DISA TË DHËNA NGA JETA IME – Prof. Shaban Demiraj

ShkrimKam lindur në Vlorë, sipas dëshmisë së nënës sime, në Mars të vitit 1921, por sipas regjistrimit zyrtar më 1 Janar 1920, në Mëhallën e Re, (sot Lagjja Partizani). Babai im quhej Sulejman Demiraj, por në popull thirrej Mulla Sulo, sepse shërbente si imam në ish-xhaminë e Tabakëve, e cila u shkatërrua gjatëLuftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Familja jonë ka qenë e lidhur me atë luftë. Prandaj dy vëllezërit e mi të mëdhenj, Aliu dhe Shyqyriu u internuan dhe u vranë nga nazistët gjermanë. Pas Çlirimit ata janë shpallur dëshmorë.

Babai më çoi në shkollën plotore të vetme të Vlorës pa mbushur gjashtë vjeç. Shkolla ndodhej në lagjen Muradije, afër sheshit të Flamurit, pra mjaft larg shtëpisë sonë në Lagjen e Re. Në shkollë shkoja bashkë me dy nipërit e mi, Mustafanë dhe Mynyrin, që ishin ndonjë vit më të mëdhenj se unë. Por më kujtohet se në shkollë veja me qejf, sepse babai më kishte abonuar te një furrxhi afër xhamisë së Tabakëve për të marrë një simite çerek-lekëshe, të cilën e haja thatë me dëshirë aq të madhe.

Mësuesi i klasës së parë mbante llagapin Stringa dhe ka shumë të ngjarë që të ketë qenë nga fisi Stringa prej Elbasani. Në klasën e parë, në të dytën dhe në të tretën, me sa më kujtohet, nuk shkoja aq mirë me mësime, kurse në klasën e katërt nuk kalova dot, sepse vija edhe i imët me shëndet dhe bëja shumë mungesa dhe mësimet më dukeshin të vështira. Vitin tjetër u hap në Vlorë shkolla plotore nr. 2, pak më afër shtëpisë sonë. Aty vazhdova përsëri klasën e katërt me një mësues të shkëlqyer nga Tërbaçi i Vlorës, që quhej Musa Muho. Ai kishte mbaruar Shkollën Normale të Elbasanit dhe ruaj për të përshtypjet më të mira.

Pas Çlirimit të Shqipërisë e takova një herë rastësisht në tren dhe iu prezantova. Me atë rast i kujtova një episod, që ai nuk e mbante mend fare. Një ditë prej ditësh, gjatë orës së mësimit më ngarkoi të veja në shtëpi të tij, që ndodhej afër shtëpisë sonë, me një porosi për të shoqen e tij, që ishte gjithashtu nga lagjja jonë. Me qëllim që kjo të më besonte, hoqi nga gishti unazën e florinjtë të martesës e ma besoi mua. Ky episod mirëbesimi më bëri një përshtypje të jashtëzakonshme.

Me Musa Muhon kam mbajtur pastaj letërkëmbim, deri sa vdiq. Gjatë punës në klasën e katërt me Musa Muhon më duket se edhe unë sikur u poqa mendërisht dhe fillova të kem sukses të madh në mesime duke dalë ndër të parët e klasës. E qysh atëherë e ruajta vazhdimisht këtë përparim në mësime.

Në klasën e pestë të shkollës plotore nr. 2 pata fatin të kem një mësues tjetër shumë të mirë me emrin Tahir Hoxha, nga Tragjasi i Vlorës. Ai ishte edhe drejtor i shkollës. Tahir Hoxha kishte studiuar në Shën Mitër Koronë të Kalabrisë dhe ishte shumë mbresëlënës me shpjegimet e tij. Ishte edhe atdhetar i mirë. Më duket se kishte marrë pjesë në Luftën e Vlorës kundër pushtuesve italianë më 1920. U aktivizua edhe në Lëvizjen Antifashiste në fillim të Luftës Nacionalçlirimtare, por më pas u bashkua me lëvizjen kundërshtare, Ballin Kombëtar dhe pas luftës u dënua si kolaboracionist nga gjykata popullore, ku prokuror ishte i biri, Lufter Hoxha, një pjesëmarrës aktiv i Luftës Nacionalçlirimtare. Një djalë tjetër i Tahirit është dëshmor. Kjo është një nga të papriturat e asaj lufte. Unë nuk di se sa fajtor ishte Tahiri, por mbaj mend që ishte njeri me kulturë dhe i ndershëm.

Në klasën e pestë të shkollës plotore mbaj mend të kem pasur shok klase Naum Hondron, nga Vlora. Ai vazhdoi mësimet në Shkollën Tregtare të Vlorës, mori pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare dhe pas luftës shërbeu si oficer për çështje kontabiliteti këtu në Tiranë. Me atë konkurroja për vendin e parë në klasë. Ishte një njeri i urtë dhe i dashur dhe me të e ruajta miqësinë, derisa vdiq.

Si mbarova Shkollën plotore pesëvjeçare të Vlorës me përfundime shumë të mira, në shtator të vitit 1932 babai më dërgoi të vazhdoja mësimet në po atë shkollë, ku një vit më parë u diplomua vëllai im i tretë, Vexhiu, d.m.th. në Medresenë e Përgjithshme të Tiranës. Me sa duket, gjendja e tij ekonomike i linte të hapur dy rrugë: Ose të më jepte një zanat, duke më futur si shegert te ndonjë usta, si p.sh. berber, rrobaqepës, këpucar, ose të më dërgonte me bursë në Medresenë e Tiranës, sepse të më mbante në ndonjë shkollë tjetër të mesme, si p.sh. në Shkollën Tregtare të Vlorës, ndoshta nuk kishte mundësi.

Gjithsesi, unë ia di për nder që nuk më la pa shkollë, aq më shumë që në dy klasat e fundit të shkollës plotore kisha dhënë shenja se mund të përparoja mirë në mësime. Medreseja atëherë kishte shtatë klasa dhe konsiderohej edhe nga shteti si shkollë e mesme, sepse krahas mësimeve fetare atje zhvilloheshin edhe lëndë laike, si gjuhë dhe letërsi shqipe, matematikë, histori, gjeografi etj. Si gjuhë të huaja mësoheshin arabisht dhe anglisht e në dy klasat e fundit edhe pak persisht.

Nga kujtimet që kam prej asaj shkolle, mund të përmend miqësinë e ngushtë, që zura me Xhemil Selamin nga Vranishti i Vlorës. Ai shërbeu disa vjet si mësues dhe pas Çlirimit shërbeu si diplomat në Egjypt dhe Turqi, por vdiq i ri. Unë e ruaj miqësinë me pasardhësit e tij. Në atë shkollë kisha shoqëri edhe me Qemal Gorishovën, i cili u vra nga fashistët italianë më 1943, sepse ishte i angazhuar në Lëvizjen Nacional-Çlirimtare. Për të nderuar kujtimin e tij emri i tij iu vu një shkolle shtatëvjeçare, por më vonë emri i tij u hoq, sepse ndërtesa e shkollës iu kthye pronarit privat. Mendoj se Seksioni i Arsimit i qytetit të Vlorës duhej t’ia kishte vënë një shkolle tjetër të ngjashme emrin e atij dëshmori, që sakrifikoi jetën për liri në lulen e rinisë.

