Evlija Çelebia

ShkrimQë kur isha i ri në Shkollën Unike si në Normalen e Elbasanit apo dhe këtu në Tiranë në Shkollën Unike si dhe në Shkollën e Mesme “Naim Frashëri”, dëgjoja me vëmendje shpjegimet e profesorëve të Historisë mbi ata shkrimtarë të huaj që kishin patur rastin të shkruanin mbi Shqipërinë.

Shpesh Prof. V. Meksi na përmendte një dijetar Turk me emrin Evlija Çelebia, i cili që më 1660 kishte kryer një udhëtim shumë interesant nëpër Shqipëri, duke lënë kujtime të pashlyera mbi vendin tonë.

Në vitin 2005, para nja dy muajve, duke kaluar nëpër duar ato pak libra që kishin mbetur nga Bibloteka shumë e pasur e Babait tim, një pjesë e vjedhur dhe e djegur gjatë luftës kur e gjithë familja ndodhej e internuar në një fshat të humbur të Italisë, ndërsa pjesa tjetër tërhequr me kërkesën e tyre nga Biblioteka Kombëtare mbas vdekjes së babait më 1952, më ra në dorë një broshurë e vogël me kopertinë letre të kuqe, dhuruar nga përkthyesi dhe miku i babait, personaliteti i Kosovës Zoti Salih Vuçiterni me titull:

S H Q I P N I J A

PARA DY SHEKUJSH

përkthyer nga një libër turqisht me titull:

“EVLIJA CELEBI SEJJAHNTNAMUSTSI…”

Botuar në Tiranë nga Shtypshkronja “Shkodra”

1930

evliya-çelebiU habita pa masë mbasi kisha një jetë që po e kërkoja dhe çuditërisht e kisha patur në shtëpi. E lexova me një frymë. Aty kuptova se shkrimtari nuk quhej ashtu siç flitej Evlija Çelebia (ky ishte vetëm fillimi i titullit të librit), por në të vërtetë ai quhej Muhammed Xhil-il Ibni Dervishì. Meqënëse ka kaluar pothuaj dhe një shekull nga përkthimi i këtij botimi, titulli mendoj se duhet të jetë “Shqipnija (jo “para dy shekujsh” por) Para Tre Shekujve”.

Njëkohesisht vura re se edhe botimet e kryera nga Elbasan-Enciklopedi me titull “Në Panteon drejt Panteonit” botuar nga Silver 2000 shpesh i referohet këtij shkrimtari Turk duke nxjerrë prej tij shprehje dhe mendime mbi Elbsanin.

Duke lexuar me vëmendje më bëri përshtypje përshkrimi i hollësishem i krahinës së Beratit (që ai e quan Beligradi), një përshkrim i plotë dhe shumë pasionant, ndofta sepse autorit i kujtohej se atë qytet e kishte vizituar shumë vjet para tij, edhe i ati.

Duke lënë pas gjithë këto mendime, po i referohemi fakteve konkrete. Shkrimtari në fjalë, një nga më të diturit e kohës së vet, filloi nje turne nëpër gjithë shtetet e pushtuara nga Turqia si dhe shtetet fqinje të Perandorisë Osmane. Indirekt del në dritë se ai ishte sponsorizuar për të kryer këtë udhëtim “turistik” nga vetë Shërbimi i Fshehtë Turk, për të marrë të dhëna sa më të plota mbi gjendjen konkrete të këtyre shteteve nën robëri.

Po ta shohim me kujdes do te vemë re se ky “turist” i ditur, përveç vizitave të zakonshme nëpër qytetet e ndryshme, shkon dhe takon për të marrë të dhëna të plota mbi gjendjen nga vetë drejtuesit shtetërorë dhe ushtarakë që qeverisnin vendin. Se çfarë kishin bisedur me këtë dhe çfarë ata i kishin raportuar nuk na jep asnjë të dhënë dhe me sa duket këto të dhëna janë tërhequr dhe i janë përcjellë organeve kompetente të Sulltanit i cili kërkonte të kishte një ide sa me të qartë e sa më të plotë mbi situatën konkrete të këtyre vendeve mbas 200 vjetëve nga pushtimi.

Megjithatë duhet ta falenderojmë se ai përveç detyrave shtetërore kreu më së miri dhe një paraqitje të plotë të situatës reale të këtyre vendeve. Më bëri përshtypje se në përshkrimin e qyteteve dhe krahinave rreth e qark tyre, ka përfshirë, kur na flet për Shqipërinë, të gjithë qytetet ku flitej gjuha shqipe dhe që më vonë kaluan dhe kanë mbetur mbrenda kufijve të shteteve fqinje.

Ky personalitet, përveç Shqipërisë, ka kryer “vizita turistike” edhe në Azi, Arabi, Egjypt, Rusi, Gjermani, Hollandë dhe deri në Suedi.

Në të gjitha këto udhëtime ai përqëndrohet edhe në Historinë e vendit ku po kalon dhe interesohet për Ekonominë, Bujqësinë, Tregtinë, Industrinë, Kulturën, Arkitekturën, Karakterin, Zakonet, Jetën Shoqërore, Racën njerëzore, Gjuhën, Besimin, Institucionet, Gojëdhënat, Legjendat, Përrallat, d.m.th. mbi çdo gjë që ka parë apo që ja kanë treguar.

Kjo vepër për literaturën Turke ka qenë një thesar i madh, ndërsa për kombet e tjerë përbën një dokument të vlefshëm vetëm për atë periudhë kur është shkruar. Kjo mbas tre shekujsh do të përbënte një burim të dhënash mbi gjendjen reale, veçanërisht të Kombit Shqiptar dhe që do ti shërbenin njohjes të Shqipërisë në periudhën kur na është përshkruar.

Ka një proverb Turk që duke ju referuar personave që japin mendime plot kompetencë dhe të pabazuara mbi vendet e tjera thotë: “Mos i besoni, nuk din gja Zotnija, din më shumë ai plaku që i ka shëtit.”

Robert Cipo

Pin It on Pinterest

Share This