Z. Dibra si falenderoj shokët i a lëshoi kryesinë atdhetarit të njohur Bedri beut me shkronjës (sekretarë) Ferid Ypin dhe Petro Nini Luarasin. Gjashtë shqiptarë të çquem e përfaqësonin Kosovën n’atë mbledhje historike: Rexhep be Mitrovica, Bedri be Peja, Qamil beu, Hysni beu, Bejtulla beu, Sabid beu.

Një fjalë me randësi mbajti Dervish Hima, i cili preku çështjen e përvëlueme të shkronjavet që luftohej të mbrohej me egërsi nga njana e nga tjetra anë. “Ju e dini fort mirë”, tha Hima, “se Kurani që rrëfen fenë nuk na ka zbritë nga qielli së bashku me shkronjat arabishte, por ka ardhë si fryme, me të folë, dhe mbas shumë kohë u shkrue me ato shkronja që ishin në përdorim aso kohe. Këto shkronja nuk jane gjana fetare, por vegla për të punue dituritë. Mirpo disa që s’ja duen të mirën kombit na çelën luftë, por ne do ti mbrojmë këto shkronja me shpatë qitë”. Dervish Hima kërkoi që të mblidhej një Kongres me i math në Janinë më 20 të Qershorit 1910 për ti tregue botës se Janina është shqiptare dhe atë vend që e quejnë grekët Epir me tin megalin idhean , nuk ashtë tjetër veçse Shqipni.

Mbasandaj vijoi: “gjithë këto due t’i përsërit edhe për Kosovën, ku asht tue derdhë pare të madhe Serbi për t’i serbosë vllazërit t’anë, që t’i thotë më vonë botës se në Kosovë nuk ka kamb shqiptari, për tja paraqitë si serbë banorët e Kosovës”. Fton të gjithë të këndojnë e të shkruajnë gjuhën me shkronjat kombëtare e t’i përvishen punës e të punojnë si Jani Vreto, Vaso Pasha, Kristoforidhi e tjerë në ditët më të tmershme të tiranisë.

Mbasandaj e muarën fjalën përfaqësuesit e Kosovës për të tregue nevojat që kishte kjo krahinë për mësim e rruga. Thanë se në tanë Shqipninë nuk po shihnin një rrugë të mirë. Një udhëtar që shkon prej Pejës në Jakovë detyrohet të shkoje vithe kalit dhe me krye n’dorë. Por gjaja ma e nevojshme për vendet tona, thanë ata, asht një mësojtore e madhe shqip që duhet çelë në Shkup dhe duhet ba sa ma parë, se puna s’pret, se serbët siç e tha bukur vllaj ynë Dervish Hima, po bajnë propaganda n’ato vise për damin tonë. Një tjetër gja e nevojshme për vendin tonë, vijuen të derguemit, ashtë të botohet një fletë shqip-tyrqisht për me i dhanë me kuptue popullit të Kosovës ç’bahet në shtëpit.

Dervish Hima u ngrit e i përkrahu nxehtësisht kërkesat e Kosovës. Përsëriti nevojën që ka Kosova për një msonjtore të madhe (shkollë normale) dhe për një fletë të përjavëshme shqip-tyrqisht me anën e së cilës do të dilnin në shesht padrejtësitë që po bahen mbi kurrist të kësaj popullsie trime edhe këto mizori do të riprodhoheshin në fletët tona kombëtare si dhe nëpër ato t’Europës, boll që të mirte vesht edhe Europa se ç’po punohej mbi kurrist të kësaj krahine thjesht shqiptare.

Ndër shumë pika që u rrahën vendosi midis të tjerash edhe këto:

  • Të çilet një mësonjtore e madhe në Shkupt një orë e ma parë dhe të botohet një fletë (gazetë) shqip-tyrqisht. Të hollat që do të nevojiteshin për Nomalen e Shkupit u vendos të mblidheshin nga shqiptarët e Kosovës. Dervishi kërkoi që edhe shuma e të hollave që qe mbledhur, ishte i mendjes që t’i dhurohej shkollës Shkupit, së bashku edhe shumën e të hollave që ishte mbledhë nga një çfaqje theatrore që ishte dhanë prej disa artistave shqiptarë në Stamboll. Dha fjalën gjithashtu se fletës që do të shifte dritën në Shkupt do t’i siguronte me një herë njëqind pajtime që do t’i mblidhte nga shqiptarët e Stambollit.
  • Klubi qëndror i Stambollit i ngarkohej barra të çilte një akademi që do të merrej me botimin e librave shkollore dhe me gatitjen e fjalorit shqip.
  • Klubi i Stambollit të mirrte përsipër me e pyetë Sheh-ul-Islamin për një fjalë. U muerën edhe shumë vendime të tjera që s’po i përmend se drue e teproj.