Pas mbarimit të shkollës ndihesha mjaft i dobët nga tifoja në zorrë, që hoqa në vitin 1939. Pas disa muajsh hoqa edhe një të ftohtë me ujë (pleuritis) në brinjën e majtë, që ma rëndoi edhe më shumë gjendjen shëndetësore. Në të tilla rrethana, duke qenë një barrë për babanë plak, që përveç meje duhej të mbante edhe nënën time si edhe motrën Fetije, m´u desh të gjeja ndonjë punë. Dhe kam shërbyer në punëra të lehta. Dhe puna e vetme, që m’u ofrua më 1940 nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, ishte të veja në Berat si konfencier i fesë islame e kjo përputhej edhe me përgatitjen time shkollore. Kjo ishte një punë e thjeshtë, që kryhej një herë në javë, duke qenë i veshur civil, pra përshtatej edhe me gjendjen time shëndetësore.

Në Berat qëndrova pak kohë (disa muaj) dhe pastaj më transferuan me të njëjtën punë për pak kohë në rrethin e Tiranës. Ndërkaq, unë e shfrytëzova rastin për të plotësuar e thelluar më tej njohuritë e mia e sidomos për të mësuar më mirë italishten, me synimin që të jepja disa provime për të marrë diplomën e gjimnazit.

Për këtë qëllim, dikush (nuk e mbaj mend se kush) më bëri të ditur se në Romë ishte një qendër arsimore me emrin Scuole riunite, e cila shpërndante me çmime të përballueshme materiale për lëndët e ndryshme të shkollave të mesme, duke përfshirë edhe latinishten e greqishten e vjetër. Kështu, duke pasur kohë të lirë dhe duke qenë pak më mirë edhe me shëndet, iu futa një pune intensive përgatitore për të gjitha lëndët e liceut klasik. Kjo punë e madhe, që bëra atëherë, më ndihmoi shumë për formimin tim të përgjithshëm, për të cilin kam punuar vazhdimisht duke e konsideruar veten nxënës të përjetshëm. Një interesim të vazhdueshëm kam treguar sidomos për thellimin e mëtejshëm të njohurive të mia për gjuhët klasike dhe për gjuhët e huaja në përgjithësi. Këtë punë munda ta vazhdoja edhe më me sukses, pas mundësisë, që m’u krijua për të punuar në arsim.

Në vitet ‘40 të shekullit XX kam jetuar kryesisht në Tiranë, herë me punë e herë pa punë. Në Tiranë më mbajti bujarisht vëllai im i tretë, Vexhiu, i cili atëherë ishte për vete ngushtë ekonomikisht. Për këtë qëndrim dashamirës të atij dhe të së shoqes së tij fisnike, Paqizes, i kujtoj gjithnjë me mirënjohje. Pas njëfarë kohe gjeta një punë të përkohshme pranë një shoqërie tregtare me emrin SASTEB me një rrogë sa për të mbetur gjallë. Pata mundësi të punësohesha si përkthyes në Ministrinë e Kulturës së atëhershme, por nuk pranova.

Në këtë ndërkohë u mora me përkthimin e një libri të vogël anglisht me titull Jeta dhe lundrimet e Kristofor Kolombit, që u botua kundrejt njëfarë shpërblimi nga shtëpia botuese e tiranasit Ismail Malosmani. Përktheva edhe një libër tjetër të vogël me titull Tales from Shakespeare, që përmbante disa nga tragjeditë dhe komeditë më të mira të Shakespeare-it (të përmbledhura në prozë) dhe ia dorëzova për botim librarit Vesim Kokalari. Por libri nuk arriti të botohej, pasi në këtë ndërkohë në Tiranë kishin hyrë trupat partizane dhe Vesim Kokalari u ekzekutua bashkë me disa të tjerë. Para disa vjetësh dorëshkrimi im, i shtypur me makinën e shkrimit të Vexhiut, u gjet nga bijtë e të ndjerit Kokalari, që ma dorëzuan mua. Nuk është pa interes të botohet, natyrisht duke i bërë disa përmirësime të karakterit drejtshkrimor.

Gjatë muajve të fundit të pushtimit nazist gjerman familja ime në Vlorë u bë objekt përndjekjeje për shkak të mbështetjes së Lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe si rrjedhim dy vëllezërit e mi të mëdhenj, Aliu dhe Shyqyriu, sikurse e përmenda edhe më sipër, u internuan dhe u zhdukën. Si rrjedhim, qëndrimi im në Tiranë u bë i rrezikshëm me ardhjen e disa forcave balliste këtu nga Vlora.
Prandaj vendosa të largohesha nga Tirana dhe e rregullova të veja në Peshkopi, ku forcat partizane atje më pritën mirë dhe më caktuan të punoja si sekretar pranë komandës ushtarake të atij qyteti.

Pra, çlirimi i Shqipërisë më gjeti në qytetin e Peshkopisë. Por nga fundi i dhjetorit të vitit 1944 më njoftuan se më kishte vdekur babai në Vlorë. Më vonë mora vesh se, për të më lajmëruar mua, ishte interesuar me telefon miku i babait tim, Dr. Sezai Agalliu, i cili i kishte shërbyer babait tim si mjek deri në vdekje. Prandaj m´u desh të largohesha nga Peshkopia për në Vlorë, duke udhëtuar më së forti në këmbë me shokë të rastit.

Në Vlorë, pas vdekjes së babait dhe pas zhdukjes së dy vëllezërve të mëdhenj, i gjeta njerëzit në kulmin e mjerimit nga ana shpirtërore dhe ekonomike. Prandaj nuk qëndrova gjatë atje dhe u ktheva me mjete të rastit në Tiranë. Këtu gjeta mirëkuptim dhe më futën po në atë punë në ish-Ministrinë e Kulturës, që pak kohë më parë nuk e kisha pranuar. Ministria e Kulturës atëherë ndodhej në një ndërtesë ministrore pranë Ushtarit të Panjohur te Sheshi Skënderbej. Atëherë atje ishte ministër Sejfulla Malëshova dhe sekretar i përgjithshëm Shefqet Musaraj. Në fillim më ngarkuan me punë të rëndomta, por pas pak kohe, me që dija disa gjuhë të huaja, më caktuan të punoja si përkthyes nga anglishtja dhe frëngjishtja në Agjensinë Telegrafike Shqiptare. Kjo agjenci atëherë funksiononte në nja dy dhoma në katin e sipërm të ministrisë. Por më pas u zgjerua dhe u transferua në një ndërtesë në anën e djathtë të Bulevardit Zogu I e më pas në një vilë dykatëshe në të majtë të ndërtesës, ku ndodhet sot Universiteti i Tiranës.

