Dimri i Fundit i Dom Kurtit

ShkrimU bënë kaq muaj që qëndronte në atë birucë të ftohtë dhe të lagësht. Sapo kishte hyrë viti 1972. Dënimin me vdekje pothuajse e kishte harruar.  Kishte disa vjet që në Shqipëri ishte ndaluar kryerja e shërbimeve fetare. Por atij i kujtohej fare mirë ajo natë e errët kur një bashkëfshatar e kishte zgjuar dhe i ishte lutur që t’ja pagëzonte foshnjën e porsalindur. Tashmë në moshën 74 vjeçare nuk mund t’i refuzonte kërkesën një besimtari. Si mund të linte pa pagëzuar ata që do të ishin e ardhmja e këtij kombi? Për këtë ja vlente të rrezikonte.

Dom Shtjefën Kurti ishte një kosovar i ndershëm. Ai ishte rritur nëpër shkollat fetare që kur kishte qenë i vogël, në fillim në Shkodër, më vonë në Insbruk të Austrisë e pastaj në Romë për të marrë doktoratën në teologji. Aktivist i përhapjes së arsimit shqiptar, ai ishte gjithnjë në ndjekje nga serbët. Mbas vrasjes së At Shtjefën Gjeçovit më 6 Janar 1930, Dom Kurti së bashku me Dom Gjon Bisakun e Dom Luigj Gashin kalojnë kufirin dhe hynë ilegalisht në Shqipëri.

Të tre, të vendosur tashmë në Shkodër, ulen dhe përgatisin një material të dokumentuar për terrorin dhe masakrat serbe në Kosovë. Ky material prej 52 faqesh në frengjisht paraqitet nga vete Dom Kurti në Gjenevë në Lidhjen e Kombeve duke shkaktuar një jehonë të fuqishme ndërkombëtare.

Dom Shtjefen KurtiKëtij personi me ndjenja kaq të forta shqiptarizmi, qeveria demokratike në vitin 1946 i propozon të marrë drejtimin e një Kishe unite, të shkëputur nga papati i Romës. Ai refuzon. Atëhere arrestohet në Tetor 1947 dhe dënimi nënkuptohet që ishte me vdekje. Mbas protestave të personaliteteve të arsimit kombëtar (midis të cilëve Prof. A. Xhuvani, Prof. K. Cipo, etj.) dënimi i kthehet në 20 vjet burg të cilat i kryen në burgun e Burrelit.

Pas 17 vjet burg lirohet dhe fillon punën si bujk në kooperativën e Gurrëzës në rrethin e Krujës. Këtu vjen arrestimi i dytë në Qershor 1970 dhe përsëri dënim me vdekje. Pse? Sepse kishte pagëzuar fshehurazi djalin e kooperativistit me të cilin punonin së bashku. Kishte kaluar 7 muaj në hetuesi duke u mbajtur vazhdimisht i izoluar në një birucë. Ç’ishte i nevojshëm një hetim kaq i gjatë për të vërtetuar nëse e kishte apo nuk e kishte pagëzuar atë fëmijë. Por tashmë vendimi ishte dhënë. Pritej vetëm zbatimi i dënimit me vdekje, me pushkatim.

Ata që 20 vjet më parë kishin ngritur zërin e kishin protestuar për dënimin e parë me vdekje tashmë nuk jetonin më.  Asnjë nuk po kujtohej më për Dom Kurtin. Gjithshka kishte kaluar në harresë. Ishin muaj të tërë që Dom Kurti priste dënimin e tij. Edhe datëlindjen e kishte kaluar në atë birucën e ftohtë të burgut.  Ndjehej i lumtur që kishte lindur në të njëjtën ditë me Jezu Krishtin, në natën e 24 Dhjetorit të vitit 1898.

Një natë më parë në atë birucë mezi kishte mundur të mbyllte sytë. Tashmë nuk po e duronte dot të ftohtin e lagësht të këtij dimri. Gjithe trupi i dhimbte. Mosha bënte të vetën. Po gdhinte një mëngjes i vrenjtur, me një shi të imët. Roja që po mbaronte turnin e natës vjen dhe e zgjon.

– Zgjohu Padre, bëju gati, erdhi dita.

Roja po rrinte e po shihte plakun se si po mundohej të ngrihej nga ai dyshek me kashtë dhe ashtu i veshur siç ishte (tashmë në atë të ftohtë që bënte e kishte bërë zakon të binte të flinte i veshur) po mundohej me siklet të vishte kepucët e grisura.

–  Jam gati biri im.

–  Shkojmë Padre…

– Desha me të thanë Padre (dhe këtu e uli zanin), meqë jemi vetëm e këto janë minutat e fundit, se unë jam daja e atij fëmijës që ke pagëzuar. Gjithë ajo qe vetëm një lojë e kurdisur nga ata të sigurimit. Operativi i kooperativës ja mbushi mendjen kunatit tim që te vijë tek ty për të kërkuar pagëzimin e fëmijës, duke i premtuar se do ta caktonin në një vend të mirë pune në kooperativë dhe do të kishte të drejtë të mbante pushkë. Ti nuk e di, po gjithmonë ke qenë në survejim.

– Le të shpresojmë atëhere se do ta mbajnë fjalën dhe kunati do të sistemohet për më mirë. Të paktën vdekja ime do të ketë shërbyer për diçka, u përgjigj Dom Kurti.

U ekzekutua atë mëngjes të ftohtë Shkurti të vitit 1972.

Robert Cipo

Pin It on Pinterest

Share This
%d bloggers like this: