Aleksandër Xhuvani – Mark Ndoja MORFOLOGJIA nga “ORTOGRAFIA E GJUHËS SHQIPE” {Gegenisht} 1948

Nga Leka Ndoja

leka-ndoja
Për t’i vû nji bazë unifikimi mënyrës së shkrimit të gjuhës, Seksioni i Gjuhësisë e i Letërsisë muer e studioi për disa kohë çashtjen shumë të vështirë të ortografisë së gjuhës, dhe si rezultat të këtij studimi hartoi këto rregulla ortografike që po i botojmë në këte Buletin, me qëllim që t’i njohin e t’i këndojnë gjithë arsimtarët dhe intelektualët, që merren pak a shumë me gjuhë dhe dëshirojnë unifikimin e shkrimit të saj.
U lutemi gjithë kêtyne shokëve që t’i këndojnë me kujdes këto rregulla e të na dergojnë me shkrim mendimėt e tyne mbrenda tri javeve prej dates sė marrjes së Buletinit, per t’i pasë para sysh në hartimin definitiv të rregullavet t’ortografisë.

Përmbajtja:

1 FONETIKA
2 AKCENTI
3 APOSTROFI
4 MORFOLOGJIA

Emnat femnorë më ë

Gjithë emnat femnorë paroksitonë që të pashquem mbarojnë në ë e ruejnë këtë zanore në gjithë
rasët e njëjësit e të shumësit; p.sh. fjalë, fjalën, fjalësh, fjalëvet. Kështu edhe: bukë, flakë, hundë,
kambë a këmbë, lugë, punë, etj.
Ata emna që n’emnore të shumësit mbarojnë me a e ruajnë këte në gjithë rasët e shumësit; p.sh.
mollat, dardhat, mollavet, dardhavet, etj.

Emnat femnorë më e, é, a.

E-ja fundore e patheksueme e emnavet femnorë bie në trajtën e shqueme t’emnores së njëjësit,
p.sh. lule – lulja, dele – delja, çerdhe – çerdhja, mbledhje – mbledhja, etj.; kurse e-ja dhe a-ja e
theksueme e këtyne emnave ruhet, kur del trajta e shqueme; p.sh. rrufe – rrufeja, hobe – hobeja,
teneqe – teneqeja, bela – belaja, hua -huaja, kala – kalaja, gjâ – gjâja, a gjë gjëja, etj.

Emnat femnorë më i

Emnat femnorë që mbarojnë më i, në trajtën e shqueme t’emnores së njëjësit do të mbarojnë vetëm më a, p.sh. shtëpi – shtëpia, liri – liria, Shqipni a Shqipëri – Shqipëria, etj. Shkaku asht se
shqiptimi i j-së (shtëpija, lirija, etj.) nuk asht i përgjithshëm në dialektet, por diku ndihet e diku jo, edhe se grafia e kësaj ndër shkrimtarët tanë nuk asht uniforme, se disa e shkruejnë j-n dhe
disa jo; prandaj për thjeshtësim shkrimi emnat e tillë do të shkruhen pa -j: shtëpia e jo shtëpija, Shqipëria e jo Shqipërija, etj. Këta emna në rasët oblike të njëjësit do të shkruhen më -së dhe në
kallzoren më -në si në toskënishtet ashtu edhe në gegënishtet; p.sh. shtëpisë, shtëpinë, lirisë, lirinë, etj.
Gjithë emnat oksitonë që mbarojnë -i, -e, -a në rasën emnore e kallzore të shumësit të shquem do
të mbarojnë më -të: shtëpitë, rrufetë, kalatë, etj. në të dy dialektet.

Emnat femnorë derivatë

Emnat femnorë derivatë me prapashtesën -i, -trë, -inë (-ri, -si, -sirë -sinë, -tinë, tirë) në toskënishtet e tuejnë -ë, -n protonike në trup të fjalës, qoftë kjo mbaresa e fjalës primitive, si te fjalët: mbarësi, mirësi, burrëri, vajzëri, mbretëri, errësirë, ngordhësirë, etj., qoftë e dalë për analogji, si miqësi, pleqëri, shoqëri, tregëti, etj. Shkaku i kësaj grafie asht se -ë-ja në të tilla fjalë asht fonetike në toskënishtet. Kjo grafi asht fakultative në gegënishtet, d.m.th. fjalët e tilla në gegënishtet mund të shkruhen më ë ose pa ë; p.sh. mbarësi ose mbarsi, mirësi ose mirsi, pleqëni ose pleqni, mbretëni ose mbretni, burrëni pse burrni, shoqëni ose shoqni, tregëti ose tregti, errësinë ose errsinë, etj.

Emnat femnorë më -ijë

Emnat femnorë që mbarojnë më -ijë e ruejnë këtë trajtë në shkrim në të dy dialektet, p.sh. ijë,
vijë, bijë, fëmijë, shkëndijë, mijë, dhurëtijë, vetëdijë, shijë (a shije), anijë (anije). Gjithashtu fjala dije bashkë me derivatet e saja do të shkruhet me j: dije, dijetar, dijeni, dijekeq, etj.
Emnat femnorë më -një
Emnat femnorë që në toskënishtet mbarojnë më -një dhe në disa vise të Gegënisë zanoren e përparme e kanë të nazalizueme do ta ruejnë në shkrim trajtën e toskënishtes: p.sh. banjë, brinjë,
bitonjë, finjë, rranjë, mërqinjë, shkronjë, zonjë, mburonjë, ulkonjë, shushunjë, etj.
(Vijon)
Instituti i Shkencave, Tiranë, Buletin i Institutit të Shkencave, Redaktor përgjegjës prof. Mark Ndoja, viti II-të, Prill 1948, nr. 1, f. 5-10 dhe 39-50. Përgatiti prof. Aleksandër Xhuvani.
# “Ortografia e Gjuhes Shqipe” u botua me pak ndryshime nga ky botim i “Buletinit te shkencave” si tekst me vete me 1951.
cipo-xhuvani-ndoja

Profesorët e Institutit Pedagogjik, Tiranë 1951
Kostaq Cipo, Aleksandër Xhuvani, Mark Ndoja

Pin It on Pinterest

Share This