Agjensia Telegrafike Shqiptare, ku unë punova tre vjet e gjysmë, atëherë drejtohej nga Thanas Nanoja dhe unë gjeta atje tre përkthyes shumë të aftë, punëtorë e shumë të sjellshëm: Petro Konomin, Beqir Çelën nga Lushnja dhe Koço Seminin nga krahina e Korçës. Mjerisht, që të tre këta njerëz aq të mirë përfunduan keq, të akuzuar si armiq. Petro Konomin me origjinë nga shqiptarët e Egjyptit e kishte dërguar i ati në Shqipëri para vitit 1939 për të kryer shërbimin ushtarak, por, për shkak të Luftës II Botërore ai nuk mundi të kthehej më në Egjypt dhe prandaj jetonte tek xhaxhai i tij (kasap) këtu në Tiranë. Lushnjari Beqir Çela u transferua shpejt në një punë tjetër para vitit 1948, d.m.th. kur unë isha ende në Agjensinë Telegrafike Shqiptare dhe më pas u dënua me vdekje si armik. Edhe Petrua u largua nga Agjensia Telegrafike pas vitit 1948 dhe u pushkatua bashkë me disa të tjerë, të akuzuar se kishin hedhur një bombë në ish-ambasadën sovjetike. Edhe Koço Semini, që ishte larguar vetë nga Agjensia Telegrafike, më pas u arrestua dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Me sa munda t´i njoh unë, ata ishin njerëz të mirë dhe korrektë.

Në nëntor të vitit 1946, u hap në Tiranë e para shkollë e lartë shqiptare, Instituti Pedagogjik dyvjeçar me drejtor Dhimitër Shuteriqin. Atje pranoheshin edhe studentë me korrespondencë dhe një ndër këta të fundit isha edhe unë. Në atë kohë shumë shokë të mi ishin dërguar për studime në ish-Bashkimin Sovjetik dhe në vende të tjera ish-socialiste. Por unë as që bëra ndonjë përpjekje të isha midis atyre të privilegjuarve, sepse më duhej të mbaja edhe nënën edhe motrën, së cilës, i ishte vrarë i fejuari, Qemal Gorishova.

Gjithsesi unë u regjistrova në Institutin Pedagogjik si pa qejf në degën e gjuhës e të letërsisë shqipe. Me që ligjëratat e pedagogëve atje atëherë zhvilloheshin pasdrekeve, unë pata mundësinë të asistoja në një pjesë të mirë të tyre, sepse e rregullova që në Agjensinë Telegrafike të punoja më fort paradrekeve. Në ligjëratën e parë dëgjova zërin mbresëlënës të Profesor Kostaq Cipos, i cili më la një përshtypje shumë të mirë. Ligjëratat e Cipos dhe të profesorëve të tjerë, si Aleksandër Xhuvani, Dhimitër Shuteriqi, Eqrem Çabej, Mahir Domi etj, më bënë që ta ndiqja me dëshirë atë degë, ku kisha shok, ndër të tjerë, edhe Qemal Haxhihasanin nga Elbasani, i cili punonte edhe si sekretar i atij Instituti. Ai më vonë punoi në Institutin e Folklorit duke u bërë një ndër folkloristët më të mirë të vendit tonë.

Ai ishte një njeri shumë i sjellshëm dhe i dashur, por mjerisht vdiq në një moshë relativisht të re dhe kujtimi i tij është nderuar nga qyteti i Elbasanit, duke i vënë emrin e tij një shkolle të atij qyteti.
Pra, duke punuar njëkohësisht si përkthyes në Agjensinë Telegrafike Shqiptare dhe si student pa shkëputje nga puna, më 1948 e mbarova Institutin Pedagogjik me nota shumë të mira. Në shtator të atij viti Ministria e Arsimit më emëroi mësues të letërsisë në gjimnazin e vetëm të Tiranës. Por drejtori i Agjencisë Telegrafike nuk pranoi me asnjë mënyrë që unë të largohesha prej asaj agjencie, ku kishte shumë punë dhe pak përkthyes. Prandaj unë vazhdova punën atje.

Mirëpo pas një jave i njëjti drejtor më thirri në zyrën e tij e më lexoi një urdhër të prerë të kryeministrisë, sipas të cilit unë duhej të shkoja urgjentisht në gjimnazin e Gjirokastrës, sepse atje kishte vdekur papritmas mësuesi i letërsisë shqipe. Atëherë unë banoja në një dhomë, që më kishte lëshuar vëllai im bujar, Vexhiu, bashkë me nënën plakë dhe uloke, të cilën nuk mund ta merrja me vete. Ndërkohë edhe motra Fetije ishte martuar me Ahmet Kondon. Por urdhri i qeverisë ishte i pakundërshtueshëm. Prandaj, u detyrova të shkoja në Gjirokastër në shtator a tetor të vitit 1948, duke e lënë këtu nënën vetëm nën kujdesin e vëllait. Por ajo parapëlqeu të shkonte tek e bija, e cila mund t´i shërbente më mirë në gjendjen e saj si plakë uloke. Pranë gjimnazit të Gjirokastrës atë vit u hap edhe klasa e parë e shkollës pedagogjike. Prandaj mua m´u desh të jepja letërsi shqipe dhe të huaj jo vetëm në katër klasat e gjimnazit, por edhe në klasën e parë pedagogjike. Kuptohet vetiu se ç’punë e madhe duhej bërë për të përballuar gjithë atë ngarkesë mësimore, sidomos po të kihet parasysh që unë nuk kisha fare përvojë pedagogjike.

Gjithsesi, mund të pohoj se me një punë të jashtëzakonshme arrita ta mbyll me sukses vitin e parë shkollor, falë edhe përgatitjes sime sidomos në fushën e letërsisë botërore, që zinte një vend të madh në programet mësimore të gjimnazeve të asaj periudhe. Edhe nga ana ekonomike më ndihmoi fakti që fjetjen dhe ushqimin e kisha falas, sepse më caktuan të shërbeja edhe si kujdestar konvikti, punë kjo që kufizohej me praninë time në orët e studimit të nxënësve konviktorë pasdarkeve gjatë përgatitjeve të tyre për mësimet e së nesërmes. Kurse për të fjetur mua dhe tre kolegë të tjerë na caktuan falas një dhomë konvikti më vete. Nga kolegët e atij viti shkollor ruaj kujtime të mira sidomos për mësuesin veteran dhe patriot Thoma Papapano dhe për mësuesin e matematikës, Thoma Harilla nga Korça. Ruaj kujtime të mira gjithashtu edhe për nxënësit e sjellshëm dhe punëtorë të asaj shkolle, ndër të cilët mund të përmend sidomos Dritëro Agollin, Panajot Bogan e Vedat Islamin të klasës së parë pedagogjike, Rushit Bezhanin, Thoma Kriston (të klasës së katërt gjimnaz).

Më duket se jam ndër të parët, në mos i pari, që kam zbuluar talentin e Dritëro Agollit si shkrimtar i ardhshëm. Dritëroi, nga Devolli i Korçës, kishte një pamje fshatarake, që s´ta mbushte syrin. Por qysh në hartimin e parë, që organizova me klasën e tij, ai më bëri një përshtypje shumë të mirë dhe qysh atëherë lidha me të një miqësi, që e ruaj edhe sot e gjithë ditën. Në Gjirokastër qëndrova vetëm një vit shkollor, sepse vitin tjetër, duke qenë se nëna nuk kishte mundësi të lëvizte nga Tirana, më transferuan në Politeknikumin 7 Nëntori të Tiranës, ku ishte drejtor një arsimtar i vjetër, i ditur dhe i sjellshëm me emrin Gjergj Canco. Aty më ngarkuan të jepja letërsi shqipe dhe të huaj në klasat e para dhe të treta të shkollës, kurse në klasat e dyta dhe të katërta këto lëndë i jepte Leonard Kraja, i diplomuar në Itali. Me Nardin, i shoqi i këngëtares së mirënjohur Maria Kraja, u bëmë miq, por nga fundi i jetës ai u sklerozua.