Gjithë këto vendime u pranuen me gëzim dhe Kongresi i dytë i Manastirit u mbyll me këto fjalë të kryetarit: “s’ka gja ma të naltë në ktë botë se sa kombi dhe gjuha”.

Këtë dashuri për gjuhë shqipe Kosova e tregoi edhe me punë. Posa hapi dyert shkolla Normale e Elbasanit në vjeshtë të vjetit 1909, togje-togje erdhën n’Elbasan nxanës nga viset e Mitrovicës, të Pejës, të Jakovës, të Shkupit, të Prishtinës, të Vuçiternit, për të nxanë të bukurën gjuhë shqipe. Ja kemi hue atdhetarit të flakët shpirt-ndritëshmit Hasan Prishtinës.

Historia e kohës së vjelun, zjarri i pashuem i Kosovës së sotme për lirin e vet dhe fryma e re e së pritmes dëshmojnë e rrfejnë me gojë të vërtetë se vetëm një udhë shpëtimi ka Kosova: të rrijë e bashkueme me Nanën Shqipni. Vetëm kështu, e mbështetun njana me tjetrën mund të mënjanohet rreziku që po na troket ke dera.

Klubet

Sa u shpall lirija e 1908-ës u mbush Shqipënija me klube politike. Klubi i Manastirit ishte qëndra e gjithë klubeve që deri atëhere vepronin si shkolla nate për ti mësue shqip popullit, salla leximi edhe vend konferencash. Në Klubin e Manastirit jane mbajtë edhe konferenca me ngjyrë politike.

Më Dhetuer 1909, erdhi Nikolla Ivanaj, drejtori i fletës “Shpres’e Shqipnisë” që botohej në Trieshte, e mbajti një konferencë në Manastir që u dha dhe për botim te organi i shqiptarëvet “Bashkimi i Kombit” me një kryeartikull me titullin “Quorque Tandem”. Ligjëratat, konferencat, artikujt e flaktë shqip e turqisht, fjalët e mëdha që dëgjoheshin posht’e naltë krijuen një farë psykoze ndaj turqve të ri, të cilët s’duronin mà t’u flitej për shqiptarë e për Shqipni. Halë në sy i kishin shqiptarët myslimanë sepse nuk ja nxinte mendja qysh këta din-kardashët t’i bajnë baltë shkronjat tyrke si dhe kur flitnin shoq me shoq për arnaudët buza e sipërme u dridhej nga pak prej frike e prej zemërimit.

Faik Konica që e kishte vënë re mirë shkroi një herë te Albania: “… c’est une grimace à peine perceptible, mais tellement caracteristiaue qu’on n’oublie pas une fois soisie au vol” dhe po Faiku lëshoi një ditë kushtrimin “… combattons les jeunes turcs, ce sont eux qui pour le muvement personifient le Kuçedra te nos legendes populaires”.

Dita ditës puna po thartohej, marrëdhaniet po keqsoheshin, maceja që kishte hyrë në ment të shqiptarëvet dhe turqve të rinj kishte qënë e zezë. Dyshimi se shqiptarët me këtë hof dhe shpërthim të kombësisë mos kërkonin edhe disa të drejta përtej kufinit ose një autonimi siç et simpliciter u forcue me zbritjen e Dervish Himës në Shkodër me një flamur shqiptar. Shtypi turk s’e mbajti gojën ma por i u lëshue shqiptarëvet me tërbim. Shkroi e tha se qeveria ottomane s’kishte ndër ment t’u ipte imtiazate. Fleta “Drita” e Manastirit që kishte zanë vendin e Bashkimit të Kombit, që botohej nën drejtimin e patriotit Muço Qullit i a dha flakë për flakë me një radhë kryeartikujsh të titulluem: “Imyiazatmi Jokse Bukuri Tabiijemi” që i a kemi hue pendës së prehtë të Mustafa Hilmiut që ashtë vetë Muço Qulli.