Pas një viti më transferuan në ish-Institutin e Shkencave, me sa duket me sugjerimin e prof. Kostaq Cipos, i cili kishte pasur përshtypje të mira për mua gjatë provimeve në Institutin Pedagogjik. Ish-Instituti i Shkencave e kishte selinë në ish-shtëpinë e nënës e të motrave të ish-mbretit Zog, afër Bibliotekës Kombëtare (të vjetrës). Profesor Cipua, një njeri largshikues dhe dashamirës, për gjashtë muaj më ngarkoi të shfletoja literaturën albanologjike të Bibliotekës Kombëtare, punë që më shërbeu shumë për pasurimin e njohurive të mia albanologjike.

Por në këtë punë nuk më lanë gjatë, sepse nga nevoja për arsimtarë më transferuan në Shkollën Pedagogjike të Tiranës. Në atë kohë arsimi kishte nevojë shumë për kuadro dhe nuk mund të kundërshtoje. Por nga ana tjetër, kthimi në arsim më ndihmoi për të mënjanuar rekrutimin si ushtar, rrezik që nuk m´u nda, deri sa mbusha moshën 29-30 vjeç. Madje, edhe kur isha në Gjirokastër më 1949, zyra ushtarake kërkoi të më rekrutonte, por edhe atë vit ndalohej rekrutimi i arsimtarëve, që ishin të paktë.

Pra, shkova në Shkollën Pedagogjike, ku më ngarkuan të jepja letërsi shqipe dhe të huaj në klasat e treta dhe në disa klasa të dyta, kurse në disa klasa të para dhe në disa klasa të dyta jepte mësim Petër Elezi, një mësues veteran dhe njeri shumë i mirë nga Elbasani, ndërsa në disa klasa të para jepte mësim Vasil Vinjau, një mësues veteran dhe shumë i njerëzishëm. Në klasat e katërta më parë jepte mësim Ziaudin Kodra, i diplomuar në Itali dhe njohës i mirë i letërsisë arbëreshe dhe pas largimit të tij për në Institutin Pedagogjik e zëvendësoi Dhurata Xoxe, e shoqja e shkrimtarit Jakov Xoxe, e diplomuar në Bullgari. Ziaudin Kodra ishte edhe drejtor i shkollës pedagogjike, ndërsa Vasil Vinjau shërbente si nëndrejtor. Pas largimit të Ziaudin Kodrës drejtor i shkollës u bë Sinan Tafaj, i diplomuar në Bashkimin Sovjetik për psikologji-pedagogji. Me të gjithë këta kolegë kam pasur marrëdhënie miqësore, deri sa vdiqën.

Në janar të vitit 1954 më morën si asistent pranë katedrës së gjuhës shqipe të Institutit Pedagogjik, me sa duket me sugjerimin e prof. Zijaudin Kodrës, megjithëse unë atëherë kisha vetëm diplomën e Institutit Pedagogjik dyvjeçar. Në këtë rast ndoshta mund të ketë ndikuar edhe fakti që në vitin 1953 unë kisha botuar në tre numra të revistës Buletin i Institutit të Shkencave një studim të gjatë për gjuhën e Jul Varibobës, një punim ky që në përgjithësi u prit mirë dhe edhe sot mund ta nënshkruaj. Instituti Pedagogjik atëherë ndodhej në ish-ndërtesën e Gjimnazit të Tiranës (afër stacionit të trenit), që më vonë u zgjerua Por më 1957, kur u themelua Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë u transferua në një ndërtesë të re në rrugën e Elbasanit, ku është edhe sot.

Puna e re shënoi një fazë të re në jetën time. M´u dha mundësia që të jepja provimet plotësuese për të marrë diplomën e Institutit Pedagogjik 4-vjeçar dhe të marr përsipër studime shkencore të tjera, që erdhën duke u shtuar nga viti në vit.

Këto nuk është rasti t´i përmend këtu, sepse janë pasqyruar pothuaj gjerësisht në Bibliogafinë e punimeve të mia. Por nuk mund të lë pa përmendur qëndrimin dashamirës të kolegëve të mi, sidomos të profesorëve Zijaudin Kodra dhe Mahir Domi. Me këtë të fundit, që vdiq para disa vjetësh, kam pasur një bashkëpunim miqësor të pandërprerë. Ky ishte një tip shumë i qetë dhe i vetëpërmbajtur dhe kishte një kulturë të gjerë albanologjike dhe njihte disa gjuhë të huaja, sidomos frëngjishten dhe gjuhët klasike, latinishten dhe greqishten e vjetër. Ishte edhe shumë punëtor, por mjerisht nuk ka lënë prapa një trashëgimi të tillë shkencore, që pritej nga një ish-nxënës i shkëlqyer i Liceut francez të Korçës, i diplomuar në Francë. E kjo ndoshta do shpjeguar me faktin se ai ishte qejfpaprishur dhe merrte përsipër çdo detyrë drejtuese administrative, që i ngarkohej dhe ishte i gatshëm të ndihmonte çdo njeri, që i kërkonte ndihmë.

Transferimi im në ish-Institutin e Lartë Pedagogjik u shoqërua edhe me një ndryshim në gjendjen time familjare. Pas shumë ngurrimesh më në fund vendosa të fejohesha me një ish-nxënësen time të shkollës pedagogjike, Fatimen, e bija e Isuf Saraçit, me ndërmjetësinë e një kushëririt të saj, Osman Saraçit, me të cilin kisha bashkëpunuar në shkollën politeknike 7 Nëntori. U martuam në maj të vitit 1954 dhe jetonim në një dhomë, që na kishte vënë në dispozicion motra ime dhe i shoqi i saj, Ahmeti, në shtëpinë e tyre me qira afër Pazarit të Ri. Në atë dhomë banonim bashkë me nënën, kur u ktheva nga Gjirokastra, sepse dhomën, që na kishte vënë në dispozicion vëllai im, Vexhiu, e kishte zënë një ushtarak pas largimit të nënës sime që andej, kur unë u transferova në Gjimnazin e Gjirokastrës.

Pas martesës sime nëna u detyrua të flinte në një dhomë tjetër të Ahmetit. Dhoma, ku flinim ne, ishte e veçuar pranë portës së shtëpisë dhe atje minjtë hynin e dilnin si në shtëpi të tyre. Për më tepër, nevojtorja ishte larg dhe pa kanalizim. E në të tilla kushte banimi mua më është dashur të punoj për t´u përgatitur për ligjëratat në Institut e për të përgatitur edhe ndonjë shkrim me makinën e vjetër të vëllait tim aq dashamirës, Vexhiut. Më kujtohet se në atë kohë kisha nisur, ndër të tjera, edhe të përktheja romanin Martin Iden të shkrimtarit amerikan Jack London, që u botua më 1956. E po në atë dhomë të vjetër kam shkruar edhe një numër artikujsh dhe veprash, derisa gjithnjë falë përkrahjes së Vexhiut më 1961 më dhanë një shtëpi me dy dhoma e një kuzhinë në rrugën e Kavajës, afër sheshit 21 Dhjetori, ku u vendosa me gjithë familjen, që atëherë përbëhej prej pesë vetësh, unë, gruaja, nëna, Eglantina (dl. 1955) dhe Bardhyli (dl. 1958). Eglantina flinte në dhomën e pritjes dhe atje banoi, derisa u martua me Agim Brucin më 1982, kurse Bardhin e vumë të flinte në kuzhinë bashkë me nënën time plakë, e cila vdiq në vitin 1964.

Gjithsesi, në shtëpinë e re e ndjenim veten shumë më mirë se në atë dhomën e vetme afër Pazarit të Ri. Por në vitin 1988 bëmë një gabim të pafalshëm. Atëherë, me që Bardhyli ishte martuar dhe priste një fëmijë, ish-dekani i fakultetit, Ali Xhiku, një njeri shumë fisnik, më kishte dhënë një apartament me një dhomë e një kuzhinë në ndërtesën, ku banojmë sot (në rrugën Margarita Tutulani), të ndërtuar nga fakulteti. Unë i sugjerova djalit që të shkonte e të banonte ai atje me gjithë nusen, por ai nguli këmbë që të mos ndahej nga ne. Dhe kështu vendosëm që ta këmbenim shtëpinë tek 21 Dhjetori me një apartament (një dhomë e një kuzhinë) pranë apartamentit të dhuruar nga fakulteti. Në këtë mënyrë jo vetëm që humbëm një dhomë, por edhe u larguam nga një shtëpi shumë e mirë. E një gjë e tillë ndodhi më 1988, d.m.th. pak kohë, para ngjarjeve të vitit 1990.

Por le t´i kthehemi veprimtarisë sime pedagogjike e kërkimore. Kur u transferua Fakulteti ynë në Rrugën e Elbasanit, bashkë me të punonte edhe Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë dhe dekani Stefanaq Pollo ishte njëkohësisht edhe drejtor i Institutit. Por disa vjet më vonë Instituti u shkëput nga fakulteti dhe u vendos në një ndërtesë tjetër në një rrugicë të rrugës së Kavajës. Atëherë m´u ngarkua mua drejtimi i katedrës së gjuhës shqipe, që më parë drejtohej nga prof. Mahir Domi, i cili ishte njëherazi edhe shef i sektorit të gjuhës shqipe të Institutit, Unë e drejtova katedrën, derisa dola në pension në vitin 1990. Pedagogët efektivë të katedrës ishin të paktë dhe pikërisht: Anastas Dodi, Stefan Prifti, Fatmir Agalliu, Thoma Rushi e më pas edhe Et-hem Likaj dhe Rami Memushaj. Kishim edhe disa ndihmës-pedagogë për mësimin e gjuhës shqipe studentëve të huaj dhe pikërisht: Lumni Radovicka, Zana Daci, Ana Golemi, Donika Londo, Abedin Faja etj.
Por vazhduan të jepnin mësim si pedagogë të jashtëm Prof. Mahir Domi, Androkli Kostallari dhe Jorgji Gjinari. Në përgjithësi bashkëpunimi midis katedrës sonë dhe sektorit të gramatikës të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë ka qenë mjaft i mirë. Madje, organizoheshin pranë Institutit në bashkëpunim me katedrën tonë edhe diskutime shkencore për probleme të caktuara të gjuhës shqipe dhe të historisë së saj.

Unë në fillim zhvilloja lëndën e Morfologjisë së Gjuhës së Sotme Shqipe. Pastaj mora përsipër edhe Gramatikën Historike të shqipes, sepse prof. Mahiri u përqendrua në lëndën e sintaksës dhe në problemet e sektorit të tij në Institut. Por, para se të merrja përsipër zhvillimin e lëndës së Gramatikës Historike, m´u desh t´i futesha studimit të gjuhëve ballkanike. Më parë u mora me rumanishten e pastaj me maqedonishten e bullgarishten, greqishten e re e serbishten, por njëkohësisht vazhdova të merresha edhe me rusishten, sepse literatura gjuhësore dhe metodat për mësimin e gjuhëve ballkanike etj, në atë kohë, mund të gjendeshin kryesisht në gjuhën ruse. Për mësimin e rumanishtes më ndihmoi edhe qëndrimi im (bashkë me Jorgji Gjinarin etj.) në Rumani (pak më shumë se një muaj). Nga gjuhët ballkanike arrita të mësoja më mirë rumanishten, të cilën më parë arrita me ca vështirësi edhe ta flisja. Edhe maqedonishten arrita ta mësoja relativisht mirë, të paktën për të lexuar vepra gjuhësore të shkruara në atë gjuhë.

Më pak përparim pata në mësimin e bullgarishtes dhe të greqishtes së re, sepse nuk u kushtova edhe aq shumë kohë. Por literaturës së nevojshme për greqishten e vjetër dhe latinishten i kam kushtuar vëmendjen e duhur vazhdimisht.

Gjatë qëndrimit në katedër u interesova edhe për spanjishten dhe portugalishten, por këtë të fundit nuk arrita ta mësoj, ashtu siç nuk arrita të mësoj edhe sanskritishten, për të cilën gjeta një metodë jo edhe aq të mirë. Studimin e këtyre gjuhëve të huaja e kam ndier vazhdimisht të nevojshëm për të thelluar njohuritë e mia në fushën e Gramatikës dhe të Fonetikës Historike të Gjuhës Shqipe. Njohja pak a shumë mirë e gjuhëve ballkanike më ndihmoi edhe për të marrë përsipër zhvillimin e një kursi special për gjuhësinë ballkanike në vitet tetëdhjetë të shekullit XX, derisa dola në pension. Madje, vjetët e fundit u përqendrova vetëm në Gramatikën Historike dhe në Gjuhësinë Ballkanike, kurse Morfologjinë e Shqipes së Sotme e mori përsipër Et-hem Likaj, të cilin unë e mora në katedër edhe për arsye se njihte gjermanishten, sepse kishte studiuar ca kohë në Gjermani në një degë tjetër, para se të ndiqte degën e gjuhës e të letërsisë shqipe pranë fakultetit tonë pas prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me ish-Republikën Demokratike Gjermane, të drejtuar nga komunistët.

Unë kisha shumë dëshirë që të përgatitja sa më mirë një pasardhës, që të vazhdonte e të thellonte më tej studimin e historisë së gjuhës shqipe. Por ai u dha më shumë nga ç’duhej pas punëve administrative, duke arritur të bëhej edhe rektor i Universitetit të Tiranës. Megjithatë, ai ka botuar disa punime sidomos nga fusha e gramatikës historike, duke ndjekur kryesisht metodën e profesorit kosovar Besim Bokshi, i cili mbron tezën se gjuha shqipe (a më saktë nëna e saj) në një fazë të caktuar të evolucionit të saj e humbi sistemin e lakimit emëror, por rikrijoi prapë më vonë sistemin e lakimit, që ka sot. Në një recension të gjatë të botuar në Studime filologjike unë e kundërshtova një tezë të tillë, duke vënë në dukje, ndër të tjera, se asnjë nga gjuhët indoeuropiane, që e kanë mënjanuar sistemin e lakimit emëror të trashëguar, nuk kanë ndier (dhe nuk kishin përse të ndienin) nevojë për të rikrijuar një sistem të ri lakimi. E këtë qëndrim e kam përsëritur edhe në veprën time Gramatikë Historike e Gjuhës Shqipe (1986), e cila në një formë më të përmbledhur u botua edhe gjermanisht nga Akademia e Shkencave e Austrisë më 1993.