Po të lamë mënjanë ditët më të lashta të historisë shqiptare e të shtrojmë lëmashkun e harresës edhe mbi kryengritjet e repta që u vërtetuen midis vjetvet 1825-1850 në Shqipni të Veriut dhe të Jugut, fitime e të bjeruna nga të dy palët, mund të thomi se qysh prej vjetit 1856 e deri në Ligën e Prizrendit shqiptari gëzon një farë qetësie në shtëpi të vet. Por nji kjo paqe e qetësi gadi e kalli në dhet kombin shqiptar. Nuk jam tue i ba bisht së vërtetës historike në pohofsha se atë që nuk e bënë shekuj me rradhë robnije qe tue u ba aty për aty në një të katërt e shekullit, gjatë së cilës rreziku i njësisë kombëtare, i gjuhës shqipe, e farës së pashtrueme shqiptare, ka qënë i math fort.

Në të endun të jetës së vet, vetëm një herë ndoshta malësori, fusharaku, ndjeu majën e thikës që po e shponte në palcë. Ndoth disa herë të rrjedhë një e mirë prej nji së keqeje: dhe kjo ngjau, gjaqet u falën. Bujaria e shqiptarit në ditët me rrezik është edhe më e madhe, besa u lidh se Ligën e Prizrendit e kishte aty në kambë si shkamb të gjallë kundër kuvendit të Berlinit i cili pa njoftë zot e pa vu dorën në zemër, desh me dà Shqipërinë copa-copa. Kjo veprimtari e madhe nuk i pruni politikisht nonji fitim çështjes shqiptare ose ma mirë ky fitim ka qënë vetëm mohimtar, por në fushë të kulturës kombëtare dhe të jetës se shoqërueshme ka qënë një vepër e madhe historike që shëmbi e rrënoi për një hop ndryshimet e klasavet dhe të fevet dhe në emër të mbrojtjes se kombësisë shqiptare u lidh Besa, u shtypën libra e fletore, të cilat mbajtën vlagë pothue deri ditën që u çpall pavarësija.

Qysh prej kësaj Lige fillon rilindja e vërtetë shiptare. Grekët qysh prej ditës që fituen pavarësinë (1830) s’na kanë lanë të ringremë krye. Miqsija e tyne në lidhje me ne ka qënë laj e lyej. Anmiqësija e tyne, e cila në krye ka qënë e mbulues dhe disa herë dhe latare e buzagas, e hoqi maskën më 1878 të nesërmen e Ligës së Prizrendit u ba e egër, e tërbueme, e pamëshirshme. Turqia me Greqinë u rrokën dorë për dorë dhe u lëshuen për të prishë çerdhen e shqipes. Po ky rrebesh nuk e tronditi idealin kombëtar, sepse në çdo vend të Shqipnisë kishte apostuj e nxanës të cilët s’u bante lak zemëra. Një ndër këto çerdhe ku qëndroi në këmbë lëvizja kulturore shiptare deri sa s’muer fund Lufta Ballkanike ka qënë edhe Manastiri.

Ky qytet është ndërtue pranë Heraklesë së moçme, që ka qënë një qytet i vjetër i Maqedhonisë mbi rrugën historike Egnatia e cila shkon aty afër Manastirit t’sotme. Mbasi u prish ushtërija e Perseut, Heraklea ra në dorë të romanëvet, të cilët mbas disa kohe e lanë shkret dhe e ndërtuen n’atë fushë ku ndodhet sot Manastiri. Qyteti ka qënë në kohët të lashta një qëndër strategjike me randësi dhe çelsi për ata popuj që lakmonin pushtimin e Maqedhonisë. Edhe sot tue u ndodhe pranë kufirit shqiptaro-grek, po atë rëndësi ushtrijake ka.