Hartimin gjermanisht të këtij botimi e kam bërë vetë me ca vështirësi, sipas kërkesës së palës austriake gjatë një vizite në Vjenë me ftesë të Institutit të Sllavistikës për të mbajtur nja dy ligjërata gjermanisht atje në vitin 1989. Me atë rast, u njoha me akademikun austriak me origjinë çeke, Frantishek Maresh, i cili ma bëri një propozim të tillë gjatë një dreke. Unë e prita i habitur një propozim të tillë dhe premtova se do t´u dërgoja një kapitull të kësaj vepre, për të mësuar edhe mendimin e tyre nëse gjermanishtja ime ishte në rregull. Prof. Mareshi nuk vonoi të më përgjigjej se gjithçka ishte në rregull dhe unë të vazhdoja punën.

Pasi e përfundova këtë vepër gjermanisht dhe ia dërgova Prof. Mareshit, gjatë vitit 1989 mora përgjigjen se vepra po shqyrtohej në Komisionin Ballkanik të Akademisë së Austrisë për të siguruar fondet e botimit të saj. Dhe në prill të vitit 1990 mora një letër të nënshkruar nga akademiku austriak me origjinë kroate Katiçiq, i cili edhe në emër të akademikut austriak Solta më shkruante, ndër të tjera, se botimi i një vepre të tillë do të jetë i dobishëm për shkencën dhe nder për Akademinë. Një vlerësim i tillë, merret me mend, ka shënuar një nga çastet më të lumtura të jetës sime. Dhe edhe sot, kur i rikujtoj ato çaste, ndiej një kënaqësi të madhe. Kjo vepër u botua në Vienë më 1993.

Por në fund të dhjetorit të vitit 1990 më thirri ish-dekani i atëherëshëm i Fakultetit. Arkile Bërxolli, i cili më njoftoi se sipas rregullave të Ministrisë së Arsimit unë duhej të dilja në pension, pasi kisha mbushur moshën 70 vjeç dhe më pyeti se ç´mendoja për këtë. Unë iu përgjigja se rregullat janë një për të gjithë dhe se s´kisha asnjë vërejtje. Natyrisht, që nuk më erdhi mirë, sepse një njoftim i tillë ma prishi sadopak humorin e mirë, që më kishte shkaktuar lajmi i gëzueshëm nga Austria. Për më tepër, në atë kohë unë po përgatitja për shtyp edhe librin Gjuhësi ballkanike.

Gjithsesi, në janar të vitit 1991 nuk isha më efektiv i fakultetit dhe dola në pension me 7.000 lekë të reja në muaj, Por ai pension atëherë ishte shumë më i mirë se pensionet e sotme. Prandaj mund ta vazhdoja jetën normalisht me pensionin tim dhe me atë të gruas sime. Punën pedagogjike e vazhdova edhe një semestër, për të përfunduar kursin e Gjuhësisë Ballkanike, që zhvilloja. Pastaj i ndërpreva krejt marrëdhëniet me katedrën e gjuhës shqipe, e cila nuk tregoi më asnjë interesim për të më aktivizuar. Përkundrazi, me përjashtim të Rami Memushajt, me të cilin jemi edhe komshi, pedagogët e tjerë të asaj katedre, ish-studentë të mi, pothuajse nuk u kujtuan fare as për ndonjë përshëndetje me telefon. Përkundrazi, bashkëpunimin me sektorin e Gramatikës të Institutit të Gjuhësise e të Letërsisë, të drejtuar më parë nga Mahir Domi dhe më pas nga Seit Mansaku e vazhdova pa ndërprerje, falë qëndrimit miqësor të punuesve të atij sektori, sidomos të prof. Seit Mansakut, që u bë edhe kryeredaktor i revistës Studime filologjike, ku unë kam bashkëpunuar vazhdimisht me artikuj shkencorë.

Në këtë ndërkohë, pasi përfundova librin mbi gjuhësinë ballkanike aty nga viti 1992, u interesova që ta botoja atë nëpërmjet fakultetit, ku kisha punuar për më shumë se 35 vjet, por nuk gjeta asnjë mbështetje. Atëherë u detyrova ta botoja në Shkup falë përkujdesjes së mikut tim të atjeshëm, prof. Remzi Nesimit. Libri u botua në vitin 1993 me interesimin e katedrës së Gjuhës e të Letërsisë shqipe pranë universitetit të Shkupit nëpërmjet shtëpisë botuese Logos A. Përurimi i këtij libri u bë dy herë në Shkup në vitin 1994, herën e parë nga katedra e gjuhës shqipe dhe herën e dytë nga katedra e gjermanistikës (për versionin maqedonisht të përkthyer nga prof. Haki Ymeri). Në të dy herët shkova bashkë me gruan dhe na pritën shumë mirë.

Në maj (?) të vitit 1993 më thirri kryeministri i atëhershëm, prof. Aleksandër Meksi, i cili më propozoi që të merrja përsipër detyrën e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, anëtar i së cilës isha pranuar në vitin 1989. Ky propozim më befasoi dhe pas ngurrimit tim dhe premtimeve të rastit nga ana e ish-kryeministrit më në fund pranova. Pas vdekjes së kryetarit të mëparshëm, prof. Aleks Budës, ky post kishte mbetur vakant dhe drejtohej nga zëvendësi, prof. Hekuran Mara. Por kryesia e mëparshme u shfuqizua nga qeveria e Partisë Demokratike, që erdhi në pushtet dhe atje ishin emëruar dy zëvendëskryetarë, prof. Ylli Vejsiu dhe prof. Petrit Skënde, me sekretar të përgjithshëm shkencor prof. Emin Rizën. Ata ishin profesora universiteti, por jo anëtarë akademie. Ishin njerëz me kulturë dhe të arsyeshëm. Ylli Vejsiu ishte edhe deputet i Partisë Demokratike. Edhe Emin Riza u bë deputet i asaj partie për pak vjet. Në kryesinë e re vetëm unë isha pa parti, sepse anëtarësimin në çfarëdo parti as që e kam dashur kurrë …

Megjithëse e kuptova lojën, unë dhe kolegët e mi morëm pjesë në ceremoninë e rastit, ku u prezantua kryesia e re e Akademisë me kryetar prof. Ylli Popën, nënkryetarë prof. Luan Omarin dhe prof. Kristo Frashërin dhe sekretar shkencor prof. Fahrudin Hoxhën. Kjo funksionoi si kryesi e përkohshme, derisa pas ndonjë viti e gjysmë u bënë zgjedhjet e reja të kryesisë së Akademisë. Por në këtë ndërkohë ishin bërë edhe zgjedhjet për anëtarë të rinj të Akademisë, në të cilat prof. Kristo Frashëri nuk fitoi votat e nevojshme dhe atëherë ai dha dorëheqjen si nënkryetar dhe qysh atëherë kryesia e Akademisë zgjodhi në vend të tij prof. Fahrudin Hoxhën, dhe në vend të këtij si sekretar shkencor u caktua prof. Eduard Sulstarova. Unë atëherë dola përsëri në pension, që ishte qesharak, megjethëse pak më vonë, pa ndonjë kërkesë nga ana ime, më përfshinë ndër personat me pension të posaçëm, që pak ndyshim kishte nga pensioni i zakonshëm.

Por për hir të së vërtetës më duhet të pohoj se qeveria e re mbajti një qëndrim më të favorshëm ndaj Akademisë, duke u caktuar të gjithë anëtarëve të Akademisë pa përjashtim një rrogë të posaçme, që erdhi duke u përmirësuar.

Edhe fondi për botimet shkencore erdhi duke u përmirësuar. Mjafton të përmend këtu se gjatë kohës që isha kryetar i Akademisë unë nuk munda të botoja asnjë vepër me fondet e kësaj. Veprat e mia të asaj periudhe u botuan jashtë shtetit (Gramatika Historike gjermanisht dhe gjuhësia ballkanike – shih më sipër). Në Tiranë m’u botua vetëm Fonologjia Historike e Gjuhës Shqipe me ndihmën bujare të fondacionit SOROS më 1996. Kurse pas dorëheqjes sime u botuan me fondet e Akademisë veprat Prejardhja e shqiptarëve në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe (1999), Gramatikë Historike e Gjuhës Shqipe – një version i përmbledhur (2002), Gjuhësi ballkanike (ribotim – 2004), The origin of the Albanians, linguistically investigated (2006) etj.

Gjatë kësaj periudhe kam vazhduar bashkëpunimin tim në revistat e Akademisë Studime filologjike dhe Studia Albanica. Edhe qëndrimi i drejtuesve të rinj të Akademisë ndaj meje ka qenë korrekt. Natyrisht, ka pasur edhe raste që qëndrimi im ka qenë i ndryshëm nga ai i atyre. Mjafton të përmend këtu që unë kam qenë kundër ndryshimit të nenit të statutit të Akademisë, sipas të cilit kryetari nuk duhej të zgjidhej dy herë, sepse puna administrative e pengon atë në punën e tij kërkimore. Por ai nen fatkeqësisht u ndryshua dhe si rrjedhim stafi drejtues i ri i Akademisë qëndroi më shumë se dhjetë vjet. E kjo ndoshta ka qenë një nga arsyet që qeveria e re e kryesuar nga Sali Berisha qysh nga viti 2005 vendosi ta reformojë Akademinë, duke ia hequr institutet kërkimore, që ishin në varësi të saj nën pretekstin se duhej ndryshuar modeli i tipit të Akademisë sovjetike.

Pavarësisht nga qëndrimi i ri zyrtar (jo i drejtë) kundrejt Akademisë dhe instituteve të saj kërkimore, qëndrimi i të njëjtëve njerëz në drejtimin e Akademisë ishte i dëmshëm jo vetëm për punën e saj, por edhe për vetë ata. Dhe në të vërtetë drejtuesit e Akademisë u kthyen në administratorë të thjeshtë pa ndonjë veprimtari shkencore të denjë për anëtarët e Akademisë. Sigurisht, në këtë rast ka ndikuar edhe fakti që ata janë specialistë fushash, ku është vështirë të nxjerrësh vepra shkencore të nivelit akademik. P.sh. kryetari prof. Ylli Popa është një mjek kardiolog shumë i mirë, por ç´vepër shkencore mund të bënte ai në këtë fushë dhe në moshën e tij të thyer? E kjo vërejtje vlen edhe për një pjesë të mirë anëtarësh të Akademisë, që kanë punuar në universitet si profesorë matematike, gjeologjie, fizike etj., d.m.th. në fusha, ku është vështirë të japësh ndonjë ndihmesë të re në moshë të thyer dhe pa bazën e nevojshme laboratorike.

Një e metë tjetër në punën e Akademisë sonë ka qenë mungesa e kërkimit të llogarisë ndaj vetes dhe ndaj instituteve vartëse për një prodhimtari sa më të frytshme shkencore në të gjitha fushat, që ajo dhe institutet e saj mbulonin. Me një kërkesë llogarie të vazhdueshme mund të ishin bërë më shumë punime nga sa janë kryer. E kjo vërejtje vlen edhe për institutet albanologjike, ku prodhimtaria shkencore ka qenë relativisht më e pasur, por jo aq e frytshme.

Por edhe qëndrimi i ri zyrtar ndaj Akademisë dhe instituteve kërkimore ishte i nxituar dhe i pamenduar si duhet. Dhe këtë mendim unë ua kam shprehur hapur autoriteteve të kryeministrisë si edhe presidentit të Republikës, Bamir Topit, në takimet e një grupi akademikësh me ta. Sipas këtij qëndrimi të ri, Akademia jonë e Shkencave nuk duhet të ketë institute kërkimore, për t´u kthyer kështu gjoja në një akademi të tipit perëndimor, d.m.th. për t´u desovjetizuar. Në të vërtetë, edhe në vendet kapitaliste perëndimore ka pasur dhe ka akademi me institute kërkimore, si p.sh. në Austri etj. Prandaj, ky ishte një pretekst për të përligjur një qëndrim, që po çon drejt shkatërrimit të traditës tashmë të krijuar për zhvillimin e kërkimeve shkencore në vendin tonë.
Për këtë qëllim më thirrën mua në Kryeministri dhe më propozuan që ta drejtoja unë kryesinë e përkohshme të Akademisë, por unë nuk pranova, duke paraqitur si arsye gjendjen time shëndetësore dhe moshën e thyer si edhe dëshirën që t´u përkushtohesha hulumtimeve shkencore. Pastaj caktuan një ekip të ri të kryesuar nga prof. Teki Biçoku. Sipas shtypit, qeveria ka vendosur që vetëm tre anëtarë nga akademikët aktualë mbi moshën 75 vjeç do të mbeten akademikë me të drejta të plota, kurse të tjerët u nxorën në pension e një ndër këta isha edhe unë që e prita këtë njoftim me botimin e veprës sime të re kushtuar kryesisht Epirit dhe me dhënien për një ribotim të përmirësuar dhe me shënime të veprës së Gavril Darës, Kënga e sprasme e Balës, që e mori përsipër shtëpia botuese private Dituria.

Për zgjedhjen e këtyre tre akademikëve të përjetshëm u tha se do të vendoste Asambleja e re e Akademisë, që do të përbëhej nga ata të paktë anëtarë aktualë me moshë nën 75 vjeç dhe nga anëtarët e rinj të zgjedhur a më saktë të emëruar nga një komision i përbërë prej nëntë vetësh, ndër të cilët edhe katër të huaj pa ndonjë emër të spikatur. Të shohim se ç´do të bëhet. Ndër anëtarët e rinj të zgjedhur bie në sy më fort që ata në pjesën më të madhe janë të mbështetur nga partia demokratike në pushtet, megjithëse ka midis tyre edhe ndonjë që e meritonte.