Në ditët e Bizancit grahi aty jeta e kallogjerivet, me manastire të lulëzuame midis të cilëve u ba i famshëm manastiri i Bukovës. Bullgarët e quajtën Bitolj por më 1382, kur ra në duer të perandorisë ottomane, ndërroi emër prap, tue u quejt Manastir në kujtim të monastirevet që qenë ngrehë aty rrotull. Ka qënë kryevendi i një vilajeti ku rinte valiu, u zbukuruem me ndërtesa qeveritare dhe private të dorës së parë, me kazerma të mbëdhaja, me gjimnaze ushtrijake dhe qytetare, me shëtitore të bukura gjatë Drahorit. Gjindja vishej e mbathej mirë, vishej bukur mund të thom dhe të pasunit e djelmënija sqimatare visheshin në “Tiring” që sillte nga Viena petka të gatëshme të modës së fundit. Edhe sot që kanë kalue tridhet e dy vjet, dhe kanë zanë të bijen mbi jetën t’ime hijet e mbramjes, e kam përpara syvet si nji pikturë të bukur e mbështetur pa rrzis Peristerit që është fund e majë gjelbërime.

Tregu ishte mbushur me gjithëfarlloj mallrash, kishte qumësht dallandysheje: ëmbëltore e gjelltore me gjithfarë gjellësh e ëmbëlsirash të mira të gatueme prej mjeshtrish të ardhun nga Lindja e nga Perëndimi. Në disa rrugë të tregut s’të ikesh së kundruemi artizanatin tipik të vendit si punë të bukura me telish, qilima të randë, gajtana të mëndafshtë dhe punë të hijshme të lëkurës. Por mbrenda fare, në zemër të qytetit, Manastiri të bante përshtypje të kundërt. Me çpalljen e lirisë më 1908 edhe arsimit që kishte mbetë prapa, i ra një erë evropiane. Veç mësimit të llogjikës, u hap fjala se në klasat e nalta të gjimnazit do të hynte me triunf edhe psikologjija (ilmi ahdali ruh) e nxënësit i kishte zanë data.

Pëlhura e marrëvshjeve politike dhe kulturore të shqiptarëvet në ditët e robnisë dhe mbas çpalljes së lirisë ka qënë vu e ende në Manstir që ishte udhë-kryq ku piqeshin e kuvendonin shqiptarët që niseshin për mërgim, por udhë-kryq sidomos për ata që ktheheshin nga Rumunija dhe Bullgarija dhe kishte gjetë shesh të lirë lëvrimi i gjuhës dhe i ndjenjës kombëtare e këta shqiptarë në të hyme të Manastirit, zbraznin zemrën e tyre patriotike, linin farën e kombësisë aty dhe ktheheshin nëpër vendet e tyne.

Më 1903 Manastiri, Shkupi dhe Selaniku kanë qënë tri vilajete të Tyrqisë së Europës ku, si mbas marrëveshjes së Murzstegut, do të futeshin reformat që ishin pjella e mendjes femër të diplomacisë austro-ungare dhe të Rusisë me pëlqimin e fuqivet e mëdha. N’at marrëveshje ishte theksue se n’ato krahina të Vilajetit të Manastirit dhe të Shkupit ku ishte popullsija thjesht shqiptare reformat nuk do të hynin. Dokumentat që po shtrojmë më poshtë, të cilat provojnë çka pohova më sipër janë qitë prej veprës “Documenti Diplomatici presentati al parlamento italiano dal Ministro degli affari esteri (di San Giuliano).”…

Kujtime Rinie, 1942

Koment i Autorit

Këtyre kujtimeve të hedhura në letër nga Cipo u mungojnë faqet e para, që nuk duhet të jenë shumë, një ose dy. Gjithashtu nuk dimë se ku do t’i gjente Cipo “Dokumentat Diplomatike të San-Giulianos” të paraqitura në Parlamentin Italian. Meqënëse mungon faqja apo faqet e para ne nuk e kemi të qartë se me ç’rast apo kush ja kishte kërkuar Cipos këto të dhëna apo këto përshkrime të nxjerra nga kujtimet e tij për atë periudhë të trazuar të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Gjithashtu ky dorëshkrim, për arsye të kohës dhe qëndrimit në kushte jo të përshtatshme, shpesh ka pjesë të dëmtuara e të palexueshme. Fjalët që i mungojnë ne i kemi zëvendësuar me tre pika të njëpasnjëshme.

 [1] Mungojnë një ose më shumë faqe.

[2] B.K. Viti I-rë, Nr. 16 , 1909

Pin It on Pinterest

Share This