Sot (18.XII.2008) mësova se Asambleja e re e Akademisë ishte mbledhur dhe kishte vendosur që unë dhe Teki Biçoku të ishim anëtarë të përhershëm të Akademisë. Për anëtarin e tretë, që nuk fitoi votat e nevojshme, do të vendosej më vonë. Unë qysh nga prilli i vitit 2008 financiarisht jam në pension, që nuk më ka dalë i keq në krahasim me pensionet e zakonshme, pasi përfitoj, ndër të tjera, edhe një pension special të mëparshëm. Për më tepër, me vendim qeverie, ne akademikët pensionistë marrim edhe një shpërblim mujor të veçantë prej 450 lekësh të reja, shumë kjo vetëm pak më e vogël nga ajo e pensionit, kështu që pensioni im mujor është gati sa rroga mujore, që merrja, para se të dilja në pension.

Ndërkaq, unë, pa marrë parasysh se ç´do të bëhet me ne pleqtë, do të përpiqem të vazhdoj punën time shkencore, që nuk ka të sosur. Deri tashti, me kërkesën e kryesisë së mëparshme të Akademisë, kam përgatitur për ribotim librin kushtuar jetës dhe veprës së Eqrem Çabejt, që doli nga shtypi me rastin e 100- vjetorit të lindjes së atij gjuhëtari të shquar. Me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit doli nga shtypi më 2008 edhe ribotimi i monografisë për atë kongres, që kemi përgatitur e botuar edhe nja tri herë më parë bashkë me Kristaq Priftin. Po përgatit edhe një ribotim të plotësuar të librit tim Gjuha shqipe dhe historia e saj, që u botua nga Universiteti i Tiranës më 1988 dhe u ribotua një vit më vonë edhe në Prishtinë e në vitin 1997, u botua edhe italisht nga Universiteti i Kozencës me titullin La lingua albanese – origine, storia, strutture, përkthyer italisht nga unë vetë. Ky është një libër, që është pritur mirë dhe kërkohet. Nuk di nëse do të jem në gjendje të filloj hartimin e një monografie pak a shumë të gjerë për Mesapët e Italisë dhe gjuhën e tyre, të krahasuar me shqipen. Kjo ka qenë një dëshirë e vjetër imja dhe për këtë qëllim kam grumbulluar edhe një material faktik relativisht të pasur. Por në këtë ndërkohë jam marrë me punime të tjera dhe e kam lënë pas dore këtë temë, për të cilën kam botuar vetëm dy artikuj, një shqip në revistën Studime filologjike në vitin 2000 dhe një tjetër italisht në një përmbledhje studimesh të botuar në Itali më 2002 për nder të studiuesit arbëresh Antonino Guzzetta. Të dhënat e këtyre dy artikujve i kam paraqitur edhe në kreun e fundit të librit tim të vitit 2008: Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët.

Ndërkaq, vërej me keqardhje se interesimi për hulumtime shkencore të mirëfillta në përgjithësi dhe në fushën e albanologjisë në veçanti sa vjen e bie jo vetëm për arsye të degradimit të nivelit të përgatitjes nëpër universitet tona, por edhe për mosinteresimin e qeverive për të financuar hulumtimet shkencore, që kërkojnë patjetër një mbështetje financiare shtetërore sidomos tashti që interesimi për kërkime shkencore ka rënë.

Në këtë ndërkohë qeveria vendosi që të bëheshin zgjedhjet e drejtuesve të rinj të Akademisë. Dita e zgjedhjeve u caktua për më 08. 02. 2009. Per kryetar të Akademisë u paraqitën tre kandidatë, nga të cilët fitoi matematikani Gudar Beqiraj, ish-nënkryetar i përkohshëm i Akademisë dhe nënkryetar u zgjodh Muzafer Korkuti, ish-drejtor i Institutit të Arkeologjisë, kurse sekretar shkencor i Akademisë u zgjodh prof. Salvadore Bushati.

Më 3 Prill 2009, rreth orës 06 të mëngjesit, kur po bëhesha gati për t`u rruar në dhomën e pritjes, u pengova pa dashur afër bibliotekës dhe pësova një aksident të rëndë në anën e brendshme të pjesës se sipërme të kofshës së këmbës së majtë. Në këtë këmbë kisha pësuar edhe dy herë të tjera aksidente nga makinat në rrugë më 1994 thyerje kocke dhe më 2004 shëmbje. Herën e parë iu nënshtrova një operacioni 3-4 orësh në spitalin ushtarak nga një ekip mjekësh (prof. Karagjozi, prof. Panajot Boga dhe prof. Evi Gjika). Por në të dy rastet, pas një kohe jo edhe aq të gjatë e mora veten mirë, veçse herën e dytë m´u desh të mbaja një shkop, kur ecja në rrugë.

Pas aksidentit të fundit në shtëpi më shtruan përsëri në spitalin ushtarak të Tiranës, ku më operoi prof.Evi Gjika. Operacioni i rëndë u krye me sukses dhe pas pak ditësh më kthyen në shtëpi, ku për rreth 5 muaj pothuaj nuk lëvizja dot nga shtrati as për nevojat e domosdoshme, për të cilat më ka shërbyer sidomos gruaja, Fatimja e në fillim edhe çupa, Eglantina e madje edhe dhëndëri, Agimi.

Gjatë asaj periudhe edhe lëvizja më e vogël më shkaktonte dhembje në kofshën e operuar, por këto dhembje erdhën duke u lehtësuar sidomos pas muajit të pestë, kur fillova edhe të lëvizja nëpër shtëpi dhe të shkoja vetë në banjë me ndihmën e një këmbaleci. Por dhembjet, kur eci, ndonëse të pakësuara vazhdojnë dhe më pengojnë për të lëvizur pak më lirshëm e kjo gjendje pothuajse më ka bllokuar për të vazhduar punën e ndërprerë shkencore.

Megjithatë, diçka po përpiqem të bëj. Kohët e fundit, duke iu përgjigjur kërkesës së kryesisë së Akademisë, kam përgatitur një kumtesë me titullin Përcaktimi i dorëshkrimit origjinal të veprës së Matrangës nga prof. Selman Riza për mbledhjen përkujtimore me rastin e 100-vjetorit të lindjes se Selman Rizës, që do të mbahet në muajin dhjetor këtu në Tiranë. Gjithsesi, në rast se nuk do të më përmirësohet këmba që të lëviz qoftë edhe vetëm nëpër shtëpi pa këmbalec, për të shfrytëzuar të paktën bibliotekën time, nuk mund të jem në gjendje të ndërmarr ndonjë studim të gjerë si ai për Epirin, që më botoi Shtëpia Botuese Liria e prof.

Bardhyl Gudës aty nga fillimi i vitit 2008. Këtë libër unë e paraqita për botim në Akademinë e Shkencave, por, kur pashë se atje nuk kishte mundësi të botohej për mungesë fondesh, atëherë iu drejtova shtëpisë botuese të porsapërmendur, e cila e botoi me një tirazh prej 2.000 kopjesh. Ky libër në përgjithësi është pritur mirë dhe për të janë botuar edhe dy recensione, nga Muzafer Korkuti dhe nga Rami Memushaj.

Tagged in:,

Pin It on Pinterest

Share This
%d bloggers like this: